Kravatat dje dhe sot
Kravatat dje dhe sot
PËR mijëvjeçarë të tërë, burrave u ka interesuar të zbukurojnë grykën dhe qafën. Për shembull, rreth vitit 1737 p.e.s., faraoni i Egjiptit i dha Jozefit një gjerdan të artë.—Zanafilla 41:42.
Sot në shumë pjesë të botës, burrat mbajnë ato që i quajmë kravata. Sipas burimeve të ndryshme, pararendësit e kravatës moderne u shfaqën në Angli dhe në Francë në pjesën e fundit të shekullit të 16-të. Burrat vishnin një xhaketë të ngushtë karakteristike. Për zbukurim mbanin në qafë një jakë të kollarisur me fruda. Në shumë raste kjo jakë, e cila mund të kishte një trashësi prej disa centimetrash, ishte si një disk në formë pjate që rrethonte qafën. Bëhej me copë të bardhë dhe kollarisej, në mënyrë që të ruante formën.
Me kalimin e kohës, jaka e kollarisur me fruda u zëvendësua nga ajo që quhej jakë e varur. Kjo ishte një jakë e bardhë që mbulonte tërë supin dhe binte mbi pjesën e sipërme të krahut. Këto jaka quheshin edhe Vandyk. Ato i mbanin puritanët, por, gjithashtu, edhe persona të tjerë.
Në shekullin e 17-të, nën xhaketën e gjatë të zakonshme nisi të mbahej një xhaketë e gjatë e brendshme që quhej jelek. Ai që e vishte mbështillte në qafë një tip shalli të gjerë ose kravate. Kjo copë mbështillej rreth qafës më shumë se një herë. Cepat e lirë vareshin mbi këmishë. Pikturat e pjesës së fundit të shekullit të 17-të tregojnë se kravatat ishin shumë në modë në atë kohë.
Kravatat bëheshin me muslinë, me batist e madje edhe me dantellë. Ato prej dantelle ishin të shtrenjta. Thuhet se Xhejmsi II i Anglisë pagoi 36 paund dhe 10 shilinga për një të tillë me rastin e kurorëzimit të tij, një shumë goxha e madhe kjo në atë kohë. Disa kravata dantelle ishin mjaft të mëdha. Portreti i Karlit II në abacinë e Uestminsterit tregon se kravata e tij ka qenë 15 centimetra e gjerë dhe 86 centimetra e gjatë.
Ekzistonin mënyra të ndryshme për ta lidhur kravatën, që krijonin shumë lloje nyjash. Në disa raste vendosej një rrip i mëndafshtë mbi kravatë, që ajo të qëndronte siç duhej dhe pastaj lidhej nën mjekër në formën e një fjongoje të madhe. Ky lloj shalli quhej solitar. Fjongoja i ngjante një papijoni modern. Thuhet se kishte të paktën njëqind mënyra për të lidhur një kravatë. Bo Brumel, një anglez që ndikoi shumë në stilin e veshjes së burrave, thuhet se kaloi një mëngjes të tërë duke lidhur një kravatë, për ta rregulluar tamam siç duhej.
Rreth viteve 1860, kravata me bishta të gjatë filloi t’i ngjante versionit modern të kravatës dhe filloi të quhej me këtë emër. Në gjuhën angleze kjo kravatë quhej edhe four-in-hand. Ky emër vinte nga nyja që përdornin ata që ngitnin four-horse teams (katër kuaj). Këmishat me jakë kishin hyrë në modë. Kravata lidhej nyjë nën mjekër dhe bishtat e saj të gjatë vareshin mbi këmishë. Kjo është koha kur u shfaq kravata moderne. Një lloj tjetër kravate, papijoni, nisi të përdorej shumë gjatë viteve 1890.
Sot shumë njerëz e konsiderojnë kravatën si një pjesë të rëndësishme të pamjes së atij që e mban. Disa, madje, mund të krijojnë një opinion për një person të panjohur duke u bazuar në llojin e kollares që mban ai. Prandaj, bëni mirë të mbani kollare që janë të pastra dhe që kanë motive a ngjyra që harmonizohen me këmishën, pantallonat dhe xhaketën tuaj.
Lloji i nyjës që keni zgjedhur duhet lidhur në mënyrë të rregullt. Nyja më e përhapur është ndoshta nyja rrëshqitëse. (Shih ilustrimin në faqen 14.) Është e rregullt dhe e thjeshtë, si edhe përdoret gjerësisht për raste ceremoniale. Një nyjë tjetër mjaft e përhapur është nyja Uindsor, që është disi më e madhe. Në kollare, tamam poshtë nyjës, bëhet zakonisht një e thelluar.
Shumë burra kanë siklet kur mbajnë kollare. Atyre nuk u pëlqen presioni që ushtron ajo në grykë. Megjithatë, disa që kanë pasur këtë problem, kanë zbuluar se parehatia ka të bëjë më shumë me masën e këmishës. Nëse keni këtë problem, sigurohuni që s’e keni shumë të vogël jakën e këmishës. Kur ajo ka numrin e duhur, mundet që as të mos e ndieni fare se po mbani kollare.
Në shumë vende kravata konsiderohet një pjesë thelbësore e veshjes së punës ose asaj ceremoniale. Për këtë arsye shumë burra të krishterë mbajnë kollare kur marrin pjesë në aspektet formale të shërbimit të tyre. Po, një copë e vendosur rreth qafës së një burri mund t’i shtojë atij dinjitet dhe t’i japë një pamje të respektueshme.
[Diagrami në faqen 14]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Si ta lidhim nyjën e kollares? *
1 Filloni duke e pasur bishtin e gjerë të kollares afro 30 centimetra nën bishtin e ngushtë dhe kalojeni sipër bishtit të ngushtë, duke e kthyer pastaj nën të.
2 Kalojeni edhe një herë sipër bishtin e gjerë dhe futeni përmes lakut.
3 Duke e mbajtur të lirshme pjesën e përparme të nyjës me gishtin tregues, tërhiqeni bishtin e gjerë përpara përmes lakut.
4 Shtrëngojeni nyjën me ngadalë, duke mbajtur bishtin e ngushtë dhe duke e rrëshqitur nyjën në jakë.
[Shënimi]
^ par. 15 Nga libri Shirt and Tie.
[Figurat në faqen 15]
Lloje kravatash nga shekulli i 17-të e deri më sot