Martesa juaj mund të shpëtohet!
Martesa juaj mund të shpëtohet!
Bibla ka një bollëk këshillash praktike që mund t’u sjellin dobi burrave dhe grave. S’është aspak për t’u habitur, pasi Ai që frymëzoi Biblën është edhe Nismëtari i rregullit të martesës.
BIBLA e përshkruan martesën në mënyrë realiste. Ajo e pranon se një burrë e një grua do të kenë «shtrëngim» ose, siç e përkthen The New English Bible, «dhembje e hidhërim». (1 Korintasve 7:28) Megjithatë, Bibla thotë, gjithashtu, se martesa mund dhe duhet të sjellë gëzim, madje një gëzim të madh. (Fjalët e urta 5:18, 19) Këto dy mendime nuk janë kontradiktore. Thjesht tregojnë se me gjithë problemet serioze, një çift mund të arrijë të ketë një marrëdhënie të afërt dhe të dashur.
A mungon kjo në martesën tuaj? A është mbytur intimiteti dhe gëzimi që karakterizonte dikur marrëdhënien tuaj nga dhembja dhe zhgënjimi? Edhe nëse në martesën tuaj dashuria mungon nga shumë vjet, ajo që është humbur mund të rifitohet. Sigurisht, duhet të jesh realist. Asnjë burrë dhe grua e papërsosur nuk mundet të arrijë një martesë të përsosur. Gjithsesi, ekzistojnë disa hapa që mund të ndërmarrësh për të eliminuar prirjet negative.
Ndërsa lexon materialin e mëposhtëm, përpiqu të dallosh se cilat pika zbatohen në mënyrë të veçantë për martesën tuaj. Në vend që të përqendrohesh në të metat e bashkëshortit, zgjidh disa sugjerime që ti mund t’i vësh në praktikë dhe zbatoji këshillat biblike. Mund të zbulosh se për martesën tuaj ka më shumë shpresë nga ç’e kishe menduar.
Le të flasim së pari për qëndrimin, pasi pikëpamja që ke për angazhimin dhe ndjenjat ndaj bashkëshortit kanë një rëndësi të dorës së parë.
Pikëpamja për angazhimin
Nëse do të punosh për të shpëtuar martesën, është thelbësore ta konsiderosh atë si një lidhje të qëndrueshme. Në fund të fundit, rregulli i martesës u projektua nga Perëndia për t’i lidhur dy njerëz në mënyrë të pandashme. (Zanafilla 2:24; Mateu 19:4, 5) Prandaj, marrëdhënia me bashkëshortin nuk është si një punë që mund ta lësh ose si një apartament nga i cili mund të ikësh thjesht duke prishur kontratën e qirasë dhe duke u transferuar. Përkundrazi, kur je martuar ke bërë një premtim solemn për të qëndruar i lidhur ngushtë me bashkëshortin, çfarëdo që të ndodhë. Një ndjenjë e thellë angazhimi është në përputhje me atë që pohoi Jezu Krishti gati 2000 vjet më parë: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.
Disa mund të thonë: ‘Epo mirë, ne jemi ende bashkë. A nuk është kjo një provë se e kemi ndjenjën e angazhimit?’ Ndoshta. Megjithatë, siç u vërejt në hyrje të kësaj serie, disa çifte që qëndrojnë bashkë kanë ngecur në ujëra të ndenjura, të zënë në kurth në një martesë ku s’ka dashuri. Synimi është ta bësh martesën të kënaqshme, jo thjesht të durueshme. Angazhimi duhet të pasqyrojë besnikëri jo vetëm ndaj institucionit martesor, por edhe ndaj personit që je betuar ta duash dhe ta çmosh.—Efesianëve 5:33.
Gjërat që i thua bashkëshortit mund të zbulojnë pikërisht se sa i thellë është angazhimi yt. Për shembull, në kulmin e një zënke, disa burra e gra bëjnë pohime të nxituara të tilla, si: «Do të të lë!» ose «Do të gjej dikë që më çmon!» Edhe nëse nuk bëhen me gjithë mend, këto komente e minojnë angazhimin, duke nënkuptuar se dera është gjithnjë e hapur dhe se ai që po flet është përherë gati të dalë prej saj.
