Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Artikujt për të rinjtë Jam 12 vjeçe dhe më pëlqen shumë të lexoj revistat tuaja. Para se të filloja t’i lexoja, e kisha shumë të vështirë të shkoja mirë me shoqet e shokët e mi, pasi janë të gjithë më të mëdhenj se unë. Por pas leximit të artikujve «Të rinjtë pyesin . . . » e kam më të lehtë të shkoj mirë me ta. Faleminderit për revistat tuaja. Janë shumë të dobishme.
N. I., Rusi
Të mësosh një gjuhë Faleminderit për sugjerimet me vlerë në artikullin «A dëshironi të mësoni një gjuhë të huaj?» (janar 2000) Nisa të mësoj spanjisht dy vjet më parë dhe njohuria për këtë gjuhë ka dalë mjaft e dobishme. Gjatë një kongresi ndërkombëtar të kohëve të fundit isha në gjendje të ndihmoj shumë të bashkëkrishterë nga vende të tjera.
K.L.R., Brazil
Kam tre vjet që po studioj frëngjisht dhe ndihem e shtyrë të shpreh falënderimet për këtë artikull. Ishte aq inkurajues! Ndiej një vendosmëri të përtërirë që të vazhdoj të studioj dhe shpresoj e lutem që një ditë të jem në gjendje t’i vë në punë në ndonjë aspekt të shërbimit të krishterë aftësitë e mia në gjuhë të huaj.
L. K., Shtetet e Bashkuara
Këtu në Bavari ka shumë të huaj. Edhe pse pjesa dërrmuese flasin gjermanisht, ata reagojnë në mënyrë më të favorshme ndaj lajmit të mirë të Biblës nëse e dëgjojnë në gjuhën e tyre amtare. Meqë shumë veta vijnë nga Rusia, vendosa të mësoj gjuhën e tyre. Keni të drejtë kur thoni se kjo është një sfidë. Megjithatë, e kam kapërcyer pengesën e parë, domethënë mësimin e alfabetit, e kështu germat nuk më duken më si hieroglife egjiptiane.
B. K., Gjermani
Ju sugjeronit që të përdoren audiokaseta për të mësuar një gjuhë teksa nget makinën. Nuk mendoj se është një ide e mirë të sugjerohet që ndërsa ngasim makinën të bëjmë diçka e cila kërkon përqendrim. Kjo mund të çojë në ndonjë aksident.
K. S., Japoni
Pyetëm disa organizata të sigurisë në automjete dhe asnjëra nuk kishte ndonjë studim që tregonte se të dëgjosh audiokaseta arsimuese ndërsa nget makinën përbën rrezik më të madh sesa të dëgjosh muzikë a të bisedosh me udhëtarët. Sidoqoftë, e çmojmë shumë përkujtuesin për të ushtruar kujdes kur nget makinën.—BOT.
Kirurgjia pa gjak Dua t’ju falënderoj për serinë «Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak—Gjithnjë e më kërkuar». (janar 2000) Ajo ndihmoi që të flakeshin tej disa nga paragjykimet që kanë njerëzit për Dëshmitarët e Jehovait. Mora disa revista në zyrë dhe ua ofrova kolegëve të mi. Gjatë pushimit të drekës, vërejta një koleg që po e lexonte revistën me etje. Më vonë m’u afrua dhe më tha: «S’e kisha imagjinuar kurrë që kjo revistë të kishte kaq shumë artikuj interesantë!»
I. S., Republika e Çekisë
Insektet Faleminderit për artikullin «Bota mahnitëse e insekteve». (janar 2000) Informacioni, pa dyshim rezultat i kërkimeve të thella, ishte i trajtuar mjaft mirë. Unë doja të shikoja televizor, por në vend të kësaj lexova këtë numër të Zgjohuni! Pasi lexova këtë artikull, isha i bindur se kisha bërë zgjedhjen e duhur.
O. K., Francë
Duke mos pasur një shpjegim logjik për ekzistencën e insekteve, kisha arritur në përfundimin se Jehovai i kishte bërë për t’u siguruar që njerëzit t’i mbanin shtëpitë të pastra. Por ky artikull më tregoi që insektet janë një faqe tjetër e librit të krijimit, nga i cili mund të mësojmë më shumë për Krijuesin tonë madhështor.
A. A., Shtetet e Bashkuara