Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jelloustoni​—Ndërthurje e ujit, shkëmbit dhe zjarrit

Jelloustoni​—Ndërthurje e ujit, shkëmbit dhe zjarrit

Jelloustoni​—Ndërthurje e ujit, shkëmbit dhe zjarrit

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Shtetet e Bashkuara

Kur flet me terma në shkallën sipërore, kur flet për parkun e parë kombëtar në botë, për gejzerët më të njohur e më të lartë të botës dhe liqenin më të madh malor të Amerikës veriore, atëherë po përshkruan Jelloustonin.

ME NJË kureshtje të paduruar, bashkë me gruan, e ngamë makinën drejt hyrjes veriore të Parkut Kombëtar Jellouston në Uajoming, SHBA. Që në fëmijëri, emri i Besueshmi i Vjetër dhe terma të tillë, si «gejzer» dhe «burim ujërash termale» na kishin ngjallur kureshtjen. A do të ishte në realitet ashtu siç e përfytyronim?

Në hyrjen kryesore për në park pamë një hark të madh guri. Në pjesën e sipërme të tij gjendeshin të gdhendura fjalët: «Për dobinë dhe kënaqësinë e njerëzve.» Parku Jellouston u hap në vitin 1872 dhe ishte i pari park kombëtar në botë.

Ne filluam me Burimet Gjigante të Ujërave Termale, që ndodhen sapo kalon kufirin nga Montana. Këtu nxehtësia që dilte nga toka dukej qartë që kryente një aktivitet intensiv. Uji vlonte dhe nxirrte flluska nga pellgjet dhe gropat. Nga të çarat ngriheshin kolona avulli. Brezaret me mineral ngjyrë rozë, që quhet travertine, ngjasonin me dyllin që pikon nga qiriu.

Çfarë zien nën Jellouston?

Në Jellouston gjenden afërsisht 10.000 mrekulli gjeotermale. Ndarja Kontinentale * pret mes për mes këtë pllajë të lartë të Shkëmborëve. Ujërat rrjedhin drejt perëndimit dhe drejt lindjes por futen edhe në tokë. Mësuam se pikërisht me anë të këtyre ujërave që futen në tokë i kryen Jelloustoni mrekullitë e tij. Shpërthimet e mëdha vullkanike të ndodhura kohë më parë e çanë pllajën. Mijëra vjet më parë një nga këto shpërthime la një krater gjigant me përmasa 75 km me 45 km. Magma ose shkëmbi i shkrirë që rri i fshehur nën sipërfaqe, bën që ende Jelloustoni të ziejë nën vete.

Ekspozitat e parkut me pamje dhe informacione të ndryshme, shpjegojnë se uji i sipërfaqes depërton ngadalë nëpër shkëmbin poroz derisa arrin një shtresë shkëmbi që është jashtëzakonisht e nxehtë, tamam sipër magmës. Nxehtësia e detyron ujin të ngrihet sërish lart. Kur gjen një dalje formohet një burim uji termal. Kur pengesa në shkëmb e pengojnë ngritjen lart të ujit të nxehur, krijohet presion dhe formohet një gejzer. Në vende të tjera lagështira del jashtë në formë avujsh. Këto dalje quhen oxhakë vullkanikë. Në burimet termale ku pluskon balta, gazet acide dhe uji e shpërbëjnë dheun në baltë dhe argjilë. Ç’pamje madhështore!

I Besueshmi i vjetër

Duke parë të gjithë aktivitetin gjeotermik përreth Burimeve Gjigante të Ujërave Termale, menduam se duhej të ishim në afërsi të gejzerit më të famshëm, i Besueshmi i Vjetër. Vetëm kur pamë hartën tonë të udhëtimit, e kuptuam se i Besueshmi i Vjetër ishte 80 km në jug. Jelloustoni është shumë më i madh nga ç’mendonim ne. Ai ka një sipërfaqe prej 900.000 ha.

