Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është koha për një krevat të ri?

A është koha për një krevat të ri?

A është koha për një krevat të ri?

Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Britani

A kaloni shpesh net pa gjumë, duke mos ju zënë vendi dhe duke u rrotulluar për të gjetur ndonjë pozicion të rehatshëm, e pastaj, kur ngriheni në mëngjes ndiheni të ngrirë e keni dhembje? Nëse po, problemi mund të jetë krevati.

KJO orendi mund të jetë miku ose armiku juaj. Nëse jetoni në një vend ku përdoren krevatet, ka të ngjarë që një të tretën e jetës ta kaloni duke pushuar mbi një të tillë. Por krevati nuk do të rrojë përgjithmonë. A ju shërben mirë krevati që keni tani?

A keni nevojë për një krevat të ri?

Normalisht një krevat shërben më së miri për nja dhjetë vjet. Një person më i rëndë e nxjerr më shpejt nga përdorimi krevatin. Mbani në mend, gjithashtu, se nevojat dhe preferencat tuaja ndryshojnë ndërsa rriteni. Për të vendosur nëse keni nevojë apo jo për një krevat të ri, bëjini vetes këto pyetje: ‘A ngrihem me qafë të ngrirë ose me dhembje shpine? A është tepër i vogël krevati? A ndiej që ndonjë gjymtyrë e shtrembëruar ose e dalë shkon në vend? Dëgjoj zhurmë, si kërcitje ose gërvima, kur lëviz? A e shohim veten unë dhe bashkëshorti të rrokullisemi padashur drejt njëri-tjetrit? A është bazamenti i çrregullt ose i varur? A janë këmbët dhe rrotëzat të vjetëruara?’ Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’ju ndihmojnë për të përcaktuar nëse është apo jo koha të blini një krevat të ri.

Ç’gjë e bën të mirë një krevat?

Një krevat i mirë ju bën të ndiheni rehat dhe ju mban mirë, ndërkohë që u përshtatet nevojave dhe preferencave tuaja të veçanta. Shumica e krevateve përbëhen nga një dyshek dhe një skelet mbështetës, por çelësi për rehatinë është dysheku. Ai ka disa pjesë përbërëse. Në fillim vjen mbulesa ose copa që vesh dyshekun, e cila e mban gjithçka të bashkuar. Pastaj vijnë shtresat mbushëse, për të të mbajtur rehat dhe për të bërë të mundur të largohet lagështia e trupit. Pjesa e tretë, e cila siguron mbështetje dhe fortësi, zakonisht përmban spira ose susta prej çeliku të kalitur. Ka forma të ndryshme mbështetësish të brendshëm, por si rregull i përgjithshëm, sa më të shumta të jenë sustat dhe sa më i trashë të jetë teli që përdoret, aq më e mirë është mbështetja. Një alternativë e përhapur në këto kohë është dysheku me sfungjer poliuretani ose lateksi. Ky është më i lehtë sesa ai me susta.

Megjithatë, një dyshek i mirë shërben më së miri vetëm në rast se ka një bazament të përshtatshëm, zakonisht atë për të cilin është projektuar. Shpesh, shiten divane-krevat si orendi të kompletuara, me dyshek dhe me bazament. Bazamenti i tyre në formë kutie, me anë të larta shërben si një amortizator i madh, duke bërë të mundur që dysheku të ajroset dhe duke ia zgjatur kështu mjaft jetën. Një mundësi tjetër janë krevatet me një bazament prej rripash të hollë metali ose druri. Këto krevate janë të hapur nga poshtë, duke siguruar kështu një ajrosje të mirë për dyshekun e tyre të përshtatshëm. Rripat e fortë sigurojnë një bazament të qëndrueshëm, ndërsa ata elastikë janë më të epshëm.

Zgjedhja e krevatit të duhur

Çfarë duhet të mbani ndër mend kur blini një krevat të ri? Një krevat i përdorur do të ketë thithur djersë e petëza lëkure të njerëzve të tjerë dhe ka të ngjarë të jetë plot me këpusha të pluhurit, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike, azëm ose ekzemë. Gjithashtu, ai mund të mos përputhet me standardet shëndetësore ose të sigurisë.