Për të rikthyer dashurinë në martesën tuaj, eliminoji këto kërcënime nga bisedat. Në fund të fundit, a do ta zbukuroje një apartament
nëse do ta dije se ndonjë ditë mund të transferohesh prej andej? Përse, atëherë, duhet të presësh që bashkëshorti yt të punojë për një martesë që mund të mos zgjatë. Ji i vendosur të përpiqesh me ngulm që të punosh për të gjetur zgjidhjet.Tamam kështu veproi një grua pasi kaloi një periudhë të trazuar me të shoqin. «Sado që disa herë isha mjaft e pakënaqur nga ai, nuk më shkonte nëpër mend ta ndërprisja lidhjen,—thotë ajo.—Çfarëdo që të ishte prishur, do ta ndreqnim në njëfarë mënyre. Dhe tani, pas dy vitesh shumë të stuhishme, mund të them me sinqeritet se jemi sërish mjaft të lumtur së bashku.»
Po, angazhimi nënkupton bashkëpunim—jo thjesht të jetosh me dikë, por të punosh drejt një synimi të përbashkët. Megjithatë, mund të mendosh se tani për tani ajo që po e mban martesën tuaj është vetëm një ndjenjë detyre. Nëse është kështu, mos u dëshpëro. Dashuria mund të rigjehet. Si?
Ndero bashkëshortin
Bibla thotë: «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë.» (Hebrenjve 13:4; Romakëve 12:10) Gjetkë në Bibël, disa forma të fjalës greke që këtu përkthehet «e nderuar», janë përkthyer «e dashur», «e vlerësuar» dhe «e çmuar». Kur e vlerësojmë shumë diçka, bëjmë përpjekje të palodhura që të kujdesemi për të. Ndoshta e ke vërejtur se kjo është e vërtetë në rastin e një burri që zotëron një makinë të re të shtrenjtë. Ai e mban makinën e tij të çmuar në gjendje të mirë dhe ajo shkëlqen nga pastërtia. Për të edhe një gërvishtje e vogël është katastrofë e madhe! Njerëz të tjerë kujdesen në mënyrë të ngjashme për shëndetin. Përse? Sepse e vlerësojnë mirëqenien e tyre, dhe prandaj duan ta ruajnë.
Trego të njëjtin kujdes për të mbrojtur martesën tënde. Bibla thotë se dashuria «shpreson çdo gjë». (1 Korintasve 13:7) Në vend që t’i nënshtrohesh një mënyre të menduari disfatiste—ndoshta duke i hequr vizë mundësisë për përmirësim me shprehjet: «Nuk kemi qenë kurrë vërtet të dashuruar», «Jemi martuar tepër të rinj» ose «Nuk e dinim çfarë po bënim»—përse të mos shpresosh që gjërat të shkojnë më mirë dhe të punosh për këtë, duke pritur me durim rezultatet? «Dëgjoj kaq shumë klientë që thonë: ‘Nuk ia dal dot më!’—vëren një këshilluese martese.—Në vend që të analizojnë marrëdhënien për të parë cilat pjesë të saj kanë nevojë të përmirësohen, ata hedhin tej nxitimthi gjithçka, duke përfshirë edhe vlerat që i kanë të përbashkëta, të kaluarën që e kanë ngritur me kujdes dhe çfarëdo mundësie për të ardhmen.»
Çfarë përvojash ke përjetuar me bashkëshortin tënd? Pavarësisht nga vështirësitë në marrëdhënien tuaj, patjetër që mund të sjellësh ndër mend periudha të këndshme, arritje dhe sfida që i keni përballuar të bashkuar. Medito për këto raste dhe trego se e nderon martesën dhe bashkëshortin tënd, duke punuar sinqerisht për ta përmirësuar marrëdhënien. Bibla tregon se Perëndia Jehova interesohet shumë për mënyrën se si e trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët. Për shembull, në ditët e profetit Malakia, Jehovai i dënoi ata bashkëshortë izraelitë që u sollën me pabesi me gratë e tyre, duke u divorcuar me to si pa të keq. (Malakia 2:13-16) Të krishterët duan që martesa e tyre t’i sjellë nderim Perëndisë Jehova.
Konfliktet: Sa serioze?
Një faktor kryesor në martesat ku s’ka dashuri duket se është paaftësia e burrit dhe e gruas për të përballuar konfliktet. Duke qenë se nuk ka dy njerëz që të jenë tamam njësoj, në të gjitha martesat do të ketë nganjëherë mosmarrëveshje. Por ato çifte që bëjnë vazhdimisht sherr mund të shohin se gjatë viteve dashuria e tyre është ftohur. Madje mund të arrijnë në përfundimin: ‘Nuk shkojmë fare me njëri-tjetrin. Gjithmonë zihemi!’
