Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’ia dal tani që babai na ka braktisur?

Si mund t’ia dal tani që babai na ka braktisur?

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund t’ia dal tani që babai na ka braktisur?

«Ishte e vështirë të rritesha pa babanë. Thjesht dëshiroja pak vëmendje.»—Henri. *

JOANA ishte 13 vjeçe kur babai u largua nga shtëpia. I dhënë plotësisht pas alkoolit, pasi u largua, ai s’bënte shumë përpjekje që të takohej me fëmijët. Mjerisht, Joana nuk është e vetmja; ka shumë të rinj që janë braktisur nga baballarët.

Nëse kjo gjë të ka ndodhur edhe ty, ka shumë të ngjarë që të të duket e vështirë t’ia dalësh mbanë në këtë situatë. Hera-herës mund të të mbytë dhembja dhe zemërimi. Disa herë mund të ndihesh i trishtuar dhe mund të biesh në dëshpërim. Madje mund të ndihesh i tunduar të rebelohesh. Siç tha njëherë shkrimtari biblik Solomoni, «shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë marrëzisht».—Predikuesi 7:7, BR.

‘Veprohet marrëzisht’

Pasi i ati u largua nga shtëpia, Xhejmsi ‘veproi marrëzisht’. Ai tha: «Nuk dëgjoja askënd që kishte autoritet, as edhe mamanë. Futesha në shumë sherre. Gënjeja gjithnjë dhe largohesha vjedhurazi natën, sepse s’kishte asnjë që të më disiplinonte. Mamaja përpiqej të më ndalonte, por nuk mundej.» A e përmirësoi në të vërtetë rebelimi situatën e Xhejmsit? Aspak. Xhejmsi thotë se s’kaloi shumë kohë dhe ai «merrte drogë, largohej nga mësimi e ngelte në provime». Në një kohë të shkurtër, sjellja e tij u bë edhe më e keqe. «Vidhja dyqane dhe, gjithashtu, grabitja njerëzit,—tregon ai.—Më arrestuan dy herë dhe më futën për pak kohë në burg, por kjo nuk më ndali.»

Kur e pyetën se ç’gjë e bënte kaq rebel, Xhejmsi tha: «Duke qenë se babai kishte ikur, më mungonte disiplina. Në të vërtetë nuk mendoja se sa shumë po e lëndoja mamanë, vëllanë dhe motrën më të vogël e, po ashtu, vetveten. Kisha nevojë për vëmendjen dhe disiplinën e babait.»

Por rebelimi vetëm sa e keqëson më tepër një situatë të rëndë. (Jobi 36:18, 21) Xhejmsi, për shembull, i solli probleme jo vetëm vetes, por edhe mamasë dhe vëllait e motrës, të cilët përjetuan strese dhe tensione të panevojshme. Edhe më serioz është fakti që sjellja rebele mund ta vërë një person kundër vetë Perëndisë. Në fund të fundit, Jehovai i urdhëron të rinjtë t’i binden nënës.—Fjalët e urta 1:8; 30:17.

Të mposhtësh zemërimin

Si mund ta përballosh, pra, zemërimin dhe mllefin që mund të ndjesh kundrejt babait? Para së gjithash, mund të të duhet t’i kujtosh vetes se nuk ishte faji yt që babai u largua. E, gjithashtu, kjo gjë nuk do të thotë medoemos se ai nuk të do ose nuk do t’ia dijë më për ty. Natyrisht, mund të jetë e dhembshme nëse babai nuk bën shumë përpjekje që të të telefonojë ose të të takojë. Por siç tregohej në artikullin e kaluar të kësaj serie, * shumë baballarë që largohen i humbasin lidhjet me fëmijët e tyre jo ngaqë nuk i duan, por sepse ndihen të mbytur nga ndjenja e fajit dhe e turpit. Të tjerë, si babai i Joanës, janë të dhënë pas drogës ose alkoolit dhe kjo i pengon të sillen normalisht.

Sido që të jetë situata, përpiqu të mbash ndër mend se prindërit janë të papërsosur. Në Bibël bëhet e qartë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23; 5:12) Vërtet, kjo nuk e justifikon një sjellje të papërgjegjshme dhe që dëmton të tjerët. Por, duke pranuar faktin se që të gjithë kemi trashëguar papërsosmëri mund ta kesh më të lehtë të largosh zemërimin shkatërrimtar dhe mllefin.

Ajo që thuhet në Predikuesin 7:10 mund të të ndihmojë të përballosh zemërimin dhe mllefin që mund të ndjesh ndaj prindërve. Vër re se ç’paralajmërim jepet kundër përqendrimit tek e kaluara: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’, sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.» Kështu, në vend që ta mbash mendjen tek ajo se si ishin dikur gjërat, është më mirë të përqendrohesh për të bërë më të mirën që mundesh në situatën që ndodhesh.

Të bësh hapin e parë

Për shembull, mund të mendosh që të bësh hapin e parë për t’u lidhur me babanë. Vërtet, është ai që ju braktisi dhe me të drejtë mund të mendosh se i takon atij të bëjë hapin e parë. Por nëse ai nuk ka arritur ta bëjë këtë gjë dhe mungesa e lidhjeve me të po të bën të trishtuar dhe të palumtur, a nuk ia vlen të përpiqesh ti vetë që ta përmirësosh situatën? Mendo pak për mënyrën se si veproi Jezu Krishti kur disa nga miqtë e tij e lënduan. Natën e fundit të jetës së tij si njeri, apostujt e braktisën. Pjetri ishte mbajtur me të madh se nuk do t’i ndahej Jezuit, çfarëdo që të ndodhte. Megjithatë Pjetri e mohoi Jezuin: jo një, por tri herë!—Mateu 26:31-35; Luka 22:54-62.

