Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Antarktida​—Një kontinent në hall

Antarktida​—Një kontinent në hall

Antarktida—Një kontinent në hall

SIÇ thuhet në librin Antarctica: The Last Continent, kur astronautët shohin Tokën nga hapësira, tipari më karakteristik i planetit tonë është mbulesa e akullit e Antarktidës. Ajo «rrezaton dritë si një fanar i madh i bardhë në gjithë skajin e poshtëm të botës»,​—raportonin astronautët.

Me afro 30 milionë kilometra kub akull, Antarktida është një makineri me përmasa kontinentale që prodhon akull. Bora bie mbi kontinent dhe ngjishet, duke formuar akullin. Forca e rëndesës e detyron akullin të rrëshqasë dalëngadalë drejt bregut, dhe atje ai hyn pa u ndier në det, për të formuar akullnaja masive.​—Shih kutinë në faqen 18.

Akullnaja që zvogëlohen

Megjithatë, vitet e fundit, një proces shkrirjeje i përshpejtuar e ka zvogëluar madhësinë e një sërë akullnajash, kurse disa janë zhdukur fare. Në vitin 1995, sipas një raporti, një pjesë prej 1000 kilometrash katrorë e Akullnajës Larsen, 1000 kilometra të gjatë, u shemb dhe u shpërbë në mijëra ajsbergë.

Zona që është prekur deri tani nga pakësimi i akujve është Gadishulli Antarktik. Ky gadishull në formë s-je, një vazhdim i vargmalit të Andeve të Amerikës së Jugut, ka përjetuar 50 vjetët e fundit një ngritje të temperaturës prej 2,5 gradë Celsius. Për pasojë, tani mund të lundrohet rreth e përqark Ishullit Xhejms Ros, dikur të rrethuar nga akujt. Pakësimi i akujve ka sjellë edhe një shtim të dukshëm të bimësisë.

Duke qenë se shkrirje të konsiderueshme kanë ndodhur vetëm në rajonin e Gadishullit Antarktik, disa shkencëtarë nuk janë të bindur se kjo gjë është tregues i një ngrohjeje globale. Mirëpo, sipas një studimi norvegjez, edhe akujt e Arktikut po tërhiqen. (Meqë Poli i Veriut nuk ndodhet mbi një masë toke, pjesa dërrmuese e akujve të Arktikut është ujë deti i ngrirë.) Gjithë këto ndryshime, sipas studimit, janë në përputhje me atë model që ishte parashikuar se do të shoqëronte ngrohjen globale.

Por nuk është që Antarktida thjesht reagon ndaj ndryshimeve të temperaturës. Kontinenti është përshkruar si «instrumenti jetësor që drejton një pjesë të madhe të klimës globale». Po të jetë kështu, në rast se kontinenti vazhdon të përjetojë ndryshime, mund të preken modelet meteorologjike të së ardhmes.

Ndërkohë, mbi Antarktidë, në shtresën e ozonit të atmosferës është formuar një vrimë sa dyfishi i madhësisë së Evropës. Ozoni, një formë e oksigjenit, e mbron tokën nga rrezatimi i dëmshëm ultraviolet, i cili dëmton sytë dhe shkakton kancere të lëkurës. Për shkak të shtimit të rrezatimit, në Antarktidë studiuesit duhet të mbrojnë lëkurën nga dielli dhe të vënë syze mbrojtëse ose syze dielli me një shtresë speciale pasqyruese, për të mbrojtur sytë. Vetëm koha do ta tregojë se deri në ç’masë janë prekur kafshët e egra të Antarktidës që jetojnë atje në stinë të caktuara.

Kontinent delikat: shkelni me kujdes

Nëntitulli i mësipërm mund të jetë një mirëseardhje e përshtatshme për vizitorët e Antarktidës. Përse? Për disa arsye, sipas Australian Antarctic Division. Së pari, sepse falë lidhjeve bazë ekologjike të Antarktidës, ambienti është tejet i ndjeshëm ndaj çrregullimeve. Së dyti, bimët rriten kaq ngadalë, saqë një gjurmë këmbe mbi një shtrat myshku mund të jetë ende e dukshme edhe dhjetë vjet më pas. Bimët e dëmtuara ose të dobësuara mbeten në mëshirën e erërave të forta të Antarktidës, të cilat mund të shkatërrojnë bashkësi të tëra bimësh. Së treti, i ftohti ekstrem nënkupton se mund të duhen dekada të tëra që mbeturinat ose jashtëqitjet të dekompozohen. Së katërti, njerëzit mund të sjellin pa dashje forma jete mikroskopike, që janë të huaja për këtë kontinent të izoluar, e për rrjedhojë të brishtë. Së fundi, vendet që priren të frekuentojnë turistët dhe shkencëtarët, janë pjesët periferike të brigjeve​—zonat që janë, gjithashtu, më të favorshmet për kafshët e egra dhe bimësinë. Duke qenë se këto zona përbëjnë vetëm rreth 2 për qind të kontinentit, kuptohet kollaj përse Antarktida mund të bëhet në pak kohë e mbipopulluar. Kjo ngre pyetjen: kush e mbikëqyr këtë kontinent të madh?

Kush sundon në Antarktidë?

Edhe pse shtatë vende pretendojnë që kanë në zotërim pjesë të Antarktidës, kontinenti si një i tërë ka veçorinë unike që s’ka as sundues, as nënshtetas. «Antarktida është kontinenti i vetëm në tokë që qeveriset krejtësisht me anë të një marrëveshjeje ndërkombëtare»,​—raporton Australian Antarctic Division.

