Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Sy të etur për oksigjen

Në gazetën The Globe and Mail vërehet se disa persona që mbajnë lente kontakti mund të jenë duke i lënë sytë pa oksigjen. «Vaskularizimi ndodh kur kornea [mbulesa e tejdukshme e syrit] nuk mund të marrë oksigjenin që i duhet përmes sipërfaqes së kontaktit me ajrin dhe fillon të formojë enë të reja gjaku për ta kompensuar këtë gjë.» Rezultati mund të jetë shikim i dëmtuar ose edhe verbëri. Dr. Rejmond Stein, shef i repartit të okulistikës në një spital të Torontos, thotë se «më e keqja është kur një pacient nuk kujdeset për lentet e tij ose të saj dhe nuk i bie pas problemit». Okulistët i nxitin pacientët që të këshillohen me një specialist të syve, për t’u siguruar nëse i kanë lentet e kontaktit të përshtatshme tamam për sytë e tyre dhe pastaj të ndjekin programin që rekomandohet për mbajtjen e tyre, si edhe udhëzimet për mirëmbajtjen e lenteve.

Miqësi në rënie në Brazil

Tani, siç vërehet në gazetën O Globo, brazilianët kultivojnë miqësi më rrallë sesa dhjetë vjet më parë. Sipas specialistes së shëndetit mendor Maria Abigail de Souza, nga Universiteti i San-Paulos, konkurrenca e egër në tregun e punës, lufta për të mbajtur një stil të caktuar jete dhe pakësimi i kohës së lirë janë që të gjithë faktorë që kontribuojnë. Sezar Vaskonselus de Souza, mjeku drejtues i qendrës shëndetësore Adventist Healthy Life Center në San-Paulo, thotë: «Për të pasur miq të vërtetë, duhet të ndajmë me ta ndjenjat tona, të hapim zemrën dhe të tregojmë gjërat e gëzuara ose të trishtuara, gjërat që janë të vështira ose të lehta për t’u thënë. Kjo gjë kërkon kohë dhe një forcim të lidhjeve emocionale. Shumicës së njerëzve do t’u pëlqente t’i ndanin ndjenjat e tyre me të tjerët, por kanë frikë ta bëjnë këtë. Për të shmangur rreziqet, ata parapëlqejnë miqësi sipërfaqësore.»

Hidhërim dhe depresion

Një sondazh me burra dhe gra të moshës 70 deri në 79-vjeçare tregon se disa nga ata që mbeten të ve kanë simptoma të depresionit në një nivel të lartë deri në dy vjet pas humbjes së bashkëshortit. Ata që morën pjesë në studim u ndanë në gjashtë grupe, sipas kohës që kishte kaluar nga vdekja e bashkëshortit. U bënë si intervista, ashtu edhe anketa për të përcaktuar intensitetin e simptomave të depresionit. Ndër të anketuarit, 38 për qind ishin burra dhe 62 për qind ishin gra. Studimi zbuloi se niveli i depresionit tek ata që sapo kanë pësuar një humbje të tillë është nëntë herë më i madh se te personat e martuar që nuk kanë pësuar një humbje të ngjashme.

Në grackën e pornografisë në Internet

Siç raportohet në The New York Times, kërkuesit kanë zbuluar se «të paktën 200.000 persona që përdorin Internetin janë të dhënë pas siteve pornografike, dhomave ‘të ndaluara’ të bisedës ose materialeve të tjera seksuale në rrjet». Studimi u drejtua nga psikologë të universiteteve të Stanfordit e të Dukejnit dhe është ndër të parët që ka përllogaritur numrin e «të fiksuarve pas seksit në Internet». Kërkuesit thanë se këta individë vizitojnë site Web ‘të ndaluara’ për më shumë se 11 orë në javë. Në gazetë citohej ajo që kishin thënë kërkuesit: «Ky është një rrezik i fshehtë për shëndetin publik, i cili po merr përmasa të papara, e kjo pjesërisht ngaqë shumë pak veta po e pranojnë se ky është një rrezik ose po e marrin si diçka serioze.»

SIDA shkreton Afrikën

Sipas Kofi Ananit, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar në Afrikë SIDA ka vrarë më shumë njerëz se lufta. Këtu përfshihen luftërat në Republikën Demokratike të Kongos, në Sierra-Leone, në Angolë, në Republikën e Kongos, në Etiopi, në Somali, në Eritre dhe në Sudan. Thuajse dy të tretat e 36 milionë të sëmurëve me SIDA në botë jetojnë në Afrikën Subsahariane. Në Bregun e Fildishtë, SIDA vret një mësues për çdo ditë shkolle dhe në Botsvanë jetëgjatësia e pritshme ka rënë nga 70 vjeç në 41 vjeç. Në Zimbabve pritet që aty nga viti 2005, HIV-i dhe SIDA të përpijnë 60 për qind të buxhetit të shëndetësisë, e madje edhe ai s’do të jetë i mjaftueshëm. Çështja e SIDA-s është nxjerrë jashtë diskutimit në Malavi dhe në Zambia, ku përqindjet e infektimit janë jashtëzakonisht të larta; në Afrikën e Jugut viktimat e SIDA-s shmangen, siç vërehet në gazetën The Guardian të Londrës. «Asnjëri nga ne nuk ka filluar ta kuptojë ende ndikimin e plotë të këtij tmerri: mbi cilësinë e jetës në Afrikë, mbi potencialin e saj ekonomik dhe mbi qëndrueshmërinë shoqërore e politike»,—tha z. Anan.