Megjithatë, thjesht fakti që ka konflikte nuk ka pse të jetë kambana e vdekjes së një martese. Puna është: si përballohen konfliktet? Në një martesë të suksesshme, burri dhe gruaja kanë mësuar të flasin për problemet e tyre pa u bërë, siç e quan një doktor në filozofi, «armiq të ngushtë».
‘Fuqia e gjuhës’
A dini se si të flitni për problemet tuaja ti dhe bashkëshorti yt? Të dy duhet të jeni të gatshëm për t’i sqaruar ato. Vërtet, kjo është një mjeshtëri që mund të jetë e vështirë të mësohet. Përse? Një arsye është se të gjithë herë pas here ‘pengohemi në fjalë’, ngaqë jemi të papërsosur. (Jakovit 3:2) Pastaj, veç kësaj, disa janë rritur në familje ku një nga prindërit e shfrente vazhdimisht zemërimin. Në njëfarë kuptimi, që në moshë të vogël ata ishin mësuar të mendonin se shpërthimet e inatit janë diçka normale. Një djalë i rritur në një mjedis të tillë mund të bëhet «një njeri i dhënë pas zemërimit» dhe «i prirur ndaj tërbimit». (Fjalët e urta 29:22, BR) Ngjashëm, një vajzë që është rritur në këtë mënyrë mund të bëhet «një grua gjuhëhidhur dhe e zemëruar». (Fjalët e urta 21:19, The Bible in Basic English) Mund të jetë e vështirë të çrrënjosen mënyra të menduari dhe të vepruari që janë ngulitur thellë. *
Të përballosh konfliktet, pra, përfshin të mësosh mënyra të reja për t’i shprehur mendimet. Kjo s’është diçka pa peshë, pasi një proverb biblik thotë: «Vdekja dhe jeta janë në fuqinë e gjuhës.» (Fjalët e urta 18:21, BR) Vërtet, sado e parëndësishme që mund të duket, mënyra se si i flet bashkëshortit ka fuqi ta shkatërrojë ose ta ripërtërijë marrëdhënien tuaj. «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë,—thotë një tjetër proverb biblik,—por gjuha e të urtëve sjell shërim.»—Fjalët e urta 12:18.
Edhe nëse duket se në këtë drejtim bashkëshorti yt është i pari që shkakton fyerje, mendo me kujdes për gjërat që thua ti gjatë një mosmarrëveshjeje. Fjalët e tua lëndojnë apo shërojnë? A e nxitin zemërimin apo e zbutin? «Fjala therëse e nxit zemërimin»,—thotë Bibla. Përkundrazi, «përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin». (Fjalët e urta 15:1) Fjalët therëse, edhe kur thuhen me qetësi, do ta acarojnë situatën.
Sigurisht, nëse të shqetëson diçka, ke të drejtë të shprehesh. (Zanafilla 21:9-12) Por këtë mund ta bësh pa përdorur sarkazëm, fyerje dhe poshtërime. Përcakto kufij të qartë për veten, pra, disa gjëra që do të të duket e udhës të mos ia thuash bashkëshortit të tilla, si «Të urrej» ose «Do të doja të mos ishim martuar kurrë». Gjithashtu, edhe pse apostulli i krishterë Pavël nuk po fliste në mënyrë të veçantë për martesën, është e mençur të mos përfshihemi në ato që ai i quajti «debate për fjalët» dhe ‘grindje të ashpra për çikërrima’. * (1 Timoteut 6:4, 5) Nëse bashkëshorti yt përdor metoda të tilla, nuk ke pse t’ia kthesh me të njëjtën monedhë. Aq sa varet prej teje, ndiq paqen.—Romakëve 12:17, 18; Filipianëve 2:14.
Pa dyshim, në inat e sipër është vështirë ta kontrollosh të folurin. «Gjuha është një zjarr,—thotë shkrimtari biblik Jakovi.—Asnjë njeri nuk mund ta zbutë. Është një e keqe e pakontrollueshme, plot helm vdekjeprurës.» (Jakovit 3:6, 8) Ç’mund të bësh, pra, kur zemërimi nis të rritet? Si mund t’i flasësh bashkëshortit në një mënyrë që do ta zbutë konfliktin, në vend që ta ndezë?
Shuaj debatet shpërthyese
Disa kanë zbuluar se është më e lehtë ta fashitin zemërimin dhe të merren me problemet që fshihen pas tij, nëse e vënë theksin te ndjenjat e tyre, e jo te veprimet e bashkëshortit. Për shembull, «ndihem i lënduar për shkak të asaj që the» është shumë më e efektshme se «më lëndove» ose «e kupton shumë mirë që s’duhej ta thoshe atë gjë». Sigurisht, kur shpreh se si ndihesh, toni i zërit nuk duhet të ketë mllef ose përçmim. Qëllimi duhet të jetë të nxjerrësh në pah problemin, jo të sulmosh personin.—Zanafilla 27:46–28:1.