Për të arritur tek i Besueshmi i Vjetër, morëm rrugën që dredhonte drejt pjesës perëndimore të parkut. Ajo i çon vizitorët matanë pesë gropave të gejzerëve. Shpejt filluam të mësoheshim me erën e squfurit dhe pamjen e avujve që ngriheshin.

Si ata miliona të tjerë që e kishin vizituar të Besueshmin e Vjetër përpara nesh, donim të dinim se kur do të shpërthente gejzeri. Gjithmonë kishim menduar se ai shpërthente me një rregullsi fikse​—saktësisht çdo 57 minuta. Por duke vështruar përreth, pamë një tabelë ku thuhej se shpërthimi tjetër i gejzerit parashikohej të ndodhte në 12.47 të drekës. Duhej tamam më shumë se një orë akoma dhe koha se kur do të ndodhte ishte thjesht një parashikim. Lidhur me këtë pyetëm Rikun, një rojtar të parkut.

«Rregullsia fikse e të Besueshmit të Vjetër është një mit,​—tha ai.​—Koha ndërmjet shpërthimeve ka ndryshuar gjithmonë dhe gjatë viteve është zgjatur për shkak të tërmeteve dhe për shkak se janë hedhur objekte të ndryshme brenda gejzerit nga ana e vandalëve. Sot intervali mesatar është rreth 80 minuta. Personeli ynë vetëm sa mund të parashikojë shpërthimet një për çdo herë.»

Tani ora ishte 12.30 e drekës. Ne vazhduam drejt të Besueshmit të Vjetër për të kapur shpërthimin tjetër të parashikuar. Qindra njerëz ishin ulur në zonën e caktuar për shikuesit ose ishin rrugës për atje. I Besueshmi i Vjetër na la të pritnim dhjetë minuta. Por kur shpërtheu kishte një bukuri që asnjë fotograf nuk mund ta përçojë. Pasi pastroi fytin me ca shpërthime të parregullta, mori hov. Të gjithë duartrokitën. Shpërthimi zgjati rreth tre minuta dhe për kënaqësinë tonë ishte veçanërisht i lartë. Uji dhe stërkalat u ngritën dhe ranë duke arritur një lartësi maksimale 37 deri 46 metra. Stërkalat u goditën nga rrezet e diellit dhe u shpërndanë në forma të ndryshueshme.

Kur shpërthimi përfundoi, shkuam në hyrjen e hotelit aty afër. Megjithatë, i Besueshmi i Vjetër vazhdoi ta demonstronte praninë e tij. Gjatë pjesës tjetër të ditës, sa herë që afrohej momenti tjetër i parashikuar për shpërthimin, të gjithë mysafirët linin gjithçka që ishin duke bërë dhe dilnin jashtë për ta shikuar. Ai na dha disa shpërthime me gjatësi, lartësi dhe bukuri jo të zakontë, veçanërisht një ku ujërat që vallëzonin spikatën kundrejt diellit që perëndonte. Për ne ky gejzer i vjetër ishte vërtet i besueshëm.

«Ekzistojnë më pak se 500 gejzerë në planet, nga të cilët rreth 300 gjenden në Jellouston,​—na tha ruajtësi i parkut, Riku,​—dhe 160 prej këtyre të fundit janë në këtë luginë të vogël, që quhet Baseni i Gejzerit të Sipërm dhe që është vetëm 2 km e gjatë. Gejzerët e tjerë duken dhe zhduken, janë aktivë ose gjumashë, por i Besueshmi i Vjetër është ende këtu.» Megjithatë, fqinji i të Besueshmit të Vjetër, gejzeri Grand (i Madhi), nxjerr çurgje të një lartësie deri 60 metra. Stimbout (Avullorja), kur shpërthen mund të arrijë afërsisht lartësinë 120 m, tri herë më e lartë kjo se e të Besueshmit të Vjetër, por mund të mbetet joaktiv për vite. Në zonën termale Norris, një gejzer i quajtur Ekinus (Iriqi i Detit) u bën ngandonjëherë dush me ujë të ngrohtë admiruesve të tij.

