Mes detesh të stuhishme për në ujëra të qeta
Mes detesh të stuhishme për në ujëra të qeta
TREGUAR NGA HANS STURM
PËR më shumë se 200 vjet, burrat në familjen time kishin qenë marinarë. Dëshira ime ishte të pasoja tim atë, ashtu siç e kishte pasuar ai gjyshin, në jetën e detit.
Më 1914, me shpërthimin e Luftës I Botërore, babanë e rekrutuan në flotën ushtarake gjermane, për të lundruar me një anije minaheqëse në detin Baltik. Rreth vitit 1916, babanë e caktuan në një anije tregtare, e cila u përdor për të importuar nga Suedia xeherorë hekuri deri në përfundimin e luftimeve. Ai vdiq në vitin 1919, kur isha vetëm tetëvjeç, por kujtimet për të i kisha të gjalla në mendje.
Që të plotësoja dëshirën për të bërë përpara në profesionin që kisha zgjedhur, më duhej të shërbeja katër vjet në lundrim dhe 20 muaj nga to duhej t’i bëja në anije me vela. Vetëm atëherë mund të regjistrohesha në ndonjë kolegj marine. Prandaj kur isha 15 vjeç, mamaja më çoi nga Shtetíni (tani Shkecini në Poloni), ku kisha lindur, në Hamburg, Gjermani. E dinim që kompania Lais zotëronte një sërë anijesh me vela dhe shpresonim që mund të futesha në ndonjërën nga to si kadet. Nuk kishim të paguanim, por, për shkak të emrit të tim eti, Laisi më mori pa pagesë.
Më 1927, u nisa për lundrim me Paduan, * një anije prej çeliku me katër direkë. Ajo udhëtonte nga Hamburgu në Kili për të grumbulluar ngarkesa nitrati. Nuk kishte motorë, por vetëm vela. Ato udhëtime mespërmes Atlantikut qenë një përvojë emocionuese për të gjithë ne djelmoshat e rinj.
Shpesh kalonim mes detesh të stuhishme. Në këto raste velat uleshin. Çfarë provoje kur ngjiteshe në direk për të ulur velat, ndërkohë që anija lëkundej sa andej-këtej? Duhet ta pranoj se isha i trembur sa s’ka. Por kur jepej urdhri, nuk e vritja më mendjen dhe thjesht ngjitesha e bëja atë që më ishte thënë.
Forca përtej kontrollit tim
Mamaja ishte katolike, por pak pas vdekjes së babait filloi të shoqërohej me Ernste Bibelforscher ose me Studentët e Zellshëm të Biblës, siç njiheshin asaj kohe në Gjermani Dëshmitarët e Jehovait. Më 1923 ajo u pagëzua. Feja katolike nuk më kishte tërhequr kushedi se çfarë, ndërsa ato që thoshte mamaja dukeshin logjike. Kështu bashkë me motrën time më të vogël, Margotën, e shoqëroja mamanë në mbledhjet e studimit të Biblës.
Në vitin 1929 u largova nga Padua për t’i kaluar tri vitet e tjera në avullore të ndryshme. Me to shkova nëpër porte të Evropës Veriore dhe në Mesdhe. Në njërin nga udhëtimet lundrova përreth botës. Më pëlqente ajo jetë dhe mezi pritja të regjistrohesha në kolegjin e marinës në Shtetín, ashtu siç kishte bërë im atë. Më 1933 nisa atje një kurs 18-mujor për t’u kualifikuar si kapiten i dytë ose i tretë. Por, planet e mia u prishën nga forca përtej kontrollit tim.
Po atë vit kishte ardhur në fuqi Hitleri dhe nacionalizmi
po përfshinte Gjermaninë. Studentët kishin shumë qejf të thërritnin «Heil Hitler!». Megjithatë unë e dija nga ato që kisha mësuar prej mamasë se nuk mund ta bëja kurrë një gjë të tillë. Më thirrën të jepja një shpjegim për refuzimin tim, por ai nuk u pranua. Më përjashtuan nga shkolla. Drejtori ishte njeri i përzemërt dhe më dha një dokument ku thuhej se kisha studiuar një vit. Meqë nuk munda ta përfundoj kursin, u largova pa ndonjë dëshmi kualifikimi. Gjithçka përreth sikur m’u shemb.Presioni shtohet
Për shkak të qëndrimit tim asnjanës, tani isha në listën e zezë. Jo vetëm që nuk mund të lundroja me ndonjë anije, por as nuk mund të gjeja fare punë, kështu që qëndrova në shtëpi për të ndihmuar mamanë. Ajo e nxirrte njëfarësoj jetesën duke gatuar për njerëzit dhe unë me kënaqësi laja enët e përgatitja perimet për të. Më 1935, katër vjet para Luftës II Botërore, jeta ime mori një drejtim tjetër.
