Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth terapive alternative

Një vështrim rreth terapive alternative

Një vështrim rreth terapive alternative

«Fillimi i një konsultimi profesional midis mjekëve dhe specialistëve të mjekësisë alternative është diçka thelbësore për një kujdes më të mirë shëndetësor për ata pacientë që zgjedhin terapitë alternative.»

KJO deklaratë ishte botuar në numrin e 11 nëntorit 1998 të revistës mjekësore The Journal of the American Medical Association (JAMA). Në artikull thuhej: «Mund të pritet që kjo nevojë [për t’u konsultuar] të rritet me përdorimin e terapive alternative, sidomos dora-dorës që programet për siguracionet shëndetësore i përfshijnë këto terapi në ndihmat financiare që ofrojnë.»

Gjithnjë e më shumë pacientë po përdorin terapi alternative, ndërkohë që përfitojnë nga forma të tjera trajtimi të mjekësisë tradicionale. Megjithatë, disa nuk e vënë në dijeni mjekun e tyre për atë që bëjnë. Kësisoj, në numrin e prillit 2000 të botimit periodik Tufts University Health & Nutrition Letter jepej kjo nxitje: «Duhet të veproni për interesat tuaja më të mira, duke punuar bashkë me mjekun tuaj, e jo privatisht.» Aty shtohej: «Pavarësisht nëse ai ose ajo e miraton apo jo trajtimin që keni ndër mend të ndiqni, do të nxirrni dobi duke këmbyer informacione me të.»

Kjo gjë u tha për shkak të rreziqeve të mundshme shëndetësore që dalin në rastet kur disa bimë mjekësore kombinohen me terapi tradicionale. Duke e pranuar faktin që disa nga pacientët e tyre po zgjedhin terapi alternative, shumë profesionistë të shëndetësisë përpiqen që opinionet personale rreth kujdesit shëndetësor të mos i pengojnë të punojnë përkrah specialistëve të terapive alternative për të mirën e pacientit.

Për t’u dhënë lexuesve një ide rreth përdorimit të disa terapive alternative që tani përdoren nga një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në shumë vende, po japim një përshkrim të shkurtër të disave prej tyre. Megjithatë, ju lutemi të mbani parasysh që Zgjohuni! nuk mbështet ndonjërën prej këtyre terapive a ndonjë formë tjetër trajtimi mjekësor.

Kura bimore

Këto kura janë ndoshta forma më e përhapur e mjekësisë alternative. Me gjithë përdorimin e bimëve në mjekësi përgjatë shekujve, shkencëtarët kanë studiuar me hollësi vetëm një numër relativisht të vogël lloje bimësh. Një numër edhe më i vogël bimësh e ekstraktesh të tyre janë studiuar aq plotësisht, sa të disponohet informacion për sigurinë dhe efektshmërinë e tyre. Pjesa dërrmuese e informacionit për bimët mjekësore bazohet në përvojën e fituar nga përdorimi i tyre gjatë historisë.

Gjithsesi, vitet e fundit janë bërë një sërë studimesh shkencore që tregojnë dobinë e disa bimëve në trajtimin e sëmundjeve të tilla, si depresion i lehtë, humbje kujtese për shkak të moshës dhe simptoma të hipertrofisë beninje të prostatit. Një bimë që është studiuar është Cimicifuga racemosa, e cila disa herë njihet si rrënja e zezë e gjarprit, helmuesi i çimkës ose rrënja e gjarprit me zile. Indianët e Amerikës e zienin rrënjën dhe e përdornin për problemet e menstruacioneve dhe gjatë lindjeve. Sipas buletinit Harvard Women’s Health Watch të prillit 2000, studime të kohëve të fundit tregojnë se një ekstrakt i standartizuar i rrënjës së gjarprit, që është prodhuar dhe hedhur në treg në Gjermani, mund të bëjë mirë «për lehtësimin e simptomave të menopauzës».

Duket se shumë nga kërkesat për këto kura natyrore bazohen në mendimin që ato janë më të sigurta sesa ilaçet sintetike. Edhe pse në shumicën e rasteve kjo mund të jetë e vërtetë, disa bimë mjekësore kanë efekte anësore, sidomos nëse përdoren bashkë me barna të tjera. Për shembull, një bimë mjekësore mjaft e përdorur, që rekomandohet si dekongjestionues natyror dhe si produkt për të rënë në peshë mund të rritë tensionin e gjakut dhe të shtojë rrahjet e zemrës.

