Aspirinë përditë: Duhet ta marr apo jo?
Aspirinë përditë: Duhet ta marr apo jo?
Situata e mëposhtme është një ngjarje e jetuar e përshkruar nga një mjek. Ajo pasqyron një problem që ndeshet mjaft shpesh.
E GJITHË familja ishte e shqetësuar. Tani, madje, edhe mjeku ishte në merak. «Nëse gjakrrjedhja nuk i pushon së shpejti,—tha mjeku,—mund të na duhet të shqyrtojmë mundësinë për një transfuzion gjaku.»
Burri kishte disa javë që po humbte dalëngadalë gjak nga zorrët dhe problemi ishte diagnostikuar si pezmatim i stomakut ose gastrit. «Je i sigurt që nuk po merr ndonjë ilaç?»—pyeti mjeku i pezmatuar.
«Jo. Vetëm këtë të zakonshmin që merret pa recetë, për artritin»,—tha burri.
Mjeku në çast i bëri veshët pipëz. «Pa prit ta shoh.» Duke kërkuar me kujdes në etiketën e përbërësve, gjeti atë që po kërkonte. Acid acetilsalicilik! Problemi u zgjidh. Kur pacienti e ndërpreu ilaçin që përmbante aspirinë dhe iu dha hekur e disa ilaçe për shërimin e stomakut, gjakrrjedhja pushoi dhe përqendrimi i rruazave të gjakut dalëngadalë u kthye në vlerën normale.
Gjakrrjedhje e shkaktuar nga mjekimi
Sot gjakrrjedhja gastrointestinale që shkaktohet nga mjekimi është një problem i rëndë mjekësor. Ndonëse mund të përfshihen shumë lloje ilaçesh, pjesa dërrmuese e këtyre problemeve vjen nga barnat që përdoren për artritin dhe për qetësimin e dhimbjeve. Këtu bëjnë pjesë një grup barnash që quhen ilaçe josteroide antipezmatuese (ose NSAIDS). Emrat e tyre mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Aspirina është e pranishme në shumë ilaçe që merren pa recetë dhe vitet e fundit, në mjaft vende është shtuar përdorimi i përditshëm i saj. Përse?
Entuziazmi për aspirinën
Më 1995, në një botim mjekësor (Harvard Health Letter) thuhej se «përdorimi i rregullt i aspirinës shpëton jetë». Duke iu referuar disa studimeve në shkallë botërore, të cilat janë përsëritur shumë herë që nga ajo kohë, kërkuesit arritën në përfundimin: «Thuajse çdokush që ka pasur një atak në zemër ose apopleksi, që vuan nga angjina a që ka bërë operacion bypass të arteries koronare duhet të marrë nga gjysmë deri në një tabletë aspirine përditë, në qoftë se s’është alergjik ndaj këtij ilaçi.» *
Studiues të tjerë thonë se marrja e aspirinës përditë është e dobishme për burrat më shumë se 50 vjeç që ka rrezik t’u ndodhë atak në zemër, si edhe për gratë që janë në rrezik. Veç kësaj, ka studime që tregojnë se një aspirinë çdo ditë mund të pakësojë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë dhe se dozat e mëdha të marra për një periudhë të gjatë kohore mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak te diabetikët.
Si vepron aspirina për të siguruar këto dobi? Ndonëse nuk dihet plotësisht, provat tregojnë që aspirina i bën pllakëzat e gjakut më pak të ngjitshme, duke penguar kështu mpiksjen e gjakut. Mendohet se kjo gjë ndihmon të parandalohet bllokimi i arterieve të vogla që shkojnë në zemër e në tru, duke parandaluar në këtë mënyrë dëmtimin e organeve jetësore.
