Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mësim i madh nga një ishull i vockël

Një mësim i madh nga një ishull i vockël

Një mësim i madh nga një ishull i vockël

RAPA NUI, një shtrat shkëmbor vullkanik i dalë në sipërfaqe, prej 170 kilometrash katrorë e thuajse i zhveshur nga pemët, është pjesa më e izoluar në botë e tokës së banuar. * Krejt ishulli është tani një monument historik, pjesërisht për shkak të statujave të tij shkëmbore të quajtura moai. Këto janë vepër e një qytetërimi që dikur ishte në kulmin e lulëzimit.

Të skalitura nga shkëmbi vullkanik, disa moai janë varrosur kaq thellë, saqë duken vetëm kokat e tyre gjigante. Në raste të tjera, pjesa e kraharorit është mbi tokë, ndërsa disa moai mbajnë ende me mburrje një xhufkë shkëmbore që quhet pukao. Pjesa dërrmuese e tyre dergjet e papërfunduar nëpër gurore ose e shpërndarë në rrugët e lashta, sikur punëtorët i kanë hedhur përdhe veglat dhe e kanë lënë punën në mes. Ato që qëndrojnë në këmbë janë të shumëllojshme: nga statuja të izoluara në rreshta statujash, që numërojnë deri në 15 të tilla, çdonjëra me shpinë nga deti. Është e qartë pse moait kanë nga shumë kohë vizitorë, të cilët mbeten të çuditur.

Vitet e fundit, shkenca ka filluar të kuptojë jo vetëm misterin e moaive, por edhe enigmën përse u rrënua ai qytetërim​—dikur në kulmin e lulëzimit​—që i ndërtoi ato. Në mënyrë domethënëse, faktet që kanë dalë në dritë kanë më shumë se vlerë historike. Sipas Encyclopædia Britannica, ato i japin «një mësim të rëndësishëm botës moderne».

Ky mësim ka të bëjë me administrimin e tokës, veçanërisht të burimeve të saj natyrore. Sigurisht, toka është shumë më komplekse dhe më e shumëllojshme nga ana biologjike, sesa një ishull i vogël, por kjo s’do të thotë që duhet ta shpërfillim mësimin që na jep Rapa Nui. Le të marrim pak kohë, pra, për të rishikuar disa momente kryesore të historisë së Rapa Nuit. Tregimi fillon rreth vitit 400 të e.s., kur mbërritën me kaike nga oqeani familjet e para të ishullit. Të vetmit sy që po i vështronin ishin ata të qindra zogjve të detit që vërtiteshin mbi kokat e tyre.

Një ishull parajsë

Ishulli nuk krenohej për një shumëllojshmëri të madhe bimësh, por ishte i veshur mirë me pyje palmash, hauhau, dhe pemësh toromiro, përveç shkurreve, bimëve barishtore, fiereve dhe lëndinave. Në këtë zonë të largët rriteshin më së miri të paktën gjashtë lloje zogjsh të tokës, ku përfshiheshin kukuvajkat, çafkat, pulat e ujit dhe papagajtë. Siç thuhet në revistën Discover, Rapa Nui ishte edhe «vendi me shumimin më të bollshëm të zogjve të detit në Polinezi, e ndoshta në tërë Paqësorin».

Kolonialistët mund të kenë sjellë në ishull pula dhe brejtës të ngrënshëm, që i konsideronin një ushqim të zgjedhur e të shijshëm. Ata sollën edhe bimë që kultivoheshin, si: taro, jams, patate të ëmbla, banane dhe kallamsheqeri. Toka ishte e mirë, kështu që filluan sakaq ta pastronin dhe ta mbillnin​—një proces i cili vazhdoi dora-dorës që popullsia shtohej. Por Rapa Nui kishte një sipërfaqe të kufizuar e, gjithashtu, (ndonëse i pyllëzuar mirë) kishte një numër të kufizuar pemësh.