Ka edhe bimë mjekësore që rritin ritmin e gjakrrjedhjes te një pacient. Nëse këto bimë kombinohen me ilaçe «për hollimin e gjakut», mund të lindin probleme serioze. Ata që vuajnë nga sëmundje kronike të tilla, si diabeti a tensioni i lartë i gjakut ose ata që marrin edhe barna të tjera duhet të jenë të kujdesshëm rreth përdorimit të kurave bimore.​—Shih kutinë shoqëruese.

Një merak tjetër që vjen nga kurat bimore është mungesa e një garancie të qëndrueshme për cilësinë e produkteve. Vitet e fundit ka pasur të dhëna për produkte të ndotura me metale të rënda dhe ndotës të tjerë. Veç kësaj, është parë se disa produkte bimore përmbanin pak ose aspak nga përbërësit e shënuar në etiketë. Këta shembuj theksojnë nevojën për t’i blerë produktet bimore, sikundër edhe çfarëdo produkti tjetër shëndetësor, nga burime të besueshme e me emër të mirë.

Plotësuesit ushqimorë

Sipas dëshmive, plotësuesit ushqimorë, si vitaminat dhe kripërat minerale, kanë qenë të dobishëm në parandalimin e në trajtimin e një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë aneminë dhe osteoporozën, e madje edhe në parandalimin e disa difekteve të lindjes. Dozat e përditshme të rekomanduara nga shteti për vitaminat dhe kripërat minerale konsiderohen relativisht të sigurta e të dobishme.

Nga ana tjetër, dozat e mëdha që rekomandohen për trajtimin e disa sëmundjeve mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Ka të ngjarë që ato të vështirësojnë përthithjen ose veprimin e lëndëve të tjera ushqyese dhe, veç kësaj, mund të shkaktojnë efekte të rënda anësore. Kjo mundësi, ashtu sikurse edhe mungesa e dëshmive me peshë që mbështetin përdorimin e një sasie të madhe vitaminash, nuk duhet shpërfillur.

Homeopatia

Homeopatia u zhvillua në shekullin e 18-të si një lloj trajtimi më i butë ose më i lehtë se ato që përdoreshin gjerësisht asokohe. Homeopatia bazohet në parimin që «e ngjashmja kuron të ngjashmen» dhe në teorinë e dozës minimale. Kurat homeopatike përgatiten duke e holluar në mënyrë të përsëritur një ilaç. Nganjëherë hollimi është aq i madh, sa nuk mbetet as edhe një molekulë e substancës fillestare.

Gjithsesi, në krahasim me përdorimin e një ilaçi qetësues, u pa se kurat homeopatike kanë njëfarë efekti në trajtimin e sëmundjeve të tilla, si astma, alergjitë dhe diarreja te fëmijët. Duke qenë shumë të holluara, produktet homeopatike konsiderohen mjaft të sigurta. Në një artikull të botuar në numrin e 4 marsit 1998 të revistës JAMA vërehej: «Për shumë pacientë që vuajnë nga probleme kronike, për të cilat s’u është dhënë një diagnozë specifike, homeopatia mund të jetë një alternativë e rëndësishme dhe e dobishme trajtimi. Nëse përdoret brenda kufijve të saj, homeopatia mund të plotësojë mjekësinë moderne si një ‘një mjet tjetër në çantë’.» Megjithatë, në raste urgjente, kur ndoshta është në rrezik jeta, mund të jetë më e mençur të përdoren trajtime mjekësore më tradicionale.

Kiropraktika

Ekzistojnë një sërë terapish alternative që përfshijnë trajtimin e trupit në mënyrë fizike. Kiropraktika është ndër trajtimet alternative të përdorura më gjerësisht, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Ajo bazohet në idenë që nëse ndreqen disa keqvendosje të vertebrave në shtyllën kurrizore, mund t’i jepet dorë shërimit. Kjo është arsyeja përse profesionistët e kiropraktikës specializohen në trajtimin e shtyllës kurrizore në mënyrë fizike, që të rregullojnë vertebrat e pacientëve të tyre.

Mjekësia tradicionale nuk është gjithnjë në gjendje të sigurojë lehtësim për shqetësimet e pjesës së fundit të shpinës. Nga ana tjetër, disa pacientë që trajtohen me kiropraktikë thonë se ndihen shumë të kënaqur. Veç rastit të dhembjeve, dëshmitë që mbështetin përdorimin e trajtimit të sëmundjeve me kiropraktikë janë të pakta.

