Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’ia dal mbanë në një vend të huaj?

Si mund t’ia dal mbanë në një vend të huaj?

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund t’ia dal mbanë në një vend të huaj?

«Kur mbërrita në aeroport, gjithçka që doja ishte të shkoja në shtëpi. . . . Më kishte ikur gjithë etja për aventura dhe gjithë qejfi për të zbuluar gjëra të reja. Me një fjalë, isha e përmalluar për shtëpinë si kurrë më parë.»​—Uta.

ËSHTË një ndjenjë e frikshme të jesh krejt i vetëm në një vend të huaj. Por siç tregohej në një artikull të mëparshëm të kësaj serie, shumë të rinj po zgjedhin të jetojnë njëfarë kohe jashtë shtetit. Disa shkojnë për t’u arsimuar ose për të marrë ndonjë stërvitje të veçantë. Disa duan të mësojnë një gjuhë. Disa thjesht duan të fitojnë para. Por, disa të tjerë janë transferuar për të shërbyer në vende të huaja, ku ka nevojë për predikues të Mbretërisë.

Me mendimin që po qëndron jashtë shtetit për arsye të mençura​—arsye që marrin parasysh nevojat dhe synimet e tua frymore *​—çfarë mund të bësh për t’u siguruar se do t’ia dalësh mbanë atje?

Ji i vendosur të përshtatesh

Në radhë të parë, duhet të jesh i gatshëm të përshtatesh. Kjo s’do të thotë të braktisësh parimet e krishtere ose vazhdën frymore. Por mund të nënkuptojë të fillosh të pëlqesh ushqime të reja, të mësosh disa rregulla të reja të etiketës ose të provosh mënyra të reja për t’i bërë gjërat. Këto shprehi të reja mund të jenë shumë të ndryshme nga mënyra se si i bëje gjërat në vendin tënd. Por në këtë rast mund të zbatohet fare mirë urdhri i Jezuit për të ‘mos gjykuar më’. (Mateu 7:1) Vërtet, asnjë racë a kulturë nuk ka të drejtën të deklarojë se qëndron më lart se të tjerat. (Veprat 17:26) Ashtu si më të moshuarit duhet të shmangin krahasimet kritikuese mes rinisë së djeshme dhe asaj të sotme, edhe të rinjtë që jetojnë jashtë shtetit duhet të shmangin krahasimet kritikuese mes një vendi të huaj dhe vendit të tyre. (Predikuesi 7:10) Përqendrohu te gjërat pozitive që ofrojnë ky vend dhe kjo kulturë e re. Gjithashtu, sa më shpejt ta mësosh gjuhën e këtij vendi, aq më shpejt do fillosh të ndihesh si në shtëpi.

Apostulli Pavël ia doli mbanë t’u përshtatej kulturave të ndryshme në veprën e tij si misionar, sepse ishte i gatshëm të bëhej «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Korintasve 9:22) Një qëndrim i ngjashëm mund të të ndihmojë të përshtatesh. Adriana është një au pair që jeton në Gjermani, ku bën punët e shtëpisë për një familje në këmbim të ushqimit dhe banesës. Ajo shpjegon: «Duhet të jem shumë elastike, pasi nuk mund të pres që të tjerët të më përshtaten mua.»

‘Jam i përmalluar!’

Gjatë javëve të para nuk është e pazakontë të ndihesh i trishtuar dhe i përmalluar për shtëpinë. Bibla tregon se Jakobi kishte ‘një dëshirë të madhe të kthehej përsëri në shtëpinë e atit të tij’, edhe pse kishte jetuar në vend të huaj për më shumë se 20 vjet! (Zanafilla 31:30) Ndaj mos u befaso nëse disa herë ka momente kur shpërthen në lot. Patjetër, nëse jeton pareshtur me ato që ke lënë pas, vetëm sa do t’i shtosh ndjenjat e trishtimit. (Numrat 11:4, 5) Mënyra më e mirë për të mposhtur melankolinë është të punosh për t’u mësuar me rutinën dhe mjedisin e ri. Ndonëse është një gjë e mirë të mbash lidhje me familjen nëpërmjet letrave ose telefonatave, telefonatat e tepërta mund të të pengojnë të përshtatesh me shtëpinë e re.

