Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkim i pareshtur për zgjidhjet

Kërkim i pareshtur për zgjidhjet

Kërkim i pareshtur për zgjidhjet

QË NGA fillimet e saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë e interesuar për fëmijët dhe për problemet e tyre. Nga fundi i vitit 1946, ajo themeloi Fondin Ndërkombëtar të Emergjencës të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) si një masë të përkohshme, që të përkujdesej për fëmijët në zonat e rrënuara nga lufta.

Më 1953, ky fond emergjence u shndërrua në organizatë të përhershme. Ndonëse tanimë njihet zyrtarisht si Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, ajo mbajti shkurtimin fillestar UNICEF. Kësisoj, për më shumë se gjysmë shekulli, UNICEF-i ka siguruar ushqime, veshje e kujdes shëndetësor për fëmijë anekënd botës dhe është përpjekur të kujdeset për nevojat e fëmijëve në përgjithësi.

Në vitin 1959, kur Kombet e Bashkuara miratuan Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve, u vu më shumë theksi te nevojat e fëmijëve. (Shih kutinë në faqen 5.) Shpresohej që ky dokument të ngjallte interesin për problemet e fëmijëve dhe të ndihmonte që ato të zgjidheshin, duke nxitur mbështetjen e përgjithshme, si nga ana financiare, ashtu edhe në drejtime të tjera.

Por «njëzet vjet më pas,​—siç thuhet në 1980 Year Book të Kolljersit,​—këto ‘të drejta’, sidomos ato që kishin të bënin me ushqimin, me shëndetin e me mirëqenien materiale, kishin mbetur ende të papërmbushura për shumë nga 1,5 miliardë fëmijët e botës». Ndaj, duke pranuar nevojën e vazhdueshme për të zgjidhur problemet e fëmijëve, si edhe në përputhje me synimet e saj të deklaruara, Organizata e Kombeve të Bashkuara e caktoi vitin 1979 si Vitin Ndërkombëtar të Fëmijëve. Grupe qeveritare, qytetare, fetare dhe bamirësie anembanë botës reaguan me të shpejtë, duke punuar për kërkimin e zgjidhjeve.

A ishte gjithçka veçse një «farsë»?

Mjerisht, sipas një raporti të UNICEF-it, gjatë Vitit Ndërkombëtar të Fëmijëve, gjendja e fëmijëve në vendet në zhvillim nuk ishte aspak e mirë. Në fund të vitit, rreth 200 milionë prej tyre ishin ende të ushqyer keq dhe gjysma e vdekjeve të 15 milionë fëmijëve të moshës nën 5 vjeç mund të ishte pasojë e të ushqyerit të keq. Atë vit, për çdo 100 fëmijë që lindnin çdo minutë në ato vende, 15 vdisnin para se të mbushnin një vjeç. Më pak se 40 për qind arritën të mbaronin shkollën fillore. Duke komentuar rreth raportit të UNICEF-it, në një kryeartikull në gazetën Indian Express shprehej pakënaqësia se Viti i Fëmijëve doli se ishte një «farsë».

Disa persona e parashikuan këtë dështim. Për shembull, tamam në fillim të vitit, Fabricio Dentiçe shkroi në revistën L’Espresso: «Duhet diçka më shumë se Viti i Fëmijëve për të ndrequr situatën.» Në revistë komentohej: «Duhet ndryshuar stili i sotëm i jetesës, i cili na bën të jemi këta që jemi.»

Gjatë kërkimit të pareshtur për zgjidhjet e problemeve të fëmijëve, në shtator 1990 u mbajt një takim i nivelit të lartë në selinë e OKB-së. Ishte një nga mbledhjet më të mëdha të udhëheqësve botërorë që mban mend historia. Ishin të pranishëm më shumë se 70 udhëheqës shtetesh. Takimi ishte një përforcim i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, e cila e miratua më 20 nëntor 1989 dhe hyri në fuqi më 2 shtator 1990. Në fund të atij muaji, marrëveshja ishte ratifikuar nga 39 vende.

