Teatri i Epidaurit: I padëmtuar përgjatë shekujve
Teatri i Epidaurit: I padëmtuar përgjatë shekujve
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GREQI
JU PËLQEN të shkoni në teatër? Kënaqeni nga të qeshurat me gjithë shpirt që shkakton një komedi? A ndiheni të ngritur moralisht apo edhe të ndriçuar në mendje nga një dramë e hollë që ju prek a që ju mëson diçka rreth natyrës njerëzore? Atëherë mund t’ju interesojë të mësoni për teatrin e Epidaurit. Ai është i lidhur ngushtë me zanafillat e dramës në Greqinë e lashtë.
Gjeografi grek Pausania, i shekullit të dytë të e.s., shkroi se në Epidaur ‘ndodhet teatri më në zë i botës antike. Ndonëse teatrot romake janë më të shkëlqyera e më madhështore, asnjë arkitekt nuk mund të konkurrojë me bukurinë dhe me harmoninë e teatrit të Epidaurit’.
Më i ruajturi
Afro 60 kilometra në jug të qytetit grek të Korintit ndodhet fshati i vogël Epidaur. Njëzetepesë shekuj më parë ai ishte një qendër e rëndësishme tregtare dhe fetare.
Në kohërat e mëvonshme, kodrat e buta të valëzuara, fushat e kultivuara dhe pemishtet me ullinj nuk jepnin asnjë shenjë se aty kishte qenë një teatër i madh. Megjithatë, Panagis Kavadias, një arkeolog i shquar grek i shekullit të 19-të, ishte i sigurt se ato kodra fshihnin një sekret të mbajtur mirë. Kureshtja e tij ishte nxitur nga përshkrimi i Pausanias, i cituar në fillim, dhe ai ishte i sigurt se poshtë atij peizazhi të thjeshtë do të zbulonte një teatër madhështor. Dhe e zbuloi vërtet, në pranverën e vitit 1881.
Pas gjashtë vjetësh pune të palodhur, gërmimet e Kavadiasit nxorën në dritë një teatër të madhërishëm, thuajse krejt të padëmtuar. Sipas arkeologëve, ky teatër u ndërtua rreth vitit 330 p.e.s. nga Polikliti i Riu, skulptor
e arkitekt i shquar nga qyteti fqinj Argos. Arkitekti i kohëve moderne Manos Perrakis pasqyron opinionin e përgjithshëm të studiuesve kur e quan Epidaurin «teatri grek më i famshëm dhe më i ruajturi».Zbulimi i teatrit të Epidaurit, ka qenë i rëndësishëm si për arkeologjinë, ashtu edhe për arkitekturën. Ndërkohë që shumica e teatrove antike që kanë mbetur deri më sot kanë pësuar shkatërrime të pjesshme ose i janë nënshtruar rindërtimit, teatri i Epidaurit ka mbetur i padëmtuar përgjatë shekujve, sepse gjendej i sigurt nën një mbulesë prej më shumë se 6 metrash dhe.
Vizitori i kohëve moderne mund të shquajë shumë qartë pjesët kryesore të teatrit. Orkestra, një sipërfaqe e sheshtë rrethore që përdorej për vallëzimet dhe për korin, rrethohet nga një brez i ngushtë mermeri. Dyshemeja e saj është bërë me dhè të ngjeshur e në mes gjendet një altar. Mbrapa orkestrës ndodhet skena, nga e cila kanë mbetur vetëm themelet. Fillimisht, aktorët luanin brenda orkestrës dhe dekoret përbëheshin nga tablo të pikturuara, të vendosura mbi stenda trekëndëshe rrotulluese që fiksoheshin në perimetrin e orkestrës. Më vonë, aktorët nisën të luanin në skenë, duke ia lënë orkestrën korit, dhe dekoret u transferuan në muret e skenës.
Në fillim teatri i Epidaurit kishte rreth 6000 vende. Në shekullin e dytë p.e.s., pjesa e sipërme u zgjerua me 21 radhë të tjera vendesh, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve në më shumë se 13 000. Vendet e radhës së parë, të rezervuara për personat e shtresës së lartë, ndryshonin nga të tjerat prej faktit që ishin të ndërtuar me gur të kuqërremtë dhe kishin mbështetëse për shpinën.
Një mrekulli e akustikës
Teatri i Epidaurit është i famshëm për akustikën e tij të jashtëzakonshme. «Edhe tingulli më i dobët—një frymëmarrje e thellë a grisja e një cope letër—mund të dëgjohet qartë deri në rreshtin e fundit»,—thotë profesori i arkeologjisë S. E. Jakovidis.
Kur vizitojnë këtë teatër, shumë turistëve u pëlqen të qëndrojnë në mesin e orkestrës dhe të recitojnë poezi, të këndojnë ose edhe t’u pëshpërisin miqve të tyre, të cilët ulen tutje, në rreshtat më të largët. Atyre u lë mbresa mënyra e jashtëzakonshme në të cilën përcillen tingujt në çdo cep të këtij auditori të madh.
Meritën për këtë akustikë të shkëlqyer e ka fakti që teatri i Epidaurit ka formën gjysmërrethore të një amfiteatri. Kjo na sjell ndër mend që Jezui i mbante predikimet e tij para turmave të mëdha në amfiteatro natyrore—shpesh shpate kodrash—në mënyrë që ta dëgjonte qartë gjithkush.—Mateu 5:1, 2; 13:1, 2.
Veç kësaj, pjerrësia e rreshtave në teatrin e Epidaurit e zvogëlon largësinë e skenës nga rreshtat më të largët. Valët e tingujve nuk dobësohen thuajse fare kur arrijnë në këto rreshta të sipërme.
