Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Bukuri shkatërrimtare

Zymbyli i ujit është një bimë ujore që nxjerr një lule të bukur ngjyrë vjollcë. Pasi u çua disa dekada më parë në liqenin Viktoria të Afrikës, zymbyli është shtuar kaq shpejt, sa tani mbulon 2000 kilometra katrorë të sipërfaqes së liqenit, duke rrënuar industrinë jetësore të peshkimit, e cila ushqen miliona njerëz në vendet rreth e rrotull, pra në Kenia, Tanzani dhe Ugandë. Ai ka shkaktuar probleme serioze për ujërat e Ugandës dhe për impiantet hidroelektrike, duke bllokuar tubacionet që furnizojnë me ujë. Gjithashtu, siguron një mjedis ideal për mushkonjat, kërminjtë dhe gjarpërinjtë, duke sjellë për pasojë një shtim të kafshimeve nga gjarpërinjtë dhe të rasteve të malaries e të skistosomiazës (bilharzias). Edhe pse është futur një lloj insekti që ushqehet vetëm me zymbylë, deri tani ai nuk ka mundur të përballojë shtimin shpërthyes të bimës. Komunitetet që merren me peshkim i janë kthyer shkuljes së bimës me dorë, duke mbledhur mijëra tonë. Por kjo ka dalë se është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Banka Botërore është përfshirë në një projekt shumë milionë dollarësh për të pastruar liqenin.

Fosili me pupla​—një rreng

National Geographic u raportua se një fosil i gjetur në provincën Liaonin të Kinës ishte «vërtet një hallkë që mungonte në zinxhirin e ndërlikuar që lidh dinosaurët me shpendët». Fosili, i quajtur Archaeoraptor liaoningensis, u tha se kishte bishtin e një dinosauri dhe kraharorin e supet e një shpendi. Por tani, siç raportohet në Science News, shkencëtarët po binden se «janë mashtruar nga një falsifikim i fosilit». Paleontologët që analizuan fosilin, nisën të dyshonin pasi vërejtën se eshtrat që lidhnin bishtin me trupin mungonin dhe se pllaka shkëmbore tregonte shenja përpunimi. Në artikull thuhet se Filip Kuri, nga Muzeu Mbretëror Tirel i Paleontologjisë në Drumheller, Alberta, Kanada, dyshon se dikush «u përpoq t’i ngrinte vlerën Archaeoraptor-it duke ngjitur një pjesë të bishtit të dinosaurit me fosilin e një shpendi».

Banditë të nënujshëm

Ngjan si një film uestern: dyluftuesit rrinë përballë njëri-tjetrit, me armët e mbushura dhe me çarkun të ngrehur. Pasi dyluftuesi i parë ka shtënë dhe është tërhequr, tjetri merr shenjë dhe qëllon. Por kur karkalecat e detit me pistoletë luftojnë, askush nuk plagoset, pasi ata mbajnë gjithnjë një distancë të sigurt nga njëri-tjetri. Megjithatë, siç raportohet në revistën informative Der Spiegel, currilat e ujit që nxjerrin nga pjesa e fundit e krahut të djathtë nuk janë gjithmonë të padëmshme. Pistoleta e ujit përdoret edhe për të paralizuar dhe për të vrarë pre të tilla, si: krimba, gaforre dhe peshq të vegjël. Currili i ujit, i krijuar duke mbyllur befas e me forcë të madhe pjesën e fundit të krahut, është, madje, aq i fortë sa të thyejë faqen prej xhami të një akuariumi. Sikur karkaleci me pistoletë të humbasë armën e tij, atëherë ky «bandit» i vogël bëhet mëngjarash, duke e shndërruar pjesën e fundit të krahut të majtë në një pistoletë të re, ndërkohë që krahu i djathtë, me të cilin qëllonte më parë, rritet e formon një pjesë fundore të re normale.

Një Budë i gjallë në fron

«Autoritetet kineze kanë drejtuar kurorëzimin e një djali 2-vjeçar si një ‘Budë të gjallë’ të rëndësishëm në fenë e Tibetit»,​—thuhet në The New York Times. Djali, Soinam Punkog, u zgjodh midis 670 djemve për të shërbyer si Reting Lama i shtatë. Thuhet se murgjit që zgjodhën lamën kanë përdorur për këtë gjë fallin. «Por nuk dihet nëse shumica e njerëzve dhe e murgjve të Tibetit do ta pranojnë autenticitetin e djalit»,​—thuhet në gazetë. Përse? Sepse më parë Dalai Lama, udhëheqësi më i lartë fetar i Tibetit, shpalli zgjedhjen që kishte bërë vetë për Reting Lamën. Në të kaluarën, Reting Lamat shërbenin si regjentë kur mungonin Dalai Lamat.

Idhuj ndotës

Zhytja e idhujve në ujërat më të afërt pas një feste rituale është një praktikë e zakonshme mes hinduistëve. Kur idhujt lyheshin me ngjyra të bëra nga lulet ose me bojëra bimore, kjo s’përbënte një problem ambiental. Mirëpo, kur prodhuesit u kthyen nga bojërat e bëra me metale të rënda dhe me substanca kancerogjene, në disa zona të Indisë pati ndotje të rëndë të ujit, pasi nëpër përrenj dhe liqene ishin hedhur mijëra idhuj. Me qëllim që të kufizonin ndotjen e ujit, banorët në një qytet mblodhën qindra idhuj dhe i çuan në një ngastër të madhe toke, ku i bënë copë-copë. Në revistën Down to Earth sugjerohet që kjo të bëhet në mbarë Indinë dhe që bërësit e idhujve t’i rikthehen përdorimit të bojërave tradicionale, në vend të atyre sintetike. «Përndryshe,​—thuhet në revistë,​—lumenjtë që adhurojnë hinduistët mund të helmohen nga idhujt që ata adhurojnë.»