Historia e Rapa Nuit

Ajo që dimë për historinë e Rapa Nuit bazohet kryesisht në tri fusha kërkimesh: analiza e pjalmit, arkeologjia dhe paleontologjia. Analiza e pjalmit përfshin marrjen e mostrave të pjalmit nga sedimentet e pellgjeve dhe të moçaleve. Këto mostra zbulojnë llojet e bimëve dhe se sa të përhapura kanë qenë ato përgjatë qindra vjetësh. Sa më thellë të ndodhet mostra e pjalmit në shtresën e sedimentit, aq më e hershme është periudha kohore që përfaqëson.

Arkeologjia dhe paleontologjia përqendrohen në gjëra të tilla, si: banesat, veglat, moait dhe fosilet e kafshëve që përdoreshin për ushqim. Duke qenë se në Rapa Nui çdo material i shkruar është me hieroglife dhe është i vështirë për t’u deshifruar, datat para kontaktit me evropianët janë të përafërta dhe shumë nga supozimet nuk mund të provohen. Veç kësaj, disa zhvillime, që paraqiten më poshtë, mund të përfshihen në periudhat kohore fqinje. Të gjitha datat me shkrim të theksuar i përkasin erës sonë.

400 Mes viteve 20 dhe 50 mbërrijnë në ishull polinezianët e parë, ndoshta me kaike të dyfishta 15 metra a më shumë të gjata, të cilat mund të transportonin më shumë se 8 tonë çdonjëra.

800 Sasia e pjalmit të pemëve në sediment pakësohet, çka tregon se po ndodh një proces shpyllëzimi. Pjalmi i bimëve barishtore shtohet, ndërkohë që ato përhapen në disa nga zonat e zhveshura.

900-1300 Rreth një e treta e eshtrave të kafshëve që gjuheshin për ushqim gjatë kësaj periudhe janë eshtra delfinësh. Për t’i sjellë delfinët nga deti i hapur, ishullarët përdorin kaike të mëdha, të bëra me trungje palmash madhështore. Pemët sigurojnë, gjithashtu, lëndë të parë për pajisjet që përdoren për transportimin dhe ngritjen në këmbë të moaive, ndërtimi i të cilave tashmë është në rrugë e sipër. Nga shtrirja e bujqësisë dhe nga nevoja për dru zjarri vazhdojnë të zhduken pak nga pak pyjet.

1200-1500 Ndërtimi i statujave është në kulmin e tij. Rapa Nui derdh pasuri të jashtëzakonshme për të bërë moait dhe platformat ceremoniale mbi të cilat qëndrojnë ato. Arkeologia Xho Ana Van Tilburg shkruan: «Struktura shoqërore e Rapa Nuit inkurajonte me forcë ndërtimin e më shumë statujave me përmasa edhe më të mëdha.» Ajo shton se «gjatë një periudhe prej rreth 800 deri në 1300 vjetësh u ndërtuan afro 1000 statuja . . . , një për çdo shtatë deri në nëntë njerëz, sipas përllogaritjeve maksimale të popullsisë».

Me sa duket, moait nuk adhuroheshin, ndonëse luanin rol në ritet e varrimit dhe në ritet bujqësore. Ata konsideroheshin ndoshta si vend strehimi për shpirtrat. Duket se ishin edhe një simbol i fuqisë, i pozitës shoqërore dhe i gjenealogjisë së ndërtuesve të tyre.

1400-1600 Popullsia arrin kulmin, me 7000 deri në 9000 banorë. Gjurmët e fundit të pyjeve humbasin, pjesërisht për shkak të zhdukjes së zogjve të vendit, të cilët kishin pjalmuar pemët dhe kishin përhapur farërat. «Çdo lloj i zogjve tokësorë të vendit, pa përjashtim, u zhduk»,​—thuhet në Discover. Edhe brejtësit i kontribuan shpyllëzimit; dëshmitë tregojnë se ata hanin arrat e palmave.