Marrëveshja, e quajtur Traktati Antarktik, u nënshkrua nga 12 qeveri dhe hyri në fuqi më 23 qershor 1961. Që nga ajo kohë, numri i vendeve pjesëmarrëse është rritur në më shumë se 40. Pikësynimi i traktatit është «të garantojë, në interes të të gjithë njerëzimit, se Antarktida do të vazhdojë të përdoret përgjithmonë vetëm për qëllime paqësore dhe nuk do të bëhet skenë ose objekt i mosmarrëveshjeve ndërkombëtare».

Në janar 1998, hyri në fuqi Protokolli i Mbrojtjes së Mjedisit për Traktatin Antarktik. Ky protokoll ndalon çdo gërmim dhe shfrytëzim mineral në Antarktidë për një minimum prej 50 vjetësh. Ai, gjithashtu, e përcakton kontinentin dhe ekosistemet detare të varura prej tij si një «rezervat natyror të përkushtuar ndaj paqes dhe shkencës». Aktivitetet ushtarake, vënia në provë e armëve dhe hedhja e mbetjeve bërthamore janë të ndaluara. Madje edhe qentë e slitave janë të ndaluar.

Traktati Antarktik është përshëndetur si «një shembull i pashoq i bashkëpunimit ndërkombëtar». Megjithatë, ka ende mjaft probleme që duhen zgjidhur, duke përfshirë çështjen e qeverisjes. Kush, për shembull, do të kujdeset për zbatimin e traktatit, dhe si? Gjithashtu, si do ta trajtojnë vendet anëtare rritjen e shpejtë të turizmit​—një kërcënim i mundshëm për ekologjinë e brishtë të Antarktidës? Vitet e fundit, më shumë se 7000 turistë të ardhur me anije e kanë vizituar Antarktidën çdo vit, dhe pritet që në pak kohë kjo shifër të dyfishohet.

Në të ardhmen mund të lindin sfida të tjera. Për shembull, po sikur shkencëtarët të zbulojnë rezerva minerale me vlerë ose rezerva nafte? A do ta parandalojë traktati shfrytëzimin tregtar dhe ndotjen që vjen shpesh si pasojë? Traktatet mund të ndryshohen dhe Traktati Antarktik s’bën përjashtim. Në fakt, Neni 12 siguron që traktati të «modifikohet ose të rregullohet në çdo kohë me anë të marrëveshjes unanime të Palëve Kontraktuese».

Sigurisht, asnjë traktat nuk është në gjendje ta mbrojë Antarktidën nga ndotësit që lëshon bota moderne e industrializuar. Sa keq sikur «fanari i bardhë» i bukur në skajin e poshtëm të globit të ndotej nga efektet e shumanshme të lakmisë dhe të paditurisë së njeriut! Të cenosh Antarktidën do të thotë të dëmtosh njerëzimin. Nëse Antarktida na jep ndonjë mësim, ai është që e tërë toka​—ashtu si trupi njerëzor​—është një sistem i ndërlidhur, i bashkërenduar në mënyrë të përsosur nga Krijuesi si për të mbështetur jetën, edhe për të na dhënë kënaqësi.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

ÇFARË ËSHTË NJË AKULLNAJË?

Në brendësi të Antarktidës, në lartësi, përrenj akulli të formuar nga bora që ka rënë çajnë rrugën, duke zbritur drejt bregut. Disa prej tyre rrjedhin me shpejtësi një kilometër në vit, siç tregojnë pamjet e kohëve të fundit të radarëve satelitorë. Shumë nga këta përrenj akulli bashkohen si degët e një lumi, duke formuar lumenj të mëdhenj akulli. Kur arrijnë në det, këta lumenj të ngrirë rrinë pezull në ujë, duke formuar akullnaja, më e madhja e të cilave është Akullnaja Rosi (e treguar këtu). E ushqyer nga të paktën shtatë përrenj akulli, ajo ka madhësinë e Francës dhe vende-vende është e trashë deri në një kilometër.*

Në rrethana normale, akullnajat nuk tërhiqen mbrapsht. Dora-dorës që përrenjtë e akullit sjellin më shumë akull, skaji i përparmë i akullnajës shtyhet më tej në det, ashtu si pasta e dhëmbëve që nxirret nga një tubet. Atje me kalimin e kohës këputen blloqe vigane (një proces që quhet shkëputje), dhe këto blloqe bëhen ajsbergë. Siç thuhet në The World Book Encyclopedia, disa ajsbergë janë «13 000 kilometra katrorë të mëdhenj». Gjithsesi, vitet e fundit shkëputja e blloqeve të akullit është përshpejtuar dhe akullnajat janë tërhequr, madje disa janë zhdukur fare. Megjithatë, kjo gjë nuk i ngre nivelet e deteve. Pse jo? Sepse tashmë akullnajat po pluskojnë, duke zhvendosur po aq ujë sa pesha e tyre. Por nëse akulli në kontinentin e Antarktidës do të shkrinte, do të ishte si të zbrazje në det një rezervuar me 30 milionë kilometra kub ujë! Nivelet e deteve do të ngriheshin rreth 65 metra!

[Shënimi]

Akullnajat nuk duhen ngatërruar me akujt notues. Akujt notues zënë fill si shtresa akulli që formohen në det gjatë dimrit, kur sipërfaqja e ujit ngrin. Këto shtresa më pas bashkohen, duke formuar akujt notues. Gjatë verës ndodh e kundërta. Ajsbergët nuk formohen nga akujt notues, por, përkundrazi, nga akullnajat.

[Figura]

Blloqe masive akulli shkëputen nga Akullnaja Rosi. Akullnaja këtu ngrihet rreth 65 metra mbi nivelin e detit

[Burimi]

Tui De Roy

[Figura në faqen 20]

Fokë e vogël e Uedellit

[Burimi]

Foto: Komandant John Bortniak, NOAA Corps