Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shëndet më i mirë: Një prirje e re?

Shëndet më i mirë: Një prirje e re?

Shëndet më i mirë: Një prirje e re?

Pak çështje u interesojnë njerëzve aq shumë sa shëndeti. Nganjëherë duket se opinionet janë po aq të shumta sa profesionistët e fushës së shëndetit. Në vend që të mbajë anën e ndonjërës nga këto, Zgjohuni! përpiqet që me këtë seri artikujsh të informojë rreth përdorimit gjithnjë e më të madh të atyre trajtimeve, që quhen zakonisht alternative. Nuk përkrahim ndonjë nga trajtimet mjekësore për të cilat do të flasim a ndonjë tjetër. Sigurisht, shumë lloje trajtimesh nuk janë përmendur​—disa nga të cilat mjaft të përhapura, disa të tjera objekt debatesh. Të mësosh rreth çështjeve shëndetësore mendojmë se është në përgjithësi diçka e dobishme; vendimet rreth çështjeve shëndetësore janë krejtësisht personale.

ÇDOKUSH dëshiron të jetë i shëndetshëm. Por shëndeti i mirë mund të jetë diçka e paarritshme, siç mund të shihet nga numri i njerëzve që ankohen për shëndetin. Disa mendojnë se nuk ka pasur kurrë kaq shumë njerëz të sëmurë, sa sot.

Për të luftuar sëmundjet, shumë mjekë mbështeten në një masë të madhe te dhënia me recetë e ilaçeve që prodhojnë e reklamojnë me ngulm firmat farmaceutike. Është domethënës fakti që dekadat e fundit tregtia botërore e këtyre ilaçeve ka kapur qiejt, duke arritur nga vetëm pak miliardë dollarë çdo vit në qindra miliardë dollarë në vit. Cili ka qenë rezultati?

Ilaçet e dhëna me recetë nga mjeku kanë ndihmuar shumë njerëz. Megjithatë, shëndeti i disa prej atyre që marrin ilaçe ose ka mbetur i pandryshuar, ose është përkeqësuar. Ndaj, kohët e fundit disa i janë kthyer përdorimit të metodave të tjera të trajtimit mjekësor.

Ku po drejtohen për ndihmë shumë veta?

Në vendet ku mjekësia moderne tradicionale ka qenë standardi i kurimit, shumë veta po u drejtohen tani për ndihmë atyre që janë quajtur terapi alternative ose plotësuese. «Ai Mur Berlini që i ka ndarë për shumë e shumë kohë terapitë alternative nga rryma kryesore e mjekësisë duket se po shembet»,​—thuhet në numrin e majit 2000 të revistës Consumer Reports.

Në numrin e 11 nëntorit 1998 të revistës mjekësore The Journal of the American Medical Association (JAMA), vërehej: «Terapitë mjekësore alternative​—që nga ana funksionale janë përkufizuar si ndërhyrje e që as nuk mësohen gjerësisht në shkollat mjekësore, as nuk janë në dispozicion në masë të madhe në spitalet e SHBA-së​—kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave, të komunitetit mjekësor, të agjencive qeveritare dhe të publikut në shkallë kombëtare.»

Megjithatë, duke përmendur disa prirje të kohëve të fundit, Journal of Managed Care Pharmacy në vitin 1997 shpjegonte: «Në të kaluarën, profesionistët e mjekësisë tradicionale kanë qenë skeptikë rreth praktikave mjekësore alternative. Por tani 27 fakultete mjekësie në Shtetet e Bashkuara [në një raport të kohëve më të fundit thuhet 75], ku përfshihen edhe Harvardi, Stanfordi, Universiteti i Arizonës dhe Jeilit, ofrojnë stërvitje fakultative në mjekësinë alternative.»

JAMA tregohej se çfarë po bëjnë shumë pacientë në përpjekje për të përmirësuar shëndetin e tyre. Aty raportohej: «Në vitin 1990, përafërsisht 1 në 5 (19,9%) individë që vizitohej te mjeku për një sëmundje serioze përdorte edhe një terapi alternative. Në vitin 1997, ky numër u rrit në afro 1 në 3 (31,8%) veta.» Në artikull vërehej, gjithashtu: «Anketa kombëtare të kryera jashtë Shteteve të Bashkuara tregojnë se mjekësia alternative është e përhapur anembanë botës së industrializuar.»

Sipas revistës JAMA, përqindja e popullsisë që përdorte trajtime alternative gjatë një periudhe 12-mujore të kohëve të fundit ishte 15 për qind në Kanada, 33 për qind në Finlandë dhe 49 për qind në Australi. «Bie në sy numri i kërkesave për terapi alternative»,​—pranohej në JAMA. Kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh faktin që terapitë alternative përfitojnë rrallë nga ndihmat financiare që japin sigurimet shoqërore. Kështu artikulli në JAMA përfundonte: «Në rast se në të ardhmen siguracioni për terapitë alternative rritet, përdorimi i tanishëm i këtyre terapive ka të ngjarë që të jetë një pasqyrim i zvogëluar i shkallës së përdorimit të tyre.»

Prirja për t’i shkrirë terapitë alternative me ato tradicionale ka qenë nga shumë kohë një praktikë e përhapur në mjaft vende. Dr. Piter Fisher, i Spitalit Homeopatik Mbretëror të Londrës, vërejti se format kryesore të mjekësisë plotësuese janë bërë «gati-gati tradicionale në shumë vende. Nuk ka më dy lloj trajtimesh mjekësore: tradicional dhe plotësues,​—tha ai.​—Ka vetëm trajtim të mirë dhe të keq».

Kësisoj, sot shumë profesionistë në fushën e mjekësisë po pranojnë si vlerat e mjekësisë tradicionale, ashtu edhe ato të terapive alternative. Në vend që të këmbëngulin se një pacient duhet të pranojë ose njërën formë të mjekësisë, ose tjetrën, ata rekomandojnë të nxirret dobi nga gjithçka që provohet se i bën mirë pacientit midis tërë formave të ndryshme të terapive kuruese.

Cilat janë disa metoda kurimi të asaj që quhet mjekësi alternative ose plotësuese. Kur dhe ku zunë fill disa prej tyre? E përse kaq shumë veta po i përdorin?