Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rreziqet e udhëtimit me autostop

Rreziqet e udhëtimit me autostop

Rreziqet e udhëtimit me autostop

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

Një ditë të nxehtë vere, në vitin 1990, 24-vjeçari britanik Pol Onions, me bagazhet në shpinë, po kërkonte një makinë të rastit në autostradën Hjum, në jug të Sidneit, Australi. Poli ishte mirënjohës kur një i huaj ndaloi dhe e mori në makinë. Ai as që e kishte idenë se pranimi i kësaj ftese do t’i kushtonte pothuajse jetën. *

PA QENË në dijeni të rrezikut, Poli u ul në ndenjësen e përparme të makinës dhe ia nisi muhabetit me shoferin. Brenda disa minutave, ai që dukej si një shofer miqësor u bë agresiv dhe polemizues. Pastaj, papritur shoferi ndaloi në anë të rrugës, duke thënë se donte të nxirrte disa kaseta magnetofoni që nga poshtë ndenjëses. Nxori jo kaseta, por një armë që ia vuri Polit në kraharor.

Duke mos iu bindur shoferit që e urdhëroi të qëndronte ulur, Poli hoqi me të shpejtë rripin e sigurimit, doli me furi nga makina dhe ia dha vrapit me sa fuqi që kishte nëpër autostradë. Shoferi e ndoqi me vrap, ndonëse të gjithë shoferët e tjerë po i shihnin. Më në fund e arriti, e kapi nga bluza dhe e hodhi përtokë. Duke u çliruar, Poli vrapoi përballë një furgoni që po vinte, duke e detyruar shoferin e frikësuar, një grua me fëmijë, të ndalonte. Me lutjet e Polit, nëna e la të hipte, e ktheu furgonin duke kaluar në korsinë tjetër dhe u largua me shpejtësi. Vetëm më vonë, ai që kishte sulmuar Polin u identifikua si një ‘serial killer’, i cili kishte vrarë shtatë udhëtarë të tjerë të tillë, disa prej të cilëve udhëtonin dyshe me autostop.

Çfarë i bëri këto viktima shënjestra kaq tërheqëse për vrasësin? Në gjyqin që iu bë këtij vrasësi, gjykatësi vërejti: «Që të gjitha viktimat ishin me moshë të re. Ishin midis moshës 19 dhe 22-vjeçare. Secili udhëtonte larg shtëpisë dhe kjo të çon në përfundimin se, nëse do t’u ndodhte gjë, nuk do ta kishte ndier njëri mungesën e tyre për njëfarë kohe.»

Liri për të shëtitur nëpër botë

Udhëtimi ndërkombëtar sot është brenda mundësive për shumë më tepër njerëz sesa disa vjet më parë. Për shembull, brenda një periudhe pesëvjeçare, numri i australianëve që vizitojnë Azinë arriti më shumë se dyfishin. Në kërkim të përvojës ose të aventurës, shumë adoleshentë dhe të rinj u hipin avionëve për të shkuar në vende të largëta. Shumë nga këta udhëtarë bëjnë plane që të udhëtojnë me autostop për të bërë sa më pak shpenzime. Mjerisht, në shumë pjesë të botës, udhëtimi me autostop nuk është më ajo mënyrë interesante dhe relativisht e sigurt udhëtimi që ishte njëherë e një kohë, as për ata që udhëtojnë me autostop, as për ata që ofrohen t’i marrin në makinë.

Qëndrimi pozitiv dhe entuziazmi për udhëtimin thjesht nuk mund ta zëvendësojnë mençurinë praktike e gjakftohtë. «Padurimi për të udhëtuar shpesh nënkupton që të rinjtë nisen për udhëtim pa u përgatitur sa duhet dhe pa i kuptuar plotësisht rreziqet ose përgjegjësitë e tyre»,​—vërehet në një broshurë të shkruar për familjet që kërkojnë fëmijët e humbur.

Në broshurë shtohet: «Njerëzit që udhëtojnë me një grup të organizuar turistësh, për punë, ose që ndjekin itinerare të planifikuara mirë, rrallëherë humbasin. Qoftë në Australi, qoftë në një vend tjetër, shumica e njerëzve që përfundimisht klasifikohen si të humbur, duket se janë ata që marrin bagazhet në shpinë dhe udhëtojnë pa shpenzuar shumë.»

Sido që të jetë, nëse një person po udhëton me autostop ose jo, udhëtimi pa një itinerar, ndonëse tërheqës për disa që nuk duan të ndihen të lidhur pas një programi, mund ta ekspozojë më shumë një person ndaj rreziqeve. Kur të afërmit dhe miqtë nuk janë në dijeni për vendndodhjen e një udhëtari, nuk janë në gjendje të ndihmojnë shumë në raste urgjence. Për shembull, ç’të themi nëse një udhëtar përfundonte pa ndjenja në një spital dhe asnjeri në shtëpi nuk e dinte ku ishte ai?

Të mbajmë lidhje

Në librin Highway to Nowhere, gazetari britanik Riçard Shirs shkroi për shtatë të humbur që udhëtonin me autostop, të cilët «në mënyrë të papritur, kishin ndërprerë lidhjet me familjen dhe miqtë». Sigurisht, në fillim familjet mund të mos jenë të sigurta nëse të afërmit e tyre janë zhdukur apo thjesht nuk po mbajnë lidhjet me ta. Kjo mund t’i përmbajë që të mos i sinjalizojnë menjëherë autoritetet kur nuk dëgjojnë më gjë nga udhëtarët.

Njërës nga ato që udhëtonin me autostop shpeshherë i ndërpritej linja telefonike kur fliste me prindërit, sepse nuk kishte më para. Duke e shqyrtuar këtë në retrospektivë, prindërit e saj i nxitën familjet që t’u siguronin fëmijëve të tyre karta telefonike ose ndonjë mjet tjetër që të telefononin në shtëpi. Ndonëse kjo mund të mos i kishte shpëtuar jetën kësaj vajze të re, komunikimi i rregullt shpesh mund ta ndihmojë udhëtarin që të shmangë vështirësitë ose, të paktën, të përballojë vështirësi më të vogla.

Shtatë udhëtarët me autostop që humbën jetën mund të kenë lexuar librat për udhëtime, të cilët e quajnë Australinë një nga vendet më të sigurta në botë për udhëtimin me autostop. Gjithsesi, edhe një herë ky lloj udhëtimi doli se ishte një aventurë e rrezikshme, edhe duke udhëtuar dyshe e, madje, edhe në vendin «më të sigurt».

[Shënimi]

^ par. 3 Duhet vërejtur se në disa vende udhëtimi me autostop është i paligjshëm.

[Figura në faqen 27]

Prindërit mund të shmangin shqetësimin e panevojshëm, duke u siguruar fëmijëve të tyre karta telefonike ose ndonjë mjet tjetër për të telefonuar në shtëpi