Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga Olimpi në Sidnei

Nga Olimpi në Sidnei

Nga Olimpi në Sidnei

SHUMË njerëz i konsiderojnë Lojërat Olimpike si garat më të rëndësishme sportive në botë. «Asnjë ngjarje tjetër sportive nuk tërheq kaq shumë vëmendje,​—thuhet në The World Book Encyclopedia.​—Disa miliona njerëz marrin pjesë në këto lojëra dhe qindra milionë të tjerë anekënd botës i ndjekin në televizor.»

Një historik i shkurtër

Lojërat Olimpike e kanë zanafillën mijëra vjet përpara. Me mendimin se sportet kënaqnin frymërat e të vdekurve, grekët e lashtë bënin festa kombëtare ku përzihej feja me sportin. Këto përfshinin Lojërat Istmike, Lojërat e Nemeut, Lojërat Olimpike dhe Lojërat Pitike. Më lart nga këto vlerësoheshin Lojërat Olimpike, pasi bëheshin për nder të Zeusit, të cilin grekët e konsideronin mbretin e perëndive.

Duket se Lojërat e hershme Olimpike përbëheshin vetëm nga një aktivitet, nga gara e vrapimit. Por me kalimin e kohës, në to u përfshinë edhe gara të tjera, si garat me karroca dhe provat e rrepta të rezistencës. Për këtë rast vërshonin vizitorë nga të katër anët. Që të garantohej siguria e tyre, hynte në fuqi një armëpushim që ndalonte luftimet për një periudhë si para, ashtu edhe pas lojërave.

Me ardhjen e Romës në fuqi, rëndësia e Lojërave Olimpike nisi të binte. Në të vërtetë, shumë romakë i shihnin sportet me njëfarë përbuzjeje. Një përjashtim ishte perandori Neron. Ai hyri në lojërat e vitit 67 të e.s. dhe fitoi në çdo garë që mori pjesë. Duket se konkurrentët e tjerë e dinin se çfarë ishte më e mira për ta! Sidoqoftë, në vitin 394 të e.s. Lojërat Olimpike u ndërprenë.

Rigjallërimi i Lojërave Olimpike

Rreth 15 shekuj më pas, ajo që zbuluan gërmimet e arkeologëve gjermanë në fushën e Olimpit të lashtë rizgjoi interesin për këto lojëra. Atëherë, baroni Pjer dë Kubertan, një francez 29-vjeçar, propozoi që të rigjallërohej ky aktivitet. E kështu, në vitin 1896 u zhvilluan në Athinë të parat Lojëra Olimpike të kohëve moderne. Që nga ai vit, me përjashtime të rralla, Lojërat Olimpike janë zhvilluar çdo katër vjet.

Sot shumë veta i presin lojërat me padurim. Këtë vit, ato do të zhvillohen në Sidnei të Australisë, nga 15 shtatori deri më 1 tetor. Do të përfshihen 28 sporte, 292 gara dhe 635 seanca, me më shumë se 10 300 sportistë pjesëmarrës.

Gjithsesi, vitet e fundit Olimpiadat janë rrethuar nga polemika. Madje, shumë veta thonë se idealet e Lojërave Olimpike janë në krizë. Një vështrim në prapaskenë do të jetë si zbulues, ashtu edhe shqetësues.

[Burimi i figurës në faqen 3]

Scala/Art Resource, NY