T’ia kalonim një bizoni

Të nesërmen në mëngjes rishikuam një broshurë për vizitorët. Në të thuhej: «Uji i nxehtë gjendet nën shtresa toke të holla e të thyeshme; pellgjet janë afër ose mbi temperaturat e vlimit. Çdo vit, vizitorë që kanë devijuar nga rruga që duhej të ndiqnin në zonat termale, janë djegur seriozisht dhe ka pasur njerëz që kanë vdekur në ujërat e nxehta.» Në një tjetër broshurë për vizitorë lexuam: «Paralajmërim: Shumë vizitorë janë plagosur nga bizonët. Një bizon mund të peshojë deri 900 kg dhe mund të vrapojë me 50 km në orë, tri herë më shpejt se ti.» Shpresonim që të mos na duhej tani t’ia kalonim ndonjë bizoni!

Në Jellouston, përparësinë për sa i përket kalimit në rrugë e kanë kafshët. Kur vihet re një kafshë, papritur makinat ndalojnë dhe në pika ku nuk pritet shkaktohet bllokim trafiku. Një rast i tillë ishte në përfundim kur mbërritëm ne dhe turistët po hipnin sërish në makinat e tyre. Kur pyetëm një grua se çfarë po shihnin kështu të gjithë, ajo tha: «Një dre të madh brilopatë, por iku.»

Pas kësaj pamë disa drerë që përpiqeshin t’u mbushnin mendjen këlyshëve të tyre dyjavësh që të kalonin një përrua. Ata po transferoheshin nga malet ku kishin kaluar dimrin në një zonë më të ulët të parkut. Këlyshët nuk donin të shkonin​—nuk u mbushej mendja që ta kalonin ujin. Nënat vazhduan t’i thërritnin të vegjlit e tyre dhe më në fund ata kaluan.

«Vogëlsia ime, paaftësia ime»

Të nesërmen e ngamë makinën drejt Kanionit të Madh të Jelloustonit. Dolëm nga makina në pika të ndryshme vrojtimi përgjatë buzës 360 m të lartë dhe vështronim​—jo gjithmonë me dëshirë​—poshtë. Në ditarin e ekspeditës së tij të 1870-s, Natanael Langford foli për «vogëlsia ime, paaftësia ime», ndërsa vështronte këtë luginë 32 km të gjatë me mure ngjyrë okre të ndezur​—nga e ka marrë emrin lumi Jellouston​—dhe dy ujëvara shumë të larta. Ne u ndiemë po aq të vegjël e të paaftë sa ai.

Ditën tjetër udhëtuam për në lindje. Edhe një herë pamja e parkut ndryshoi. Tani shiheshin pyje me drurë të lartë dhe rruga që kalonte dy herë nëpër Ndarjen Kontinentale. Ne vazhduam të shihnim bizonë dhe kafshë të tjera të mëdha. Shpesh bizonët qëndronin në një profil tipik. Na erdhi keq që s’mundëm të shihnim arinj​—një tjetër tërheqje e madhe e vizitorëve drejt Jelloustonit. Çfarë kish ndodhur me ta?

Gjatë viteve, fakti që njerëzit kanë qenë afër arinjve ka bërë që disa turistë të dëmtohen ose të vriten. Por situata nuk ka qenë më e mirë as për arinjtë. Prandaj, nga fillimi i viteve 70, Shërbimi i Parkut Kombëtar hoqi vendet ku hidheshin mbeturinat, duke mos lejuar më kështu që arinjtë të vareshin nga ushqimi njerëzor. Kjo i çoi arinjtë në shkretëtirë. Programi doli me sukses. Sot arinjtë janë në një dietë natyrore dhe janë më të shëndetshëm. Megjithatë, ata vazhdojnë të takojnë vizitorë në disa vende, si p.sh., në Urën e Peshkimit, ku interesat për ushqim, fjetje dhe peshkim të njeriut dhe të ariut përputhen.

