Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

A ka rëndësi një opinion i dytë?

«Kur bëhet fjalë për të kërkuar një opinion të dytë në mjekësi, shumica prej nesh jemi tepër të mirësjellshëm. Por kjo mungesë sigurie mund t’u kushtojë jetën pacientëve»,​—thuhet në The News të qytetit Meksiko. Shpesh, pacientët kanë frikë se mos mjeku i tyre ndihet i fyer nëse ata duan të marrin një opinion të dytë. Por, thotë gazeta, «shumica e mjekëve s’e kanë problem që pacientët e tyre të kërkojnë një opinion të dytë. Nëse mjeku juaj e ka problem, kjo mund të jetë një tregues se ju presin telashe». Sot, opinioni i dytë konsiderohet, si nga mjekët, edhe nga shoqëritë e sigurimit, si një mënyrë e mirë për të siguruar trajtimin maksimal për pacientët. Dr. Majkëll Endrjus, president i Shoqërisë së Onkologjisë Klinike në Xhorxhia, thotë se i inkurajon pacientët e tij që të marrin një opinion të dytë, pasi shpesh ata kthehen duke u ndier më të sigurt për rekomandimet e tij. Drejtori i një grupi të shëndetit publik tha: «Pacientët duhet të mbajnë mend se janë ata që e kanë trupin në rrezik.»

Miq të rrezikshëm

Sipas një studimi të raportuar në The Journal of the American Medical Association, shoferët adoleshentë janë shumë më të prirur të bëjnë aksidente fatale, nëse kanë pasagjerë në makinë. Kërkuesit në Universitetin Xhon Hopkins, Merilend, SHBA, zbuluan se rreziku që ka një shofer 16-vjeçar për t’u vrarë rritej me 39 për qind me një pasagjer, 86 për qind me dy pasagjerë dhe 282 për qind me tre a më shumë pasagjerë. Arsyet kryesore të cituara në studim janë «sjellja e rrezikshme kur i japin makinës . . . , e lidhur ngushtë me praninë e bashkëmoshatarëve». Këto sjellje të rrezikshme përfshijnë rritjen e shpejtësisë, ndjekjen me shpejtësi të një makine tjetër, kalimin e rrugës kur drita e semaforit është e kuqe, ngarjen e makinës nën ndikimin e drogës ose alkoolit dhe shpërqendrimin nga pasagjerët që bëjnë lojëra të zhurmshme.

«Më të plakur e më të mençur»

The Times e Londrës raporton se kërkuesit kanë zbuluar që disa pjesë të trurit janë në gjendje të krijojnë qeliza të reja, ndërsa njerëzit plaken. Më parë besohej se qelizat e trurit nuk riprodhoheshin te njerëzit me moshë të rritur. «Çelësi për të nxitur rritjen është ta mbajmë mendjen aktive»,​—thotë The Times. Një studim i kohëve të fundit me njerëz mbi moshën 65-vjeçare zbuloi se të mësuarit dhe bashkëveprimi me njerëz të tjerë duket se nxitnin rritjen e qelizave të trurit dhe të lidhjeve të tyre. Kërkuesit zbuluan se bashkëveprimi me njerëz të tjerë përmirësonte «shëndetin, jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës». Neuroshkencëtarja Suzan Grinfild komenton: «Sa më të pasura të jenë përvojat, aq më shumë sinapse (lidhje) do të ketë. Pra, njerëzit bëhen më të moshuar e më të mençur.»

Itinerari i Detit të Veriut

Robert Thorni, tregtar erëzash i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, një herë e një kohë ëndërronte të gjente një rrugë detare nga Evropa për në Lindjen e Largët, përmes Arktikut. Sot, ëndrra e Thornit është bërë realitet falë ngrohjes globale, siç raporton The Times e Londrës. Ujërat përgjatë brigjeve ruse dhe të Siberisë Lindore tani janë pothuajse pa akull fare gjatë muajve të verës dhe kjo u jep mundësi anijeve të mallrave të lundrojnë nga Deti i Veriut, përqark Rrethit Arktik, duke dalë në Paqësor nëpërmjet Ngushticës Bering. Kur kjo rrugë ngrin, anijet nga Evropa duhet të përdorin Kanalin e Suezit ose t’i kalojnë përqark cepit jugor të Afrikës, ose të udhëtojnë përmes Kanalit të Panamasë, për të arritur në Lindjen e Largët. Avantazhet ekonomike të përdorimit të itinerarit të Detit të Veriut janë domethënëse. Ky itinerar praktikisht e përgjysmon distancën ndërmjet Hamburgut në Gjermani dhe Jokohamës në Japoni, pasi është vetëm më pak se 7.000 milje detare i gjatë.

Probleme me analizat e gjakut

«Më shumë se gjysma e vendeve të botës nuk kryejnë analiza të plota për gjakun e dhuruar, duke e rritur rrezikun e përhapjes së SIDA-s dhe të sëmundjeve të tjera»,​—thotë një raport i Associated Press. Ky raport, i bazuar në informacionin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pohon, gjithashtu, se «5 deri në 10 për qind e njerëzve me virusin e SIDA-s përllogariten se janë infektuar me anë të transfuzioneve të gjakut». Megjithatë, SIDA është vetëm një nga sëmundjet që transmetohen në këtë mënyrë. Çdo vit, 8 deri në 16 milionë infeksione me hepatit B dhe 2 deri në 4 milionë infeksione me hepatit C përhapen nëpërmjet transfuzioneve dhe praktikave të pasigurta të injeksioneve. Një arsye që jepet për analizat e pamjaftueshme të gjakut, është se ato janë të kushtueshme. Kontrolli për këta infektues kushton nga 40 deri në 50 dollarë për njësi gjaku. Gjithsesi, në raport vërehet se këto analiza «nuk janë gjithnjë të besueshme, veçanërisht po të kryhen nga një ekip jo i stërvitur siç duhet ose me pajisje të papërshtatshme».

