Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E ndihmoi të shpëtonte jetën

E ndihmoi të shpëtonte jetën

E ndihmoi të shpëtonte jetën

«Zgjohuni!», 22 dhjetor 1999, anglisht, kishte këtë titull në kopertinë: «Rrëmbimi: Pse një kërcënim global?» Uilliam Luis Terrell tha se ky numër i revistës «Zgjohuni!» e ndihmoi të shpëtonte jetën.

PAK pas orës dhjetë të mëngjesit të së premtes, më 10 mars 2000, Terrelli u rrëmbye nga shtëpia nën tytën e një arme nga Xhozef C. Palshinski i Riu. Artikujt e revistës Zgjohuni!, të cilat Terrelli tha se i vinin vazhdimisht në mend gjatë kësaj peripecie, përmbanin këshillat e mëposhtme që kishin dhënë disa specialistë lidhur me atë se çfarë duhej të bënte një person nëse e rrëmbenin:

«Jini bashkëpunues, shmangni sjelljen kokëfortë. Pengjet që kundërshtojnë janë më shpesh objekt trajtimi të ashpër dhe kanë më shumë rrezik të vriten ose të zgjidhen për ndëshkim.

Mos bini në panik. Mbani në mend se shumica e viktimave mbijetojnë nga rrëmbimi.

Nëse është e mundur, bëni nga pak muhabet dhe përpiquni të vendosni një kontakt me rrëmbyesit. Nëse ata ju shohin si individë, do të ketë më pak të ngjarë t’ju dëmtojnë ose t’ju vrasin.

Bëjuani të ditur [rrëmbyesve] nevojat tuaja me mirësjellje.

Bashkëveprimi u ka shërbyer si mbrojtje të rrëmbyerve, siç shpjegon libri Criminal Behavior: ‘Sa më shumë ta njohin njëri-tjetrin viktima dhe rrëmbyesi, aq më shumë kanë prirjen ta pëlqejnë njëri-tjetrin. Kjo dukuri tregon se pas një periudhe kohore, rrëmbyesi ka më pak të ngjarë të dëmtojë pengun.’»

Uilliam Terrelli, i cili është 53 vjeç dhe një Dëshmitar i Jehovait, bëri ç’të mundte për t’i ndjekur këto këshilla gjatë pothuajse 14 orëve që u mbajt peng, ku pjesën më të madhe të tyre e kaloi nën tytën e një arme. Peripecia filloi pak pasi Palshinski trokiti në derën e Terrellit, në një zonë rurale afër Autostradës Ndërshtetërore I-95, ku makinës që kishte vjedhur Palshinski i mbaroi benzina.

Pasi dëgjoi përgjërimin e të huajit, Terrelli shprehu dëshirën ta ndihmonte. Palshinski kërkoi një gotë ujë dhe ta shoqëronin me makinë deri në Baltimorë, Merilend, SHBA. Terrelli tha se do të merrte masa që dikush ta çonte deri në qytetin Frederiksburg, Virxhinia, ku mund të merrte një autobus për pjesën tjetër të udhëtimit. Kur Terrelli u kthye me gotën e ujit për të huajin, një armë ishte drejtuar nga ai. Palshinski e urdhëroi Terrellin ta çonte deri në vendmbërritjen e tij.

Ndjekja e këshillave

Gjatë udhëtimit nëpër autostradën I-95, Terrelli ndoqi udhëzimet e Palshinskit për të respektuar kufirin e shpejtësisë dhe për të mos i dhënë makinës në ndonjë mënyrë që do të tërhiqte vëmendjen. Duke ruajtur qetësinë, Terrelli filloi bisedën me 31-vjeçarin Palshinski, duke shprehur interes të sinqertë për të si person dhe për rrethanat që çuan deri në takimin e tyre. Palshinski i tregoi se tri ditë më parë kishte shkuar të takonte të dashurën e tij, Trejsin, e cila e kishte lënë. Atje kishte shtënë dhe kishte vrarë dy miq të saj, burrë e grua, dhe një fqinj që u përpoq ta pengonte që ta merrte Trejsin me vete. Më vonë, Trejsi i shpëtoi.

