Një «kufomë» vjen në jetë
Një «kufomë» vjen në jetë
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në INDONEZI
MË 17 korrik 1997, në Indonezi u bë një njoftim i pazakontë në lajmet e mbrëmjes të televizionit kombëtar. Një nga bimët më të mëdha me lule në botë kishte lulëzuar. Përse thjesht lulëzimi i një bime ishte konsideruar një argument që ia vlente të përfshihej në lajmet e mbrëmjes? Sepse kjo bimë është e veçantë—në jetën e saj 40-vjeçare ajo mund të lulëzojë tri ose katër herë, për vetëm dy a tri ditë. Pas njoftimit, numri i vizitorëve në Kopshtin Botanik të Bogorit, ku mbahet bima, u shtua me 50 për qind. Në fakt, vetëm në një ditë bima kishte më shumë se 20 000 vizitorë!
Emri i plotë shkencor i bimës është Amorphophallus titanum. Disa e quajnë për shkurt arumi titanik, por shumica e indonezianëve e quajnë lulja kufomë, sepse era që nxjerr ajo kur lulëzon u kujton kufomën e një peshku ose të një miu të kalbur. Era e rëndë kundërmuese i sinjalizon bletët që merren me pjalmimin se lulja është në lulëzim.
Veç erës karakteristike, diçka tjetër që e bën unik arumin titanik është madhësia e tij. Bima e rritur arrin gati-gati lartësinë e njerëzve më të gjatë. Një bimë në Kopshtin Botanik të Bogorit arriti lartësinë 2,5 metra dhe dilte në mes të dy fletëve mbështjellëse të stërmëdha pala-pala në formë vazoje, me diametër 2,6 metra. Kjo bimë gjigante me lule u zhvillua nga një zhardhok që peshonte afro 100 kile!
Me gjithë përmasat e jashtëzakonshme që ka në lulëzim, arumi titanik nuk mund të krekoset për lulen më të madhe në botë, sepse në të vërtetë bima nuk përbëhet nga një lule e vetme, por nga një numër i madh lulesh të vogla.
Arumi titanik nuk është veçse një shembull tjetër që ilustron vërtetësinë e deklaratës së psalmistit: «Ti vetë ke bërë shumë gjëra, o Jehova, Perëndia im, edhe veprat e tua të mrekullueshme . . . Asnjë nuk krahasohet me ty.»—Psalmi 40:5, BR.