Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballimi i sprovave me fuqinë e Perëndisë

Përballimi i sprovave me fuqinë e Perëndisë

Përballimi i sprovave me fuqinë e Perëndisë

TREGUAR NGA STEPAN KOZHEMBA

Një natë, në fillim të prillit të vitit 1951, kamionë me trupa sovjetike erdhën në fshatin tonë ukrainas Steniatin. Ushtarë të armatosur rrethuan shtëpi që i kishin zgjedhur më parë, morën me vete familje të tëra Dëshmitarësh të Jehovait dhe i transportuan në Siberi. Si një 12-vjeçar i ndjeshëm, pyetja veten përse i trajtonin në një mënyrë të tillë dhe si arrinin t’i duronin këto vuajtje.

KAM LINDUR në fshatin Steniatin, në tetor të vitit 1938. Mamaja më vdiq dy javë pasi linda dhe babai u vra në vitin 1944, duke luftuar në ushtrinë sovjetike kundër Gjermanisë. Motrat e babait, Olena dhe Ana më morën me vete dhe më rritën.

Kur isha i vogël, njihja disa Dëshmitarë të Jehovait në fshatin tonë. Sa herë që u lindte mundësia ata na flitnin, mua dhe të tjerëve, për Mbretërinë Mesianike. Me kalimin e kohës, u miqësova me disa të rinj Dëshmitarë. Kur trupat sovjetike i morën me vete dhe i internuan në Siberi, mbeta tërësisht i habitur.

Por jo të gjithë Dëshmitarët i internuan. Stepanin, një Dëshmitar që jetonte afër shtëpisë sime, e lejuan të qëndronte, pasi familjarët e tij nuk ishin Dëshmitarë. Ai ishte gjashtë vjet më i madh se unë, dhe kur mbarova shkollën, punova me të si marangoz. Ai studionte Biblën me mua, duke përdorur çfarëdo kopje të Kullës së Rojës që ishte në dispozicion. Stepani, i cili tani i shërben Perëndisë së vërtetë, Jehovait, në Estoni, u drithërua kur u pagëzova unë, në korrik të vitit 1956.

Kundërshtimi ishte pjesë e jetës së çdo shërbëtori të Jehovait në Ukrainë. Autoritetet bënin kërkime nëpër shtëpi për të gjetur literaturë biblike, kështu që kisha disa vende për të fshehur literaturën. Hallat, Olena dhe Ana, të cilat ishin katolike, nuk ishin dakord për kontaktet e mia me Dëshmitarët. Madje, u përpoqën të ndikonin tek unë, që të mos shoqërohesha më me ta. Në mënyrë të ngjashme me apostullin Pavël, disa herë ndihesha ‘nën një presion tejet të madh përtej forcave të mia’. Por, marrëdhënia që kisha me Perëndinë Jehova më forcoi që të duroja çdo sprovë.​—2 Korintasve 1:8; Filipianëve 4:13.

Beteja për të mbetur asnjanës

Shërbimi në ushtrinë sovjetike ishte i detyrueshëm për të rinjtë në moshën 18-vjeçare. Nga njohuria që kisha për Biblën, isha i vendosur të qëndroja asnjanës për sa u përket çështjeve të botës dhe kjo donte të thoshte që refuzoja të bëja pjesë në ushtrinë sovjetike. (Isaia 2:4; Gjoni 17:14-16) Olena dhe Ana më inkurajuan të shkoja ushtar, ndonëse vetë vëllai i tyre, babai im, ishte vrarë në luftë.

Pasi mora fletëthirrjen, shkova në qendrën ushtarake të zonës sonë dhe shpjegova pozicionin tim. Më arrestuan menjëherë dhe më mbajtën brenda, ndërsa përgatitnin akuzat kundër meje. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u njoftuan as hallat e mia për datën. I dhashë një dëshmi të plotë gjykatësit, prokurorit dhe jurisë së përbërë nga dy veta. Pas 20 minutash, kishte mbaruar gjithçka. Dënimi: pesë vjet burg plus pesë vjet të tjera gjatë të cilave do të humbitja disa të drejta si shtetas.