Përpara se të dilni për të blerë një krevat të ri, është e këshillueshme të përcaktoni përparësi të tilla, si: çmimin, faktorët shëndetësorë ose përmasat e përgjithshme. Përpiquni të lini mënjanë mjaft kohë, për të vizituar dyqane me emër të mirë, dhe kërkoni sa më shumë informacion që të jetë e mundur për çdo krevat ose dyshek. Meqë krevatet shpesh janë të shtrenjta, mos e lejoni veten të merrni një vendim të nxituar.

Mund ta keni më të vështirë të bëni zgjedhjen e duhur, nëse jeni të lodhur. Vishni rroba që ju bëjnë të ndiheni rehat. Mos kini druajtje ta provoni një krevat. Hiqni xhaketën e këpucët dhe shtrihuni në çdonjërin nga krevatet për disa minuta. Provoni pozicione të ndryshme gjumi, duke i kushtuar vëmendje sidomos mbështetjes së supeve, ijëve dhe pjesës së fundit të shpinës.​—Shih kutinë poshtë.

Kujdesi për krevatin

Duke u kujdesur mirë për krevatin, pa dyshim që do t’ia zgjatni jetën. Kërkojini këshilla shitësve dhe gjeni kohë të lexoni udhëzimet e fabrikuesit. Kur ta çoni në shtëpi krevatin e ri, hiqini sa më shpejt që të jetë e mundur qesen e ambalazhimit. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e kondensimit, i cili mund të shkaktojë lagështi, myk dhe kalbëzim. Këtu janë disa sugjerime të mëtejshme.

● Kthejeni një dyshek të ri me susta nga ana tjetër dhe ndërroni vendin e majës me fundin një herë në një a dy javë gjatë muajve të parë, ndërsa më pas një herë në tre muaj. Kjo do të ndihmojë që mbushjet të zënë vend mirë dhe do të sigurojë një përdorim uniform. Nëse keni probleme me shpinën mund t’ia vlejë të mendoni për një dyshek me sfungjer, pasi ai mund të mos ketë nevojë ta ktheni rregullisht.

● Asnjëherë mos e përkulni, mblidhni ose ngjeshni dyshekun. Për të shmangur dëmtimin e copës, përdorini mbajtëset e tij vetëm për ta vënë në vend, jo për të mbajtur gjithë peshën.

● Çdo mëngjes hapini mbulesat e krevatit për të paktën 20 minuta, që krevati të ajroset dhe të avullojë lagështia e trupit.

● Mbajeni dyshekun të pastër, duke përdorur një këllëf mbrojtës që mund të lahet. Pastrojini rregullisht me fshesë korenti si dyshekun, ashtu edhe bazamentin, për të hequr pushin dhe pluhurin. Lajeni menjëherë me një sapun jo të fortë dhe me ujë të ftohtë çdo njollë ose diçka që mund të derdhet.

● Përpiquni të mos uleni në të njëjtin vend në cep të dyshekut gjatë gjithë kohës. Mos i lini fëmijët ose dikë tjetër të hidhet mbi krevat.

Krevati është shumë më tepër se një investim parash. Është investim i një të tretës së jetës suaj, e cila mund të ketë efekt të dukshëm në dy të tretat e tjera. Nëse e zgjidhni mikun tuaj mbështetës me mençuri dhe tregoni kujdes për të, ai do të kujdeset mjaft mirë për ju.

[Kutia në faqen 22]

Cili krevat është i përshtatshëm për ju?

