Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Fshikëz Në artikullin «Kur dashuria është e verbër» (22 mars 2000, botimi në anglisht) thuhet se flutura e natës del nga «chrysalis». Megjithatë, janë fluturat ato që bëjnë «chrysalis». Fluturat e natës bëjnë fshikëza.
V. L., Shtetet e Bashkuara
Sipas fjalorit «Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary», termi «chrysalis» mund të përdoret më gjerësisht me kuptimin «pupa e një insekti». Vërtet, kjo fjalë përdoret më shpesh në rastin e fluturave. Megjithatë, disa vepra referimi e përdorin këtë term për fluturat e natës.—BOT.
Vasa Dua të shpreh vlerësimin tim për artikullin «Vasa—Nga e shkatërruar në tërheqëse». (8 prill 2000, anglisht) Si historian që kam punuar ca rreth kësaj çështjeje, mund të them me bindje se artikulli ishte fryt i kërkimeve jashtëzakonisht të sakta. Ishte bërë një punë e shkëlqyer për t’i shpjeguar ngjarjet në mënyrë të ekuilibruar.
T. V., Gjermani
Fitore ligjore Kohët e fundit kam shkuar në gjyq për kujdestarinë e fëmijëve, dhe ish-burri im bëri problem bindjet e mia fetare. Ishte diçka e rëndë. Kur lexova artikullin «Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë» (maj 2000), më rrodhën lot.
D. B., Shtetet e Bashkuara
Pasi e lexova artikullin, u dhashë nga një kopje prokurorëve në zonën tonë. As edhe një nuk e refuzoi. Disa, madje, më ftuan në zyrat e tyre për një kafe dhe për të diskutuar më tej. Shumë nga ata kërkuan kopje të tjera për kolegët. Të gjithë prokurorët u habitën kur u tregova se Hejden Kavintëni kishte fituar 36 nga 45 çështjet gjyqësore para Gjykatës Supreme të SHBA-së.
K. M., Shtetet e Bashkuara
Baballarë adoleshentë Po ju shkruaj për të shprehur çmueshmërinë e thellë për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Të kesh fëmijë: A të bën burrë?» (maj 2000) Jam 28 vjeç dhe i pamartuar, e shërbej si pionier special ose ungjillëzues në kohë të plotë. Në këtë pjesë të Afrikës Perëndimore, dikush që ka moshën time dhe nuk ka grua ose një të dashur konsiderohet i prapambetur dhe impotent. Shpesh më tallin e më përçmojnë për shkak të kësaj. Megjithatë, ky artikull ma forcoi vendosmërinë për të qëndruar i dëlirë nga ana morale.
A. E., Ganë
E humba virgjërinë kur isha adoleshente dhe shkoja me shumë djem. Çdo herë ndihesha e ndyrë dhe shpesh të tjerët më shfrytëzonin. Kjo gjë më bëri të bija në depresion. Jehovai më ndihmoi ta pastroja jetën time dhe tani gëzoj një martesë të lumtur me një njeri të shkëlqyer. Por është për t’u lavdëruar që botoni artikuj të tillë, për t’i ndihmuar djemtë të kuptojnë se ajo që bëjnë mund ta dëmtojë një vajzë për gjithë jetën.
F.A.S., Gjermani
Ndihem e nxitur t’ju falënderoj që tregonit se mbi kë bie të paktën gjysma e përgjegjësisë për faktin që ka nëna të pamartuara: tamam mbi baballarët! Shumë njerëz mendojnë se meqë vetëm gratë mbeten shtatzëna, ndërtimi fizik tregon se ky është problemi i grave dhe që burrat nuk kanë pse të marrin ndonjë përgjegjësi. Vazhdoni t’i ndërgjegjësoni të rinjtë rreth mënyrës se si dëshiron Perëndia të trajtohen gratë.
J.M.O., Itali