Pas pak, erozioni e mbërthen mirë vendin, përrenjtë nisin të thahen dhe uji gjendet me pakicë. Rreth vitit 1500, eshtrat e delfinëve nuk shfaqen më, ndoshta për shkak të mungesës së pemëve mjaft të mëdha për të ndërtuar kaike që lundrojnë në oqean. Tani s’ka më asnjë mundësi për të ikur nga ishulli. Zogjtë e detit janë zhdukur, ndërkohë që njerëzit janë në gjendje të mjerë për ushqim. Hahen më shumë pula.

1600-1722 Mungesa e pemëve, përdorimi i intensifikuar i tokës dhe varfërimi i truallit i kontribuon rënies së prodhimit. Vendin e mbërthen një zi buke në shkallë të gjerë. Rapa Nui copëtohet në dy grupe kundërshtare. Shfaqen shenjat e para të kaosit shoqëror, ndoshta edhe të kanibalizmit. Kjo është epoka e luftëtarëve. Njerëzit fillojnë të jetojnë në shpella për t’u mbrojtur. Rreth vitit 1700, popullsia bie me të shpejtë në afro 2000 veta.

1722 Eksploruesi holandez Jakob Rogeven është evropiani i parë që zbulon ishullin. Kjo ndodh në kohën e pashkëve, kështu që ai e quan vendin Ishulli i Pashkëve. Ky eksplorues shënon mbresën e tij të parë: «Pamja e rrënuar [e Ishullit të Pashkës] s’mund të të linte tjetër përshtypje, përveç asaj të një varfërie e shkretimi të pashoq.»

1770 Rreth kësaj kohe, klanet rivale të banorëve që kanë mbetur në Rapa Nui fillojnë të rrëzojnë statujat e njëri-tjetrit. Kur viziton vendin në vitin 1774, eksploruesi britanik, kapiteni Xheims Kuk, sheh shumë statuja të rrëzuara.

1804-1863 Shtohet kontakti me qytetërimet e tjera. Skllavëria (që tani është diçka e zakonshme në Paqësor) dhe sëmundjet marrin shumë jetë njerëzish. Në thelb, kultura tradicionale e Rapa Nuit merr fund.

1864 Tanimë të tëra moait janë të rrëzuara, e shumë prej tyre u është prerë koka qëllimisht.

1872 Në ishull kanë mbetur vetëm 111 banorë indigjenë.

Më 1888 Rapa Nui u bë provincë e Kilit. Vitet e fundit Rapa Nui ka pasur një popullsi të përzier prej afro 2100 banorësh. Kili e ka shpallur tërë ishullin monument historik. Për të ruajtur karakterin unik dhe historinë e Rapa Nuit, shumë statuja janë ngritur sërish në këmbë.

Një mësim për sot

Përse banorët e Rapa Nuit nuk e dalluan për ku ishin drejtuar dhe nuk u përpoqën ta mënjanonin katastrofën? Vëreni komentet e studiuesve të ndryshëm lidhur me situatën.

«Pylli . . . nuk u zhduk ashtu thjesht, papritur e pakujtuar, por dalëngadalë, për dekada të tëra. . . . Çdo banor i ishullit që përpiqej të paralajmëronte për rreziqet e shpyllëzimit gjithnjë e në rritje, shtypej nga interesat vetjake të gurgdhendësve, burokratëve dhe krerëve.»​—Discover.

«Çmimi që paguan për mënyrën në të cilën zgjodhën t’i shprehnin idetë e tyre shpirtërore e politike ishte një ishull që, në shumë aspekte, u katandis thjesht në një karikaturë të asaj që kishte qenë në të shkuarën, kur ishte ende i paprekur.»​—Easter Island​—Archaeology, Ecology, and Culture.

«Ajo që i ndodhi Rapa Nuit të lë të kuptosh se zhvillimi i pakontrolluar dhe shtysa e brendshme për ta shfrytëzuar mjedisin përtej një pike kritike nuk ishin thjesht aspekte të botës së industrializuar; ishin tipike për karakterin njerëzor.»​—National Geographic.

