Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Meditim që është dobiprurës

Meditim që është dobiprurës

Pikëpamja e Biblës

Meditim që është dobiprurës

«U BËFSHIN TË PËLQYESHME PËRPARA TEJE THËNIET E GOJËS SIME DHE MEDITIMI I ZEMRËS SIME, O JEHOVA, O JEHOVA, SHKËMBI IM DHE SHPENGUESI IM!»​—PSALMI 19:14, BR.

Ç’KUPTIM ka për ju fjala «meditim»? Nëse ndiqni mësimet e ndonjë feje të Lindjes, mund të mendoni se është diçka që sjell qartësi më të madhe mendimi a ndonjë ndriçim të veçantë. Meditimi që praktikohet në budizëm inkurajon që të zbrazet mendja nga çdo mendim. Forma të tjera meditimi thuhet se inkurajojnë që të mbushet mendja me «të vërteta universale të mençurisë».

Pikëpamja e Biblës rreth meditimit ndryshon nga këto. Në çfarë mënyre? Vëreni shembullin biblik të një burri të quajtur Isak, i cili në moshën 40-vjeçare kishte shumë gjëra për të medituar. Në Zanafillën 24:63 thuhet: «Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar [medituar, BR].» Nuk ka asnjë arsye për të supozuar që Isaku e zbrazi mendjen nga mendimet ose që thjesht po përsiatej për ndonjë ‘të vërtetë universale [të mjegullt] të mençurisë’. Isaku ka të ngjarë të kishte gjëra specifike për të menduar të tilla, si: e ardhmja e tij, vdekja e nënës ose kush do të ishte gruaja e tij. Në mbrëmje ai përdori ca nga koha personale për të medituar, ndoshta rreth këtyre çështjeve jetësore. Në Bibël, meditimi është më shumë sesa thjesht të ëndërrosh me sy hapur.

Meditimi përfshin më shumë

Shqyrtoni shembullin e psalmistit David. Ai hasi një varg problemesh të pakapërcyeshme në dukje dhe e dinte fare mirë se si njeri i papërsosur kishte nevojë për ndihmë nga Perëndia, që të sillej në mënyrën e duhur. Ç’gjë i dha forcë Davidit gjatë rrethanave të vështira? Siç dokumentohet në Psalmin 19:14, Davidi tha: «U bëfshin të pëlqyeshme përpara teje thëniet e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime, o Jehova, Shkëmbi im dhe Shpenguesi im!» (BR) Fjala hebraike e përkthyer këtu «meditim» vjen nga një fjalë që në kuptimin e drejtpërdrejtë do të thotë «flas me veten». Po, Davidi ‘foli me veten e tij’ rreth Jehovait, rreth aktivitetit, veprave, ligjeve dhe drejtësisë së tij.​—Psalmi 143:5.

Ngjashëm, të krishterët e hershëm e konsideronin pjesë të adhurimit të vërtetë që të linin mënjanë kohë për të medituar rreth gjërave frymore. Apostulli Pavël këshilloi: «Çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.» (Filipianëve 4:8) Sigurisht, për të pasur në mend mendime ndërtuese, këto «gjëra» për të cilat foli Pavli duhet të hyjnë njëherë në mendjen tonë. Si?

Psalmisti siguron një përgjigje. Në Psalmin 1:1, 2 lexojmë: ‘Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve . . . Ai gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe mendon thellë [lexon nën zë, BR] ditë e natë mbi ligjin e tij.’ Po, psalmisti e lexonte rregullisht ligjin e Perëndisë. Pas kësaj ai mund të meditonte rreth gjërave që mësonte për Krijuesin.

Të meditosh sot

Të lexosh Biblën është diçka tejet e çmuar, por pasi e lexojmë, duhet të meditojmë, të mendojmë thellë ose ‘të flasim me veten tonë’ rreth asaj që kemi lexuar. Ashtu si tretja është e nevojshme për të pasur dobi plotësisht nga ushqimi që hamë, meditimi është i nevojshëm për ta thithur atë që lexojmë në Bibël. Meditimi i përshtatshëm bën më shumë sesa thjesht largimin e mendimeve negative. Na jep mundësi edhe të peshojmë zgjidhjet e bazuara në Bibël për problemet tona. Një meditim i tillë mund të na ndihmojë të përballojmë me sukses ankthet e jetës së përditshme.​—Mateu 6:25-32.

Psalmisti David e pranoi rolin që luan meditimi për t’i pëlqyer Perëndisë. Ai pohoi: «Goja e të drejtit është ajo që shpreh mençuri nën zë.» (Psalmi 37:30, BR) Vërtet, meditimi është një shenjë dalluese e adhuruesit besimplotë. Të konsiderohesh i drejtë nga Perëndia është një bekim i vërtetë dhe kjo gjë sjell dobi frymore. Për shembull, Bibla thotë se «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë». (Fjalët e urta 4:18) Kësisoj, i krishteri i bindur që «shpreh mençuri nën zë» mund të presë që kuptueshmëria e tij për Biblën të rritet.

Bibla i këshillon, gjithashtu, të krishterët të meditojnë rreth përgjegjësive të tyre biblike. Apostulli Pavël i tha Timoteut: «Përsiatu në këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë. Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:15, 16) Po, ajo që themi dhe që bëjmë mund të ketë një ndikim të madh mbi të tjerët.

Është e qartë se kemi shumë arsye për të menduar thellë dhe me përqendrim rreth gjërave të rëndësishme. Është jetësore të reflektojmë rreth përvojave tona të kaluara, të përsiatemi në problemet aktuale dhe të meditojmë me kujdes për të ardhmen. Por mbi të gjitha, meditimi do të na sjellë ndriçimin më të madh të mendjes nëse i përqendrojmë mendimet në mençurinë e Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova.

[Figura në faqen 20]

«Mendimtari», nga Rodin