Daja im Oskar jetonte në Dancig (tani Gdansku). Kur mori vesh për vështirësitë e mia, më ftoi të punoja për të në restorantin e tij. Daja dhe gruaja e tij, Rozli, ishin që të dy Dëshmitarë të Jehovait. E pranova me gëzim ofertën e tyre të dashur. Edhe pse nuk mund të më paguanin një rrogë të rregullt, ndihesha më i sigurt me ta.
Pas Luftës I Botërore, Dancigu ishte bërë një qytet-shtet që administronte një sipërfaqe të madhe toke nën drejtimin e Lidhjes së Kombeve. Synimi ishte t’i sigurohej Polonisë dalje në det, por ky organizim në të vërtetë e shkëputi Prusinë Lindore nga pjesa tjetër e Gjermanisë. Kjo situatë qe e papranueshme për Hitlerin. Në fakt, ishte pikërisht pushtimi i Polonisë nga ana e tij dhe aneksimi i kësaj toke që çoi drejt Luftës II Botërore.
Ca kohë pas mbërritjes sime, daja dhe gruaja e tij u kujdesën për një të ri, i cili kishte qenë në një kamp përqendrimi ngaqë ishte Dëshmitar i Jehovait. Ai më tregoi për trajtimin e egër që kishte pësuar. Pak kohë më vonë, dajën dhe të shoqen i arrestuan pasi refuzuan të bënin përshëndetjen e Hitlerit, por më pas i liruan. Në atë kohë, edhe mua më mori në pyetje Gestapoja, megjithëse nuk më mbajtën në arrest.
Ndërkohë, në Shtetín mamaja mori dokumente që më thërritnin të futesha në ushtrinë gjermane. Ajo më shkroi menjëherë një letër të kujdesshme, ku më kërkonte të vizitoja teze Naomin që jetonte në Suedinë Veriore. E kuptova çfarë donte të thoshte: largohu nga vendi!
Persekutimi nazist
Gjërat po bëheshin gjithnjë e më të vështira. Dajën dhe gruan e tij i arrestuan përsëri. Kësaj here i çuan në kampin e përqendrimit në Shtuthof, dy orë larg me autobus nga Dancigu. I mbajtën atje deri në përfundimin e luftës, në vitin 1945. Mjerisht, mësova që daja kishte vdekur në një anije e cila çonte në perëndim të burgosur të kampit të përqendrimit, për t’i shpëtuar ushtrisë ruse që po afrohej. Ndërsa gruaja e tij mbijetoi dhe u bë ungjillëzuese në kohë të plotë.
Kur dajën dhe gruan e tij i çuan në Shtuthof, mamanë e arrestuan në Shtetín dhe kaloi shtatë muaj në burg. Motra ishte martuar me birin e një çifti Dëshmitarësh dhe në të njëjtën kohë ndodhej në burg si mamaja. Të shoqin dhe vajzën e tyre i kishin dërguar në kampe përqendrimi. I shoqi vdiq atje, ndërsa vajza kaloi tetë vjet në disa nga kampet më famëkeqe, përfshirë edhe Belzenin.
Në një rast, pasi refuzuan të qepnin gjerdanë fishekësh për ushtrinë, mbesën time dhe Dëshmitare të tjera i detyruan të qëndronin jashtë me rroba të holla nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën gjashtë të mbrëmjes, dhe kjo ndodhi në nëntor. Racioni i tyre ditor u pakësua në një copë bukë e një brokë ujë dhe një herë në tri ditë u jepej pak supë e ngrohtë. Flinin mbi një dysheme betoni pa pasur asnjë shtrojë, madje as kashtë. Kjo zgjati gjashtë javë dhe drejtuesit e kampit u mahnitën që ato mbijetuan të gjitha.
