Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Familjet pa baba Ju faleminderit për serinë «Familje pa baba: Si të ndalet kjo prirje?». (shkurt 2000) Isha kaq e lënduar nga divorci, saqë doja të luftoja për të pasur kujdestarinë e plotë për vajzën time. Por këta artikuj më bënë të kuptoj se vajza ka nevojë të mbajë një marrëdhënie sa më të mirë me babanë e saj. Lufta për të pasur kujdestarinë nuk është zgjidhja e problemit.
L. D., Guam
Si nënë e vetme, jam munduar gjithnjë që ta rritja djalin tim sipas parimeve biblike. Ish-burri im është një nga ata persona që ju e përshkruani si «thjesht indiferent»; nuk tregon asnjë interes për të birin. Gjithsesi, e kam mësuar djalin që ta dojë dhe ta respektojë të atin, siç sugjeronte artikulli juaj. Ishte shumë inkurajuese të di se jam në shtegun e duhur.
R. S., Brazil
Prindërit u divorcuan kur isha pesëvjeçe. Babai nuk tregoi asnjëherë ndonjë interes për ne fëmijët. Disa herë mendoj se do të kishte qenë më mirë të mos e kisha njohur kurrë, sesa të provoja indiferencën e tij. Falë Jehovait, fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në moshë të hershme. Mësimi i të vërtetave biblike më ka ndihmuar të përballoj ndjenjat e braktisjes dhe të pakënaqësisë.
K. B., Porto-Riko
Kanë kaluar afro shtatë vjet që po i rrit vetë tre djemtë e mi dhe, disa herë, kjo është shumë e vështirë. Për shembull, ka periudha kur djemtë mezi shtrohen. Megjithatë, i dua me gjithë zemër dhe e falënderoj Jehovain që i kam. Më i madhi u pagëzua kohët e fundit, kështu që përpjekjet ia vlejnë. Artikuj si këta më inkurajojnë të vazhdoj. Do t’i lexoj shpesh.
N. B., Kanada
Babai iku kur unë isha gjashtëvjeçe. Tani jam 21 vjeçe dhe vetëm në këtë moment po e kuptoj efektin që pati kjo gjë tek unë. Kam qenë shumë e frikësuar nga martesa, ngaqë mendoja se kishte shumë mundësi që burri të më linte. Gjithashtu, kam menduar se nuk kisha asgjë për t’i ofruar një burri, pasi nuk dija si funksionon një familje normale. Megjithatë, ky artikull më ngushëlloi shumë. Më bëri të kuptoj se një ditë mund të bëhem një grua e ekuilibruar, besnike dhe e dashur.
E.V.U., Shtetet e Bashkuara
Probleme me miqësitë Shpesh kam dashur t’ju shkruaj, por nuk e kam bërë asnjëherë. Sapo kam mbaruar së lexuari artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Përse shoku im më lëndon?». (mars 2000) Pata një problem të rëndë me një shok të ngushtë dhe fillova të ushqej zemërim ndaj tij. Ky artikull erdhi në kohën e duhur.
K.V., Itali
Njëra nga shoqet e mia më lëndoi. Artikulli më ndihmoi të kuptoja se, meqë jemi të papërsosura, disa herë e acarojmë njëra-tjetrën. Bëra atë që thoshte artikulli dhe i zgjidha çështjet me të.
N. T., Trinidad
Jam 18 vjeçe dhe kam dy shoqe të ngushta. Njëra është shumë më e madhe se unë, kurse tjetra dy vjet më e vogël. Kohët e fundit unë dhe shoqja më e vogël kemi pasur disa probleme. Ky artikull erdhi tamam në kohën e duhur. Kolosianëve 3:13 na kujtoi se Jehovai na fal lirisht shumë, shumë herë e në të njëjtën mënyrë, edhe ne duhet të falim njëri-tjetrin. Paragrafi i fundit na e nguliti në mendje thelbin. Kështu, secila nga ne dëshiron të jetë një mik si ai i përshkruar te Fjalët e urta 18:24, «që qëndron më afër se një vëlla» ose motër. (BR)
U. K., Shtetet e Bashkuara