Nuk duhet ta humbni!
Nuk duhet ta humbni!
TË MOS humbim çfarë? Kongresin Krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait «Zbatues të Fjalës së Perëndisë»! Kjo seri kongresesh, e cila ka filluar në muajin maj në Shtetet e Bashkuara, do të mbahet në qindra qytete anembanë botës për disa muaj radhazi. Në shumicën e vendeve të kongresit, programi do të fillojë të premten në mëngjes në orën 9.30 me muzikë.
Pasi të hapet me inkurajimin për t’i kushtuar vëmendje asaj që thotë Fjala e Perëndisë, programi i mëngjesit do të vazhdojë me fjalimet «Bëhuni rrezatues për shkak të mirësisë së Jehovait» dhe «Qëndroni të palëkundur sikur të shihni Atë që është i padukshëm». Programi i mëngjesit do të përfundojë pastaj me fjalimin kyç të kongresit «Lavdëroni Jehovain: Bërësin e gjërave të mrekullueshme».
Fjalimi i parë i sesionit të pasdites, «Mos u dorëzoni për të bërë atë që është e shkëlqyer», do të pasohet nga një simpozium tripjesësh që do të tregojë se si të zgjedhim me kë të martohemi, se si të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht dhe se si t’i mësojmë fëmijët të duan Jehovain. Fjalimi përmbyllës i ditës, «Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait», do të rishikojë zhvillimin progresiv në kohët moderne të kuptueshmërisë rreth qëllimeve të Perëndisë.
Programi i mëngjesit të së shtunës përmban një simpozium të dytë tripjesësh të titulluar «Shërbëtorë të Fjalës së Perëndisë». Ai do të japë sugjerime rreth mënyrave se si ta kryejmë veprën e bërjes së dishepujve. Më pas do të jetë fjalimi inkurajues «Të mos japim shkak që Perëndisë t’i vijë turp». Do të vijojë një fjalim për pagëzimin dhe ata që janë kualifikuar do të kenë rastin të pagëzohen.
Mbasdite, një simpozium i tretë tripjesësh do të theksojë temën «Të punojmë pa u lodhur për të kultivuar gjendjen frymore», gjatë të cilit do të jepen sugjerime praktike rreth mënyrave se si ta zhvillojmë gjendjen frymore. Sesioni do të përfundojë me fjalimin interesant «Të ecim në dritën gjithnjë e në rritje të Fjalës së Perëndisë». Në të do të trajtohen kapitujt 25 dhe 26 të Isaisë dhe do të përshkruhet se si mund ta kuptojmë më mirë këtë libër magjepsës të Biblës.
Mëngjesi i së dielës do të përfshijë një simpozium të fundit me tri pjesë të titulluar «Profecia kuptimplotë e Sofonisë për ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë». Në të do të shpjegohet se si u zbatua kjo profeci në kohërat e lashta për kombin e Judës dhe se si zbatohet ajo në ditët tona, veçanërisht për fetë e kësaj bote. Më pas do të shikojmë një dramë me kostume, të titulluar «Shembuj paralajmërues për ditët tona», e cila trajton imoralitetin e burrave izraelitë tamam para futjes së Izraelit në Tokën e Premtuar. Fjalimi publik «Përse të jemi të vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë?» do të jetë një veçori e sesionit përfundimtar të dielën mbasdite.
Bëni plane tani për të qenë të pranishëm të trija ditët. Për të gjetur vendin e kongresit që ndodhet më afër shtëpisë suaj, vihuni në kontakt me Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tuaj ose shkruajuni botuesve të kësaj reviste. Në numrin e 15 shkurtit, revista jonë shoqëruese, Kulla e Rojës, ka një listë të të gjitha vendeve të kongresit në Shqipëri, Greqi, Gjermani, Itali dhe Zvicër.