Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të zënë në kurth në një martesë ku s’ka dashuri

Të zënë në kurth në një martesë ku s’ka dashuri

Të zënë në kurth në një martesë ku s’ka dashuri

«Në një shoqëri ku divorci është kaq i përhapur, jo vetëm ka të ngjarë që më shumë martesa të palumtura të përfundojnë me divorc, por, veç kësaj, ka të ngjarë që më shumë martesa të bëhen të palumtura.»—KËSHILLI PËR FAMILJET NË AMERIKË.

THUHET se një pjesë e madhe e lumturisë së jetës dhe një pjesë e madhe e mjerimit të saj vijnë nga një burim i përbashkët—martesa. Vërtet, pak gjëra në jetë mund të sjellin kaq shumë gëzim ose kaq shumë ankth. Siç tregohet në kutinë shoqëruese, shumë çifte po përjetojnë ankth të jashtëzakonshëm.

Por statistikat e divorceve nxjerrin në pah vetëm një pjesë të problemit. Për çdo martesë që fundoset, ka shumë e shumë të tjera që mbeten në sipërfaqe, por që ngecin në ujëra të ndenjura. «Kemi qenë një familje e lumtur, por 12 vitet e fundit kanë qenë të tmerrshme,—rrëfeu një grua që ka më shumë se 30 vjet martesë.—Burri nuk interesohet për ndjenjat e mia. Ai është me të vërtetë armiku im më i keq nga ana emocionale.» Ngjashëm, një burrë që është i martuar nga thuajse 25 vjet u ankua: «Gruaja më ka thënë se nuk më do më. Ajo thotë se po të rrimë thjesht si shokë dhome dhe në kohën e lirë secili të shikojë punën e vet, atëherë kjo gjendje mund të durohet.»

Vërtet, disa nga ata që ndodhen në një situatë kaq të rëndë i japin fund martesës. Për shumë veta, ama, divorci është diçka që as mund të mendohet. Përse? Sipas dr. Karen Kajzer, faktorë të tillë, si: fëmijët, turpi nga njerëzit, gjendja financiare, miqtë, të afërmit dhe bindjet fetare mund ta mbajnë një çift së bashku, madje edhe atëherë kur ndërmjet tyre s’ka dashuri. «Duke qenë e pamundur të divorcohen ligjërisht,—thotë ajo,—këta bashkëshortë zgjedhin të qëndrojnë me një partner me të cilin janë të divorcuar emocionalisht

A duhet t’i nënshtrohet një jete të pakënaqshme një çift, marrëdhënia e të cilëve është ftohur? A është një martesë ku s’ka dashuri zgjedhja e vetme veç divorcit? Përvoja tregon se shumë martesa me probleme mund të shpëtohen: jo vetëm nga ankthi i prishjes, por edhe nga vuajtjet që sjell mungesa e dashurisë.

[Kutia në faqen 3]

DIVORCI PËRRETH BOTËS

Australi: Që nga fillimi i viteve 60 të shekullit të 20-të, përqindja e divorceve thuajse është katërfishuar.

Britani: Sipas parashikimeve, 4 në 10 martesa do të përfundojnë me divorc.

Kanada dhe Japoni: Divorci prek afro një të tretën e martesave.

Shtetet e Bashkuara: Që nga viti 1970, çiftet që martohen kanë jo më shumë se 50 për qind mundësi që të mbeten së bashku.

Zimbabve: Afro 2 në çdo 5 martesa përfundojnë me divorc.