Arratisje: Për ku?
Pas arrestimit të dytë të dajës dhe gruas së tij, e dija që ishte urgjente të largohesha nga Dancigu para se Gestapoja të rikthehej për të më marrë mua. Xhaxhai më kishte dhënë hua një shumë të vogël parash dhe më së fundi sigurova vend si pasagjer në një anije polake që nisej për në Hull, në bregdetin lindor të Anglisë. Kur zbrita nga anija, m’u dha leja të qëndroja tre muaj, kohëqëndrimi i zakonshëm për një të huaj.
Menjëherë shkova në adresën 34 Kreivën Teris në Londër, adresa e zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower. Atje takova Prais Hjuzin, që ishte mbikëqyrës i degës në atë kohë. Ai e rregulloi të qëndroja te një i afërm, Stenli Roxhers, në Liverpul, në bregdetin perëndimor të Anglisë. Stenli qe shumë i përzemërt me mua.
Në pranverën e 1937-ës, u pagëzova në Liverpul, duke simbolizuar dedikimin tim ndaj Jehovait. Megjithatë, e dëshiroja ende jetën e detit, kështu që u regjistrova në Kolegjin e Marinës të Liverpulit dhe pas dy muajsh arrita të marr dëshminë si kapiten i tretë. Lejes për të qëndruar në Angli së shpejti i mbaronte afati, kështu që disa miq në Liverpul u takuan me anëtarin e tyre të parlamentit dhe kohëqëndrimi m’u shtua edhe tre muaj të tjerë—një pushim i shkurtër i nevojshëm.
Për shkak të përvojës që kisha fituar në anijen me vela Padua, instruktori i artit të lundrimit në kolegjin e marinës tregonte interes të veçantë për mua. Kur mësoi për gjendjen time të vështirë, më rekomandoi t’i drejtohesha një kompanie lundrimi (Blue Funnel Line). Atje takova një nga drejtuesit e saj, Lorens Holtin. Kur e takova prapë dy vjet më pas, në njërën nga anijet e kompanisë në Liverpul, më pyeti nëse e kisha marrë dëshminë si kapiten i dytë. I thashë që më duheshin edhe dy javë eksperiencë në urën e ndonjë anijeje, kështu që ai e rregulloi të lundroja për në Port Said, Egjipt.
Kur u ktheva në Liverpul më 7 korrik 1939, planifikova të merrja provimin për dëshminë e kapitenit të dytë, por qe e pamundur, pasi lufta ishte te pragu. Në vend të kësaj, më dërguan në një anije në Londër. Kur autoritetet qeveritare e morën vesh këtë gjë, më ndaluan menjëherë që të lundroja me çfarëdo anijeje dhe donin të më burgosnin si armik të huaj, ngaqë isha gjerman. Por z. Holt ndërhyri, dhe më futën në punë si kopshtar në Liverpul. Megjithatë, në maj 1940 më arrestuan dhe në qershor më dërguan në Kanada me avulloren Etrik.
Për në Kanada
Avullorja Etrik transportonte rreth 5000 gjermanë, gjysma e të cilëve refugjatë dhe gjysma robër lufte. Mes refugjatëve ishte Konti fon Lingen, siç e njihnim ne, nipi i ish-perandorit gjerman. Gjithë posta jonë kontrollohej, prandaj kur oficeri i zbulimit pa një letër që fon Lingen ia dërgonte Mbretëreshës Meri, nëna mbretëreshë e Anglisë, me përshëndetjen hapëse «E dashur teze Meri», ai nisi të dyshonte. Por, fon Lingen kishte të drejtë: familjet mbretërore të Anglisë dhe të Gjermanisë kishin lidhje të ngushta mes tyre. Për mua, ky incident shërbeu vetëm për të nxjerrë më në pah budallallëkun dhe kotësinë e luftës.
