Mos ji viktimë e propagandës!
Mos ji viktimë e propagandës!
«I marri beson çdo gjë.»—FJALËT E URTA 14:15, TODAY’S ENGLISH VERSION.
KA NJË ndryshim—madje një ndryshim të madh—midis arsimimit dhe propagandës. Arsimimi të tregon si të mendosh. Propaganda të thotë çfarë të mendosh. Mësuesit e mirë i paraqesin të gjitha anët e një çështjeje dhe inkurajojnë diskutimin. Propagandistët të detyrojnë me ngulm të dëgjosh pikëpamjen e tyre dhe nuk inkurajojnë aspak diskutimin. Shpesh motivet e tyre të vërteta s’janë të dukshme. Ata shoshitin faktet, duke i shfrytëzuar ato që u shërbejnë dhe duke i mbajtur të fshehta të tjerat. Gjithashtu, i shtrembërojnë faktet, duke u bërë ekspertë të gënjeshtrave dhe të pohimeve gjysmë të vërteta. Shënjestra e tyre janë ndjenjat, jo i menduari logjik.
Propagandisti sigurohet që mesazhi i tij të ngjajë tamam mesazhi i duhur e i drejtë dhe të na krijojë një ndjenjë sikur jemi persona të rëndësishëm dhe të pranuar nga të tjerët, në rast se bëjmë sipas tij. Ti je një nga personat inteligjentë, nuk je i veçuar nga të tjerët, je rehat dhe pa merak—kështu thonë ata.
Si mund ta mbrosh veten nga ata lloj njerëzish që Bibla i quan «llafazanë» dhe «mashtrues»? (Titit 1:10) Pasi je njohur me disa nga marifetet e tyre, je në një pozitë më të mirë për të peshuar çdo mesazh ose informacion që të paraqitet. Këtu janë disa mënyra për ta bërë këtë.
Ji përzgjedhës: Një mendje e hapur ndaj çdo gjëje mund të krahasohet me një tub që lejon të rrjedhë përmes tij çdo gjë, madje edhe ujërat e zeza. Askujt s’i pëlqen të jetë i helmuar në mendje. Solomoni, mbret dhe mësues në kohërat e lashta, paralajmëroi: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Fjalët e urta 14:15) Prandaj duhet të jemi përzgjedhës. Duhet të shqyrtojmë me kujdes çfarëdo gjëje që na paraqitet, duke vendosur çfarë të pranojmë dhe çfarë të hedhim poshtë.
Mirëpo, s’duhet të jemi me mendje aq të ngushtë, sa të refuzojmë të shqyrtojmë fakte të cilat mund ta përmirësojnë mënyrën tonë të të menduarit. Si mund ta gjejmë ekuilibrin e duhur? Duke përvetësuar një standard me të cilin të matim informacionet e reja. Në këtë aspekt, i krishteri ka një burim mençurie të jashtëzakonshme. Ka Biblën si udhërrëfyese të sigurt për mënyrën e tij të të menduarit. Nga një anë, mendja e tij është e hapur, domethënë e gatshme për të pranuar informacione të reja. Ai i peshon me kujdes këto informacione të reja, duke i krahasuar me standardin e Biblës dhe e bën atë që është e vërtetë pjesë të modelit të tij të të menduarit.
Nga ana tjetër, mendja e tij shquan rrezikun e informacioneve që janë krejtësisht në kundërshtim me vlerat e tij të bazuara në Bibël.Përdor aftësi dalluese: Aftësia dalluese është «mprehtësi gjykimi». Është «fuqia ose aftësia e mendjes, nëpërmjet së cilës ajo shquan një gjë nga një tjetër». Një person me aftësi dalluese i kap hollësitë e ideve ose të gjërave dhe ka gjykim të mirë.
Duke përdorur aftësi dalluese, do të jemi në gjendje të njohim ata që përdorin thjesht «fjalë të ëmbla dhe të bukura [lajkatuese, BR]», me qëllim që të «gënjejnë zemrat e të thjeshtëve». (Romakëve 16:18) Aftësia dalluese të jep mundësi t’u largohesh informacioneve të kota ose fakteve mashtruese dhe të shquash thelbin e një çështjeje. Por si mund ta dallosh nëse diçka është mashtruese?