Mbrëmjen vijuese, gjatë përpjekjeve të Palshinskit për të vjedhur një makinë, një nga plumbat e tij goditi një djalë dyvjeçar, duke i dërrmuar nofullat. Plumbat goditën edhe një makinë, të cilën e drejtonte Xhenifer Lin Mekdanël. Mjerisht, një plumb e vrau atë dhe një tjetër goditi ndenjësen bosh të fëmijës së tyre njëvjeçar. Xheniferi dhe burri i saj, Tomasi, po shkonin në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, ku që të dy do të paraqitnin pjesë të caktuara në mbledhje atë mbrëmje. Sara Frensis, mamaja e Xheniferit, shpjegoi: «Kjo ishte e vetmja mbrëmje që nuk e morën me vete fëmijën në Sallën e Mbretërisë. [Përndryshe] do të kishim dy veta për të qarë.»

Ndërsa Terrelli vazhdoi me butësi ta përfshinte në bisedë rrëmbyesin e tij, Palshinski tha se nuk kishte pasur kurrë ndër mend të dëmtonte njeri dhe se e donte vërtet Trejsin e donte të rrinte me të. Terrelli shpjegoi: «I thashë se nuk mund ta ndryshonte të kaluarën, por mund të ndryshonte të ardhmen dhe e inkurajova të dorëzohej në polici. I thashë se do të shkoja ta vizitoja në burg dhe do të studioja Biblën me të.» Më vonë u raportua se, që kur kishte mbaruar shkollën e mesme në vitin 1987, gjithë jetën e tij, përveç dhjetë muajve, Palshinski e kishte kaluar në burg ose në institucione psikiatrike ose i liruar me kusht.

Duke përdorur përvojën e tij si një plak i krishterë nga shumë kohë, Terrelli vazhdoi ta bënte për vete të riun e tronditur, duke përdorur shembuj biblikë nga jeta reale. Për shembull, i tregoi përvojën e një njeriu të mirë, mbretit David të Izraelit, të cilit iu tipos gruaja e Uriahut, njërit prej ushtarëve të ushtrisë së Davidit. Kur gruaja mbeti shtatzënë nga Davidi, ky i rregulloi punët që Uriahu të vdiste në betejë. Kur iu paraqitën me takt mëkatet, Davidi u pendua sinqerisht dhe rifitoi miratimin e Perëndisë.​—2 Samuelit 11:2–12:14.

Terrelli vendosi një lidhje me të arratisurin, duke e thirrur me emrin shkurt Xhobi. Kur ndaluan në një dyqan dhe Palshinski e dërgoi Terrellin të blinte ushqim dhe një televizor portativ, i tha se do të vriste njerëz të tjerë nëse përpiqej të lajmëronte dikë. Duke e kuptuar gjendjen e paqëndrueshme të të arratisurit, Terrelli veproi siç i tha ky i fundit. Së fundi, pasi pa në lajmet televizive të orës 11.00 një reportazh për krimet që kishte kryer, Palshinski e përqafoi Terrellin dhe u zhduk me qetësi në një lagje periferike të Baltimorës.

Rreth një javë më vonë, Palshinski u rrethua në një shtëpi ku po mbante pengje. Terrellin, për të cilin i arratisuri kishte folur, e thirrën që të ndihmonte me bisedimet. Mjerisht, këto bisedime nuk patën sukses dhe në 22 mars, Palshinski u vra nga policët që sulmuan banesën. Nuk u dëmtua asnjë tjetër.

Pas kësaj, Terrelli mori rreth 600 kopje të numrit të revistës Zgjohuni!, të cilës i jep meritën se e ndihmoi të shpëtonte jetën. Ka ndarë qindra nga këto revista me të tjerët. Terrelli është mirënjohës që e ka bërë zakon të lexojë informacionet e vlefshme në Zgjohuni!, dhe mendojmë se edhe ju do të ndiheni kështu.

[Figura në faqen 26]

Uilliam Terrelli