Antarktida—E fundit zonë eksplorimi
Antarktida—E fundit zonë eksplorimi
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
NË DISA pjesë të Antarktidës mund të bëjë kaq ftohtë sa, siç thotë një shkrimtar, «po të hedhësh përdhe një shufër çeliku, ka të ngjarë që të thyhet si qelq, . . . dhe po të nxjerrësh një peshk përmes një të çare në akull, brenda pesë sekondash ai ngrin e bëhet gur i fortë». Për shkak të kushteve ekstreme dhe të bukurisë përrallore të terrenit të zhveshur—të cilave hera-herës u shtohen shfaqjet marramendëse të agimeve polare—Antarktida mund të merrej për një botë tjetër.
Por Antarktida është krejtësisht pjesë e kësaj bote. Në fakt, ajo është krahasuar me një laborator të stërmadh natyror për studimin e tokës dhe të atmosferës së saj, si edhe të ndryshimeve ambientale globale, duke përfshirë ato që lidhen me aktivitetet e njeriut. Shkencëtarët janë gjithnjë e më të shqetësuar tamam nga këto studime. Ata kanë vërejtur fenomene të reja ogurzeza në rajonin e Polit të Jugut, dhe këto tregojnë se gjërat nuk shkojnë mirë. Por, në fillim le të shohim përse Antarktida është një kontinent unik.
Pikësëpari, Antarktida—kontinenti më i izoluar në botë—është një kontinent kontradiktash. Ajo është jashtëzakonisht e bukur dhe e virgjër, por egërsisht jomikpritëse. Është vendi më i rrahur nga era dhe më i ftohti në tokë, e, prapëseprapë, është, çuditërisht, delikat dhe i ndjeshëm. Është kontinenti ku bien më pak reshje, por akulli i tij përbën 70 për qind të ujërave të ëmbla të planetit. Me një trashësi mesatare prej rreth 2200 metrash, akulli e bën Antarktidën kontinentin më të lartë në botë, që arrin mesatarisht 2300 metra mbi nivelin e detit. Ai është edhe kontinenti i pestë më i madh në botë, por megjithatë nuk ka banorë të përhershëm që të jenë më të mëdhenj se një lloj insekti pa krahë, një centimetër i gjatë.
Si të vizitosh Marsin!
Ndërsa merr guximin të futesh në brendësi të Antarktidës, sheh gjithnjë e më pak shenja jete, sidomos kur arrin në zonat e quajtura lugina të thata. Këto shkretëtira polare që mbulojnë afro 3000 kilometra katrorë ndodhen kryesisht në lartësitë e Maleve Transantarktike—një vargmal që shtrihet mespërmes kontinentit dhe që vende-vende ngrihet në lartësi mbi 4300 metra. Tufane të akullta fërshëllejnë përmes luginave të thata dhe rrëmbejnë në çast çfarëdo sasie bore që mund të bjerë. Shkencëtarët mendojnë se këto lugina janë barasvlerësi tokësor që i përngjan më shumë sipërfaqes së Marsit. Prandaj, u konsiderua një vend i përshtatshëm për të vënë në provë pajisjet hapësinore para se të lëshonin misionin Viking në Mars.
Megjithatë, edhe në luginat e thata ka jetë. Brenda shkëmbinjve porozë, në xhepa të veckël ajri, jetojnë forma jashtëzakonisht rezistente bakteresh, algash dhe kërpudhash. Ato mbijetojnë në gjurmën më të vogël të lagështisë. Jashtë, bota përrallore që i rrethon është një botë formacionesh të zhveshura shkëmbore të quajtura ventifakte. Trajtat e çuditshme dhe lustra e tyre e shkëlqyer janë rezultati i erërave të pareshtura që kanë fryrë për shekuj të panumërt në Antarktidë.
Me emër përpara se të zbulohej
Hamendjet për një masiv gjigant toke në jug, zënë fill shumë kohë më parë, me filozofët e lashtë grekë. Aristoteli, për shembull, hodhi hipotezën se duhej të kishte një kontinent në jug, si kundërpeshë për vendet që dihej se ekzistonin në Hemisferën Veriore. Në librin Antarctica—Great Stories From the Frozen Continent thuhet se «meqë hemisfera veriore shtrihet nën konstelacionin e Arktosit, Arushës, atëherë, arsyetoi Aristoteli (384-322 p.e.s.), toka e
panjohur në jug duhet të jetë Antarktikos—me fjalë të tjera, krejt e kundërta»—ose antipodi. Kështu Antarktida ka veçantinë që emri, në të vërtetë, i është vënë rreth 2000 vjet para se të zbulohej!Në vitin 1772, eksploruesi britanik, kapiteni Xhejms Kuk, lundroi për në jug, në kërkim të këtij kontinenti të hamendshëm jugor. Ai hyri në një botë ishujsh të pushtuar nga erërat dhe ajsbergësh viganë, ose «ishujsh akulli», siç i quajti ai. «Disa nga ata,—shkroi ai,—[kishin] një perimetër afro tre kilometra dhe lartësi 20 metra, e prapëseprapë deti përplasej me to dhe i mbulonte, kaq e madhe ishte forca dhe rëndesa e dallgëve.» I vendosur, Kuku vazhdoi për në jug, dhe më 17 janar 1773, anija e tij Resolution, bashkë me shoqëruesen e saj, Adventure, ishin mjetet e para lundruese që dihet të kenë kaluar Rrethin Polar Antarktik. Kuku lundroi pa u epur, duke çarë rrugën përmes masës së akujve notues, derisa përfundimisht mbeti i bllokuar. «Nuk mund të shihja asgjë në drejtim të jugut, përveçse akull»,—shkruante në ditarin e anijes. Kur u kthye mbrapsht, ai ishte, në fakt, vetëm 120 kilometra larg tokës së Antarktidës.