Veç kësaj, kujto gjithmonë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Predikuesi 3:7) Kur dy njerëz flasin njëkohësisht, asnjëri nuk dëgjon dhe nuk arrihet asnjë gjë. Ndaj, kur është radha jote që të dëgjosh, ji «i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur». E po kaq e rëndësishme është të jesh «i ngadalshëm për t’u zemëruar». (Jakovit 1:19) Mos e merr me gjithë mend çdo fjalë të ashpër që thotë bashkëshorti; as mos «u nxito në frymën tënde të zemërohesh». (Predikuesi 7:9) Në vend të kësaj, përpiqu të dallosh ndjenjat që fshihen prapa fjalëve të bashkëshortit. «Mençuria [gjykimi i thellë, BR] e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi,—thotë Bibla,—dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» (Fjalët e urta 19:11) Gjykimi i thellë mund ta ndihmojë një burrë ose një grua që të shohin nën sipërfaqen e një mosmarrëveshjeje.
Për shembull, ankesa e një gruaje se i shoqi nuk kalon kohë me të ka të ngjarë të mos jetë thjesht për orët e minutat. Mund të ketë të bëjë më shumë me faktin që ndihet e lënë pas dore ose e pavlerësuar. Ngjashëm, ankesa e një burri lidhur me një blerje të papritur që ka bërë e shoqja ka të ngjarë të mos jetë thjesht për paratë që ka prishur. Mund të ketë të bëjë më shumë me faktin që ndihet i lënë mënjanë kur merret një vendim. Burri ose gruaja që kanë gjykim të thellë do të depërtojnë nën atë që duket në sipërfaqe dhe do të arrijnë në zemër të problemit.—Fjalët e urta 16:23.
A është më e lehtë ta thuash se ta bësh? Pa dyshim! Nganjëherë, me gjithë përpjekjet më të mira, do të thuhen fjalë të ashpra dhe do të shpërthejë zemërimi. Kur sheh që nis të ndodhë kjo gjë, mund të jetë e nevojshme të ndjekësh këshillën që jepet në Fjalët e urta 17:14: «Ndërprite grindjen përpara se të acarohet.» Nuk ka asnjë të keqe ta shtysh një diskutim derisa të jenë qetësuar ndjenjat. Nëse e keni të vështirë të flitni pa e lënë situatën t’ju ikë nga duart, mund të jetë e këshillueshme që një mik i pjekur të ulet bashkë me ju të dy dhe t’ju ndihmojë të sqaroni mospajtimet. *
Mbaj një pikëpamje realiste
Mos u shkurajo nëse martesa juaj nuk është ajo që përfytyroje gjatë shoqërimit. Një ekip specialistësh thotë: «Për shumicën e njerëzve martesa nuk është aspak një lumturi e pafundme. Ajo është e mrekullueshme hera-herës dhe shumë e vështirë herë të tjera.»
Vërtet, martesa mund të mos jetë si dashuria nëpër libra, por nuk ka pse të jetë as një tragjedi. Ndërkohë që do të ketë momente kur ty dhe bashkëshortit do t’ju duhet thjesht ta duroni njëri-tjetrin, do të ketë, gjithashtu, raste kur mund t’i lini mënjanë mospajtimet dhe thjesht të gëzoni duke qenë bashkë, duke u zbavitur dhe duke folur me njëri-tjetrin si miq. (Efesianëve 4:2; Kolosianëve 3:13) Këto janë çaste kur mund ta ringjallni dashurinë që është venitur.
Mos harro se dy njerëz të papërsosur nuk mund të kenë një martesë të përsosur. Por mund të gjejnë një masë lumturie. Në të vërtetë, me gjithë vështirësitë, marrëdhënia mes teje dhe bashkëshortit mund të jetë burim kënaqësie të pamasë. Një gjë është e sigurt: nëse si ti, edhe bashkëshorti yt bëni përpjekje dhe jeni të gatshëm të jeni elastikë e të kërkoni përfitimin e tjetrit, ka arsye të vlefshme për të besuar se martesa juaj mund të shpëtohet.—1 Korintasve 10:24.
[Shënimet]
^ par. 22 Ndikimi i prindërve nuk e justifikon të folurin e ashpër kundrejt bashkëshortit. Megjithatë, mund të ndihmojë për të shpjeguar se në ç’mënyrë një prirje e tillë mund të ngulitet thellë dhe të bëhet e vështirë për t’u çrrënjosur.
