Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të sjellë shkenca jetë të përhershme?

A mund të sjellë shkenca jetë të përhershme?

Pikëpamja e Biblës

A mund të sjellë shkenca jetë të përhershme?

VITE MË PARË, një pyetje e tillë do të dukej absurde. Megjithatë, sot, disa njerëz janë duke e shqyrtuar seriozisht këtë mundësi. Tashmë, shkencëtarët kanë arritur të dyfishojnë jetëgjatësinë e mizës së uthullës dhe të krimbave, duke përdorur teknika që disa mendojnë se mund të zbatohen edhe te njerëzit.

Kërkimet kanë treguar se qelizat normale njerëzore janë të vdekshme dhe ndahen vetëm një numër të kufizuar herësh. Pas kësaj, nuk vazhdojnë më të ndahen. Është një proces i krahasuar me një orë të brendshme, që përcakton kur njerëzit plaken dhe vdesin. Tani shkencëtarët po punojnë që ta ndryshojnë përcaktimin e kësaj ore.

Sipas një teorie të njohur, çelësi i plakjes qëndron në skajet e çdo vargu të ADN-së, një zonë e quajtur telomer. Telomeret janë krahasuar me kokën plastike në fund të lidhëseve të këpucëve, që ka si qëllim të pengojë shthurjen e lidhëseve. Shkencëtarët kanë vënë re se sa herë që disa qeliza ndahen, telomeret shkurtohen si një fitil që digjet. Së fundi, duket se telomeret shkurtohen deri në atë pikë sa qeliza nuk ndahet më. Por, me praninë e një lloj enzime, telomeret nuk shkurtohen. Kështu, sipas teorisë, kjo mund t’u japë mundësi qelizave të vazhdojnë të ndahen pafundësisht. Drejtuesi i një kompanie të përfshirë në këtë punë tha: «Kjo është hera e parë që mund të kemi një koncept për pavdekësinë njerëzore.» Por jo të gjithë shkencëtarët janë dakord me këtë.

Si erdhi vdekja?

Natyrisht, njerëzit që kanë besim në Bibël, kanë besuar prej mijëra vjetësh se jeta e përhershme është e mundur. Ata nuk e vënë besimin e tyre te shkencëtarët njerëzorë, por te Shkencëtari Më i Madh, që krijoi çdo gjë që jeton, Perëndia Jehova.​—Psalmi 104:24, 25.

Bibla tregon se vdekja njerëzore nuk ishte pjesë e qëllimit të Krijuesit. Çifti i parë njerëzor u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe u vendos në një kopsht parajsor. Ata ishin të përsosur, pa asnjë të metë mendore ose fizike. Si të tillë, kishin perspektivën të jetonin përgjithmonë në tokë. Kjo ishte vetë dëshira e Perëndisë për ta. Ai i udhëzoi të sillnin në jetë fëmijë dhe pak nga pak ta zgjeronin parajsën në të gjithë tokën.​—Zanafilla 1:27, 28; 2:8, 9, 15.

Siç tregohet te Zanafilla, kapitulli 3, edhe pse e dinte se ndëshkimi ishte vdekja, Adami u rebelua vullnetarisht kundër Perëndisë. Për më tepër, duke ndjekur rrugën e mosbindjes, ai solli mëkatin dhe vdekjen mbi të gjithë pasardhësit e tij të palindur. Apostulli Pavël e shpjegoi këtë gjë në këtë mënyrë: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm vdekja hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Me fjalë të tjera, meqenëse Adami mëkatoi, trupi i tij nuk ishte më i përsosur. Ai dalëngadalë u plak dhe vdiq. Pasardhësit e tij trashëguan po këtë papërsosmëri.

Kështu, vdekja e njeriut erdhi si pasojë e rebelimit të Adamit që u pasua nga gjykimi i Perëndisë. Njerëzit nuk do të kenë sukses në përpjekjen për ta prapësuar këtë gjykim. Megjithëse shkenca ka bërë shumë përparime në fushën e mjekësisë, fjalët e Moisiut të shkruara 3.500 vjet më parë tingëllojnë ende të vërteta: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre, nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.»​—Psalmi 90:10.

Masa që ka marrë Jehovai për jetën e përhershme

Lumturisht, ka ende shpresë! Edhe pse tani për tani të gjithë njerëzit së fundi vdesin, qëllimi i Jehovait nuk është që kjo situatë të vazhdojë pambarimisht. Ndërsa Adami dhe Eva e merituan vdekjen, Perëndia e dinte se do të kishte shumë mes fëmijëve të tyre të palindur që do t’i përgjigjeshin me çmueshmëri përkujdesjes së tij të dashur. Për këta njerëz ai mori masa për një jetë të pafundme mbi tokë. Psalmisti shkroi: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) Por, si do të kryhet një gjë e tillë?

Kjo nuk do të ndodhë si rezultat i zbërthimit të mistereve të ADN-së nga ana e njeriut. Përkundrazi, jeta e përhershme është një dhuratë që Jehovai do t’ua japë atyre që ushtrojnë besim tek ai. Duke ditur se pasardhësit e Adamit e të Evës kishin nevojë për një çlirim, ai siguroi një mjet për ta, që të fitonin jetën e përhershme​—flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. Jezui iu referua kësaj shpërblese kur tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16.

Ashtu si Adami, Jezui ishte një njeri i përsosur. Ndryshe nga Adami, Jezui iu bind në mënyrë të përsosur Perëndisë. Kështu ai mundi ta flijonte jetën e tij të përsosur, për të paguar mëkatin e Adamit. Me anë të këtij veprimi të dashur, i cili baraspeshoi peshoren e drejtësisë, fëmijët e Adamit mundën të çlirohen nga dënimi me vdekje. Si pasojë, të gjithë ata që ushtrojnë besim te Jezu Krishti do të marrin dhuratën e Perëndisë, jetën e përhershme.​—Romakëve 5:18, 19; 1 Timoteut 2:5, 6.

Nëse njerëzit do të ishin në gjendje ta kapërcenin papërsosmërinë dhe t’i siguronin vetes jetën e përhershme, atëherë nuk do të kishte nevojë për një shpërblesë. Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është te Zoti, Perëndia i tij, që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë.»​—Psalmi 146:3-6.

Jeta e përhershme nuk do të vijë si rezultat i kërkimeve shkencore, por nga Jehovai. Çfarëdo që Perëndia vendos të bëjë, mund dhe do ta bëjë. «Te Perëndia asnjë deklaratë nuk do të jetë gjë e pamundur».​—Luka 1:37.

[Burimi i figurës në faqen 18]

© Çarls Orriko/Super Stock, Inc.