Qytetet ndryshojnë klimën

«Rritja shpërthyese e qyteteve po krijon ‘ishuj të nxehtë’ deri në atë pikë, sa në to po formohen sisteme lokale të motit»,—vërehet në The Times të Londrës. Qytetet thithin nxehtësi gjatë ditës dhe e lëshojnë sërish në atmosferë gjatë natës. Temperaturat në qytete si Pekini dhe Atlanta janë rritur kështu me 5,5 gradë Celsius a më shumë. Gjatë 19 vjetëve të fundit, në Atlanta 150.000 hektarë dikur të mbuluara me pemë tani i kanë zëvendësuar rrugët dhe shtëpitë. Shtrirja e qyteteve shton ndotjen e ajrit, shkakton shtrëngata jashtë stinës së tyre dhe ul prodhimtarinë fotosintetike të tokës bujqësore. Duke komentuar rreth efekteve të këtyre «ishujve të nxehtë», dr. Mark Imhofi, shkencëtar i National Aeronautics and Space Administration, tha: «Mbijetesa e njerëzve varet nga aftësia e tokës për të prodhuar ushqim. Nëse aftësia e tokës për të kryer fotosintezën bie shumë, do të pakësohet edhe aftësia e planetit për të mbështetur jetën njerëzore.» Në shumicën e rasteve, është toka më e mirë bujqësore ajo që sakrifikohet për zgjerimin e qyteteve.

Ndotja i jep fund kërkesës për balena

Ndotja mund të jetë bërë një aleat i pazakontë në luftën për të shpëtuar balenat. Hulumtime të bëra kohët e fundit kanë treguar se balenat dhe delfinët e kapur pranë brigjeve të Japonisë janë mjaft të ndotur me DDT, dioksinë, PCB dhe metilmërkur. Një analizë tregoi se të hash vetëm 50 gramë mish të infektuar delfini mund të shkaktojë një rrezik serioz për shëndetin. Lajme të tilla, siç presin disa, mund t’i japin fund kërkesës për mish balene.

Zambak uji «vetëpastrues»

Përse zambaku i ujit, një bimë e konsideruar prej kohësh si e shenjtë në fetë e Lindjes, duket gjithmonë kaq i pastër? Shkencëtarët gjermanë tani pohojnë se e kanë gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje që ka ngjallur kureshtje mes biologëve për shumë e shumë kohë. «Aftësia e pjesës sipërfaqësore të këtyre bimëve për të larguar ujin ka qenë e njohur prej kohësh,—thonë shkencëtarët V. Bartlot dhe K. Nainhues.—Por aftësitë vetëpastruese . . . ishin lënë plotësisht në hije.» Siç shpjegohej në Sunday Times of India, «piklat e ujit që rrëshqasin nëpër gjethen e një zambaku uji marrin me vete grimcat ndotëse, duke e pastruar kështu sipërfaqen në mënyrë të përsosur». Kjo nuk ndodh ngaqë sipërfaqja është e lëmuar. E parë në mikroskop, gjethja ka sipërfaqe të ashpër me «xhunga, pala dhe bula», me një profil «të mysët ose në formë kubeje nëpër të cilin rrjedh uji». Kësaj i shtohet edhe efekti i kristaloideve të dyllit që janë hidrofobe, domethënë që nuk kanë afri për ujin, të cilat veshin bimën. Studiuesit thonë se kjo «veti e zambakut të ujit» e pakëson në një masë të madhe mundësinë e ujit dhe të grimcave ndotëse për t’u ngjitur me bimën dhe shtojnë, gjithashtu, se bima mund ta rigjenerojë dyllin, me gjithë kushtet e pafavorshme të mjedisit. Kjo gjë, siç thonë ata, bën që efektshmëria natyrore e zambakut të ujit të qëndrojë shumë më lart se bojërat e papërshkueshme nga uji ose se lëndët larëse të prodhuara nga njeriu.

Bën për t’u pirë?

Në një studim të kryer nga Fondi Botëror për Natyrën (WWF) paralajmërohet se «duhen marrë masa paraprake» përpara se cilësia e ujit në Francë të arrijë në «një pikë ku nuk ka më kthim mbrapa». Sipas WWF-së, ujërat e nëndheshëm dhe sipërfaqësorë të Francës po ndoten me pesticide dhe me nitrate. Ndotja me nitrate ndodh kryesisht kur plehu i derrave dhe i gjedhëve arrin në rezervat e ujit. Në studim thuhet se «jashtëqitjet e tetë milionë derrave në rajonin e Bretanjës mund të krahasohen me mbeturinat e një qyteti me 24 milionë banorë, i cili nuk ka sistem të ujërave të zeza». Për më tepër, siç thotë WWF-ja, edhe «përdorimi në masë i plehrave për një bujqësi në shkallë të gjerë» i ndot rezervat ujore me nitrate. Veç kësaj, përdorimi i madh i pesticideve në prodhimin e misrit ka bërë që niveli i pesticideve të jetë më shumë se 40 për qind më i lartë nga standardet e përcaktuara. Në studimin e WWF-së rekomandohet të rikrijohen moçale dhe zona të pyllëzuara mbrojtëse, që të veprojnë si filtrues natyrorë.