Shumë të rinj të krishterë zbulojnë se rikthimi në vazhdën frymore është ilaçi më i mirë për vetminë. (Filipianëve 3:16) Amber kujton javët e para jashtë shtetit: «E kisha të vështirë mbrëmjeve, kur s’kishte asgjë për të bërë, kështu që përpiqesha të studioja diçka më tepër ose të lexoja ndonjë libër.» Rakela, një vajzë e re nga Britania, e cila jeton si au pair në Gjermani, flet nga përvoja personale kur këshillon: «Përfshihuni pa vonesë në kongregacion. Filloni të merrni pjesë në mbledhje menjëherë.» Fillimisht mund të të duhet ndonjë ndihmë për të shkuar në mbledhje. Por brenda kongregacionit të krishterë mund të gjesh shoqëri të shëndetshme që mund të jenë si ‘vëllezër, motra dhe nëna’.​—Marku 10:29, 30.

Pjesëmarrja në veprën e krishterë të ungjillëzimit është, gjithashtu, pjesë e rëndësishme e një rutine të mirë frymore. Predikimi jo vetëm do të të sjellë dobi nga ana frymore, por edhe do të të ndihmojë të përshtatesh me kulturën dhe gjuhën e re.

Së fundi, vazhdo të lutesh dhe të studiosh personalisht në mënyrë të rregullt. Ato janë jetësore për të mbetur i shëndetshëm frymësisht. (Romakëve 12:12; 1 Timoteut 4:15) Për këtë arsye, Adriana, e përmendur më parë, u sigurua që të merrte me vete literaturë biblike në gjuhën amëtare.

Jeta me familjen mikpritëse

Disa të rinj të krishterë e kanë rregulluar të jetojnë me familje besimtare ndërkohë që janë jashtë shtetit. Edhe pse nuk mund të pritet që familja mikpritëse të marrë përsipër punën e prindërve, ata mund të jenë shoqëri e mirë dhe një burim inkurajimi frymor.​—Fjalët e urta 27:17.

Megjithatë, komunikimi i hapur me familjen ku rri është thelbësor për të mbajtur marrëdhënien e mirë. (Fjalët e urta 15:22; 20:5; 25:11) Amber vëren: «Duhet të keni një ide të përgjithshme të asaj që ju duhet të bëni. Duhet të dini se çfarë presin të zotët e shtëpisë. Dhe ata duhet të jenë në dijeni se çfarë prisni ju.» Zbulo cilat janë rregullat e familjes dhe deri në çfarë mase pritet që të marrësh pjesë në punët e shtëpisë. Këto çështje duhen diskutuar me hollësi.

Situata jote mund të jetë veçanërisht sprovuese nëse, për shembull, punon në një familje që nuk ka besimin tënd. Meqë familja mund të mos e kuptojë qëndrimin tënd rreth parimeve biblike, mund të gjendesh në situata kompromentuese. (Fjalët e urta 13:20) Kërkesat për të kryer disa detyra shtëpiake mund të bien ndesh me detyrimet frymore, si pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere. Kështu, nëse rrethana të pashmangshme të detyrojnë të qëndrosh te një familje që nuk ka besimin tënd, atëherë duhen marrë një sërë masash paraprake.

Rakela këshillon: «Sigurohu që ta dinë se je i krishterë. Më e mira është t’ua thuash haptas që në fillim.» Shpjegimi i normave të tua fetare e morale mund të shërbejë si mbrojtje. Gjithashtu, duhet t’ia bësh të qartë punëdhënësit se sa të rëndësishme janë për ty mbledhjet e krishtere dhe predikimi. Së fundi, është e mençur të sigurohesh që çështje të tilla të rëndësishme, si: orari i punës, ditët e pushimit dhe pagesa të jenë hedhur me shkrim para se të fillosh. Kjo gjë mund të mënjanojë zhgënjimet më vonë.

