Hajini perimet!
Hajini perimet!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
«Janë të hidhura.» «Kanë shije të keqe.» «S’i kam ngrënë kurrë.»
KËTO janë vetëm disa nga arsyet përse shumë njerëz refuzojnë të hanë perime. Po ju? A hani perime çdo ditë? Zgjohuni! bëri disa intervista për të zbuluar përse disa njerëz i pëlqejnë perimet, ndërsa disa të tjerë jo.
Ata që i hanë perimet thanë se prindërit u kishin mësuar se sa e rëndësishme është të hash perime dhe fruta. Përkundrazi, shumë nga ata që nuk i pëlqejnë perimet nuk ishin mësuar t’i hanin kur ishin fëmijë. Në vend të tyre preferonin ushqime me shumë kalori, por me pak vlera ushqyese. Gjithsesi, edhe këta ishin të një mendjeje se perimet janë të rëndësishme për të mbajtur një shëndet të mirë.
Prindër, mësojini fëmijët të hanë perime! Në ç’mënyrë? Në librin Facts for Life (Fakte për jetën), botuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, sugjerohet që të paktën njëherë në ditë pas ushqimit me gji ose me biberon, foshnjave rreth gjashtëmuajshe u duhen dhënë perime të ziera, të qëruara e të bëra pure. Sa më e madhe të jetë shumëllojshmëria e ushqimeve, aq më mirë është për fëmijën. Dr. Vagner Lapate nga Brazili, specialist për fëmijët, thotë se ndërkohë që gjatë dy viteve të para burimi kryesor i ushqimit është qumështi, përdorimi i ushqimeve të tjera «e nxit foshnjën të zbulojë shije të reja».
Në librin Medicina—Mitos y Verdades (Mjekësia—Mite dhe të vërteta), Karla Leonel sugjeron që një sasi e vogël lëng portokalli, pureja e frutave (si banane, mollë dhe papaja), drithërat dhe supa me perime mund të futen në dietën e foshnjës më herët sesa mosha e përcaktuar më sipër. Sigurisht, meqë opinionet rreth kësaj janë të ndryshme, do të ishte e mençur të këshilloheshit me mjekun pediatër.