Kryej dënimin

Pas gjyqit, më çuan në burgun e Lvivit. Për tre muaj, që nga arrestimi deri në transferimin në një kamp pune, nuk pata as shoqëri të krishterë, as Bibël dhe as literaturë biblike. Megjithatë, qëndrova zgjuar frymësisht duke u dëshmuar të burgosurve të tjerë, të cilët e kishin të vështirë ta kuptonin refuzimin tim për të shërbyer në ushtri. Gjatë atyre muajve, u mbështeta në studimin personal që kisha bërë para se të më burgosnin. Përvoja më dha një mësim të vlefshëm: studimi personal i Biblës na ndihmon të ndërtojmë një rezervë frymore, që na mbështet kur dalin sprova.​—Gjoni 14:26.

Në prill të vitit 1958 më transferuan në kampin e punës 21, afër Dniepropetrovskit, më shumë se 700 kilometra larg shtëpisë, për të shlyer kohën që mbetej nga dënimi. Atje, ngriheshim në orën 6.00 të mëngjesit dhe pasi hanim bukë hipnim nëpër kamionë që na çonin rreth 50 kilometra larg, në vendin e punës jashtë kampit. Punonim tetë orë në një kantier ndërtimi dhe pastaj ktheheshim në kamp për të kaluar natën.

Vendet e fjetjes ishin barraka që mbanin rreth njëqind të burgosur secila. Ushqimi ishte i keq dhe kushtet e jetesës minimale, por, të paktën, kisha shoqërinë e dy Dëshmitarëve të tjerë në barrakat ku isha. Secili prej nesh bënte përpjekje të vetëdijshme për të inkurajuar dy të tjerët. Kjo është një mënyrë tjetër se si u siguron Jehovai forcë shërbëtorëve të tij gjatë dëshpërimit: nëpërmjet shoqërisë së bashkëbesimtarëve.​—2 Korintasve 7:6.

Gjithsej, në kamp kishte 12 Dëshmitarë. Disa prej tyre kishin të afërm jashtë që na fshihnin fletë të Kullës së Rojës në racionet e ushqimit. Shumicën e racioneve rojet e hapnin që të kontrollonin përmbajtjen para se të na i jepnin. Por, për të shmangur zbulimin, fletët e Kullës së Rojës mbështilleshin në plasmas dhe vendoseshin në kuti me reçel, të cilat rojet nuk denjonin t’i hapnin. Pasi i merrnim artikujt, i kopjonim me dorë dhe i ndanim me njëri-tjetrin.

Gjithashtu, bënim më të mirën tonë për të predikuar rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe Jehovai na i bekoi përpjekjet. Për shembull, u njoha me një të burgosur tjetër, me emrin Sergei, i cili kishte punuar si llogaritar në një ndërmarrje shtetërore në Ukrainën Lindore. Kur në vendin e tij të punës zbuluan një mashtrim, e konsideruan atë përgjegjës dhe e dënuan me dhjetë vjet burg. Disa Dëshmitarë studiuan me të në burg, duke përdorur çfarëdo revistash që të kishin në dispozicion. Sergei reagoi pozitivisht dhe, në fund, më tha: «Kur të dal nga kampi, dua të pagëzohem si Dëshmitar i Jehovait.» Duke mbajtur fjalën, Sergei u pagëzua pak kohë pasi u lirua dhe i shërbeu me besnikëri Jehovait deri në vdekje.

Pështjellim rreth kapitullit 13 të Romakëve

Më liruan nga burgu në janar të vitit 1963 dhe u ktheva në fshatin tim, në Steniatin. Pothuajse menjëherë e ndjeva se diçka nuk shkonte në kongregacionin vendës në Sokal. Atmosfera ndërmjet vëllezërve ishte e tensionuar. Cili ishte problemi? Çfarë kishte çuar në këtë gjendje pasigurie?

