Zgjedhja e trajtimit mjekësor
Zgjedhja e trajtimit mjekësor
NË LIBRIN e tij rreth mjekësisë alternative, dr. Izador Rozenfeld theksoi këtë pikë: «Çfarëdo mase ose ndërhyrje shëndetësore ndaj një grupi individësh të zgjedhur në mënyrë të rastësishme, të cilët i kanë siguruar se ajo do t’u ‘bëjë mirë’, mund të sjellë përmirësime në gjysmat e rasteve.»
Ky është quajtur efekti qetësues, që do të thotë se edhe një pilulë sheqeri mund të jetë e efektshme nëse personi beson se ka për të qenë e tillë. Efekti qetësues mund të zbutë simptomat subjektive, që përfshijnë dhembjet, ndjenjën e të vjellit, lodhjen, marramendjen, ankthin dhe depresionin. Çfarë zbulon ky fakt?
Nga një anë tregon se besimi te kura që marrim, çfarëdo qoftë ajo, është në mjaft raste një
faktor i rëndësishëm për t’u përmirësuar. Në të njëjtën kohë, mund të jetë e mençur të bëjmë një shqyrtim për të parë nëse një mënyrë kurimi po trajton rrënjën e problemit e jo thjesht simptomat. Kjo mund të bëhet duke i vlerësuar efektet e trajtimit me mënyra objektive, siç janë analizat laboratorike dhe grafitë.Gjithsesi, një person mund të bëjë më tepër se kaq kur zgjedh një formë trajtimi mjekësor.
Hapa të rëndësishëm që duhen marrë
Është e mençur të bëhen kërkime para se të merret një vendim. Bëni pyetje. Çfarë rezultatesh mund të priten? Cilat janë epërsitë, minuset, shpenzimet e pritshme dhe kohëzgjatja e trajtimit? Flisni me ata njerëz që kanë marrë ose që i janë nënshtruar kurës për të cilën bëhet fjalë. Pyetini nëse u ka sjellë dobi. Mos harroni, gjithsesi, se dëshmitë që merren thjesht nga përvoja e të tjerëve mund të jenë mashtruese.
Një formë terapie jotradicionale mund të mos jetë e këshillueshme nëse e bën dikë të heqë dorë nga një trajtim që ka treguar se është i suksesshëm, edhe sikur përqindja e suksesit të terapisë tradicionale të jetë e kufizuar. Dëshmi për dëmin që mund të vijë si pasojë u paraqitën në një artikull në revistën mjekësore The New England Journal of Medicine. Në revistë përshkruhej zhvillimi i kancerit te dy pacientë të vegjël që refuzuan terapitë tradicionale ndërkohë që përdornin kura alternative. Njëri nga këta pacientë vdiq.
Njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike ose nga sëmundje kërcënuese për jetën qëndrojnë me mençuri syhapur ndaj faktit që mund të jenë shënjestra të lehta të sharlatanëve, të cilët reklamojnë terapi mashtruese. Kini kujdes nga çfarëdo produkti që premton se shëron një shumëllojshmëri sëmundjesh. Një shembull i kohëve të fundit kishte të bënte me një vitaminë të re, që thuhej se kishte «ndihmuar për të eliminuar gjithçka, që nga problemet e frymëmarrjes dhe mungesa e energjisë deri te sëmundjet e rrezikshme për jetën». Një analizë e «vitaminës» zbuloi se ajo nuk ishte asgjë tjetër përveçse ujë i kripur.
Pa dyshim që disa forma të terapive alternative mund të jenë të dobishme për të kthyer shëndetin e mirë. Megjithatë, jini realistë në atë që prisni. Është e mençur të përqendroheni në ngrënien e një ushqimi të shëndetshëm, të bëni gjumë të mjaftueshëm, të ushtroheni sa ç’duhet dhe të jeni të kujdesshëm kur zgjidhni trajtimin mjekësor.
Zgjidhja e çështjes
Është e qartë se asnjë terapi e krijuar nga njeriu nuk mund t’u japë fund të gjitha sëmundjeve dhe vdekjes që vjen përfundimisht. Kjo ndodh ngaqë këto i kemi trashëguar nga prindi ynë i hershëm, nga njeriu i parë, Adami. (Jobi 14:4; Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Shumë trajtime mjekësore—të çfarëdo lloji—ka të ngjarë të dalin dobiprurëse, por sidoqoftë s’janë veçse masa të përkohshme që mund ta zgjatin jetën dhe ta bëjnë atë më të këndshme për një kohë të kufizuar. Megjithatë, ekziston një kurë e sigurt për problemin e shëndetit të keq, dhe miliona njerëz e kanë zbuluar tashmë cila është.
Kjo kurë është siguruar nga Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, Mjeku i Madh. Duke ushtruar besim tek ai dhe duke nxjerrë dobi nga vlera mëkatshlyese e flijimit shpërblyes të Birit të tij, Jezu Krishtit, do të keni mundësi të gëzoni shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme në një botë pa sëmundje! (Mateu 20:28) Bibla premton se në atë botë të re «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24, BR.
[Diçitura në faqen 12]
Miliona njerëz kanë gjetur të vetmen shpresë të sigurt për një shëndet të përsosur