Abuzimi me fëmijët në Indi

The New Indian Express raporton se në Indi, çdo dhjetë minuta një fëmijë e detyrojnë t’i nënshtrohet prostitucionit. Kjo do të thotë se çdo vit, rreth 50.000 fëmijë indianë i detyrojnë të futen në tregtinë e seksit. Në shtetin Kerala, një seminar rreth abuzimit seksual me fëmijët raportoi një zbulim tjetër alarmues. Gazeta thotë se mjekët e atjeshëm «nuk kanë dëshirë të shqyrtojnë rastet e përdhunimeve, sepse nuk kanë përvojë për to dhe as nuk duan të përfshihen». Në disa raste, edhe prindërit i kontribuojnë problemit. Shefja e Vigjilencës Qendrore, Sreleka thotë: «Prindërit ngurrojnë të raportojnë rastet [e përdhunimeve] për shkak të damkës së mundshme dhe veçimit nga shoqëria.»

Ngrënia së bashku si familje është më e shëndetshme

Gazeta Globe and Mail thotë se një nga mënyrat më të mira se si prindërit mund t’u sigurojnë shëndet të mirë fëmijëve është të hanë drekë me ta. Sipas dr. Methju Xhillmën, nga Shkolla e Mjekësisë e Harvardit, «drekat familjare përmbajnë ushqime më të shëndetshme se ato që do të hanin përndryshe fëmijët dhe adoleshentët». Fëmijët që hanë në familje ka më shumë të ngjarë të hanë sasitë e rekomanduara të frutave dhe perimeve, të marrin vitaminat dhe mineralet që u nevojiten dhe të konsumojnë më pak sheqer e yndyrë. Gjithashtu, kërkuesit kanë zbuluar se ngrënia së bashku si familje bën të lindin biseda për ngrënien e shëndetshme dhe ngulit zakone të ngrëni më të mira te fëmijët, zakone që do t’i vazhdojnë kur të jenë larg shtëpisë për të ngrënë. Studimi i ri, i marrë nga një projekt kërkimi në vazhdim, i cili përdor rreth 16.000 fëmijë të moshave 9 deri në 14 vjeç, zbuloi, siç thotë Globe, se «vetëm dy në pesë fëmijë të moshës shkollore faktikisht hanë bukë me prindërit në shumicën e ditëve dhe një në pesë nuk ha kurrë me ta».

Mjeshtra të endjes

«Mëndafshi i merimangave është një nga materialet më të forta në Tokë»,​—thotë revista New Scientist. Çdo fibër mund të zgjatet dy deri në katër herë sa gjatësia e saj para se të këputet dhe është kaq e fortë, saqë është thënë se një fije mëndafshi me trashësinë e një lapsi mund të ndalojë një avion në fluturim. Kërkuesit janë përpjekur të zbulojnë sekretet e endjes së merimangave, që t’i përdorin në shumë industri të ndryshme. Për shembull, revista thotë se stofi aktual i preferuar për veshjet antiplumb është kevlari, një stof artificial i bërë nga «acid sulfurik i përqendruar, i nxehur deri afër pikës së zierjes». Por, në një kohë kur nënproduktet e prodhimit të kevlarit janë toksike dhe eliminohen me vështirësi, merimangat e endin mëndafshin duke përdorur «proteina dhe ujë të thjeshtë, me nivele pH dhe temperatura të ngjashme me ato që gjenden në gojën e njeriut». Për më tepër, kjo përzierje e ujit me proteina endet në një fibër që nuk shkatërrohet nga shiu. Kështu, New Scientist thotë: «Me gjithë vitet e studimeve, mëndafshi i merimangave është ende një enigmë.»

Ndotje në shtëpi

«Ambienti i brendshëm i shtëpive ka dhjetë herë më shumë mundësi të jetë i ndotur, sesa kopshti që kanë shtëpitë përpara»,​—thotë The Times e Londrës. Një studim i 174 shtëpive britanike, i bërë nga Building Research Establishment tregoi se nivelet e avullit formaldehid, të lëshuar nga orenditë që përmbajnë kompensatë dhe substanca të tjera sintetike, ishin dhjetë herë më të lartë brenda se jashtë. Dymbëdhjetë nga shtëpitë e inspektuara nuk plotësonin nivelet e cilësisë së ajrit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Orenditë sintetike, shtrimi i dyshemesë me vinil, materialet e ndërtimit dhe të zbukurimit, pastruesit kimikë ose pajisjet për ngrohje e për gatim mund të lëshojnë monoksid karboni, dioksid azoti, avuj benzeni ose përbërës organikë që kthehen në avull. Avulli i benzenit, një kancerogjen i njohur, është një përbërës i lëndëve larëse me spërkatje, si edhe i tymit të duhanit, një ndotës tjetër kryesor i ambientit të brendshëm. Sharlot Gan, botuese e revistës Health Which?, thotë se shumë njerëz e kalojnë 80 deri në 90 për qind të kohës së tyre brenda. Ajo këshillon «eliminimin e përdorimit të disa produkteve kimike, hapjen e disa dritareve dhe kontrollimin e pajisjeve me gas», për të përmirësuar cilësinë e ajrit brenda ndërtesave.