Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballimi i problemeve të prostatës

Përballimi i problemeve të prostatës

Përballimi i problemeve të prostatës

«Kur isha 54 vjeç, fillova të urinoja shpesh, ndonjëherë edhe çdo 30 minuta. Kjo simptomë bëri që të konsultohesha me një mjek dhe zbulova se duhej të hiqja prostatën.» Ngjarje të tilla janë të zakonshme në klinikat e prostatës rreth e rrotull botës. Çfarë mund të bëjë një burrë për të parandaluar sëmundjen e prostatës? Kur duhet të kërkojë këshillë mjekësore?

PROSTATA është një gjendër në formën e kokrrës së arrës, e cila gjendet poshtë fshikëzës së urinës dhe rrethon ureterin. (Shih ilustrimin e legenit të mashkullit.) Te një burrë normal, ai peshon 20 gramë dhe ka përmasa maksimale 4 centimetra gjatësi, 3 centimetra lartësi dhe 2 centimetra gjerësi. Funksioni i tij është të prodhojë një lëng, i cili përbën afërsisht 30 për qind të vëllimit të farës. Ky lëng, i cili përmban acid citrik, kalcium dhe enzima, ka mundësi të përmirësojë lëvizshmërinë e spermatozoidëve (aftësinë për të rrëshqitur) dhe pjellorinë. Për më tepër, lëngu që sekretohet nga prostata përmban zink, i cili sipas shkencëtarëve mbron sistemin gjenital nga infeksionet.

Të dallojmë një prostatë të sëmurë

Disa simptoma të legenit, që hasen te burrat, janë të lidhura me sëmundjen e prostatës të acaruar ose me tumor. Prostatiti, që është acarimi i prostatës, mund të shkaktojë ethe, urinim jo të rehatshëm dhe dhembje në kërbisht ose në fshikëzën e urinës. Kur prostata është shumë e ënjtur, mund të pengojë urinimin e pacientit. Nëse acarimi shkaktohet nga bakteret, sëmundja quhet prostatit bakterial dhe mund të jetë akut ose kronik. Ai shoqërohet zakonisht me infeksion në sistemin urinar. Megjithatë, në një numër më të madh rastesh, shkaku i acarimit nuk zbulohet dhe për këtë arsye quhet prostatit jobakterial.

Shqetësimet e zakonshme të prostatës janë, një rritje e shpeshtësisë së urinimit, urinim gjatë natës, një pakësim i forcës së rrymës urinare, si dhe ndjenja që fshikëza e urinës nuk boshatiset plotësisht. Këto simptoma zakonisht dëshmojnë për një hiperplazi beninje të prostatës (BPH), që është një zgjerim jokanceroz i prostatës e që mund të prekë burrat që janë mbi moshën 40 vjeç. Mundësia për t’u prekur nga BPH-ja rritet me rritjen e moshës. Ajo ndeshet në 25 për qind të burrave të moshës 55 vjeç dhe në 50 për qind të atyre të moshës 75 vjeç.

Prostata, gjithashtu, mund të preket nga tumore malinje. Në përgjithësi, kanceri në prostatë zbulohet me anë të një kontrolli të zakonshëm, madje edhe kur nuk ka simptoma prostate. Në rastet më serioze, mund të ketë mbajtje të urinës me ënjtje të fshikëzës së urinës. Kur kanceri përhapet tek organet e tjera, mund të ndihen dhembje në shpinë, simptoma nervore dhe ënjtje në këmbë për shkak të bllokimit të sistemit limfatik. Në një nga vitet e fundit, vetëm Shtetet e Bashkuara raportuan rreth 300.000 raste të reja të kancerit në prostatë dhe 41.000 vdekje të shkaktuara prej tij. Shkencëtarët besojnë se 30 për qind e burrave të moshës 60 deri 69 vjeç, si dhe 67 për qind e atyre të moshës 80 deri 89 vjeç, do të preken nga kanceri në prostatë.

Kush ka më shumë mundësi të preket prej tij?

Kërkimet tregojnë se mundësitë për t’u prekur nga kanceri në prostatë rriten me të shpejtë pas moshës 50-vjeçare. Në Shtetet e Bashkuara, ky kancer është rreth dy herë më i shpeshtë te zezakët, sesa te të bardhët. Në pjesë të ndryshme të botës shkalla e prekjes nga kjo sëmundje ndryshon, duke qenë e lartë në vendet e Amerikës Veriore e të Evropës, mesatare në Amerikën e Jugut dhe e ulët në Azi. Kjo gjë të lë të kuptosh se ndryshueshmëria e mjedisit dhe e ushqimit mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e kancerit në prostatë. Nëse një burrë imigron në një vend që ka një shkallë më të lartë të prekjes nga sëmundja, rreziku i tij mund të rritet.

