Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëfshi një fluturim të sigurt!

Bëfshi një fluturim të sigurt!

Bëfshi një fluturim të sigurt!

«Evakuimet e aeroplanëve të pasagjerëve ndodhin rreth një herë në javë»,​—thuhet në një artikull në USA Today. Ndonëse shumica e këtyre janë incidente të vogla ose alarme të rreme, evakuimi mund të jetë shumë më i lehtë nëse ndiqni sugjerimet e mëposhtme:

VISHUNI SI DUHET. Vishni rroba që janë të rehatshme dhe që ju japin mundësi të lëvizni lirshëm. Rrobat duhet të mbulojnë sa më shumë pjesë të lëkurës që të jetë e mundur. Janë të këshillueshme pantallonat e gjera dhe bluzat me mëngë të gjata. Vishni rroba prej materialesh natyrore të tilla, si: pambuk, lesh, xhins dhe lëkurë. Materialet sintetike të tilla, si: mëndafshi artificial, poliestra dhe najloni (veçanërisht getat), mund të shkrijnë nga nxehtësia, duke shkaktuar ndoshta djegie të rënda në trup dhe në këmbë.

PËRGATITUNI MENDËRISHT. Mendoni se çfarë do të bëni në rast urgjence. Pasi të uleni, vëreni se ku ndodhen daljet më të afërta të urgjencës, si përpara rreshtit tuaj, ashtu edhe pas tij. Dëgjoni udhëzimet e sigurisë të paraqitura nga stjuardesa para nisjes. Rishikoni kartelën e sigurisë, që jep hollësi rreth procedurave të evakuimit të avionit.

MOS JINI NË PANIK. Në rast urgjence, rrini të qetë dhe ndiqni udhëzimet e anëtarëve të ekuipazhit. Nëse është e nevojshme të evakuohet avioni, drejtohuni për në daljen më të afërt të urgjencës, pa marrë me vete plaçkat.

DILNI NGA AVIONI ME KUJDES. Në fillim kërceni më këmbë mbi rrëshqitësen, në vend që të uleni në të për të rrëshqitur. Lidhini duart kryq mbi kraharor. Mbajini këmbët të bashkuara dhe hiqni këpucët që kanë taka me majë. Pasi të jeni në tokë, largohuni nga avioni dhe hapni sytë për të vërejtur mjetet e urgjencës.

A mund të sjellë ndonjë ndryshim zbatimi i këtyre udhëzimeve? Po! «Jo të gjitha aksidentet ajrore janë vdekjeprurëse»,​—thuhet në buletinin Intercom të Administratës Federale të Aviacionit. Në të shtohet: «Afërsisht 50 për qind e të gjitha vdekjeve nga aksidentet me avionë pasagjerësh ndodhin në aksidente nga të cilat mund të mbijetosh.»