Në kohën mes dy luftërave botërore, Stenli Roxhers, i përmendur më parë, kishte shërbyer në
Kanada si pelegrin (siç quheshin atëherë mbikëqyrësit udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait). Ai u lidh me Dëshmitarët atje dhe ata u vunë në kontakt me mua dhe Dëshmitarin tjetër, Toni Stefens, të cilin, po ashtu, e kishin dëbuar nga vendi. Letrat dhe pakot e tyre ishin një burim i madh inkurajimi për ne. U mbajta nën arrest për dy vjet e gjysmë në tetë kampe të ndryshme të burgosurish, ku pjesën më të madhe të kohës e kalova duke bërë tryeza e stola druri.Kthimi në Angli dhe liria!
Ndërkohë që Lufta II Botërore i afrohej fundit, më kishin kthyer në Angli, në një kamp të burgosurish në ishullin Anglsi. Atje më vizitoi Xhon Barri, nga zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Londër—tani anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait—që solli me vete disa Dëshmitarë vendas. Më liruan në vitin 1944 dhe u bashkova sërish me Stenlin. Ndërkohë Stenli ishte martuar me Nita Tomasin dhe jetonte në Birkenhed, qytet-port në lumin Mersei, përballë Liverpulit. Pikërisht atje takova Olivian, motrën e Nitas, dhe vitin tjetër u martuam.
Sapo morëm lejen, Olivia dhe unë udhëtuam për në Gjermani, që të shihnim mamanë. Të copëtohej zemra teksa kaloje përmes qyteteve të rrënuara, të cilat i njihja fare mirë. Kisha dëshirë sidomos që të shkoja në Hamburg për të vizituar zyrat e Laisit. Çfarë surprize kur takova atje kapitenin Pining, i cili drejtonte anijen Padua gjatë dy udhëtimeve të mia të fundit më 1928 dhe 1929! Gjatë luftës ai kishte qenë në shërbim aktiv, dhe që të dy djemtë e tij ishin vrarë në betejë. Ishte një njeri i dërrmuar. U trishtova shumë nga ato që pashë e dëgjova.
Kompania Blu Fanël Lain kishte vazhduar të tregonte interes për mua gjatë kohës që isha në Kanada dhe më pranuan me dëshirë kur u ktheva në Angli. Në vitin 1947, mora më në fund dëshminë e kapitenit të dytë. Vitin pasues Olivia u bë ungjillëzuese në kohë të plotë.
Gjej qëllimin e jetës sime
Nisa përsëri lundrimet dhe gjatë udhëtimeve takoja shumë Dëshmitarë misionarë në vendet e Lindjes së Largët. Por një kongres në Londër, në vitin 1947, la mbresë të pashlyeshme në zemrën time, pasi më ndihmoi të vendosja që tani e tutje synimi im ishte t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë. Punëdhënësit e mi u zhgënjyen. Por në vitin 1952 ata më dhanë me përzemërsi një punë zyre me orar të reduktuar, për të më dhënë mundësi të bashkohesha me Olivian në aktivitetin e predikimit në kohë të plotë. Dëshira ime e rrënjosur për jetën e detit ishte zëvendësuar nga një dëshirë akoma më e fortë.
Olivias dhe mua na pëlqente shumë të predikonim së bashku dhe kishim privilegjin të ndihmonim mjaft njerëz që të fitonin njohuri të saktë për të vërtetat biblike. (2 Korintasve 3:2, 3) Përgjatë viteve kam gëzuar privilegje të mëtejshme në kongreset krahinore dhe asambletë qarkore. Sot vazhdoj të shërbej si plak në Gadishullin Uiral, në Birkenhed dhe përreth tij.
Olivia ime e dashur vdiq në vitin 1997. Duke hedhur vështrimin pas, mund të shoh se në të kaluarën kam mbijetuar mes shumë detesh të stuhishme. Por përfundimisht, nën drejtimin e dashur të Jehovait, lundrova me një partnere të dashur në ujëra të qeta për më shumë se 50 vjet, në më të madhen e gjithë karrierave—atë të shërbimit ndaj Jehovait.
[Shënimi]
^ par. 6 Më 1946 Padua iu dorëzua Bashkimit Sovjetik dhe iu vu emri Kruzenshtern.
[Figura në faqen 18]
Me babanë dhe mamanë, më 1914
[Figurat në faqet 18, 19]
Libreza e shlyerjeve që mora në Gjermani, me udhëtimet e mia në anijen katërdirekëshe «Padua»
[Figura në faqen 21]
Me gruan time, Olivian, në kongresin e 1974-ës në Londër