Anketë botërore me të rinjtë

Siç raportohet në The Globe and Mail, një anketë me 4300 të rinj të moshave nga 12 deri në 24 vjeç zbulon se të rinjtë e sotëm i çmojnë vlerat tradicionale të tilla, si: besueshmëria, mirësjellja dhe puna e palodhur. Sipas grupit të sondazhit Angus Reid, që anketoi të rinj nga 11 vende të ndryshme, 95 për qind thanë se cilësia më e rëndësishme është ‘të mbash fjalën’. «Të tregosh mirësjellje ndaj të tjerëve» u identifikua nga 92 për qind si cilësia tjetër më me rëndësi dhe «të punosh pa u lodhur» u vlerësua shumë nga 83 për qind e të anketuarve. Ndonëse «afro tetë në 10 veta e konsideronin diçka të rëndësishme të kesh një partner për gjithë jetën», vetëm 56 për qind e konsideronin diçka me rëndësi të martohesh. Çuditërisht, vetëm 31 për qind mendonin se «të jesh vërtet i pasur» është një gjë e rëndësishme. Zbulimet treguan, gjithashtu, se vetëm 45 për qind «ndihen optimistë për shekullin e 21-të».

Fakte rreth Internetit

Rrjeti Ndërkombëtar (Interneti) është një rrjet kompjuterik gjigant që lidh miliona kompjutera anembanë botës. Për të zbuluar se sa i përhapur është ai, Inktomi, një kompani programesh të Internetit, harxhoi katër muaj për të shqyrtuar dhe për të hedhur në katalog Internetin. Çfarë zbuloi? Numri i faqeve të veçanta arrinte në më shumë se një miliard. Anglishtja ishte gjuha që ndeshej më dendur në Internet. Është përdorur në më shumë se 86 për qind të rasteve. Frëngjishtja shfaqet në paksa më shumë se 2 për qind të të gjitha dokumenteve të Internetit dhe holandishtja në rreth 0,5 për qind.

Ilaçe helmuese?

Instituti i Mjekësisë raporton se në Amerikë gabimet mjekësore vrasin çdo vit nga 44 000 deri në 98 000 pacientë të shtruar në spital. Ky problem thuhet se është pasojë e të metave në mënyrën se si funksionojnë spitalet, klinikat dhe farmacitë. Për shembull, farmacistët që japin ilaçe sipas recetave, shpesh kanë vështirësi nga shkrimi i palexueshëm i mjekëve. A ka dhënë mjeku dhjetë miligramë apo dhjetë mikrogramë? Problemin e ndërlikojnë ilaçet e shumta me emra që tingëllojnë gati-gati njëlloj, të cilat mund t’i ngatërrojnë mjekët, infermieret, farmacistët e, po ashtu, edhe pacientët. Instituti i Mjekësisë ka urdhëruar që brenda pesë vjetëve të ketë një pakësim prej 50 për qind të gabimeve mjekësore.

Interneti dhe të moshuarit

Posta elektronike po del se është një lehtësi për të moshuarit që jetojnë në institucione. «Specialistët thonë se banorëve të azileve, madje edhe atyre që janë të dobët fizikisht, u hyjnë menjëherë në qejf kompjuterat dhe mund ta rigjallërojnë jetën e tyre nëpërmjet postës elektronike ose Internetit,​—thuhet në The New York Times.​—Ata që bëhen të aftë në përdorimin e teknologjisë fitojnë një siguri që shtrihet edhe në aspekte të tjera të jetës, dhe shumë prej tyre ndihen krenarë kur ndihmojnë edhe të tjerët që banojnë aty për të mësuar.» Posta elektronike jo vetëm që i vë në kontakt të moshuarit me pjesëtarë të familjes që janë larg, me sigurues të kujdesit shëndetësor dhe me miq të vjetër, por edhe i ndihmon shumë që të mposhtin ndjenjën se janë të pafuqishëm, mërzinë dhe vetminë, të cilat prekin ata që janë të kufizuar nëpër azile dhe në karrige me rrota, si pasojë e sëmundjes dhe e moshës së shtyrë. Morali ngrihet e, po ashtu, depresioni ulet. Disa të moshuar, madje, marrin pjesë në programet e arsimimit në Internet, që u japin mundësi t’ua kalojnë njohurinë dhe mençurinë që kanë grumbulluar brezave të ardhshëm. Megjithatë, duhen bërë disa ndryshime. Këto përfshijnë tastiera që të jenë më të lehta për t’u përdorur dhe një mënyrë të volitshme për të zmadhuar madhësinë e shkronjave.

Mungesa ushqimi të shkaktuara nga njeriu

«Katastrofat e shkaktuara nga njeriu të tilla, si konfliktet civile dhe krizat ekonomike ndikojnë më shumë në mungesat e ushqimit, se ç’ndikojnë krizat natyrore»,​—raporton Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Dr. Hartvik de Han, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FAO-s, tha: «Në vitin 1984, katastrofat e shkaktuara nga njeriu kontribuan vetëm në 10 për qind të krizave totale. Tani kjo shifër është më shumë se 50 për qind.» Është llogaritur se 52 milionë njerëz nga 35 vende përballen me mungesa ushqimi. Raporti shton: «Që nga viti 1984, kur një thatësirë goditi Afrikën sub-sahariane, ky është numri më i madh i njerëzve që ndeshen me mungesa të rënda ushqimi.»