Analizoje informacionin: «Të dashur,—tha Gjoni, një mësues i krishterë i shekullit të parë,—mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë shprehjet e frymëzuara.» (1 Gjonit 4:1, BR) Sot disa njerëz janë si sfungjerë: thithin çfarëdo gjëje që u del përpara. Është fare e kollajtë të përvetësojmë çdo gjë përreth nesh.
Por është shumë më mirë që çdo individ të zgjedhë personalisht se me çfarë do ta ushqejë mendjen. Thuhet se ashtu siç hamë, ashtu jemi, dhe kjo mund të aplikohet si për ushqimin fizik, edhe për atë të mendjes. Pavarësisht se çfarë po lexojmë, po shikojmë a po dëgjojmë, le ta analizojmë për të parë nëse ka nota propagandistike apo është e vërtetë.
Për më tepër, nëse duam të mos kemi paragjykime, duhet të jemi të gatshëm të analizojmë vazhdimisht opinionet tona personale, ndërsa marrim informacione të reja. Duhet ta kuptojmë se, në fund të fundit, ato janë opinione. Vërtetësia e tyre varet nga vlefshmëria e fakteve që kemi, nga cilësia e arsyetimit tonë dhe nga normat ose vlerat që zgjedhim të ndjekim.
Bëj pyetje: Siç e kemi parë, sot ka shumë persona që do t’u pëlqente të na ‘gënjenin me fjalë joshëse [mbushamendëse, BR]’. (Kolosianëve 2:4) Prandaj, kur na paraqiten argumente mbushamendëse, duhet të bëjmë pyetje.
Në radhë të parë, shqyrto nëse mesazhi ka paragjykime. Ç’motiv ka pas tij? Nëse është plot sharje dhe të folur me nënkuptime, përse është kështu? Duke lënë mënjanë të folurin me
nënkuptime, çfarë vlerash ka mesazhi në vetvete? Gjithashtu, nëse është e mundur, përpiqu të shqyrtosh çfarë emri kanë bërë ata që flasin. A njihen si persona që thonë të vërtetën? Në rast se citohen «autoritete», kush ose çfarë janë? Përse duhet ta konsiderosh atë person—ose organizatë a botim—si dikë që ka njohuri kompetente apo informacione të besueshme për çështjen që shqyrtohet? Nëse ndjeni ndonjë përpjekje për të nxitur emocionet, pyetni veten: ‘Cilat janë vlerat e mesazhit, po të shihet me gjakftohtësi?’Mos ndiq thjesht turmën: Nëse e kupton se ajo që mendon çdonjëri nuk është medoemos e drejtë, mund të gjesh forcën për të menduar ndryshe. Edhe pse mund të duket se gjithë të tjerët mendojnë njëlloj, a do të thotë kjo se ti duhet të mendosh po ashtu? Opinioni i përgjithshëm nuk është një barometër i besueshëm i së vërtetës. Përgjatë shekujve janë pranuar gjerësisht gjithfarësoj idesh, por më vonë ka dalë thjesht që ishin të gabuara. Prapëseprapë, vazhdon të ekzistojë prirja për të shkuar pas turmës. Urdhri i dhënë në Eksodin 23:2 shërben si një parim i dobishëm: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.»
Njohuria e vërtetë—e kundërta e propagandës
Më parë u përmend se Bibla është udhërrëfyese e sigurt për një mënyrë të qartë të menduari. Dëshmitarët e Jehovait besojnë fortësisht në deklaratën e Jezuit drejtuar Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Është kështu pasi Perëndia, Autori i Biblës, është «Perëndi i së vërtetës».—Psalmi 31:5.
Po, në këtë epokë të propagandës së rafinuar mund të mbështetemi me besim te Fjala e Jehovait si burimi i së vërtetës. Në fund kjo gjë do të na mbrojë nga ata që duan të ‘na shfrytëzojnë me fjalë të shtira’.—2 Pjetrit 2:3, BR.
[Figura në faqen 9]
Aftësia dalluese të jep mundësi t’u largohesh informacioneve të kota ose mashtruese
[Figurat në faqen 10]
Analizo çfarëdo gjëje që lexon a shikon, për të parë nëse është e vërtetë
[Figura në faqen 11]
Opinioni i përgjithshëm nuk është gjithnjë i besueshëm
[Figura në faqen 11]
Mund të mbështetemi me besim te Fjala e Perëndisë si burimi i së vërtetës