A ndryshon Perëndia?
Pikëpamja e Biblës
A ndryshon Perëndia?
ANTROPOLOGU Xhorxh Dorsi e përshkroi Perëndinë e «Dhiatës së Vjetër» si «një Perëndi të egër». Ai shtoi: «Jahveu është . . . krejtësisht i pakëndshëm. Ai është Perëndia i plaçkitësve, i torturuesve, i luftëtarëve, i pushtimeve.» Të tjerë kanë arritur në përfundime të ngjashme për Perëndinë e «Dhiatës së Vjetër»—Jahveun ose Jehovain. Prandaj, sot disa pyesin veten nëse Jehovai ishte në të vërtetë një Perëndi mizor, që më vonë e ndryshoi karakterin e tij dhe u bë Perëndia i dashur e i mëshirshëm i «Dhiatës së Re».
Një koncept i tillë për Perëndinë e Biblës nuk është diçka e re. Kjo ide u paraqit fillimisht nga Marsioni, një gjysmë-gnosticist i shekullit të dytë të erës sonë. Marsioni e hodhi poshtë Perëndinë e «Dhiatës së Vjetër». Ai e konsideronte atë Perëndi si të dhunshëm dhe hakmarrës, një tiran që u ofronte shpërblime materiale atyre që e adhuronin. Nga ana tjetër, Marsioni e përshkruante Perëndinë e «Dhiatës së Re»—të zbuluar nëpërmjet Jezu Krishtit—si një Perëndi të përsosur, një Perëndi i dashurisë së kulluar dhe i mëshirës, i dhembshurisë dhe i faljes.
Jehovai përballon sfidën e ndryshimit të rrethanave
Emri personal i Perëndisë, Jehova, do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Kjo nënkupton se Jehovai shkakton që ai vetë të bëhet Përmbushësi i të gjitha premtimeve të tij. Kur Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin e tij, Jehovai e shtjelloi kuptimin e emrit të vet në këtë mënyrë: «Unë do të tregoj se jam ai që do të tregoj se jam.» (Eksodi 3:14, BR) Përkthimi i Rotherhamit shprehet kështu: «Unë do të bëhem gjithçka që dua.»
Kështu Jehovai vendos të bëhet, ose tregon se është, çfarëdo që është e nevojshme për të përmbushur qëllimet dhe premtimet e tij të drejta. Një dëshmi e kësaj është fakti që ai ka një shumëllojshmëri titujsh dhe termash përshkrues: Jehovai i ushtrive, Gjykatës, Sovran, Xheloz, Zotëri Sovran, Krijues, Atë, Mësues i Madh, Bari, Dëgjues i lutjes, Shpengues, Perëndi i lumtur e mjaft të tjera. Ai ka vendosur të jetë në të gjitha këto role, e në shumë më tepër, në mënyrë që të realizojë qëllimet e tij të dashura.—Eksodi 34:14; Gjyqtarët 11:27; Psalmi 23:1; 65:2; 73:28; 89:26; Isaia 8:13; 30:20; 40:28; 41:14; 1 Timoteut 1:11.
A do të thotë atëherë kjo se personaliteti dhe standardet e Perëndisë ndryshojnë? Jo. Lidhur me Perëndinë, në Jakobin 1:17 thuhet: ‘Pranë tij nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.’ Si mund ta përballonte Perëndia sfidën e ndryshimit të rrethanave, ndërkohë që ai vetë mbetet i pandryshueshëm?
Shembulli i prindërve të kujdesshëm që marrin përsipër role të ndryshme për të mirën e fëmijëve ilustron se si është e mundur kjo gjë. Në rrjedhën e një dite të vetme, një prind mund të jetë kuzhinier, amvisë, elektricist, infermier, mik, këshillues, mësues, disiplinues e shumë të tjera. Prindi nuk ndryshon personalitetin kur merr përsipër këto role. Ai ose ajo thjesht u përshtatet nevojave që lindin. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Jehovain, por në një shkallë shumë më të gjerë. Nuk ekzistojnë kufij lidhur me faktin se çfarë mund të vendosë të bëhet ai vetë për të përmbushur qëllimin e tij dhe për t’u sjellë dobi krijesave të tij.—Romakëve 11:33.
Si në Shkrimet e Krishtere Greke, ashtu edhe në Shkrimet Hebraike zbulohet, për shembull, se Jehovai është një Perëndi i dashurisë dhe i mëshirës. Profeti Mikea, i shekullit të tetë p.e.s., pyeti lidhur me Jehovain: «Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm [gjen kënaqësi në dashamirësinë, BR].» (Mikea 7:18) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Gjon shkroi fjalët e mirënjohura: «Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.
Nga ana tjetër, në të dyja pjesët e Biblës, Jehovai paraqitet si Gjykatësi i drejtë i atyre që dhunojnë rëndë, në mënyrë të përsëritur dhe pa u penduar ligjet e tij e që dëmtojnë të tjerët. «[Jehovai] do të shkatërrojë të gjithë të pabesët»,—tha psalmisti. (Psalmi 145:20) Ngjashëm, në Gjonin 3:36 thuhet: «Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.»
I pandryshueshëm në cilësi
Personaliteti i Jehovait dhe cilësitë e tij kryesore—dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia—nuk kanë ndryshuar. Ai i tha popullit të Izraelit: «Unë jam Jehovai; nuk kam ndryshuar.» (Malakia 3:6, BR) Kjo gjë u tha rreth 3500 vjet pasi Perëndia krijoi njerëzimin. Në përputhje me këtë pohim hyjnor, një shqyrtim nga afër i Biblës në tërësi zbulon se Perëndia është i pandryshueshëm në standardet dhe në cilësitë e tij. Përgjatë shekujve nuk ka pasur ndonjë zbutje të personalitetit të Perëndisë Jehova, sepse nuk ka qenë e nevojshme që ai të zbutej.
Vendosmëria e Perëndisë për drejtësinë, e cila del në pah në tërë Biblën, nuk është zvogëluar aspak dhe as dashuria e tij nuk është më e madhe nga ç’ishte në fillimet e marrëdhënieve të tij me njerëzit në Eden. Ndryshimet në dukje në personalitetin e tij, të paraqitura në pjesë të veçanta të Biblës, janë në realitet aspekte të ndryshme të të njëjtit personalitet të pandryshueshëm. Ato dalin në pah për shkak të rrethanave të shumëllojta dhe të personave të ndryshëm me të cilët kishte të bënte, që kërkonin qëndrime ose marrëdhënie të ndryshme.
E pra, Shkrimet tregojnë qartë se personaliteti i Perëndisë nuk ka ndryshuar përgjatë shekujve dhe nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Jehovai është mishërimi suprem i pandryshueshmërisë dhe i koherencës. Në çdo kohë ai është i besueshëm dhe i denjë për besim. Ne mund të mbështetemi gjithnjë tek ai.
[Figurat në faqet 16, 17]
I njëjti Perëndi që shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën . . .
. . . do të sjellë një botë të re të drejtë