Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Sporte ekstreme»: A duhet të rrezikojmë?

«Sporte ekstreme»: A duhet të rrezikojmë?

Pikëpamja e Biblës

«Sporte ekstreme»: A duhet të rrezikojmë?

«KËTO KOHË, GJITHNJË E MË SHUMË NGA NE E KANË LËNË KARRIGEN E SPEKTATORIT PËR TË PROVUAR VETË TË HIDHEN ME PARASHUTË NGA AEROPLANËT, TË ZBRESIN SI ALPINISTË NGA MALET, TË LËSHOHEN ME KAIKE NGA UJËVARAT DHE TË ZHYTEN ME PESHKAQENËT.»​—GAZETA WILLOW GLEN RESIDENT.

KY KOMENT përshkruan një prirje gjithnjë e më të theksuar në sporte. Rritja domethënëse e popullaritetit të aktiviteteve të tilla, si: parashutizëm akrobatik, kacavarje në akull, zbritje me avion pa motor dhe hedhje BASE * flasin për një botë të dashuruar pas rreziqeve. Edhe skitë, biçikletat mauntin-bajk dhe patinat janë përdorur për të kapërcyer kufijtë personalë duke sfiduar malet më të rrëpirëta, shkrepat më të lartë e kërcimet më të gjata. Siç thuhet në revistën Time, popullariteti në rritje i «sporteve ekstreme»​—sporte në të cilat pjesëmarrësit marrin mbi vete rreziqe të mëdha​—nxjerr në pah dëshirën e zjarrtë të miliona njerëzve për t’u përfshirë në «cakun metaforik, aty ku rreziku, zotësia dhe frika ndërthuren për t’u dhënë qoftë luftëtarëve të fundjavës, qoftë sportistëve profesionistë ndjenjën e kapërcimit të kufijve personalë».

Megjithatë, ky shtim i popullaritetit sjell edhe një kosto të lartë personale. Gjithnjë e më shumë njerëz dëmtohen, kur disa sporte relativisht të sigurta çohen në ekstrem. Gjatë vitit 1997, në Shtetet e Bashkuara numri i të shtruarve në urgjencë për dëmtime që lidheshin me patinazhin u shtua me më shumë se 33 për qind, për skitë me 31 për qind dhe për ngjitjen alpinistike në male me 20 për qind. Për sporte të tjera, pasojat janë edhe më dramatike, siç është e dukshme nga numri gjithnjë e më i madh i vdekjeve që lidhen me sportet ekstreme. Partizanët e këtyre sporteve janë të vetëdijshëm për rreziqet. Një grua e cila merr pjesë në një lloj ekstrem të skive thotë: «Nuk më shqitet asnjëherë ideja e vdekjes.» Një skiator profesionist e përmbledh me pak fjalë, duke thënë se «po nuk u dëmtove, atëherë nuk po përpiqesh sa duhet».

Duke pasur parasysh këto fakte, si duhet ta konsiderojë një i krishterë pjesëmarrjen në aktivitete të tilla? Si mund të na ndihmojë Bibla për të vendosur nëse duhet të përfshihemi apo jo në sporte ekstreme? Një shqyrtim i asaj se çfarë mendon Perëndia rreth shenjtërisë së jetës do të na ndihmojë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.

Pikëpamja e Perëndisë për jetën

Bibla na thotë se Jehovai është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Përveçse krijoi njerëzimin, ai u përkujdes shumë edhe që të na jepte çfarë na nevojitet për ta gëzuar jetën. (Psalmi 139:14; Veprat 14:16, 17; 17:24-28) Ndaj është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se ai pret nga ne të tregojmë kujdes për atë që na ka dhënë me kaq dashamirësi. Ligjet dhe parimet që iu dhanë kombit të Izraelit na ndihmojnë ta çmojmë këtë fakt.

