Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Puna për të ndihmuar në Francë pas stuhive

Puna për të ndihmuar në Francë pas stuhive

Puna për të ndihmuar në Francë pas stuhive

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË FRANCË

FRANSUAZA hapi derën që të merrte ca dru për zjarrin. «Nuk u besoja dot syve,​—kujton ajo.​—Uji kishte arritur deri te pragu i derës dhe një dallgë gjigante po vinte që nga porta e kopshtit.» I shoqi, Tieri, me ujin që i arrinte deri në grykë, arriti të merrte një shkallë nga garazhi. Familja ia doli mbanë të hipte në katin e sipërm, ku ai hapi një vrimë në çati. Të bërë qull e të tmerruar, çifti dhe tre fëmijët e tyre pritën për orë të tëra që të tjerët t’i shpëtonin. Më në fund, një helikopter i policisë franceze i gjeti dhe i nxori që andej shëndoshë e mirë.

Të fryrë nga shirat e rrëmbyeshëm, lumenjtë dolën nga shtretërit e tyre, duke thyer digat e duke shkatërruar urat. Dallgë me ujë plot baltë, disa herë më shumë se 10 metra të larta, fshinë nga faqja e dheut çdo gjë që gjetën përpara. Më shumë se 30 veta vdiqën gjatë stuhisë, të bllokuar në makinat e tyre ose të mbytur ndërsa ishin në gjumë. Një viktimë që arriti të shpëtonte e krahasoi atë natë të tmerrshme nëntori me «fundin e kohës». Një krahinë e tërë e Francës Jugperëndimore (329 qytete e fshatra) u shpall zonë e prekur nga katastrofa.

Më e keqja duhej të vinte ende

Pjesa jugperëndimore ishte ende duke marrë veten nga dëmtimet, kur katastrofa goditi përsëri. Një presion shumë i ulët atmosferik mbi Oqeanin Atlantik shkaktoi erëra me fuqi uragani. Tufani i parë goditi me furi veriun e Francës më 26 dhjetor 1999 dhe i dyti bëri kërdinë në jug një natë më pas. U regjistruan erëra me shpejtësi më shumë se 200 kilometra në orë. Sipas regjistrave zyrtarë, Franca nuk kishte pasur një stuhi të tillë të paktën që nga shekulli i 17-të.

Elena ishte shtatzënë tetëmuajshe, kur goditi tufani. «Isha jashtëzakonisht e frikësuar,​—kujton ajo.​—Im shoq po kthehej në shtëpi me motor dhe unë shihja përjashta degë pemësh që fluturonin nga të gjitha anët. Nuk arrija dot të mos mendoja se nuk do ta shihte kurrë foshnjën e tij. Ai sapo arriti në shtëpi, kur filloi të ngrihej niveli i ujit. Na u desh të hidheshim nga dritarja.»

Në Francë, të paktën 90 veta vdiqën. Ata ose u mbytën, ose u goditën nga tjegullat, oxhaqet a pemët që binin. Qindra të tjerë u plagosën rëndë, duke përfshirë edhe disa që punonin në skuadrat civile e ushtarake të shpëtimit. Tufanet prekën edhe vendet fqinje, duke vrarë më shumë se 40 veta në Britani, Gjermani, Spanjë dhe Zvicër.

Pasojat

Nga 96 krahinat administrative të shtetit të Francës, 69 u shpallën zyrtarisht «zona katastrofe natyrore». Dëmet janë llogaritur në shifrën rreth 70 miliardë franga (11 miliardë dollarë). Në disa qytete, fshatra dhe porte, shkretimi u sillte në mend kalimtarëve një zonë lufte. Rrugët dhe hekurudhat u bllokuan nga pemë ose shtylla elektrike të rëna. Ndërtesave u fluturuan çatitë, vinçat për ndërtim u rrëzuan dhe anijet u lëkundën sa andej-këtej nëpër skela. Mijëra kopshtarë që rritnin lule për t’i shitur humbën mjetet e jetesës, sepse serrat dhe kopshtet u shkatërruan.

Vetëm në pak orë, era bëri kërdinë në pyjet dhe parqet e Francës, duke rrafshuar qindra mijë hektarë drurësh pyjorë. Sipas Zyrës Kombëtare Pyjore të Francës, u shkatërruan rreth 300 milionë pemë. Pemë madhështore e shekullore u shkulën ose u thyen si të ishin kunja shkrepseje. Era shkuli breza të tërë pemësh në pyjet e Akuitanisë dhe të Lorenës.

«Ditën pas stuhisë, shkova në pyje,​—tha Bernari, një Dëshmitar i Jehovait që punon si rojtar pylli.​—Ishte një pamje shtangëse. Kur ballafaqohesh me një pamje të tillë, nuk mund të mos të të prekë! Këtu, 80 për qind e kongregacionit tim varet nga pylli për të nxjerrë jetesën. Njerëzit, veçanërisht të moshuarit, janë thellësisht të tronditur.» Në kopshtet e Pallatit të Versajës u rrëzuan 10 000 pemë. «Parkut do t’i duhen dy shekuj që të rikthehet në pamjen e vet të mëparshme»,​—u ankua një nga kryekopshtarët.