Kush ishte i pari, atëherë, që e pa Antarktidën? Vërtet, kush ishte i pari që vuri këmbën atje? Deri sot e kësaj dite, askush nuk është i sigurt. Mund të kenë qenë edhe gjuetarët e balenave ose të fokave, sepse pasi Kuku u kthye, raportet e tij për një bollëk fokash, pinguinësh dhe balenash bënë që gjuetarët të suleshin me vrap për në këtë rajon.
Gjak mbi akull
Kuku «hasi në atë që ishte ndoshta grumbullimi më i madh në botë i kafshëve të egra, dhe ishte njeriu i parë që i bëri të ditur botës ekzistencën e kësaj»,—shkroi Alan Morhed në librin e tij The Fatal Impact. «Për kafshët e Antarktidës,—thotë Morhed,—[rezultati] ishte një holokaust.» Në librin Antarctica—Great Stories From the Frozen Continent pohohet: «Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, gjuetia e fokave në hemisferën jugore i ngjante tamam etheve të arit. Kërkesat e pangopura nga Kina dhe Evropa për lëkura fokash, i boshatisën shpejt zonat [dikur] të njohura të gjuetisë së fokave, duke i lënë gjuetarët e fokave në dëshpërim për territore të reja me koloni të paprekura fokash.»
Pasi gjuetarët e fokave i kishin shfarosur thuajse krejt mjetet e tyre të jetesës, gjuetarët e balenave nisën të plaçkitnin detet. «Kurrkush s’ka për ta ditur ndonjëherë se sa balena e foka u vranë në oqeanin jugor,—shkruan Morhed.—Ishin dhjetë milionë apo pesëdhjetë milionë? Shifrat bëhen të pakuptimta; vrasjet vazhduan për shumë e shumë kohë, derisa nuk ngeli thuajse asgjë për t’u vrarë.»
Megjithatë, në ditët tona ka ligje ndërkombëtare që mbrojnë gjithë florën dhe faunën e Antarktidës. Veç kësaj, mungesa e grabitqarëve të tokës, e kombinuar me një ushqim të bollshëm detar e bëjnë gjatë verës bregdetin e Antarktidës një liman për kafshët e egra. Por Antarktida shfaq shenja të një sulmi më tinëzar, një sulm që mund të mos ndalet dot nga marrëveshje ndërkombëtare.
[Kutia në faqen 15]
ANTIPODE
Ndonëse kanë ngjashmëri, Poli i Veriut dhe Poli i Jugut janë ‘antipode’ jo vetëm në vendndodhje, por edhe në shumë aspekte të tjera. Vëreni faktet e mëposhtme:
Rajoni që rrethon Polin e Veriut është krejtësisht akuj dhe det, kurse Poli i Jugut ndodhet afër qendrës së kontinentit të pestë më të madh në botë.
Poli i Veriut rrethohet nga kontinentet e populluara të Amerikës, Azisë dhe Evropës, ndërsa Antarktida rrethohet nga një oqean i paanë, në të vërtetë, nga oqeani më i stuhishëm i planetit.
Dhjetëra mijë familje jetojnë brenda Rrethit Polar Arktik, i cili është, gjithashtu, habitati i mijëra bimëve dhe kafshëve. Por, as edhe një njeri nuk e quan Antarktidën shtëpinë e vet. Të vetmet forma jete indigjene janë algat, bakteret, myshqet, likenet, dy lloje bimësh me lule dhe pak lloje insektesh.
«Antarktida është quajtur kontinenti që regëtin,—thuhet në Encyclopædia Britannica,—për shkak të rritjes dhe tërheqjes së përvitshme të vijës bregdetare dytësore prej akulli.» Në kulmin e saj, masa e akujve notues shtrihet deri në 1600 kilometra në det të hapur. Kjo shtrirje dhe tkurrje është gjashtë herë më e madhe se ajo e masës së akujve notues të Arktikut, duke bërë kështu që Antarktida të ketë ndikim më të madh mbi motin në shkallë botërore.
[Harta në faqen 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
OQEANI ATLANTIK
OQEANI INDIAN
OQEANI PAQËSOR
Ngushtica Dreik
Ishulli Xhejms Ros
Akulnaja Larsen
GADISHULLI ANTARKTIK
Akullnaja Rone
Masivi Vinson (mali më i lartë, 4897 metra)
Akullnaja Rosi
M. Erebus (vullkan aktiv)
MALET TRANSANTARKTIKE
Poli i Jugut
Temperatura më e ulët e regjistruar në tokë ka qenë në Antarktidë —minus 89,2 gradë Celsius
0 500 milje 500 km
[Burimi]
U.S. Geological Survey
[Figura në faqet 16, 17]
Pinguinë që mblidhen mbi një ajsberg të rrallë të kaltër
[Burimi]
© 2000 Mark J. Thomas/Dembinsky Photo Assoc., Inc.
[Figura në faqen 17]
Balenë me gungë
[Figura në faqen 17]
Foka-elefant të jugut
[Figura në faqen 17]
Në Polin e Jugut
[Burimi]
Foto: Komandant John Bortniak, NOAA Corps
[Figura në faqen 17]
Akullnaja Rosi
[Burimi]
Michael Van Woert, NOAA NESDIS, ORA