Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të jetoj jashtë shtetit?

A duhet të jetoj jashtë shtetit?

Të rinjtë pyesin . . .

A duhet të jetoj jashtë shtetit?

«Doja të jetoja diku gjetkë.»​—Sami.

«Thjesht isha kureshtare. Dëshiroja të shihja diçka të re.»​—Mareni.

«Një shok i ngushtë më tha se do të më bënte mirë të shkëputesha për pak kohë nga shtëpia.»​—Andreasi.

«Isha i etur për aventura.»​—Hageni.

A TË shkon ndonjëherë ndër mend të jetosh në një vend të huaj, ndoshta vetëm përkohësisht? Çdo vit, mijëra të rinj munden të bëjnë tamam këtë gjë. Andreasi thotë për përvojën e tij në një vend të huaj: «Do të kisha shumë qejf ta përsëritja edhe një herë.»

Disa të rinj transferohen përkohësisht ngaqë duan të fitojnë para a të mësojnë një gjuhë të huaj. Për shembull, në mjaft vende janë shumë të përhapura programet au pair. Këto programe u japin mundësi të rinjve nga vende të huaja që të bëjnë punët e shtëpisë për ndonjë familje në shkëmbim të ushqimit dhe banesës, si edhe ta përdorin kohën e lirë për të studiuar gjuhën e vendit. Pastaj ka të rinj që transferohen jashtë vendit për t’u arsimuar. Të tjerë transferohen për të gjetur punë, që të ndihmojnë kështu familjen nga ana financiare. E të tjerë akoma transferohen ngaqë nuk janë të sigurt se çfarë dëshirojnë të bëjnë pas shkollës dhe duan të bëjnë një pushim të shkurtër jashtë vendit.

Është interesante që disa të rinj të krishterë janë transferuar në vende ku ka nevojë për më shumë ungjillëzues, me qëllim që të zgjerojnë shërbimin e tyre. Cilado qoftë arsyeja e transferimit, jeta në një vend të huaj mund të jetë një mësim i vlefshëm për t’u bërë i rritur i pavarur. Mund të të zgjerojë horizontin kulturor. Ndoshta arrin edhe të zotërosh një gjuhë të huaj, diçka kjo që mund t’i shtojë perspektivat e tua në tregun e punës.

Gjithsesi, të jetosh jashtë shtetit nuk është përherë një përvojë e këndshme. Suzana, për shembull, kaloi një vit si studente në vend të huaj. Ajo thotë: «Isha e sigurt se do të ishte një vit absolutisht fantastik që nga dita e parë deri tek e fundit. Por nuk qe kështu.» Disa të rinj, madje, i kanë shfrytëzuar ose janë futur në telashe të mëdha. Prandaj para se të bësh gati valixhet, do të ishte e mençur që të uleshe e të peshoje pro-të dhe kundra-t.

Shqyrto motivet e tua

Peshimi i pro-ve dhe kundra-ve do të përfshinte patjetër shqyrtimin e motiveve që të shtyjnë të dalësh jashtë shtetit. Tjetër punë është të udhëtosh që të ndjekësh interesat frymore ose që të kujdesesh për përgjegjësitë familjare. Por ashtu si të rinjtë e cituar në hyrje, shumë veta dëshirojnë të transferohen thjesht nga dëshira për aventurë, për liri më të madhe ose për t’u kënaqur. Kjo nuk është medoemos e gabuar. Në fund të fundit, Predikuesi 11:9 i inkurajon të rinjtë që të ‘gëzohen në rininë e tyre’. Megjithatë, vargu 10 paralajmëron: «Elimino nga zemra jote trishtimin dhe largo nga trupi yt dhembjen [mjerimin, BR].»

Nëse motivi për t’u transferuar në një vend të huaj është që të shmangësh kufizimet e prindërve, mund të jesh duke tërhequr mbi vete «mjerimin». A të kujtohet shëmbëlltyra e Jezuit për birin plëngprishës? Fliste për një të ri që, me egoizëm, udhëtoi jashtë vendit, me sa duket për të fituar më shumë liri. Por, jo shumë kohë më pas goditi një katastrofë dhe ai e pa veten të uritur, të mbetur trokë e të sëmurë frymësisht.​—Luka 15:11-16.

Pastaj ka nga ata që duan të transferohen për t’u shpëtuar problemeve në shtëpi. Por, siç shkruan Haike Berg në librin e saj What’s Up (Çfarë po ndodh), «nëse do të largohesh vetëm sepse je i palumtur . . . dhe mendon se gjithçka do të vejë më mirë diku gjetkë​—hiqe nga mendja». Vërtet, është më mirë t’i përballosh problemet haptazi. Nuk fitojmë asgjë duke u larguar nga situatat që s’na pëlqejnë.

Motive të tjera të rrezikshme janë lakmia dhe materializmi. Të shtyrë nga dëshira për pasuri, shumë të rinj krijojnë ide të fryra e jorealiste rreth asaj se si është jeta në vendet e industrializuara. Disa fantazojnë sikur të gjithë njerëzit në Perëndim janë të pasur. Por kjo është shumë larg realitetit. Pasi transferohen, mjaft të rinj e shohin veten në një vend të huaj, duke luftuar për të dalë nga varfëria. * Bibla paralajmëron: «Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje»​—1 Timoteut 6:10.

A je gati?