Është domethënës fakti që rastet e efekteve anësore nga trajtimi me kiropraktikë, i bërë nga një profesionist i kualifikuar, janë të rralla. Gjithsesi, në të njëjtën kohë, një person duhet të jetë i vetëdijshëm se trajtimi i qafës me dorë shoqërohet me rrezikun e ndërlikimeve serioze, duke përfshirë këtu apopleksinë dhe paralizën. Për të zvogëluar rrezikun e ndërlikimeve, disa specialistë rekomandojnë të bëhet një ekzaminim tërësor, që të shihet nëse një stil i veçantë i trajtimit me dorë është i sigurt për personin.

Masazhi

Dobitë e masazhit njihen nga shumë kohë, thuajse në të gjitha kulturat. Përdorimi i tij, madje, është dokumentuar në Bibël. (Estera 2:12, BR) «Teknikat e masazhit luajnë rol të rëndësishëm në kujdesin tradicional mjekësor kinez dhe indian,​—vërehej në numrin e 6 nëntorit 1999 të British Medical Journal (BMJ).​—Masazhi evropian u sistematizua aty nga fillimi i shekullit të 19-të nga Per Henrik Ling, i cili zhvilloi atë që sot njihet si masazhi suedez.»

Masazhi njihet për dobitë që sjell, si shtendosja e muskujve, përmirësimi i qarkullimit të gjakut dhe largimi i helmeve që janë grumbulluar në inde. Mjekët tanimë e rekomandojnë masazhin për sëmundje të tilla, si dhembja e shpinës, dhembjet e kokës dhe çrregullimet në tretje. Shumica e njerëzve që u bëhet masazh komentojnë se sa mirë i bën të ndihen ai. Sipas dr. Sandra Meklanahan, «tetëdhjetë për qind e sëmundjeve janë të lidhura me stresin, dhe masazhi pakëson stresin».

«Shumica e teknikave të masazhit kanë fare pak mundësi që të japin efekte negative,​—thuhej në BMJ.​—Rastet kur masazhi nuk është i këshillueshëm kuptohen lehtë (për shembull, shmangia e fërkimit te plagët e lëkurës ose e masazhit te një gjymtyrë që mund të ketë trombozë në një venë të thellë) . . . Nuk ka ndonjë dëshmi se masazhi te pacientët me kancer shton përhapjen e metastazave.»

«Ndërsa masazhi bëhet gjithnjë e më shumë një terapi kryesore, pacientët interesohen për kualifikimet që ka terapisti i masazhit, dhe duhet të interesohen»,​—vërente E. Hjustën Lebrun, ish-president i Shoqatës Amerikane të Terapisë së Masazhit. Në revistën BMJ këshillohej që për të shmangur veprimet joprofesionale, «pacientët duhet të sigurohen se ushtruesit e masazhit janë të regjistruar nga një organizatë e duhur rregulluese». Në një raport të vitit të kaluar vërehej se terapistët ishin të licensuar në 28 shtete të Shteteve të Bashkuara.

Akupunktura

Akupunktura është një teknikë kuruese që është përhapur mjaft anekënd botës. Edhe pse termi «akupunkturë» përfshin disa teknika të ndryshme, zakonisht ai nënkupton përdorimin e gjilpërave të holla që futen në zona specifike të trupit për të arritur një reagim terapeutik. Studimet e kryera gjatë dekadave të kaluara tregojnë se në disa raste akupunktura mund të veprojë duke çliruar neurokimikate, si për shembull endorfina, dhe kjo mund të ndihmojë në qetësimin e dhembjeve e të mahisjeve.

Disa studime tregojnë se akupunktura mund të kurojë me efektshmëri një numër të konsiderueshëm sëmundjesh dhe se ajo është një alternativë e sigurt në vend të përdorimit të anestetikëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë njeh përdorimin e akupunkturës në trajtimin e 104 sëmundjeve. Veç kësaj, një komitet i zgjedhur nga Institutet Kombëtare Shëndetësore të SHBA-së përmendte dëshmi që tregojnë se akupunktura është një terapi e kënaqshme në trajtimin e dhembjeve pas operacioneve, të dhembjeve muskulore, të ngërçeve menstruale, si edhe të përzjerjes e të të vjellave që vijnë si pasojë e kimioterapisë a e shtatzënisë.