Për vite me radhë, autoritetet sovjetike ishin përpjekur të mbillnin përçarje mes popullit të Jehovait, duke zgjedhur vëllezër për t’i pyetur dhe duke u thënë se Dëshmitarët po përdoreshin për të çuar përpara interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët kishin rekomanduar që Dëshmitarët që gjendeshin në Bashkimin Sovjetik të formonin organizatën e tyre të ndarë, duke shtuar se, më pas, mund të gëzonin marrëdhënie paqësore me Shtetin dhe të liheshin të qetë të praktikonin fenë e tyre pa u persekutuar. Zyrtarët e kishin bërë që e gjithë kjo të dukej tërheqëse.

Pastaj, në Kullën e Rojës, 15 nëntor 1962, e cila doli më vonë në botimin ukrainas të 1 korrikut 1964, u paraqit një kuptueshmëri e re e kapitullit 13 të Romakëve. Deri në atë kohë, kishim kuptuar se ‘autoritetet më të larta’ të përmendura në vargun 1 ishin Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, por Kulla e Rojës vërente se ‘autoritetet më të larta’, në fakt, paraqesin qeveritë tokësore dhe se këto «janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia».​—Romakëve 13:1.

Disa Dëshmitarë e kishin të vështirë ta besonin këtë pikëpamje të ndrequr, pasi krerët e qeverisë tokësore në Bashkimin Sovjetik kishin qenë shumë mizorë në përpjekjet për të zhdukur nga faqja e dheut adhurimin e vërtetë të Perëndisë. Prandaj, këta Dëshmitarë menduan se Kulla e Rojës që përmbante këtë kuptueshmëri të re nuk kishte dalë nga organizata zyrtare e Dëshmitarëve të Jehovait. Menduan se informacioni ishte hartuar nga ata që bënin kompromis me autoritetet, me qëllim që t’i bënin Dëshmitarët më të bindur ndaj shtetit sovjetik.

Kështu, çdo shërbëtor i Jehovait në Ukrainë hasi një pyetje: Cili grup ka të drejtë dhe cili ka gabim? Vërejta Dëshmitarët që mbështetnin secilën palë të diskutimit dhe pyeta veten: ‘Çfarë arsyesh kanë për këtë?’ Shpejt, isha në gjendje të identifikoja një ndryshim të qartë ndërmjet dy palëve.

Pjesa më e madhe e Dëshmitarëve të Jehovait, disa prej të cilëve mund të mos e kishin kuptuar plotësisht shpjegimin e ri të kapitullit 13 të Romakëve, donin të qëndronin me besnikëri pas Jehovait dhe organizatës së tij. Por të tjerë kishin filluar të vinin në dyshim që botimet e kohëve të fundit të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract vinin ende nga organizata zyrtare e Dëshmitarëve të Jehovait. Këta persona kishin, gjithashtu, prirjen për të pasur pikëpamje ekstremiste për disa çështje. Për shembull, mendonin se ishte e gabuar që një nuse të vishte fustan të bardhë ditën e dasmës dhe që të martuarit të mbanin unazë martese. Disa individë e lanë organizatën. Megjithatë, me kalimin e kohës shumë prej tyre e kuptuan gabimin dhe u rikthyen për t’i shërbyer Jehovait.

Aktivitet në fshehtësi

Ndonëse aktivitetet tona të krishtere ishin të ndaluara, sa herë që ishte e mundur mbanim mbledhjet javore në grupe me nga 10 deri në 15 veta. Nga mbledhjet merrnim forcë frymore, si nga studimi i Biblës, ashtu edhe nga shoqërimi pas studimit. Krahasonim përvojat tona dhe kjo na ndihmonte të kuptonim që secili kishte të njëjtën betejë. Merrnim për zemër atë që shkroi apostulli Pjetër: «Të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.»​—1 Pjetrit 5:9.

