Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Idealet e Lojërave Olimpike në krizë

Idealet e Lojërave Olimpike në krizë

Idealet e Lojërave Olimpike në krizë

KUR propozoi që të rigjallëroheshin Lojërat Olimpike, baroni Pjer dë Kubertan parashtroi disa ideale fisnike. Në të vërtetë, kredoja e Lojërave Olimpike të kohëve moderne, e cila i atribuohet Kubertanit, thotë: «Gjëja më e rëndësishme në Lojërat Olimpike nuk është të fitosh, por të marrësh pjesë . . . Gjëja më thelbësore nuk është të kesh mposhtur të tjerët, por të kesh luftuar mirë.»

Kubertani besonte se përfshirja në një konkurrim të shëndetshëm mund të ndërtonte një karakter të virtytshëm, mund të ushqente gjykimin e shëndoshë dhe mund të nxiste sjelljen e ndershme. Madje, ai foli për një ‘fe të sportit’. Ai mendonte se Lojërat Olimpike mund t’i mësonin njerëzit që të jetonin në paqe.

Por në kohën kur Kubertani vdiq, në vitin 1937, çdo shpresë në këtë drejtim ishte venitur. Lojërat ishin ndërprerë njëherë për shkak të një lufte botërore dhe po krijoheshin tensione që i paraprinin një konflikti tjetër të madh. Sot, idealet e Lojërave Olimpike janë në një krizë edhe më të thellë. Përse është kështu?

Lojërat Olimpike dhe droga

Për mjaft dekada, sportistët kanë përdorur droga që rritin efektshmërinë, për të pasur epërsi në konkurrim, dhe Lojërat Olimpike nuk i kanë shpëtuar kësaj të keqeje. Vërtet, tani, 25 vjet pas futjes së analizave në dukje rigoroze për drogë, përdorimi i substancave të ndaluara mes sportistëve të Lojërave Olimpike vazhdon të jetë një problem.

Disa sportistë përdorin steroide, për të pasur epërsi. Të tjerë përdorin stimulantë. Hormonet e rritjes janë mjaft të përhapura mes vrapuesve të distancave të shkurtra dhe sportistëve të tjerë që vënë në punë forcën, sepse i ndihmojnë ta marrin veten shpejt nga seancat intensive të stërvitjes dhe shtojnë forcën e muskujve. Ndërkaq, një version i eritropojetinit i modifikuar me anë të inxhinierisë gjenetike është droga e preferuar mes shumë vrapuesve të distancave të gjata, notarëve dhe skiatorëve të vendeve të hapura, pasi duke stimuluar prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut ajo rrit rezistencën.

Me të drejtë, dr. Robert Voi, ish-drejtues për analizat e drogës në Komitetin Olimpik të SHBA-së, i quan sportistët «një laborator që ecën». Ai shton: «Lojërat Olimpike janë bërë një fushë eksperimentimi për shkencëtarët, kimistët dhe mjekët pa parime etike.» Ç’të themi për analizat për drogë? Dr. Donald Katlin, drejtor i një laboratori të analizave për drogë në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Sportisti i rafinuar që do të marrë drogë përdor substanca që s’i diktojmë dot.»

Ryshfete dhe korrupsion

Duke qenë se vetëm një grusht qytetesh mund ta përballojnë financiarisht pjesëmarrjen në tenderin për zgjedhjen e vendit mikpritës të Lojërave Olimpike, disa s’lënë gur pa luajtur që ky aktivitet të zhvillohet në vendin e tyre. Afro dy vjet më parë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) e pa veten të zhytur në skandal. Pohimet për ryshfete me shuma deri në 400 000 dollarë, që u ishin paguar disa anëtarëve të IOC-së gjatë zgjedhjes me sukses të Solt-Lejk-Sitit për Lojërat Dimërore të vitit 2002, hodhën dyshime mbi etikën e atyre që përfshiheshin në procesin e përzgjedhjes.