Ura e Peshkimit qe stacioni ynë i fundit. Pikërisht në këtë vend parku na shkaktoi habinë e fundit të madhe. Ndërsa vështronim liqenin Jellouston​—liqeni më i madh malor në Amerikën e Veriut​—dhe majat me dëborë të maleve Teton, për një çast menduam se ishim në Italinë e Veriut. Liqeni dhe ambienti përreth tij kishin po atë madhështi alpine. Por nuk pamë asnjë ari përreth.

Erdhi koha për t’u larguar nga Jelloustoni. Sytë dhe shpirtrat tanë ishin shpërblyer me bollëk. Realiteti i tejkaloi parashikimet tona.

[Shënimi]

^ par. 8 Ndarja kontinentale është një brez toke i ngritur që shtrihet përgjatë Amerikës së Veriut dhe të Jugut. Sistemet lumore nga secila anë rrjedhin në drejtime të kundërta, drejt Oqeanit Paqësor dhe Oqeanit Atlantik, drejt Gjirit të Meksikës dhe Oqeanit Arktik.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

Zjarret e 1988-s

Aty nga fundi i korrikut dhe i gushtit të vitit 1988, zjarret e vogla në Jellouston u shndërruan shpejt në tetë zjarre shkretuese jashtë kontrollit të njeriut. Një nga arsyet ishte thatësira, pasi vera e vitit 1988 ishte më e thata e regjistruar në historinë e Jelloustonit. Erërat e forta ishin një tjetër arsye. Duke qenë të furishme, me një shpejtësi 80 km në orë, ato shkaktonin përhapjen e zjarrit me pothuaj 20 km në ditë. Ato u frynin thëngjijve që ndodheshin para flakëve dhe i përhapnin në distanca të tilla që luftuesit e zjarrit nuk kishin parë kurrë. Nga këta thëngjij nisnin zjarre të tjera.

Në kulmin e luftës kundër zjarreve, që kushtoi 120 milionë dollarë, u përfshinë pothuajse 10.000 zjarrfikës civilë dhe ushtarakë dhe më shumë se 100 makina zjarrfikëse. Helikopterët dhe avionët e pajisur me cisternë hodhën rreth 5.000.000 litra lëndë që izolon zjarrin dhe 40.000.000 litra ujë. Si për të sfiduar këto përpjekje, flakët morën vetëtimthi përgjatë parkut dhe për pak sa nuk përfshinë disa zona banimi. Ditë pas dite një vel i trashë tymi ngjitej në ajër. Nga fundi i verës parku ngjante me një zonë lufte. Vetëm aty nga mesi i shtatorit, pasi ishte djegur një sipërfaqe prej 600.000 hektarësh, ajri i ftohtë, stuhitë e vjeshtës dhe bora e imët i shuajtën flakët.

Zjarret thuajse nuk e dëmtuan fare popullsinë e kafshëve dhe numri i vizitorëve që nga ajo kohë është rritur vazhdimisht. Kur tymi u largua, gjethnaja e vjeshtës i dha ngjyrë pamjes së hapur rishtas dhe në pranverë lulet e egra lulëzuan me bollëk aty ku nuk ishin parë kurrë të lulëzonin më parë. Gjatë viteve, që nga koha e zjarrit, një rritje e re e bollshme pemësh ka mbuluar zonat dikur të djegura.

[Figurat në faqen 15]

I Besueshmi i Vjetër

Ujëvarat e poshtme

[Burimi]

NPS Photo

[Figura në faqet 16, 17]

Lumi Firehole

[Figura në faqen 17]

Pellgu Lulja e mëngjesit

[Burimi]

NPS Photo