Artikuj në Kullën e Rojës përbënin bazën e diskutimeve tona. Si na vinin revistat? Dëshmitarë që vepronin si korrierë sillnin kopje në mikrofilma nga kufiri brenda në Ukrainë. Këta mikrofilma kalonin nëpër një radhë të vendosur që më përpara, nga një Dëshmitar te tjetri. Më pas, secili prej tyre bënte mjaft kopje sa për kongregacionin e tij. Disa herë, u përfshiva edhe unë në bërjen e këtyre kopjeve. Punoja tërë ditën dhe mbahesha i zënë në shërbim të Jehovait tërë natën, duke bërë revista dhe duke u marrë me gjëra të tjera. Ishte një sfidë t’i përmbaheshe programit, por ata nga ne që kishin përgjegjësi në organizatë mësuan se Jehovai «i jep forcë të lodhurit».​—Isaia 40:29.

Krijonim mundësi për të folur për Biblën me njerëzit që takonim. Shumë prej nesh e bënin këtë ndërsa ishin në mjetet e transportit publik. Një metodë e zakonshme për të filluar biseda ishte thjesht të lexoje gazetën e përditshme dhe pastaj, rastësisht, t’i përmendje lajmet më të fundit pasagjerit që kishe afër. Pasi fillonte biseda, e shtynim drejt një teme biblike. Në këtë mënyrë e përhapnim lajmin e mirë në zonën tonë.

Një grua të aftë

Në vitin 1965 u martova me Tamarën, e cila ishte rritur si shërbëtore e Perëndisë së vërtetë dhe e dinte çfarë do të thoshte të qëndroje për besimin nën sprova. Vëllai i saj, Sergei ishte arrestuar dhe gjykuar tri herë për aktivitetet e tij si Dëshmitar. Në rastin më të fundit, i kishin gjetur kopje të Kullës së Rojës dhe e kishin dënuar me dhjetë vjet burg. Vetë Tamarën e kishin çuar autoritetet në qendrën e tyre për ta pyetur dhe e kishin kërcënuar se do ta burgosnin.

E kishim të vështirë të gjenim një vend për të jetuar pas martesës, por një familje në Sokal, të cilët ishin miqësorë ndaj Dëshmitarëve, na ofruan një dhomë të vogël në shtëpinë e tyre, me qira të ulët. Familja na siguroi se Tamara mund të vazhdonte të jetonte në atë dhomë, po të më arrestonin dhe të më burgosnin përsëri. Ime shoqe dhe unë i ishim mirënjohës Jehovait për bekimin e tij dhe familjes për mirëdashjen e saj. Më vonë, kur familjes i ndodhi një vdekje, Tamara përfitoi nga rasti për t’i shpjeguar shpresën e ringjalljes vajzës së shtëpisë, Galinës. Farërat e së vërtetës biblike dhanë fryte dhe Galina filloi ta donte Krijuesin tonë. Ajo u pagëzua dhe tani i shërben Jehovait, së bashku me të shoqin.

Shumicën e fundjavëve në vitet 70, udhëtoja në pjesë të ndryshme të Ukrainës, si edhe në Moldavi (Moldova) e në malet Karpate, duke takuar dhe duke inkurajuar ata që po merrnin drejtimin në organizatën e Jehovait. Normalisht, ikja të premten në darkë dhe kthehesha në shtëpi të dielën vonë. Rrallëherë, Tamara e dinte ku po shkoja dhe disa herë, nuk ishte e sigurt as nëse do të kthehesha. Kjo situatë zgjati për disa vjet. Vetëm mund të ripohoj atë që thotë Bibla për një grua të aftë: «Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.»​—Fjalët e urta 31:10.

Në ato ditë, çdo aktivitet si një Dëshmitar i Jehovait përfshinte njëfarë rreziku. Mundëm të vazhdonim vetëm me anë të forcës që siguron Jehovai. Shumë e shumë herë kam hasur situata të vështira dhe nuk kam ditur çfarë të bëj. Prandaj, thosha një lutje në heshtje dhe mbështetesha te Jehovai për forcë. Kjo u bë mënyra jonë e jetesës.​—Veprat 4:29.