Vija ndarëse ndërmjet mikpritjes dhe ryshfetdhënies haptas bëhet shpesh e mjegullt, ndërkohë që qytetet e mundshme mikpritëse u bëjnë dhurata pa hesap atyre që zgjedhin vendin e aktivitetit. Deri në 20 anëtarë të IOC-së ishin përzier në skandalin e Solt-Lejk-Sitit dhe përfundimisht 6 prej tyre u përjashtuan. Sa për Lojërat e vitit 2000 në Australi, të gjitha përpjekjet për të mbajtur një imazh të pastër u shembën kur presidenti i Komitetit Olimpik Australian pranoi: «Ne s’e fituam [tenderin] vetëm e vetëm për shkak të bukurisë së qytetit dhe të ndërtesave sportive që ofronim.»

Stili ekstravagant i jetesës i disa prej anëtarëve drejtues të IOC-së e ka ndezur edhe më shumë zjarrin e skepticizmit. Ish-drejtuesi i Federatës Ndërkombëtare të Kanotazhit për Zvicrën, Tomi Keller, tha njëherë se sipas pikëpamjes së tij, disa autoritete drejtuese të sportit i shikojnë Lojërat Olimpike si një mjet për «plotësimin e krenarisë së tyre personale». Ai shtoi se forca lëvizëse dukej që ishte «rendja pas parave dhe përmbushja e ambicieve personale».

Tregti e fuqishme

Askush nuk mund ta mohojë se Lojërat Olimpike përfshijnë shuma të mëdha parash. Tradicionalisht, ky aktivitet ka sjellë tregues të lartë të shikimit të televizionit dhe paketa reklamash fitimprurëse, duke e bërë sponsorizimin e lojërave një mjet tregtie të jashtëzakonshëm.

Të marrim Lojërat Olimpike të vitit 1988, për të cilat nëntë shoqëri shumëkombëshe i paguan IOC-së një shumë të përgjithshme prej më se 100 milionë dollarësh për të drejtat e tregtimit mbarëbotëror. Për po këto të drejta, në Lojërat Verore të vitit 1996 në Atlanta u fitua një shumë prej 400 milionë dollarësh. Dhe këtu nuk përfshihen të drejtat televizive. Një rrjet televiziv amerikan pagoi më shumë se 3,5 miliardë dollarë për të drejtat e transmetimit të Lojërave Olimpike nga viti 2000 deri në vitin 2008. Gjithashtu, u njoftua se gjatë një periudhe prej katër vjetësh, 11 sponsorëve anekënd botës do t’u duhet të paguajnë 84 milionë dollarë çdonjëri. Kësisoj, disa njerëz kanë shprehur pikëpamjen që edhe pse dikur Lojërat Olimpike simbolizonin idealin e shkëlqesisë njerëzore, sot ato janë kryesisht një rast fitimprurës, që simbolizon lakminë njerëzore.

Çfarë shkoi keq?

Disa specialistë thonë se burimi i krizës së Lojërave Olimpike mund të gjendet në dy zhvillime kyçe që morën udhë në fillimet e viteve 80. I pari qe vendimi për t’u dhënë federatave të veçanta ndërkombëtare sportive të drejtën që të përcaktonin cilët sportistë do të pranoheshin në Lojërat Olimpike. Ndërkohë që më parë IOC-ja ua kishte kufizuar pjesëmarrjen vetëm amatorëve, federatat nisën t’u jepnin mundësi sportistëve profesionistë që të konkurronin në aktivitetet e tyre përkatëse olimpike. Por sportistët profesionistë sollën me vete qëndrime profesionistësh. Thjesht ‘të luftosh mirë’ nuk të siguron atë famë që sjell para, kështu që s’kaloi shumë dhe fitorja u bë gjithçka. S’është për t’u çuditur që kjo ka nxitur përdorimin e drogave për shtimin e efektshmërisë.