Ka edhe një faktor tjetër që duhet shqyrtuar: a je vërtet mjaft i pjekur sa t’u bësh ballë vështirësive, problemeve e konflikteve që do të lindin jashtë vendit? Ka të ngjarë që do të të duhet të jetosh me një shok dhome ose me një familje tjetër dhe t’i përshtatesh rutinës së tyre. Atëherë, sa mirë po shkon me familjen tënde tani? A ankohen prindërit e tu se je tip që s’pyet për të tjerët dhe egoist? A ke prirjen të jesh nazeli për ushqimin? Sa i gatshëm je për të bërë pjesën tënde në punët e shtëpisë? Nëse tani ke vështirësi në këto aspekte, imagjino se sa më të vështirë do ta kesh në një vend të huaj!

Nëse je i krishterë, a do ta ruash dot gjendjen frymore? Apo duhet të të kujtojnë vazhdimisht prindërit për të mos e lënë pas dore studimin e Biblës, mbledhjet e krishtere dhe veprën e predikimit? A do të jesh mjaft i fortë frymësisht për t’u bërë ballë presioneve dhe tundimeve jashtë shtetit, të cilat mund të mos i hasësh në vendin tënd? Ditën e parë të shkollës, një të riu të krishterë që kishte shkuar si student në një vend të huaj, i treguan se ku mund të merrte drogë. Më pas, një shoqe e shkollës i kërkoi që të dilnin bashkë. Në vendin e tij, një vajzë nuk do ta shprehte kurrë kaq drejtpërdrejt interesimin e saj. Gjithashtu, një i ri nga Afrika që u transferua në Evropë, vëren: «Në vendin tim nuk të zë syri kurrë pamje imorale në publik. Ndërsa këtu i sheh gjithkund.» Transferimi jashtë vendit mund të të çojë në rrënim frymor, nëse nuk je ‘i fortë në besim’.​—1 Pjetrit 5:9, BR.

Zbulo faktet!

Para se të transferohesh, duhet të zbulosh të gjitha faktet. Mos merr për bazë informacione të tërthorta. Nëse, për shembull, po mendon të jesh pjesë e një programi për këmbim studentësh mes dy shteteve, sa do të kushtojë? Mund të habitesh po të mësosh se shpesh duhen mijëra dollarë. Duhet të marrësh vesh, gjithashtu, nëse do të njihet apo jo në vendin tënd arsimimi që merr jashtë. Po ashtu, mblidh sa më shumë informacion që të mundesh për vendin: për ligjet e tij, kulturën, zakonet. Sa është atje kostoja e jetesës? Çfarë taksash duhet të paguash? A ka rreziqe shëndetësore që duhet t’i marrësh parasysh? Mund të jetë e dobishme të flasësh me njerëz që kanë jetuar tashmë atje.

Pastaj është problemi i strehimit. Familjet që strehojnë studentët e programeve të këmbimit zakonisht nuk presin ndonjë shpërblim material. Megjithatë, të jetosh me persona që nuk i respektojnë parimet biblike mund të të shkaktojë strese dhe tensione të mëdha. Një alternativë mund të jetë të banosh me miq ose të afërm. Por ki kujdes të mos bëhesh barrë për ta, edhe sikur të kenë këmbëngulur që të qëndrosh. Kjo mund ta dëmtonte ose madje ta shkatërronte marrëdhënien që ke me ta.​—Fjalët e urta 25:17.

Nëse ke në plan të fitosh para ndërsa je jashtë, mos harro detyrimin e krishterë për t’iu bindur autoriteteve shtetërore. (Romakëve 13:1-7) A të lejon ligji të punosh në atë vend? Nëse po, me çfarë kushtesh? Në rast se punon në mënyrë të paligjshme mund të vësh në rrezik qëndrimin tënd si i krishterë i ndershëm dhe mund të mbetesh pa mbrojtjet themelore, si për shembull, sigurimi në rast aksidenti. Edhe sikur të jetë e ligjshme të punosh, do të të duhet të tregosh maturi dhe mendjemprehtësi. (Fjalët e urta 14:15) Punëdhënës të paskrupull shpesh përfitojnë nga të huajt.

Marrja e vendimit

Është e qartë, pra, se vendimi për t’u transferuar në një vend të huaj është një vendim i rëndësishëm dhe nuk duhet marrë lehtë. Ulu me prindërit e shqyrto me kujdes dobitë e shpresuara dhe rreziqet e mundshme. Përpiqu të mos lejosh që entuziazmi të të mjegullojë aftësinë shquese. Ji i ndershëm kur shqyrton motivet e tua. Dëgjoji me kujdes prindërit. Në fund të fundit, ata do të ndihen ende përgjegjës për ty, edhe sikur të jesh qindra kilometra larg. Ndoshta do të kesh nevojë për mbështetjen e tyre financiare që t’ia dalësh mbanë.

Pasi të keni shqyrtuar të gjithë faktorët, mund të dalë që transferimi është diçka jo e mençur, të paktën për momentin. Ka të ngjarë që kjo të jetë zhgënjyese, por ka shumë gjëra të tjera emocionuese që mund të bësh. Për shembull, të ka shkuar ndër mend të vizitosh vende interesante në atdheun tënd? Apo përse nuk i futesh mësimit të një gjuhe të huaj? Me kalimin e kohës, ndoshta do të të jepet rasti të udhëtosh jashtë vendit.

Po në rast se vendos të transferohesh? Në një artikull të ardhshëm do të trajtohet se si mund t’ia dalësh mbanë ndërsa jeton në vend të huaj.

[Shënimi]

^ par. 15 Shih artikullin «Të llogaritim koston e transferimit në një vend të pasur», në Kullën e Rojës së 1 prillit 1991 (anglisht), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 13]

Disa të rinj transferohen për të çuar përpara veprën e predikimit të Mbretërisë

[Figura në faqen 14]

Fol me prindërit rreth dobive dhe rreziqeve të transferimit