Kohët më të fundit

Me kalimin e kohës, jeta për shërbëtorët e Jehovait në Ukrainë u bë më e lehtë. Persekutimi u zbut dhe dënimet me burg u zëvendësuan me gjoba. Në vitet 80, autoritetet arritën ta kuptonin se Dëshmitarët e Jehovait janë vërtet një organizatë ndërkombëtare. Kështu, duke burgosur Dëshmitarët në Ukrainë dhe gjetkë në Bashkimin Sovjetik, shteti po dëmtonte reputacionin e tij me vendet e jashtme. Më kujtohet një herë ndërsa po më merrte në pyetje një zyrtar, i cili më tha: «Tani e kuptojmë se feja nuk është medoemos e keqe. Meraku ynë kryesor është që një grup fetar të mos dëmtojë shtetin.»

Në Evropën Lindore, Perdja e Hekurt filloi të hapej në fund të viteve 80 dhe, që nga ajo kohë, kemi gëzuar liri më të madhe në Ukrainë. Në vitin 1991 vepra jonë e predikimit u njoh zyrtarisht. Pastaj, në shtator të vitit 1998, Shoqata Watch Tower vendosi një zyrë dege në Lviv. Në fillim të vitit 1999 filloi ndërtimi i një ndërtese të re për degën, e cila do të mbajë më shumë se 170 punëtorë. Tani në Ukrainë kemi më shumë se 112.000 veta që marrin pjesë në veprën e predikimit dhe më shumë se 250.000 veta ndoqën Përkujtimin në vitin 2000. Ajo që është më e habitshme është numri i të rinjve në radhët tona. Në një kongres në Kiev në vitin 1991, një reportere gazete më pyeti:

«Nga vijnë gjithë këta njerëz? Mendoja se në Bashkimin Sovjetik nuk kishte Dëshmitarë dhe papritur, ja tek janë me mijëra!»

«Nuk dolëm papritur brenda një nate,​—i thashë.​—I kemi shërbyer Jehovait këtu për shumë vjet.»

«Si ia bëni për të tërhequr kaq shumë të rinj në fenë tuaj?»​—donte të dinte.

«E mira e të mirës është që të pyetni vetë të rinjtë. Ata do t’ju thonë përse duan t’i shërbejnë Jehovait.»

«I kam pyetur tashmë,​—tha reporterja.​—Më thanë se gjejnë kënaqësi në këtë.»

«Atëherë kjo është arsyeja,​—shtova.​—Nëse kjo është ajo që thonë të rinjtë tanë, atëherë ky është shpjegimi.»

Të rinjtë nuk janë të vetmit që gjejnë kënaqësi duke i shërbyer Jehovait. Unë dhe Tamara i kemi shërbyer atij për 80 vjet, të marra së bashku, dhe nuk do të dëshironim ta ndërronim besimin tonë me asgjë. Ndonëse jemi Dëshmitarë të Jehovait, ende kemi probleme. E kuptojmë se për sa kohë të zgjatë ky sistem i vjetër, të gjithë do të vazhdojnë të hasin vështirësi. Por ne jemi më të pajisur për të përballuar sprovat, sesa çdo grup tjetër njerëzish në tokë. Qëndrojmë të vendosur t’i përballojmë këto sprova siç kemi bërë në të kaluarën, me forcën e Perëndisë tonë të plotfuqishëm, Jehovait. Ndihemi si Moisiu kur këndoi këngën e fitores: «Forca ime dhe fuqia ime është Jah, sepse shërben për shpëtimin tim.»​—Eksodi 15:2, BR.

[Figura në faqen 22]

Me Dëshmitarë të tjerë në kampin e punës 21

[Figura në faqen 22]

Mikrofilm i një reviste «Kulla e Rojës» në gjuhën ukrainase (përmasa reale)

[Figura në faqen 23]

Me gruan, Tamarën

[Figura në faqet 24, 25]

Skicë e një artisti për kompleksin e ri të degës që po ndërtohet në Lviv

[Figurat në faqen 25]

Përse kaq shumë të rinj në Ukrainë i shërbejnë Jehovait?