Rehatia dhe mbajtja. Dysheku nuk ka pse të jetë i fortë si dërrasë që të jetë i mirë për ju. Në fakt, mendohet se një krevat tepër i fortë mund t’i rëndojë problemet e shpinës. Lëreni trupin t’ju thotë se ku ndihet më mirë. Shtrihuni me kurriz. Nëse mund ta rrëshqitni dorën në hapësirën bosh që krijon shpina, në mënyrë që të zërë vend tamam dhe nëse mund të ktheheni me lehtësi, dysheku ka pak a shumë fortësinë e përshtatshme për ju. Një dyshek që mban mirë duhet të bëjë të mundur që kur shtriheni anash, shtylla kurrizore të mbetet në vijë të drejtë. Një personi që peshon më shumë i duhet një krevat më i fortë.

Përmasat. Zgjidhni një krevat që ju jep liri të lëvizni. Nëse krevati do të jetë për dy veta, mbani parasysh se dy të rritur që flenë në një krevat dopio me madhësi normale do të kenë secili po atë hapësirë që ka një foshnjë në një krevat fëmijësh.

Harmonizimi i pjesëve përbërëse. Nëse është e mundur, blini një dyshek dhe një bazament që harmonizohen dhe që janë projektuar të shërbejnë së bashku për t’ju bërë të ndiheni rehat dhe për t’ju mbajtur. Një bazament i vjetër mund ta dëmtojë një dyshek të ri, si edhe të ndikojë në garancinë e tij.

Vlera. Shpesh merr atë që paguan, prandaj blini krevatin me cilësinë më të lartë që keni mundësi të paguani.

Hapësira. Nëse hapësira është e kufizuar, mund t’ia vlejë të mendoni për një krevat portativ, i cili paloset dhe futet në dollap. Një mundësi tjetër është një dyshek tip shilteje i bërë me shtresa pambuku të shkrifëruar, që hapet shpejt e shpejt natën mbi dysheme. Këta dyshekë mund të shiten edhe si kanape të hapshme me skelet prej listelash.

Problemet shëndetësore. Nëse nuk ndiheni rehat në një krevat tradicional, një krevat që përshtatet ofron një sërë pozicionesh të ndryshme gjumi. Një krevat uji e mban dhe e shpërndan peshën e trupit barabar dhe mund të ndihmojë ata që vuajnë prej parehatisë së shkaktuar nga ngacmimi i pikave të tensionit.

Ata që vuajnë nga alergjia. Nëse jeni alergjik ndaj pluhurit ose mbushësve natyrorë, një dyshek që përmban fibra sintetike ose sfungjer mund të jetë një zgjedhje e mirë. Ia vlen, gjithashtu, të vërejmë se alergjenët nuk grumbullohen kollaj në një krevat me bazament prej listelash ose në një krevat uji.

Të moshuarit. Sigurohuni që shputat e këmbëve mund ta prekin dyshemenë kur uleni në cep të krevatit. Një bazament me skaje të forta do t’ua bëjë më të lehtë të futeni në krevat dhe të ngriheni prej tij nga ky pozicion ndenjur.

[Kutia në faqen 23]

Sugjerime për siguri

▪ Vishni rroba nate që i rezistojnë zjarrit.

▪ Sigurohuni që shtresat janë mjaft larg nga zjarri dhe nga ngrohësit.

▪ Kontrollojeni shpesh një batanije me korrent, për të parë se mos ka copën të holluar, zhubra të mëdha, shenja djegie dhe kordon elektrik të ngrënë. Mos e përdorni asnjëherë batanijen kur është e lagur, por lëreni që të thahet vetë. Mos vendosni gjëra të rënda mbi krevat kur batanija është në prizë.

▪ Mos e mbushni borsën me ujë të valuar, as mos e përdorni bashkë me batanijen me korrent. Hiqeni para se të hyjë në krevat një fëmijë.

[Diagrami në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Mbulesa ose copa veshëse

Mbushje rombike me qepje të fortë

Mikrombushje

Mbushje me shtypje

Shtresat mbushëse

Mbështetësit e brendshëm

Sfungjer

Susta të vazhdueshme

Susta të hapura

Susta xhepore

[Burimi]

Riprodhuar me mirësjelljen e Sleep Council

[Burimi i figurës në faqen 21]

Riprodhuar me mirësjelljen e Sleep Council