Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më në fund një zgjidhje!

Më në fund një zgjidhje!

Më në fund një zgjidhje!

IMAGJINONI një botë ku çdo fëmijë ndihet vërtet i dëshiruar, ku e duan me të vërtetë dhe ku është i bekuar me prindër të kujdesshëm e të dashur, të cilët dëshirojnë sinqerisht t’i sigurojnë fëmijës së tyre udhëheqjen dhe drejtimin më të mirë të mundshëm! Imagjinoni një botë ku çdo fëmijë është i shëndetshëm si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, ku nuk gjen më asgjëkundi fëmijë rruge, ku nuk ka më fëmijë të cilëve nevoja ekonomike për të punuar u vjedh fëmijërinë!

E dëshirueshme? Patjetër. E besueshme? Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se po, dhe kjo për dy arsye.

Prindërit mund të sigurojnë një pjesë të zgjidhjes

Pa dyshim që jeni dakord se të rriturit e kanë fuqinë të zgjidhin​—e nganjëherë edhe të parandalojnë​—disa nga problemet e fëmijëve. Patjetër, kjo ndodh në rast se ata, të rriturit, janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Vërtet, prindërit vetë kanë në dorë një nga çelësat e zgjidhjes së këtij problemi.

Për shembull, të rriturit që janë në gjendje të ndjekin këshillën biblike që «gruaja të mos ndahet nga burri i saj . . . dhe burri nuk duhet ta lërë gruan e tij» nuk kanë fëmijë që vuajnë ngaqë jetojnë në një familje të shkatërruar nga ndarja a divorci.​—1 Korintasve 7:10, 11.

Të rriturit të cilët janë të gatshëm të ndjekin këshillën biblike që ‘të ecin siç ka hije . . . jo në ahengje të shfrenuara e në dehje’ nuk kanë fëmijë që vuajnë nga ankthi që vjen kur ke prindër të dehur ose të droguar.​—Romakëve 13:13; Efesianëve 5:18.

Të rriturit që janë të gatshëm të ndjekin këshillën biblike që ‘të përmbahen nga kurvëria’ ndihmojnë të pakësohet rreziku që fëmijët e tyre të rriten duke ndier se nuk i duan, ndoshta në familje me një prind të vetëm.​—1 Selanikasve 4:3; Mateu 19:9.

Të rriturit që janë të gatshëm të ndjekin këshillën biblike «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra» dhe që ‘i duan fëmijët e tyre’ nuk do të kenë fëmijë që përjetojnë dhembjen fizike ose mendore të abuzimit në ndonjërën nga format e tij të shumëllojta.​—Kolosianëve 3:21; Titit 2:4.

Me pak fjalë, a do të ekzistonin miliona fëmijë që nuk i duan, sikur të gjithë të rriturit të ishin të gatshëm të ndiqnin këshillën biblike që dha Jezui: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.»​—Mateu 7:12.

Lumturisht, ka shumë të rritur që janë të gatshëm të bëjnë gjithë sa u tha më sipër. Por, mjerisht, jo të gjithë të rriturit janë të gatshëm, dhe këtu qëndron problemi. Madje edhe ata që janë të gatshëm shohin se shpesh përpjekjet e tyre shkojnë kot, për shkak të papërsosmërisë njerëzore dhe të gjërave që janë përtej kontrollit të tyre. Njerëzit mund të sigurojnë një pjesë të zgjidhjes së problemeve të fëmijëve, por është e qartë se nuk janë në gjendje të sigurojnë zgjidhjen e plotë.

Një qeveri hyjnore për të siguruar zgjidhjen e plotë

Shkrimtari Xhon Raskin, i përmendur në artikullin e mëparshëm, besonte fortësisht se «detyra parësore e një shteti është të kujdeset që çdo fëmijë që lind në atë vend të jetë i strehuar, i veshur, i ushqyer dhe i arsimuar mirë, derisa të arrijë vitet e pjekurisë». Megjithatë, Raskin pranoi se «që [të arrihet] kjo gjë, qeveria duhet të ketë një autoritet të atillë mbi njerëzit, që tani as mund ta imagjinojmë».

Vetëm një qeveri që ka mbështetje hyjnore mund të ketë atë autoritet dashamirës për të cilin foli Raskin. E pikërisht një qeveri e tillë është premtuar: qeveria që përmendi Jezui në Mateun 6:9, 10. Pasi të ketë marrë kontrollin e plotë mbi çështjet e tokës, kjo qeveri e formuar nga Perëndia do të ushtrojë autoritetin e saj mbi të gjithë popujt, duke u siguruar banesë, veshje, ushqim dhe arsimim gjithë nënshtetasve të saj, përfshirë edhe fëmijët. (Isaia 65:17-25) Por kjo qeveri e përsosur do të bëjë edhe më shumë.

Nën Mbretërinë e Perëndisë njerëzit do të kenë mundësi t’i rritin fëmijët në mënyrë të ekuilibruar. (Jobi 33:24-26) Të rinjtë do të rriten me frymën e paqes dhe të vëllazërisë mbarëbotërore, që është ideali i paraqitur në Deklaratën e OKB-së të të Drejtave të Fëmijëve. (Psalmi 46:8, 9) Nuk do të ketë kurrë më nevojë për një Vit Ndërkombëtar të Fëmijëve ose për një Konventë mbi të Drejtat e Fëmijëve.

Rikthimi i shëndetit të përsosur te prindërit dhe te fëmijët e gjymtuar do të jetë një detyrë e thjeshtë për Krishtin Jezu, Mbretin e kësaj qeverie qiellore. Shërimet e mrekullueshme që kreu kur ishte në tokë janë një garanci. (Luka 6:17-19; Gjoni 5:3-9; 9:1-7) As ringjallja e fëmijëve dhe e prindërve që kanë vdekur nuk do të jetë diçka përtej fuqisë së tij!​—Mateu 9:18-25.

Ç’gëzim është të dimë se koha kur Perëndia do të veprojë në favor të fëmijëve të tokës është afër!

[Kutia dhe figurat në faqen 12]

Ndihmë për të rinjtë

Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të interesuar që t’i ndihmojnë të rinjtë të shmangin problemet, e po ashtu t’u tregojnë se si t’u bëjnë ballë në mënyrën më të mirë problemeve të pashmangshme. Prandaj, gjatë viteve ata kanë botuar një sërë botimesh ndihmëse që kanë si synim të plotësojnë nevojat e të rinjve, që nga fëmijët e moshës parashkollore deri tek adoleshentët. Këto botime përfshijnë librat Libri im i tregimeve biblike dhe Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, si edhe një videokasetë të titulluar Të rinjtë pyesin: Si mund të bëj miq të vërtetë? Mund t’i siguroni këto nga Dëshmitarët e Jehovait që jetojnë në zonën tuaj ose duke u shkruar botuesve të kësaj reviste.

Për sa u përket fëmijëve të tyre, Dëshmitarët e Jehovait u tregojnë atyre se janë të dëshiruar dhe se i duan, duke diskutuar rregullisht me ta për problemet që kanë. Shpesh prindërit e përdorin materialin e shkëlqyer që paraqitet në botimet ndihmëse të studimit, të përmendura më sipër, si bazën e një programi të rregullt e progresiv për stërvitjen e të rinjve. Ndoshta mund t’ju pëlqejë të bëni diçka të ngjashme me fëmijët tuaj.