Duke qenë se linjat elektrike ranë, më shumë se një e gjashta e popullsisë në Francë u zhyt në errësirë. Me gjithë përpjekjet heroike të shërbimeve komunale, dhjetëra mijë njerëz ishin ende pa dritë elektrike ose pa shërbime telefonike dy javë pas stuhive. Disa fshatra të vegjël ishin izoluar tërësisht. Familjet që u detyruan të nxirrnin ujë nga puset dhe të përdornin qirinj, u ndien sikur po jetonin njëqind vjet më parë, e jo në pragun e shekullit të 21-të.

Stuhitë nuk i kursyen as ndërtesat publike, kështjellat ose katedralet. Ndërtesa të shumta fetare, duke përfshirë edhe 15 Salla Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait, u dëmtuan. Në disa vende, mbledhjet u mbajtën nën dritën e qiririt ose me llamba vajguri.

Afro 2000 familje të Dëshmitarëve të Jehovait patën dëmtime të pronave nga stuhitë, duke filluar nga pemë të rëna ose tjegulla të hequra e deri në shtëpi që u shkatërruan plotësisht kur lumenjtë dolën nga shtretërit. Disa Dëshmitarë u plagosën. Mjerisht, në krahinën Sharont, një Dëshmitar 77-vjeçar u mbyt në sy të të shoqes, e cila e vështronte e pafuqishme për ta ndihmuar. Të tjerë u ballafaquan nga afër me vdekjen. Zhilberi 70-vjeçar kujton: «Është një mrekulli që nuk vdiqa. Dera u shkallmua dhe ujërat hynë me një forcë të pabesueshme. Menjëherë e pashë veten të rrethuar nga ujë, që arrinte lartësinë një metër e gjysmë. Shpëtova duke u varur te dollapi i rrobave.»

Sigurohet ndihma e nevojshme

Stuhitë bënë që të lindte një solidaritet i jashtëzakonshëm në Francë dhe kudo në Evropë. Gazeta Le Midi libre komentoi: «Ka periudha kur bamirësia është pothuajse e detyrueshme, sido që të jepet, në mënyrë spontane, nga miqësia ose për shkak të ndërgjegjes.»

Menjëherë pas stuhive, Dëshmitarët e Jehovait krijuan komitete shpëtimi për të ndihmuar pjesëtarët e kongregacioneve lokale, si edhe të tjerë të prekur nga katastrofa. Komitetet Rajonale të Ndërtimit, që normalisht përdoren për të ndërtuar Salla Mbretërie, organizuan skuadra vullnetarësh. Pas stuhisë së nëntorit në jugperëndim, 3000 Dëshmitarë morën pjesë në punën e shpëtimit dhe të pastrimit, duke i ndihmuar viktimat që të hiqnin baltën dhe ujin që kishte përmbytur shtëpitë e tyre. Dëshmitarët qenë ndër vullnetarët e parë që mbërritën në disa fshatra. Ata pastruan ndërtesa publike, si: shkolla, zyra poste, salla të qytetit, azile pleqsh e, madje, edhe një varrezë. Në shumë raste, punuan krah për krah shërbimeve të ndihmës.

Ndihma iu ofrua të gjithëve, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare. «Ndihmuam priftin e fshatit. I pastruam bodrumin e shtëpisë»,​—tha një Dëshmitar. Për të tjerët që morën ndihmë nga Dëshmitarët, ai shtoi: «Njerëzit na shihnin sikur të kishim rënë nga qielli për t’i ndihmuar.» Një zyrtar tha: «Këtë mund ta konsideroni si mënyrën e tyre për të lexuar Ungjillin dhe për të ndihmuar të afërmin. Mendoj se ata që erdhën jetonin sipas Ungjillit dhe sipas fesë së tyre.» Një vullnetare Dëshmitare komentoi: «Zemra të shtyn të vish dhe të japësh këtë ndihmë. Është një kënaqësi e vërtetë të jesh në gjendje të bësh diçka për të tjerët.»

Pas tufanit të dyfishtë të dhjetorit, dhjetëra familje Dëshmitarësh nuk patën kontakte me vëllezërit e tyre të krishterë, për disa ditë me radhë. Nën mbikëqyrjen e mbikëqyrësve udhëtues dhe të pleqve lokalë, u organizua dhënia e ndihmës. Rrugët e bllokuara dhe linjat telefonike të dala jashtë përdorimit disa herë e bënin të pamundur të kontaktoje me miqtë që jetonin vetëm disa kilometra larg. Për t’i ndihmuar pjesëtarët e izoluar të kongregacionit, disa Dëshmitarë kapërcyen në këmbë ose me biçikletë pyjet e shkretuara, me gjithë rrezikun shumë të madh të pemëve që binin. Edhe një herë, vullnetarët punuan shumë për të pastruar shkollat, bibliotekat, konviktet dhe shtëpitë e fqinjëve, si edhe për të zhbllokuar kalimet nëpër pyje.