Zgjidhja e problemeve

Me gjithë përpjekjet e tua më të mira, mund të lindin prapëseprapë telashe. Po sikur, për shembull, familja ku rri të të kërkojë që të largohesh nga shtëpia e tyre? Kjo mund të jetë diçka mjaft shkretuese. Nëse ndodh ndonjë lloj keqkuptimi, mund të përpiqesh t’i sqarosh gjërat me të zotët e shtëpisë në një mënyrë të qetë e të arsyeshme. (Fjalët e urta 15:1) Ji i gatshëm të pranosh ndonjë gabim që mund të kesh bërë. Ndoshta ata do të ndryshojnë mendje. Nëse jo, duhet të gjesh vendbanim tjetër.

Disa probleme të tjera mund të kërkojnë që t’i drejtohesh për ndihmë ndokujt. Ka të ngjarë, për shembull, të gjendesh në hall nga ana financiare ose të sëmuresh. Nga frika se prindërit mund të vijnë për të të marrë me vete në shtëpi, ndoshta ngurron t’u tregosh çfarë po ndodh. Veç kësaj, ata janë me kilometra larg dhe mund të mos dinë se si të veprojnë në një situatë të tillë në vend të huaj. Por pleqtë e kongregacionit lokal mund të kenë përvojë në trajtimin e problemeve të tilla dhe mund të jenë në gjendje të të ofrojnë disa këshilla praktike. Ata mund të jenë në gjendje edhe të të ndihmojnë të përcaktosh nëse kjo është një çështje për të cilën duhen vënë në dijeni prindërit.

Kthimi në shtëpi

Pavarësisht nga vështirësitë dhe sfidat, të kalosh njëfarë kohe jashtë vendit mund të jetë një përvojë shpërblyese, veçanërisht nëse shkon atje për arsye frymore. Sigurisht, mund të vijë koha kur do të të duhet të kthehesh në shtëpi. Andrèasi thotë: «Me kaq shumë kujtime të këndshme​—të këqijat harrohen shpejt​—e kisha mjaft të vështirë të largohesha.» Gjithsesi, mos prit që miqtë ose familja në vendin tënd të ndryshojnë befas mënyrën se si i bëjnë gjërat, tani që je kthyer ti dhe ke mësuar jashtë vendit qëndrime të reja. Veç kësaj, mos i acaro duke u kujtuar vazhdimisht se si bëhen gjërat diku gjetkë. Natyrisht, do të doje t’ia tregoje gjithkujt përvojën tënde, por mos u mërzit nëse jo çdokush merr pjesë në ngazëllimin tënd.

Është e qartë se vendimi për të jetuar njëfarë kohe në një vend të huaj, është diçka që duhet marrë seriozisht. Nëse, pasi e diskuton çështjen me prindërit, vendos që ka arsye të vlefshme për t’u transferuar, ji i përgatitur t’u bësh ballë sfidave që do të ndeshësh. Si me çdo vendim të madh në jetë, është e mençur që së pari të llogaritësh koston.​—Luka 14:28-30.

[Shënimi]

^ par. 5 Shiko artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të jetoj jashtë shtetit?», në numrin e korrikut 2000.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Këshilla për siguri

● Mbaji pasaportën, paratë dhe biletën vajtje-ardhje në një vend të sigurt.

● Bëj fotokopje të pasaportës, të lejes për të hyrë dhe/ose të vizës, të biletës vajtje-ardhje dhe të dokumenteve të tjera të rëndësishme. Mbaje një komplet të këtyre kopjeve me vete, ndërsa një dërgojua prindërve ose miqve në vendin tënd.

● Mbaj gjithmonë me vete numrat e telefonit të prindërve ose të miqve në vendin tënd dhe atë të familjes ku rri.

● Mbaj një sjellje të dëlirë me personat e seksit të kundërt, qofshin ata në familjen ku rri, në shkollë, në punë ose në vende të tjera.

● Mëso të paktën disa fjalë dhe shprehje bazë në gjuhën e vendit ku do të shkosh.

● Bëj një kontroll mjekësor para se të nisesh. Sigurohu që ke sasi të mjaftueshme ilaçesh për ndonjë mjekim që të nevojitet.

[Figura në faqen 26]

Nëse ndodhin keqkuptime me të zotët e shtëpisë, diskutoji gjërat me qetësi