Ata burra që kanë të afërm të prekur nga kanceri në prostatë kanë një mundësi më të madhe për ta shfaqur atë. «Burrat, që kanë babanë ose vëllanë me kancer në prostatë, rrezikojnë dy herë më shumë që ta shfaqin këtë sëmundje»,​—shpjegon Shoqata Amerikane kundër Kancerit. Disa faktorë që ndikojnë në rrezikshmërinë janë mosha, raca, kombësia, prejardhja shëndetësore e familjes, dieta ushqimore dhe mungesa e aktivitetit fizik. Burrat që kanë një dietë të pasur në yndyrna dhe që bëjnë një jetë ulur, kanë më shumë mundësi për t’u sëmurur me kancer.

Parandalimi i sëmundjes së prostatës

Ndonëse shkencëtarët nuk i njohin ende me saktësi shkaqet e kancerit në prostatë, ata besojnë se në të mund të jenë përfshirë faktorët gjenetikë dhe hormonalë. Lumturisht, ne mund të kontrollojmë dy faktorë që përbëjnë rrezik​—dietën dhe mungesën e aktivitetit fizik. Shoqata Amerikane kundër Kancerit rekomandon «që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përqindje të lartë yndyrnash me origjinë shtazore dhe që shumicën e ushqimeve që hani t’i zgjidhni me origjinë bimore». Ajo rekomandon, gjithashtu, që hahen «pesë ose më shumë racione frutash dhe perimesh çdo ditë», si edhe bukë, drithëra, makarona, prodhime të tjera drithërash, oriz dhe bishtaja. Domatet, qitrot dhe shalqinjtë janë të pasura me likopinë, që janë substanca antioksiduese, që ndihmojnë në parandalimin e dëmtimit të AND-së e që mund të ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e kancerit në prostatë. Disa ekspertë pohojnë, gjithashtu, që disa barishte dhe minerale mund të jenë një ndihmë.

Shoqata Amerikane kundër Kancerit dhe Shoqata Amerikane e Urologjisë besojnë se kontrollet mjekësore të kancerit në prostatë mund të çojnë në shpëtimin e jetës. Trajtimi ka më shumë të ngjarë të jetë i suksesshëm kur kanceri dallohet që herët. Shoqata Amerikane kundër Kancerit rekomandon që burrat mbi 50 vjeç, ose mbi 45 vjeç në rastin e atyre që bëjnë pjesë në grupin me rrezikshmëri të lartë, t’u nënshtrohen një kontrolli mjekësor të përvitshëm. *

Kontrolli duhet të përfshijë një analizë gjaku për një antigjen specifik të prostatës (PSA). Ky antigjen është një proteinë e prodhuar nga qelizat e prostatës. Niveli i tij rritet kur prostata është e sëmurë. «Nëse analiza juaj PSA nuk del normale, kërkojini mjekut të shqyrtojë rrezikun e kancerit dhe nevojën që keni për të bërë analiza të mëtejshme»,​—thotë Shoqata Amerikane kundër Kancerit. Ekziston, gjithashtu, edhe ekzaminimi dixhital rektal (DRE). Nëpërmjet zorrës së trashë të pacientit, mjeku mund të ndiejë çdo zonë me çrregullime të gjendrës së prostatës, meqë kjo gjendër ndodhet përballë zorrës së trashë. (Shih ilustrimin e legenit të mashkullit në faqen 20.) «Kur metodat PSA ose DRE tregojnë çrregullime» dhe kur mjekut i duhet të vendosë nëse të rekomandojë ose jo një biopsi të gjendrës së prostatës, është i nevojshëm një kontroll nëpërmjet ekografisë transrektale (TRUS). Ky kontroll kërkon rreth 20 minuta.

Përveç dallimit të kancerit në prostatë, kontrolli urologjik vjetor mund të zbulojë në një fazë fillestare edhe BPH-në, për të cilën u fol më lart, gjë që do të mundësonte një trajtim më pak të vështirë. (Shih kutinë «Trajtime të hiperplazisë beninje të prostatës».) Një sjellje e pastër morale e mbron një person nga sëmundjet veneriane, të cilat mund të shkaktojnë prostatitin.

Pa dyshim, prostata juaj meriton të mbrohet e t’i tregohet kujdes. Burri i përmendur në fillim të këtij artikulli tregoi se ishte shëruar plotësisht pas operacionit. Sipas tij, «të gjithë burrat duhet t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor vjetor parandalues», madje edhe nëse nuk kanë asnjë simptomë.

[Shënimi]

^ par. 13 Nëse bëni pjesë në këtë grup moshe, ju ftojmë të shqyrtoni kutinë «Treguesi i simptomave të hiperplazisë beninje të prostatës (BPH)».

[Kutia në faqen 21]

Treguesi i simptomave të hiperplazisë beninje të prostatës (BPH)

Udhëzime: Përgjigjjuni pyetjeve të mësipërme duke futur në rreth numrin e duhur.