Krijojnë «një atmosferë dashurie»

Shumë viktima të këtyre katastrofave, veçanërisht fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, u tronditën nga kjo përvojë. Atyre që humbën shtëpinë ose një njeri të dashur do t’u duhet shumë kohë dhe mbështetje nga familja e nga miqtë, për të rindërtuar jetën. Pas përmbytjeve në krahinën e Odit, dr. Gabriel Kotë, nga një komitet urgjence psiko-mjekësor, vërejti: «Çdo mbështetje nga njerëzit që kanë të njëjtin besim fetar si edhe viktima, është shumë e dobishme.»

Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë një detyrim moral e biblik të sigurojnë këtë ndihmë. «Në trup [të komunitetit të vërtetë të krishterë] të mos ketë ndarje,​—tha apostulli Pavël.​—Gjymtyrët e tij të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën. Dhe sikur të vuajë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të.»​—1 Korintasve 12:25, 26.

«Në orët që pasuan stuhinë, një duzinë vëllezërish e motrash të krishterë erdhën në shtëpinë tonë për të na ndihmuar të pastronim gjithçka,​—thotë Elena, e përmendur më parë, që tani është nëna e një vajze plot jetë.​—Edhe Dëshmitarët që ishin prekur vetë nga stuhia erdhën të na ndihmonin. Ndihma ishte kaq e mrekullueshme, spontane dhe nga zemra!»

Odeta, shtëpia e së cilës u shkatërrua nga përmbytjet, tha për Dëshmitarët e tjerë: «Më ngushëlluan shumë. Nuk arrij ta shpreh dot atë që ndiej. Jam shumë, shumë e prekur nga e gjithë ajo që bënë për mua.» Një motër tjetër, i përmblodhi ndjenjat e shumë vetave duke thënë me çmueshmëri: «Jemi vërtet të mbështjellë me një atmosferë dashurie!»

[Kutia dhe figura në faqet 18, 19]

«BATICA E ZEZË»

Në mes të dhjetorit, tamam para stuhive, anija super-cisternë Erika u fundos në det të trazuar, rreth 50 kilometra larg bregut perëndimor të Francës, duke derdhur në det 10 000 tonelata naftë. Rreth 400 kilometra bregdet, nga Britania deri në Vonde, u ndot. Stuhia e keqësoi këtë katastrofë ekologjike, duke e ndarë naftën në shumë breza të vegjël me veti ngjitëse, duke e shpërndarë ndotjen dhe duke e bërë edhe më të vështirë pastrimin. Mijëra vullnetarë, të rinj e të moshuar, erdhën nga e gjithë Franca për të ndihmuar në pastrimin e këtij karburanti veshtullor nga shkëmbinjtë dhe nga rëra.

Incidenti ka shkaktuar ndotje të rëndë të ekologjisë detare. Industritë e midhjeve dhe të molusqeve janë prekur keq. Sipas ornitologëve, të paktën 400 000 zogj deti​—papagaj deti, kredharakë, sula e veçanërisht zogj të familjes së pinguinëve​—kanë ngordhur. Kjo përbën dhjetë herë më shumë se numrin që ngordhi pasi anija super-cisternë Amoka Kadiks u fundos në Britani, në mars 1978. Shumë zogj po dimëronin në brigjet e Francës pasi kishin emigruar nga Anglia, Irlanda dhe Skocia. Drejtori i Ligës së Roshforit për Mbrojtjen e Zogjve komentoi: «Kjo është një shtresë katastrofike nafte. Deri tani është më e keqja që kemi parë. . . . Kemi frikë se kolonitë e rralla të zogjve do të dobësohen ose edhe do të eliminohen nga brigjet franceze.»

[Burimi]

© La Marine Nationale, France

[Figura në faqen 15]

Qindra veta u shpëtuan me helikopter, si këtu në Kyksak d’Od

[Burimi]

B.I.M.

[Figura në faqen 15]

Në mes të vreshtave të rrënuar, një hekurudhë e shtrembëruar tani nuk të çon asgjëkundi

[Burimi]

B.I.M.

[Figura në faqen 15]

Qindra makina të rrëzuara shënonin peizazhin

[Figura në faqen 16]

Në Vildenj, ky njeri mbeti i bllokuar për shtatë orë

[Burimi]

J.-M Kolombier

[Figura në faqet 16, 17]

Pishat u thyen si kunja shkrepseje në krahinën Krëz

[Burimi]

© Chareyton/La Montagne/MAXPPP

[Figura në faqet 16, 17]

Vetëm në kopshtet e Pallatit të Versajës, u rrëzuan 10 000 pemë

[Burimi]

© Charles Platiau/Reuters/MAXPPP

[Figura në faqen 17]

Mëngjesin vijues, në San-Pjer-syr-Div, Normandi

[Burimi]

© M. Daniau/AFP

[Figurat në faqen 18]

Skuadra Dëshmitarësh të Jehovait duke pastruar një azil pleqsh në La Redort (sipër) dhe sallën e qytetit në Resak d’Od (djathtas)