A është logjik evolucioni?
A është logjik evolucioni?
SOT ata që përkrahin teorinë e evolucionit thonë se ai është një fakt. Megjithatë, sa logjike janë pohimet që bëjnë ata kaq dendur? Le të vërejmë rastin e mëposhtëm.
Fija e hollë që prodhon merimanga është një nga materialet më të forta që njihen. Sipas revistës New Scientist, «çdo fije mund të zgjatet me rreth 40 për qind të gjatësisë së saj dhe mund të durojë një forcë njëqind herë më të madhe se çeliku pa u këputur». Si formohet kjo fije e jashtëzakonshme? Siç shpjegohet në Encyclopædia Britannica, një lëng veshtullor, një proteinë, kalon përmes tubash të veckël që gjenden në trupin e merimangës dhe shndërrohet në një fill të ngurtë si rezultat i një vendosjeje të ndryshme të molekulave të proteinës.
New Scientist përfundon: «Merimanga ka zhvilluar teknika jashtëzakonisht më të përparuara, madje edhe se ato të kimistëve më të zotë.» A mund të imagjinojmë që merimanga të ketë zhvilluar një teknikë prodhimi kaq të ndërlikuar, saqë njeriu nuk ka arritur ende ta kuptojë?
Në një artikull në The Wall Street Journal, nga Filip E. Xhonson, profesor ligji në Universitetin e Kalifornisë, vërehet që dëshmitë për evolucionin janë të mangëta, por që, prapëseprapë, përkrahësit e tij shpesh i tallin ata që vënë në dyshim evolucionin. Në artikull komentohet: «Teoria e evolucionit ka probleme serioze për sa u përket dëshmive, por mbrojtësit e saj nuk duan të zhvillojnë një diskutim të hapur, i cili mund të minojë pikëpamjen e tyre për botën.»
Një shembull tjetër që tregon mungesën e logjikës në mënyrën evolucioniste të të menduarit ka të bëjë me bimët. Disa shkencëtarë që bëjnë kërkime në Marok kanë nxjerrë 150 fosile të arkeopterisit, për të cilin në The Daily Telegraph të Londrës thuhet se është «i afërmi më i ngushtë i bimëve të para me farëra i zbuluar deri tani, paraardhës i shumicës së pemëve të sotme». Redaktori shkencor i gazetës deklaron se kjo bimë «ndihmoi që t’i jepej formë botës moderne, duke shpikur gjethet dhe degët». «Të shpikësh» do të thotë «të krijosh nëpërmjet të menduarit». A është logjike t’i atribuosh një bime aftësinë për të menduar dhe për të shpikur?
Solomoni, një nga njerëzit më të mençur, na këshillon të ‘ruajmë aftësinë tonë të të menduarit’, të vëmë në punë mendjen tonë. Nevoja për të vepruar kështu nuk ka qenë asnjëherë më e madhe.—Fjalët e urta 5:2.