^ par. 25 Fjala origjinale greke e përkthyer ‘grindje të ashpra për çikërrima’ mund të përkthehet edhe «acarime të dyanshme».
^ par. 31 Dëshmitarët e Jehovait kanë në dispozicion ndihmën e pleqve të kongregacionit. Ndërkohë që nuk kanë për detyrë të ndërhyjnë në çështjet personale të çifteve të martuara, pleqtë mund të jenë një ndihmë freskuese për çiftet që janë në situatë të dëshpëruar.—Jakovit 5:14, 15.
[Diçitura në faqen 12]
Fjalët e tua lëndojnë apo shërojnë?
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
HIDHE TOPIN ME BUTËSI
Bibla thotë: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:6) Kjo patjetër që zbatohet për martesën. Ta ilustrojmë: në një lojë me top, ti e hedh topin në mënyrë që të mund të kapet kollaj. Nuk e flak me aq forcë sa ta dëmtosh shokun. Zbato po këtë parim kur flet me bashkëshortin. Duke lëshuar vërejtje të hidhura vetëm sa do të shkaktosh lëndim. Në vend të kësaj, fol me butësi—me hir—në mënyrë që bashkëshorti ta kuptojë atë që do të thuash.
[Kutia dhe figura në faqen 11]
KUJTO TË KALUARËN!
Lexo letra dhe kartolina të së kaluarës. Shih fotografi. Pyet veten: ‘Çfarë më tërhoqi te bashkëshorti im ? Çfarë cilësish admiroja më shumë? Çfarë gjërash bënim së bashku? Çfarë na bënte të qeshnim?’ Pastaj fol rreth këtyre kujtimeve me bashkëshortin. Një bisedë që fillon me shprehjen «Të kujtohet kur . . . ?» mund të të ndihmojë ty dhe bashkëshortin të rizgjoni ndjenjat që provonit dikur së bashku.
[Kutia në faqen 12]
BASHKËSHORT I RI, PROBLEME TË NJËJTA
Disa bashkëshortë që ndihen të zënë në kurth në një martesë ku s’ka dashuri tundohen ta fillojnë gjithçka nga e para me një bashkëshort të ri. Por Bibla e dënon kurorëshkeljen, duke thënë se një person që kryen këtë mëkat «ka mungesë zemre [është një njeri pa mend]» dhe «çon në rrënim shpirtin e tij». (Fjalët e urta 6:32, BR) Së fundi, kurorëshkelësi i papenduar humbet favorin e Perëndisë, dhe ky është rrënimi më i keq i mundshëm.—Hebrenjve 13:4.
Marrëzia e madhe e një mënyre jetese që përfshin tradhtinë bashkëshortore duket edhe në drejtime të tjera. Në radhë të parë, kurorëshkelësi që martohet me dikë tjetër ka të ngjarë të hasë të njëjtat probleme që e mundonin në martesën e parë. Dr. Diana Medved nxjerr në pah një faktor tjetër që duhet marrë parasysh: «Gjëja e parë që mësoi rreth teje bashkëshorti i ri,—thotë ajo,—ishte se je i prirur të jesh jobesnik. Ai ose ajo e di se mund ta gënjesh dikë të cilit i ke premtuar ta nderosh. Se je mjeshtër për t’u justifikuar. Se mund të shmangesh nga angazhimi që merr. Se do të shkosh pas kënaqësisë dhe plotësimit të dëshirave egoiste. . . . Nga ta dijë bashkëshorti i dytë që nuk do të tundohesh për t’u larguar sërish?»
[Kutia në faqen 14]
MENÇURI NGA PROVERBAT BIBLIKE
• Fjalët e urta 10:19: «Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.»
Kur je i zemëruar, mund të thuash më shumë nga sa ke ndër mend dhe më pas pendohesh
• Fjalët e urta 15:18: «Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.»
Akuzat therëse mund ta bëjnë bashkëshortin të mbrohet, ndërsa të dëgjuarit me durim do t’ju ndihmojë të dy që të punoni për të gjetur një zgjidhje
• Fjalët e urta 17:27: «Kush i mat fjalët e veta ka dije dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.»
Kur ndjen se po rritet zemërimi, është më mirë të ruash qetësinë, në mënyrë që të shmangësh një grindje të ashpër
• Fjalët e urta 29:11: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.»
Vetëkontrolli është jetësor. Një shpërthim inati me fjalë të ashpra vetëm sa do të të armiqësojë me bashkëshortin