Pyetjeve 1 deri 6 duhet t’u përgjigjeni kështu:

0​—Aspak

1​—Më pak se një në çdo pesë raste

2​—Më pak se gjysmën e rasteve

3​—Rreth gjysmën e rasteve

4​—Më shumë se gjysmën e rasteve

5​—Pothuajse gjithmonë

1. Gjatë muajit të kaluar, pasi mbaronit urinimin, sa herë keni pasur ndjenjën se fshikëza e urinës nuk ishte boshatisur plotësisht? 0 1 2 3 4 5

2. Gjatë muajit të kaluar, sa herë ju është dashur të urinoni përsëri brenda më pak se dy orëve pasi kishit mbaruar së urinuari? 0 1 2 3 4 5

3. Gjatë muajit të kaluar, sa herë keni vënë re se urinimi ndërpritej dhe rifillonte përsëri, për disa herë me radhë, kur urinonit? 0 1 2 3 4 5

4. Gjatë muajit të kaluar, sa herë e keni pasur të vështirë ta mbanit urinimin? 0 1 2 3 4 5

5. Gjatë muajit të kaluar, sa herë keni pasur një rrymë të dobët urine? 0 1 2 3 4 5

6. Gjatë muajit të kaluar, sa herë jeni shtrënguar për të filluar urinimin? 0 1 2 3 4 5

7. Gjatë muajit të kaluar, mesatarisht, sa herë jeni ngritur për të urinuar, nga koha kur shkonit për të fjetur deri kur zgjoheshit në mëngjes? (Vër në rreth numrin e herëve.) 0 1 2 3 4 5

Shuma e numrave të vënë në rreth tregon rezultatin e simptomës suaj të BPH-së. E lehtë: 0-7, mesatare: 8-19, e rëndë: 20-35.

[Burimi]

Nga Shoqata Amerikane e Urologjisë

[Kutia në faqen 22]

Trajtime të BPH-së

ILAÇET: Përdoren shumë ilaçe sipas simptomave të çdo pacienti. Vetëm mjeku mund t’jua japë ato.

PRITJE E VËMENDSHME: Pacienti kryen vetëm kontrolle mjekësore periodike dhe nuk përdor ilaçe.

TRAJTIM KIRURGJIKAL:

(a) Në rezeksionin transuretral të prostatës (TURP), kirurgu fut nëpërmjet ureterit një instrument (rezektoskop), i cili përmban një lak elektrik që pret indin dhe mbyll enët e gjakut. Nuk nevojiten çarje nga jashtë. Për ta kryer duhen rreth 90 minuta. Procedurat transuretrale janë më pak të dhimbshme sesa format e hapura të kirurgjisë.

(b) Incizioni transuretral i prostatës (TUIP), është si TURP-i. Megjithatë, kjo procedurë e zgjeron ureterin duke bërë disa prerje të vogla në vendin ku ureteri bashkohet me fshikëzën e urinës, si dhe në vetë gjendrën e prostatës.

(c) Kirurgjia e hapur, përdoret kur procedura transuretrale nuk mund të kryhet për shkak se prostata është zmadhuar shumë. Kirurgjia e hapur kërkon çarje nga jashtë.

(ç) Kirurgjia me lazer, është kirurgjia që përdor rrezet lazer për të zhdukur indin bllokues të prostatës.

Vendimin përfundimtar se cilin trajtim të pranojë, nëse do të pranojë ndonjë, duhet ta marrë pacienti. Një raport i kohëve të fundit në gazetën The New York Times vërente se disa ekspertë janë të pasigurt, madje, edhe rreth bërjes së analizave për kancer në prostatë, veçanërisht te të moshuarit, pasi «mund të jetë një sëmundje që zhvillohet ngadalë, e cila ka pak mundësi të shkaktojë për një kohë të gjatë pasoja për shëndetin, ndërkohë që trajtimi i saj, shpesh, mund të prodhojë efekte serioze dytësore».

[Kutia në faqen 22]

Pyetje që mund t’i bëni mjekut para operacionit

1. Çfarë operacioni rekomandoni?

2. Përse kam nevojë për operacion?

3. A ka alternativa të tjera veç ndërhyrjes kirurgjikale?

4. Cilat janë dobitë e kryerjes së operacionit?

5. Cilat janë rreziqet e kryerjes së operacionit? (Për shembull, hemorragji ose impotencë.)

6. Ç’ndodh nëse nuk operohem?

7. Ku mund të kërkoj një këshillë tjetër?

8. Çfarë përvoje keni në kryerjen e këtij operacioni pa përdorur transfuzion gjaku?

9. Ku do të bëhet operacioni? A i respektojnë mjekët dhe infermierët e spitalit të drejtat që ka pacienti, për sa u përket transfuzioneve të gjakut?

10. Çfarë lloj anestezie do të nevojitet? A kanë përvojë anestezistët në kirurgjinë pa gjak?

11. Sa kohë do të më duhet të shërohem?

12. Sa do të kushtojë operacioni?

[Diagrami në faqen 20]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ilustrimi i zonës së legenit të mashkullit

Fshikëza e urinës

Prostata

Zorra e trashë

Ureteri

[Figura në faqen 23]

Një dietë e shëndetshme dhe ushtrimet e ekuilibruara mund të ndihmojnë për ta zvogëluar rrezikun e kancerit në prostatë