Zhvillimi i dytë kyç ndodhi në vitin 1983, kur IOC-ja priste të nxirrte përfitime nga ajo që specialisti i saj i marketingut e quajti «simboli i pashfrytëzuar me më shumë vlerë në botë»​—rrathët olimpikë. Kjo nxiti një klimë tregtie të shfrenuar, e cila është bërë shenjë dalluese e Lojërave Olimpike. Xhejson Zengerle vërejti: «Pavarësisht nga gjithë fjalët për të nxitur paqen dhe për t’i bashkuar njerëzit e botës . . . , Lojërat Olimpike në të vërtetë nuk janë aspak të ndryshme nga . . . çfarëdo aktiviteti tjetër sportiv që bëhet për t’u dukur.» Por, a do të thotë kjo që idealet e synuara nga lëvizja olimpike janë të paarritshme?

[Kutia dhe figura në faqen 5]

FAKTE RRETH LOJËRAVE OLIMPIKE

→ Simboli olimpik përbëhet nga pesë rrathë, të cilët përfaqësojnë kontinentet e Afrikës, Amerikës së Veriut e të Jugut, Azisë, Australisë dhe Evropës. Ato janë të lidhura, për të simbolizuar miqësinë mes gjithë popujve në sport.

→ Motoja olimpike është Citius, Altius, Fortius​—që e përkthyer nga latinishtja do të thotë «më shpejt, më lart, më me trimëri». Përkthimin alternativ​—«më shpejt, më lart, më me forcë»​—e bëri një arsimtar nga Franca.

→ Flaka olimpike digjej në altarin e Zeusit gjatë lojërave të kohëve të lashta. Sot, një pishtar ndizet nga rrezet e diellit në Olimp dhe pastaj transportohet në vendin e lojërave.

→ Tradita olimpike është e lashtë me mijëvjeçarë. Të parat Lojëra Olimpike të dokumentuara u zhvilluan në vitin 776 p.e.s., por shumë njerëz thonë se lojërat e kanë zanafillën të paktën pesë shekuj para kësaj.

[Burimi]

AP Photo/Eric Draper

[Kutia dhe figura në faqen 6]

VENDI OLIMPIK I SIDNEIT

Që nga shtatori 1993, kur Sidnei fitoi tenderin për mikpritjen e Lojërave Olimpike të vitit 2000, qyteti po përgatitet furishëm për të pritur vizitorët që arrijnë në dhjetëra mijë. Është bërë një punë e madhe për të pastruar vendin e Lojërave Olimpike, për të ndërtuar ambiente të kalibrit botëror dhe për t’i transformuar vendet ku nga shumë kohë hidheshin plehrat në moçale, parqe dhe delta lumore, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej 760 hektarësh.

Fshati Olimpik i Sidneit, i ndërtuar për të strehuar gjithë sportistët dhe autoritetet e sportit, është fshati më i madh në botë që përdor energjinë diellore. Superkubeja​—qendra më e madhe e mbyllur sportive dhe argëtuese në Hemisferën Jugore​—ka rrjetin elektrik me energji diellore më të madh në Australi dhe punon me energji që s’krijon thuajse asnjë gaz që ndikon në efektin serrë.

Në horizontin pas Superkubesë ngrihen kthesat e përdredhura dhe traversat e ndërthurura të Stadiumit Olimpik. Ndërtimi i tij kushtoi 435 000 000 dollarë dhe është stadiumi olimpik më i madh në botë, me 110 000 vende. Katër avionë Boeing 747 mund të parkonin krah për krah njëri-tjetrit nën harkun kryesor të stadiumit! Lart, panele gjysmë të tejdukshme i mbrojnë spektatorët nga rrezet ultraviolet të diellit. «Për disa muaj në vitin 2000,​—tha Alan Paçing, kryeadministrator i stadiumit,​—ky vend do të jetë zemra e Australisë.» Pastaj bëri me guxim një parashikim: «Ai do të bëhet pas kësaj një simbol, ashtu si Pallati i Operës.»

[Figura në faqen 4]

Baroni Pjer dë Kubertan

[Burimi]

Culver Pictures

[Burimi i figurës në faqen 7]

AP Photo/ACOG, HO