«Konventa,​—vërente kohët e fundit UNICEF-i,​—është bërë me të shpejtë traktati i të drejtave të njeriut i pranuar më gjerësisht në të gjitha kohërat, duke krijuar një forcë shtytëse mbarëbotërore për të mirën e fëmijëve.» Në fakt, në nëntor 1999 Konventën e kishin miratuar 191 vende. UNICEF-i krenohej: «Gjatë dekadës që pasoi miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve u bë më shumë përparim për të kuptuar e për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, sesa në çfarëdo periudhe tjetër të përafërt në historinë njerëzore.»

Me gjithë këtë përparim, presidenti gjerman Johanes Rau u ndie i shtyrë të komentonte: «Është e trishtueshme që në kohën tonë duhet të na kujtojnë ende se fëmijët kanë të drejta.» Ose të na kujtojnë që ata kanë ende probleme serioze! Në nëntor të vitit 1999, duke pranuar se «mbetet shumë për të bërë», UNICEF-i shpjegoi: «Në shkallë mbarëbotërore vdesin çdo vit afro 12 milionë fëmijë të moshës nën 5 vjeç, pjesa dërrmuese e të cilëve nga shkaqe që mund të parandalohen me lehtësi. Rreth 130 milionë fëmijë në vendet në zhvillim nuk shkojnë në shkollë fillore . . . Afro 160 milionë fëmijë janë jashtëzakonisht ose deri në njëfarë mase të ushqyer keq. . . . Shumë fëmijë të padëshiruar dergjen në jetimore e në institucione të tjera, pa mundësinë për t’u arsimuar dhe për të pasur kujdesin e duhur shëndetësor. Shpesh me këta fëmijë abuzohet fizikisht. Afërsisht 250 milionë fëmijë janë të përfshirë në ndonjë formë pune të detyruar.» U përmendën, gjithashtu, 600 milionë fëmijët që jetojnë në varfëri absolute dhe 13 milionë të tjerë që në fund të vitit 2000 do të kenë humbur të paktën njërin nga prindërit për shkak të SIDA-s.

Duket se udhëheqësit politikë nuk arrijnë të sigurojnë zgjidhje të kënaqshme për këto probleme. Gjithsesi, problemet e fëmijëve nuk kufizohen në vendet në zhvillim. Në vendet e Perëndimit shumë fëmijë vuajnë nga privime të një lloji tjetër.

[Diçitura në faqen 4]

«Është e trishtueshme që në kohën tonë duhet të na kujtojnë ende se fëmijët kanë të drejta»

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Deklarata e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve:

● E drejta për të pasur një emër dhe një kombësi.

● E drejta për përzemërsi, dashuri, mirëkuptim dhe për siguri materiale.

● E drejta për ushqim të mjaftueshëm, për strehim dhe për shërbim mjekësor.

● E drejta për kujdes të veçantë në rast se janë të paaftë, qoftë nga ana fizike, qoftë nga ajo mendore ose shoqërore.

● E drejta për të qenë ndër të parët që mbrohen ose ndihmohen në çfarëdo rrethane.

● E drejta për të qenë të mbrojtur nga çdo formë e lënies pas dore, e mizorisë dhe e shfrytëzimit.

● E drejta për mundësi të plota për lojë e argëtim dhe për mundësi të barabarta për arsimim të lirë e të detyruar, që t’i jepet mundësi fëmijës të zhvillojë aftësitë individuale dhe të bëhet një anëtar i dobishëm i shoqërisë.

● E drejta për të zhvilluar në një masë të plotë kapacitetin e tij në kushte lirie dhe dinjiteti.

● E drejta për t’u rritur në një frymë mirëkuptimi, tolerance, miqësie ndërmjet popujve dhe në një frymë paqeje e vëllazërie universale.

● E drejta për t’i gëzuar këto të drejta pavarësisht nga raca, ngjyra, seksi, feja, opinioni politik a i ndonjë lloji tjetër, nga origjina kombëtare a sociale dhe nga statusi ekonomik, i lindjes a i ndonjë lloji tjetër.

[Burimi]

Përmbledhje e bazuar në Everyman’s United Nations

[Burimet e figurave në faqen 3]

FOTO E OKB-së 148038/Jean Pierre Laffont

Foto e OKB-së

[Burimi i figurës në faqet 4, 5]

Fotot në faqet 4 dhe 5 Giacomo Pirozzi/Panos Pictures