Sidoqoftë, me gjithë të metat që kishte Pjetri, Jezui vazhdoi ta donte. Pas ringjalljes, Jezui bëri hapin e parë për të rivendosur marrëdhënien e tyre, duke iu shfaqur në mënyrë të veçantë Pjetrit. (1 Korintasve 15:5) Është interesant fakti që, kur Jezui e pyeti Pjetrin: «A më do mua?», përgjigjja e Pjetrit ishte: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Me gjithë veprimet e tij për të ardhur turp, Pjetri e donte ende Jezuin.—Gjoni 21:15.

Ashtu si në rastin e Pjetrit dhe Jezuit, situata me babanë tënd mund të mos jetë aq e pashpresë sa ç’duket. Ndoshta ai do të përgjigjet nëse ti, në ndonjë mënyrë, bën hapin e parë, si për shembull duke i bërë një telefonatë, duke i shkruar një letër ose duke i bërë një vizitë. Henri, i përmendur në fillim, kujton: «Njëherë i shkrova babait dhe ai më dërgoi një letër ku më thoshte se ishte krenar për mua. E vura në kornizë atë letër dhe e mbajta në murin e dhomës sime për vite të tëra. E kam ende edhe sot e kësaj dite.»

Ngjashëm, Joana dhe motrat e vëllezërit e saj bënë hapin e parë, duke vizituar babanë e tyre alkoolist. «Nuk ishte në ndonjë gjendje kushedi,—pranon Joana,—por, prapëseprapë, ishte diçka e mirë që e takuam.» Ndoshta duke bërë hapin e parë mund të kesh rezultate të mira. Nëse fillimisht nuk merr ndonjë përgjigje, mund të lësh të kalojë njëfarë kohe dhe pastaj të provosh përsëri.

Përballimi i dhembjes që vjen kur të hedhin poshtë

Solomoni na kujton se ka «një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur». (Predikuesi 3:6) Nganjëherë një i ri duhet të ndeshet me faktin e dhembshëm se babai i tij ose i saj nuk dëshiron të ketë lidhje me fëmijët e vet. Nëse është kështu në rastin e babait tënd, ndoshta një ditë ai do ta kuptojë se sa shumë ka humbur duke mos mbajtur lidhje me ty.

Megjithatë, ndërkaq ji i sigurt se fakti që ai nuk të pranon nuk do të thotë se je i pavlerë. Psalmisti biblik Davidi tha: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Vërtet, pavarësisht nga kjo, ti ke vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.—Luka 12:6, 7.

Prandaj, nëse ndihesh i shkurajuar ose i dëshpëruar, afroju Perëndisë në lutje. (Psalmi 62:8) Tregoji tamam se si ndihesh. Ji i sigurt se ai do të të dëgjojë dhe do të të ngushëllojë. Një psalmist tjetër biblik shkroi: «Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet [ngushëllimet, BR] e tua më jepnin zemër.»—Psalmi 94:19.

Edhe shoqëria e ngrohtë me të bashkëkrishterët mund të të ndihmojë t’i bësh ballë këtij refuzimi. Në Fjalët e urta 17:17 thuhet: «Një shok i vërtetë të do në çdo kohë dhe është një vëlla i lindur për ditët e ankthit.» (BR) Mund të gjesh shokë të tillë të vërtetë brenda kongregacionit të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndoshta do të jetë veçanërisht e dobishme të njihesh me disa nga mbikëqyrësit e kongregacionit. Vëllai i Joanës, Piteri, jep këtë këshillë: «Bisedo me më të mëdhenjtë në kongregacion dhe ata do të të ndihmojnë shumë. Nëse të ka braktisur babai, tregoju atyre se si ndihesh.» Mbikëqyrësit e kongregacionit mund të të japin edhe disa sugjerime praktike duke të treguar se si të merresh me disa nga punët që më parë i bënte babai, si për shembull, riparimet në shtëpi.

Edhe mamaja mund të jetë një burim mbështetjeje. Vërtet, ajo mund të jetë duke vuajtur për vete nga dëshpërimi. Por nëse ia shpreh me respekt ndjenjat e tua, pa dyshim që do të bëjë më të mirën që mundet për të të ndihmuar.

Mbështete familjen!

Mungesa e babait mund të ndikojë në shumë mënyra te familja jote. Mamasë mund t’i duhet të fillojë një punë, ndoshta edhe dy, për të plotësuar nevojat. Ty dhe motrave e vëllezërve mund t’ju duhet të mbani më shumë përgjegjësi familjare. Por mund t’i përballosh këto ndryshime nëse kultivon dashuri altruiste të krishterë. (Kolosianëve 3:14) Kjo mund të të ndihmojë të mbash një qëndrim pozitiv dhe të mposhtësh inatin. (1 Korintasve 13:4-7) Piteri thotë: «Të ndihmoj familjen është tamam ajo që duhet të bëj dhe ndiej kënaqësi duke ditur se po ndihmoj mamanë dhe motrat e mia.»

Pa dyshim, largimi i babait nga shtëpia është një ngjarje tragjike dhe e dhembshme. Por mund të jesh i sigurt se me ndihmën e Perëndisë dhe me ndihmën e miqve të dashur të krishterë e të familjes, ti dhe familja jote mund t’ia dilni mbanë. *

[Shënimet]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 11 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Përse babai na braktisi?» në numrin e 22 nëntorit 2000, anglisht.

^ par. 27 Për informacione të mëtejshme rreth jetës në familje me një prind shih artikujt e serisë «Të rinjtë pyesin . . . . » në numrat e 22 dhjetorit 1990 dhe 22 marsit 1991, anglisht.

[Figurat në faqen 24]

Disa të rinj kanë bërë hapin e parë për t’u lidhur me babanë