Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekje për ta nxjerrë Vatikanin nga OKB-ja

Përpjekje për ta nxjerrë Vatikanin nga OKB-ja

Përpjekje për ta nxjerrë Vatikanin nga OKB-ja

AGJENCIA e lajmeve Inter Press Service (IPS), me bazë në Romë, raportoi se «një koalicion ndërkombëtar prej më shumë se 70 organizatash joqeveritare (OJQ) ka ndërmarrë një fushatë globale për ta nxjerrë Vatikanin nga Kombet e Bashkuara.» Aktualisht, Vatikani është vëzhgues i përhershëm ose shtet joanëtar në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtë status Vatikani e ka pasur që nga viti 1964.

Përse ky grup OJQ-sh, i cili në fund të prillit të vitit të kaluar ishte rritur në 100 organizata në mbarë botën, kundërshton pozitën e Vatikanit në Kombet e Bashkuara? Sepse, siç argumentojnë OJQ-të, Vatikani është një autoritet fetar, jo një shtet politik. Fransis Kisling, presidente e shoqatës Katolikët për një Zgjedhje të Lirë, tha për IPS se koalicioni nuk kundërshton të drejtën e Vatikanit për të shprehur pikëpamjet e tij, por «ajo që është në pikëpyetje është e drejta e këtij joshteti për të zënë të njëjtin vend me qeveritë».

Anika Rahman, drejtoreshë e International Programmes at the Centre for Reproductive Law and Policy, është dakord me këtë. IPS-ja citon fjalët e saj se, «nëse Kombet e Bashkuara e trajtojnë Selinë e Shenjtë si një shtet me privilegje të vëzhguesit të përhershëm për shkak të autoritetit të tij fetar, ky trup botëror po krijon një precedent që edhe fe të tjera të kenë pretendime të ngjashme». Ajo shtoi: «Për t’u siguruar se Kombet e Bashkuara nuk përkrahin asnjë fe të veçantë, entet fetare, si Kisha Katolike e Romës, nuk duhen lejuar të marrin pjesë në këtë forum si shtete joanëtare.»

Por, ç’të themi për argumentimin se Vatikani është një shtet, prandaj ka të drejtën për statusin aktual? «Kjo është një fjalë me kuptim të dyfishtë gjuhësor,​—u përgjigj znj. Kisling në një intervistë.​—Mendojmë se ky, në thelb, është një përkufizim që i bëhej shtetit në shekullin e 15-të, dhe se, në fakt, Selia e Shenjtë është struktura udhëheqëse e fesë.» Ajo shtoi se termat «Vatikan» dhe «Selia e Shenjtë» janë që të dyja «sinonime të Kishës Katolike të Romës».

Një pjesë e mirë e pakënaqësisë së OJQ-ve kundër pozitës aktuale të Vatikanit në Kombet e Bashkuara shkaktohet nga pikëpamja e Vatikanit rreth çështjeve të popullimit. Për shembull, Vatikani i ka përdorur konferencat e Kombeve të Bashkuara​—siç ishte Konferenca Ndërkombëtare mbi Popullsinë dhe Zhvillimin, mbajtur në vitin 1994 në Kajro dhe Konferenca e Grave në vitin 1995 në Bezhin​—për të shprehur pikëpamjet e tij të forta kundër planifikimit familjar. «Meqë Kombet e Bashkuara i marrin shumicën e vendimeve me konsensus,​—vëren IPS-ja,​—zëra kundërshtues, si ato të Vatikanit, kanë prishur bisedimet për çështjet që lidhen me popullsinë, kontraceptimin, të drejtat e grave dhe kujdesin shëndetësor për riprodhimin.»

Sipas znj. Kisling, «roli i përshtatshëm i Vatikanit është ai i një OJQ-je, i njëjti si të gjitha OJQ-të e tjera që përfaqësojnë myslimanët, hinduistët, budistët, bahajt dhe organizata të tjera fetare». Koalicioni dëshiron që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, dhe, përfundimisht, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, t’i bëjë një rishikim zyrtar vendit që zë Vatikani në trupin më të madh politik të botës.

[Figurat në faqen 31]

Zyrtar i Vatikanit flet para OKB-së

[Burimet]

Fotografi OKB/DPI nga Sofia Paris

Fotografi e OKB-së 143-936/J. Isak