Po sikur sot ky i ashtuquajtur karakter njerëzor të mos ketë ndryshuar aspak? Po sikur njerëzimi të ngulmojë në një stil jetese që është shkatërrimtar nga ana ekologjike për tokën tonë​—ishullin tonë në hapësirë? Sipas një shkrimtari, ne kemi një avantazh të madh në krahasim me banorët e Rapa Nuit. Kemi si shembuj paralajmërues «historitë e shoqërive të tjera të rrënuara».

Megjithatë, mund të pyesim: a po u kushton vëmendje njerëzimi këtyre historive? Shpyllëzimi në masë dhe zhdukja e pandërprerë e gjallesave të tokës me një ritëm alarmues tregojnë që jo. Në librin Zoo Book, Linda Kobner shkruan: «Eliminimi qoftë i një, qoftë i dy, qoftë i pesëdhjetë llojeve do të ketë efekte që s’mund t’i parashikojmë. Zhdukjet e gjallesave, madje, po sjellin ndryshime kohë përpara se ne t’i kuptojmë pasojat.»

Një vandal që merr çdo herë një perçinë nga një aeroplan nuk e di se heqja e cilës perçinë do të shkaktojë shkatërrimin e avionit. Por kur perçina vendimtare hiqet, fati i aeroplanit është vulosur, edhe pse mund të mos shkatërrohet tamam në fluturimin vijues. Ngjashëm, njerëzit po eliminojnë «perçinat» e gjalla të tokës me një shpejtësi prej më shumë se 20 000 llojesh në vit, e s’ka asnjë shenjë se kjo gjë do të ndalet! Kush e di se cila është pika ku s’ka më kthim mbrapa? Veç kësaj, a do të sjellë vërtet ndonjë ndryshim kjo dijeni paraprake?

Në librin Easter Island​—Earth Island bëhej ky koment domethënës: «Personi që preu pemën e fundit [në Rapa Nui] mund ta shihte se ajo ishte pema e fundit. Por, prapëseprapë, ai (ose ajo) e preu.»

«Duhet të ndryshojmë fenë tonë»

«Nëse ka ndonjë shpresë,​—shtohet në Easter Island​—Earth Island,​—ajo qëndron pa dyshim në idenë që duhet të ndryshojmë fenë tonë. Perënditë tanë të tanishëm: rritja ekonomike, shkenca e teknologjia, standardet e jetesës gjithnjë në rritje dhe dhuntitë e konkurrencës​—hyjni që i konsiderojmë të gjithëfuqishme​—janë si statujat gjigante mbi platformat e Ishullit të Pashkës. Çdo fshat konkurronte me fqinjët e tij për të ngritur statujën më të madhe. . . . Bëheshin gjithnjë e më shumë përpjekje për gdhendjen, transportimin dhe ngritjen në këmbë të tyre: diçka e kushtueshme . . . , por e pakuptimtë.»

Një njeri i mençur tha njëherë: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Krijuesi ynë është i vetmi që mund të na tregojë se si t’i ‘drejtojmë hapat tanë’. Është, gjithashtu, i vetmi që mund të na nxjerrë nga gjendja jonë e mjeruar. Ai do të bëjë pikërisht këtë gjë, siç premton në Fjalën e tij, Biblën​—një libër ku dokumentohen edhe shumë shembuj të mirë e të këqinj të qytetërimeve të shkuara. Ky libër mund të jetë vërtet një ‘dritë në shtegun tonë’ në këto kohë të errëta.​—Psalmi 119:105.

Më në fund, ai shteg do t’i çojë njerëzit e bindur drejt një parajse paqeje e bollëku​—një botë e re që do të përfshijë edhe atë copëz të vockël toke në Paqësorin Jugor, të quajtur Rapa Nui.​—2 Pjetrit 3:13.

[Shënimi]

^ par. 2 Ndonëse banorët e quajnë si ishullin, ashtu edhe veten e tyre Rapa Nui, ishulli njihet më shumë si Ishulli i Pashkës dhe banorët njihen si banorë të Ishullit të Pashkës.

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ishulli i Pashkës

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 23]

«U ndërtuan afro 1000 statuja»

[Figurat në faqen 25]

E gjithë toka, përfshirë edhe ishujt e largët, do të bëhet një parajsë