Ligji i Moisiut kërkonte që një individ të merrte masa për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Nëse nuk veprohej kështu dhe dikush humbte jetën, personi që mund ta kishte parandaluar tragjedinë do të konsiderohej fajtor gjaku. Për shembull, një pronar shtëpie ishte urdhëruar të ndërtonte një mur të ulët ose parmak, që quhej parapet, përqark çatisë së sheshtë të shtëpisë së tij të re. Përndryshe, nëse dikush rrëzohej nga çatia dhe vdiste, faji i gjakut do të binte mbi shtëpinë. (Ligji i përtërirë 22:8) Nëse një dem godiste papritmas me brirë dikë, i zoti i demit nuk do të konsiderohej përgjegjës. Nga ana tjetër, nëse dihej se demi ishte i rrezikshëm dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk kishte marrë masa që demi të ruhej siç duhej, atëherë, në rast se demi godiste me brirë dikë, i zoti i demit do të konsiderohej fajtor gjaku dhe mund të vritej. (Eksodi 21:28, 29) Duke qenë se për Jehovain jeta është e çmuar, Ligji i tij pasqyronte një konsideratë të lartë për ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës.

Shërbëtorët besnikë të Perëndisë e kuptuan se në këto parime përfshihej edhe vënia në rrezik e vetes. Në një tregim biblik thuhet se Davidi shprehu dëshirën që të ‘pinte ujë nga pusi [sterna, BR] i Betlemit’. Asokohe Bethlehemi ishte nën kontrollin e filistenjve. Me të dëgjuar kërkesën e Davidit, tre nga ushtarët e tij çanë rrugën përmes kampit të filistenjve, nxorën ujë nga sterna e Bethlehemit dhe ia çuan Davidit. Si reagoi Davidi? Nuk e piu ujin, por, përkundrazi, e derdhi përtokë. Ai tha: «Të më ruajë Perëndia nga [është e pamendueshme nga ana ime, lidhur me Perëndinë tim, BR] kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pi unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre.» (1 Kronikave 11:17-19) Për Davidin ishte e pamendueshme që të vihej në rrezik një jetë për kënaqësinë e tij personale.

Jezui reagoi në mënyrë të ngjashme, kur, me sa duket në një vegim, Djalli e tundoi të hidhej nga bedeni i tempullit, për të parë nëse engjëjt do ta mbronin që të mos pësonte ndonjë dëmtim. Jezui u përgjigj: «Nuk duhet ta vësh në provë Jehovain, Perëndinë tënd.» (Mateu 4:5-7) Po, si Davidi, ashtu edhe Jezui e kuptuan se në sytë e Perëndisë ishte e gabuar të futeshe në rreziqe të panevojshme që mund të kërcënonin jetën.

Duke pasur ndër mend këta shembuj, mund të pyesim veten: ‘Cila është vija ndarëse ku fillojnë sportet ekstreme ose të rrezikshme? Përderisa edhe një formë e zakonshme argëtimi, që s’është e rrezikshme në vetvete, mund të arrijë në kufij ekstremë, si mund ta përcaktojmë se deri në ç’pikë duhet të shkojmë?’

A ia vlen të rrezikojmë?

Një vlerësim i ndershëm i çfarëdo veprimtarie që mund të kemi ndër mend të kryejmë do të na ndihmojë të përcaktojmë përgjigjen. Për shembull, mund të pyesim veten: ‘Cila është përqindja e aksidenteve në këtë sport? A kam stërvitjen ose pajisjet mbrojtëse që nevojiten për të shmangur dëmtimet? Cilat do të jenë pasojat nëse bie a gaboj në një kërcim apo nëse më prishen pajisjet e sigurisë? Do të jetë një incident i vogël apo ekziston mundësia për dëmtime serioze ose vdekje?’

Duke u futur në rreziqe të panevojshme për hir të zbavitjes mund të dëmtohet marrëdhënia e çmuar që ka një i krishterë i vërtetë me Jehovain, si edhe ka të ngjarë që personi të mos jetë i përshtatshëm për të pasur disa privilegje të veçanta në kongregacion. (1 Timoteut 3:2, 8-10; 4:12; Titit 2:6-8) Është e qartë, pra, se edhe kur marrin pjesë në veprimtari argëtuese, të krishterët bëjnë mirë të mbajnë parasysh pikëpamjen e Krijuesit për shenjtërinë e jetës.

[Shënimi]

^ par. 4 BASE përfaqëson shkronjat e para në anglisht për fjalët ndërtesë, antenë, hark ure dhe shkëmb. Ky lloj sporti i hedhjes me parashutë nga objekte të fiksuara, si ndërtesa, ura dhe shkëmbinj konsiderohet kaq i rrezikshëm, saqë është shpallur i ndaluar nga Shërbimi i Parkut Kombëtar në Shtetet e Bashkuara.