Ndonëse në rastin e akupunkturës efektet anësore serioze janë diçka e rrallë, individët mund të provojnë një ndjenjë sëmbuese, mpirje ose mizërim. Sterilizimi i duhur i gjilpërave ose përdorimi i gjilpërave me një përdorim mund të minimizojë rrezikun e infeksionit. Shumë akupunkturistë nuk i kanë aftësitë mjekësore që nevojiten për të përcaktuar siç duhet diagnozën ose për të rekomanduar terapi të tjera më të përshtatshme. Nuk do të ishte e mençur të shpërfillej kjo mungesë e aftësive për të përcaktuar diagnozën, sidomos kur akupunktura zgjidhet për të lehtësuar simptomat e sëmundjeve kronike.

Zgjedhjet janë të panumërta

Më sipër u paraqitën vetëm disa shembuj të terapive të shumta që sot në disa vende njihen në përgjithësi si terapi alternative. Në të ardhmen disa nga këto, si edhe të tjera për të cilat nuk është folur këtu, fare mirë mund të konsiderohen si terapi tradicionale, ashtu siç po konsiderohen tanimë në disa pjesë të botës. Disa të tjera, sigurisht, mund të dalin nga përdorimi ose mund të marrin nam të keq.

Mjerisht, dhembjet dhe sëmundjet janë pjesë e pandashme e përvojës njerëzore, sikurse thotë me mjaft saktësi Bibla: «Ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Është normale që njerëzit të kërkojnë lehtësim. Por, ku mund të drejtohemi për ndihmë? Ju lutemi, shqyrtoni disa vërejtje që mund të jenë një ndihmë kur zgjidhni trajtimin mjekësor.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Kombinimi i bimëve me ilaçet: CILAT JANË RREZIQET?

Shpesh njerëzit janë paralajmëruar që të mos i marrin disa ilaçe të kombinuara me njëra-tjetrën ose me pije alkoolike. A është, gjithashtu, me rrezik që disa bimë mjekësore të merren bashkë me ilaçe? Sa i përhapur është ky zakon?

Në një artikull në The Journal of the American Medical Association flitej për «përdorimin e njëkohshëm të ilaçeve me bimët mjekësore». Aty vërehej: «Ndër 44% të rriturit që thanë se marrin rregullisht ilaçe, afro 1 në 5 (18,4%) pohuan se në të njëjtën kohë përdorin, të paktën, edhe një produkt bimor a një dozë të lartë vitaminash ose të dyja këto.» Është e rëndësishme të jemi të informuar për rreziqet e mundshme të këtij zakoni.

Ata që marrin disa produkte të caktuara bimore duhet të interesohen edhe në rast se do t’i nënshtrohen një procedure mjekësore që ka nevojë për anestezi. Dr. Xhon Nild, president i Shoqatës Amerikane të Anesteziologëve, shpjegoi: «Përvojat tregojnë se disa bimë mjekësore mjaft të përdorura, duke përfshirë edhe xhensenin e lulebasanin, mund të shkaktojnë lëkundje të mëdha të tensionit. Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme gjatë anestezisë.»

Ky mjek shtoi: «Bimë të tjera, si Ginkgo biloba, xhenxhefili dhe bari kundër etheve, mund të vështirësojnë mpiksjen e gjakut, dhe ky është sidomos një rrezik gjatë anestezisë epidurale: nëse ndodh gjakrrjedhje afër shtyllës kurrizore, ajo mund të shkaktojë paralizë. Edhe lulebasani mund të intensifikojë efektet e disa ilaçeve narkotike ose anestetike.»

Pa dyshim, është jetësore të kemi njohuri rreth rreziqeve të mundshme të kombinimit të bimëve të veçanta mjekësore me ilaçet. Veçanërisht gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji duhet të jenë të vetëdijshme për dëmet e mundshme që mund të pësojnë të vegjlit e tyre si pasojë e kombinimit të disa bimëve mjekësore me ilaçet. Prandaj, pacientët inkurajohen të bisedojnë me specialistin e tyre të shëndetësisë për barnat që marrin, qofshin këto alternative ose jo.

[Figurat në faqen 7]

Disa bimë kanë qenë të dobishme në trajtimin e problemeve shëndetësore

Cimicifuga racemosa

Lulebasani

[Burimi]

© Bill Johnson/Visuals Unlimited

[Figura në faqen 7]

Për rezultate më të mira, pacientët dhe specialistët e fushës së shëndetit duhet të punojnë së bashku