Përderisa mendohet se aspirina ka tërë këto dobi, pse nuk e marrin të gjithë? Një arsye është
se ende ka mjaft gjëra që s’dihen. Madje, nuk është e qartë as cila është doza ideale. Rekomandimet variojnë nga një tabletë standarde dy herë në ditë, në vetëm një aspirinë të vogël në ditë. A duhet të jetë doza për gratë e ndryshme nga ajo për burrat? Mjekët s’janë të sigurt. Ndërkohë që aspirina e veshur me kapsulë që shpërbëhet vetëm në zorrë mund të konsiderohet disi e dobishme, përparësia e aspirinës me kundëracid është ende e diskutueshme.Arsye për kujdes
Edhe pse teorikisht aspirina është një substancë natyrore—indianët e Amerikës i nxirrnin përbërësit e aspirinës nga lëvorja e pemës së shelgut—ajo ka shumë efekte anësore. Përveç faktit që shkakton gjakrrjedhje te disa njerëz, aspirina mund të sjellë shumë ndërlikime të tjera, ku përfshihen edhe reaksionet alergjike te njerëzit e ndjeshëm ndaj saj. Është e qartë, pra, se përdorimi i përditshëm i aspirinës nuk bën për këdo.
Megjithatë, një person që ka rrezik të pësojë atak në zemër ose apopleksi të trurit a që ka faktorë të rëndësishëm që shtojnë rrezikun, mund të duhet të pyesë mjekun e tij ose të saj për rreziqet dhe dobitë e përdorimit të përditshëm të aspirinës. Natyrisht, pacienti duhet të sigurohet që s’ka probleme gjakrrjedhjeje, alergji ndaj aspirinës ose probleme stomaku a gastrointestinale. Ekzistojnë edhe probleme të tjera të mundshme ose ndërveprime mes ilaçeve, që duhen shqyrtuar me mjekun para fillimit të një terapie.
Siç u vërejt më sipër, aspirina dhe ilaçet ngjashëm saj mbartin rrezikun e madh të gjakrrjedhjes. Dhe kjo gjakrrjedhje mund të jetë e fshehtë, mund të mos vërehet menjëherë dhe mund të shtohet dalëngadalë me kalimin e kohës. Edhe disa ilaçe të tjera duhen shqyrtuar me kujdes, veçanërisht ilaçe të tjera antipezmatuese. Sigurohuni të informoni mjekun tuaj nëse po përdorni ndonjë prej tyre. Në shumicën e rasteve, do të ishte e mençur që para një operacioni ilaçi të ndërpritej. Ndoshta do të ishte i dobishëm edhe kontrollimi i rregullt laboratorik i përqendrimit të rruazave të gjakut.
Nëse duam të mbrohemi për të mos pasur probleme në të ardhmen, do t’i vëmë veshin proverbit biblik: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen [pësojnë dënimin, BR].» (Fjalët e urta 22:3) Në këtë çështje mjekësore, le të jemi midis të maturve, që të mos pësojmë probleme me shëndetin.
[Shënimi]
^ par. 11 Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë lloj të veçantë trajtimi mjekësor.
[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]
Cilët mund të mendojnë që të marrin aspirinë përditë?
● Njerëzit që kanë sëmundje koronare të zemrës ose ngushtim të arterieve karotide (enët kryesore të gjakut në qafë).
● Njerëzit që kanë pasur një apopleksi trombotike (një lloj apopleksie që shkaktohet nga masa të mpiksura gjaku) ose krizë ishemike kalimtare (një tip apopleksie me kohëzgjatje të shkurtër).
● Burrat mbi 50 vjeç me një ose më shumë nga faktorët e mëposhtëm që shtojnë rrezikun për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut: pirje duhani, tension i lartë, diabet, nivel i lartë i kolesterolit total, vlera të ulta të kolesterolit HDL, dhjamosje e rëndë, konsumim i madh i alkoolit, persona të familjes me sëmundje koronare të hershme (atak në zemër para moshës 55-vjeçare) ose me apopleksi dhe një mënyrë jetese sedentare.
● Gratë mbi 50 vjeç që kanë dy ose më shumë nga këta faktorë që shtojnë rrezikun.
Mund të duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, para se të merrni ndonjë vendim për këtë çështje.
[Burimi]
Burimi: Consumer Reports on Health