Diçka tjetër që i kontribuon një akustike kaq të mirë është distanca e përshtatshme mes rreshtave. Kjo gjë lejon që tingujt të përhapen gjithkund me të njëjtin volum dhe qartësi. Faktorë të tjerë janë reflektimi i tingujve kur godasin në sipërfaqen e fortë e të ngjeshur të orkestrës dhe në rreshtat e vendeve, cilësia e mirë e mermerit që është përdorur, rrethinat e qeta dhe flladi i pandërprerë që fryn nga orkestra në drejtim të spektatorëve.
Teatri—shtëpia e dramës
Duke qenë se grekët e lashtë ushtronin kujdes dhe mjeshtëri të jashtëzakonshme kur ndërtonin teatro si ai në Epidaur, spektatorët
mund t’i shihnin dhe t’i dëgjonin dramat pa vështirësi. Drama e ka zanafillën në festat e pjellorisë, në të cilat festohej mbledhja e prodhimeve dhe vjelja e rrushit, si edhe në konceptet rreth vdekjes dhe ripërtëritjes së jetës. Këto festa që shndërroheshin në orgji bëheshin për nder të Dionizit, perëndisë mitik të verës dhe të pjellorisë. Në këto shfaqje jo vetëm u thureshin lavde perëndive mitike, por shpesh tregoheshin histori. U zhvilluan tri forma kryesore rrëfimi: tragjedia, komedia dhe satira. Sundimtarët e qytetit, duke e kuptuar popullaritetin e këtyre ngjarjeve, i mbështetën ato si një mjet për të fituar pushtet më të madh politik.Me kalimin e kohës, ndikimi që kishin festimet për Dionizin mbi dramën dhe mbizotërimi i spektaleve në formë orgjish u pakësua. Në kërkim të temave të reja për pjesët e tyre teatrale, dramaturgë të famshëm të shekullit të pestë p.e.s. të tillë, si Eskili, Sofokliu dhe Euripidi, iu drejtuan historisë e mitologjisë greke. Pikërisht popullariteti i përhapur e në rritje i dramës bëri që të lindte nevoja për teatro të mëdhenj, si ai në Epidaur. Gjithashtu, ishte e nevojshme që auditori të dëgjonte çdo fjalë të dramave—që përfshinin shpesh lojëra të holla fjalësh dhe përgjigje mendjemprehta—dhe kjo kërkonte një kujdes e mjeshtëri të nivelit të lartë në ndërtimin e teatrove.
Për çdo shfaqje teatrale duhej një kor (zakonisht 10 deri në 15 veta) dhe aktorët (asnjëherë më shumë se 3 personazhe në një skenë). Aktorët quheshin hipokritaiʹ, ata që i përgjigjen korit. Me kalimin e kohës, ky term filloi të përdorej në kuptim metaforik për të përshkruar një person që bën gjoja ose që shtiret. Në ungjillin e Mateut kjo fjalë u përdor për të përshkruar skribët dhe farisejtë mashtrues të kohës së Jezuit.—Mateu 23:13.
Epidauri dhe drama antike sot
Interpretimi i dramave antike ka marrë sërish hov në Greqi, si në Epidaur, edhe gjetkë. Deri në fillim të shekullit të 20-të, dramat antike greke, veçanërisht tragjeditë, ishin vetëm një objekt i studimeve akademike. Por që nga viti 1932 e më pas, me krijimin e Teatrit Kombëtar të Greqisë, veprat e dramaturgëve të lashtë janë përkthyer në greqishten moderne.
Qysh prej vitit 1954, festivali Epidauria i dramës është bërë një ngjarje e shënuar e përvitshme. Çdo verë teatri i Epidaurit mikpret shumë trupa teatrore greke e të huaja, të cilat interpretojnë pjesë antike. Mijëra turistë dhe dashurues të teatrit e vizitojnë këtë vend për të parë interpretimet moderne të pjesëve që u shkruan gati 2500 vjet më parë.
Prandaj, herën tjetër kur të vizitoni Greqinë, jeni të ftuar të vini në Epidaur. Pasi të shikoni teatrin e tij mbresëlënës, mund të arrini në po atë përfundim që arriti Pausania: ‘Asnjë arkitekt nuk mund të konkurrojë me bukurinë dhe me harmoninë e teatrit të Epidaurit.’
[Kutia në faqen 13]
Teatri dhe të krishterët e hershëm
«Jemi bërë një shfaqje teatrale për botën, për engjëjt dhe për njerëzit»,—u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Korint, të cilët jetonin në afërsi të Epidaurit. (1 Korintasve 4:9, BR; Hebrenjve 10:33) Ai donte të thoshte që duke qenë se i kishin poshtëruar dhe persekutuar, ata ishin si të ekspozuar në një teatër përpara një auditori universal. Në kohën e Pavlit, pjesët teatrale ishin një formë e përhapur argëtimi. Megjithatë, të krishterët e hershëm qenë paralajmëruar për imoralitetin dhe dhunën e egër që paraqiteshin shpesh në shfaqjet teatrale të asaj kohe. (Efesianëve 5:3-5) Vetë të krishterët i shpinin disa herë me forcë në teatro ose në arenat e Perandorisë Romake si objekte zbavitjeje, duke i vënë madje përballë bishave të egra.
[Figurat në faqen 12]
Sofokliu
Eskili
Euripidi
[Burimi]
Dramaturgë grekë: Musei Capitolini, Roma
[Burimi i figurës në faqen 11]
Me mirësjelljen e GNTO