Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ari që zhvendosi malet

Ari që zhvendosi malet

Ari që zhvendosi malet

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë

«Një katedrale argjile me maja të shumta, është gdhendur në mal. Ari dhe Roma ishin fajtorë për këtë. Koha dhe bukuria i ka falur.»—Pedro Garsia Trapiello.

NË VERIPERËNDIM të Spanjës gjendet një formacion i çuditshëm shkëmbor, i cili del nga shkëmbinj ranorë ngjyrë ari. Një qilim me pemë të gjelbra gështenje krijon përshtypjen se shkrepat e thyer dhe kullat e ngritura janë skalitur nga forcat e natyrës. Vetëm hyrja e rastësishme në një galeri bën që të zbulohet një e fshehtë e lashtë. Këtu, në një vend që tani quhet Las Médulas, dikur qëndronte miniera më e madhe e arit e Perandorisë Romake.

Ari gjithmonë i ka joshur njerëzit dhe kjo i ka shtyrë ata që të rendin me të shpejtë për ta shtënë në dorë. Libri biblik i Jobit përshkruan se si, mijëvjeçarë më parë, ‘njerëzit vinin dorë mbi strallin, rrëzonin malet nga rrënjët dhe hapnin galeri ndër shkëmbinj’ në kërkim të arit, argjendit dhe gurëve të çmuar.—Jobi 28:1-10.

Shekuj më vonë, kur Roma sundonte botën, ari ende vlerësohej shumë. Perandori August dëshironte një ekonomi të qëndrueshme dhe ‘denariuset’ e argjendta dhe ‘aureuset’ e florinjta, ishin monedhat e çmuara që i nevojiteshin për të lehtësuar tregtinë romake. Natyrisht që, për të prodhuar monedha të mjaftueshme, ai kërkonte ar dhe argjend. Kështu që legjionet pushtuese romake i pasonin menjëherë kërkuesit e arit.

Kur, më në fund, legjionet nënshtruan Spanjën Veriperëndimore, jo shumë kohë para fillimit të erës sonë, zbuluan atje rezerva të reja ari. Mjerisht, metali i çmuar gjendej i varrosur në depozitat aluviale malore dhe ta nxirrje arin prej tyre nuk ishte diçka e lehtë. U deshën dy shekuj e gjysmë me mund e djersë për të nxjerrë në sipërfaqe thesarin e fshehur.

Megjithatë, romakët, nuk dorëzoheshin lehtë. Puna ishte e lirë dhe teknikat e gërmimit të asaj kohe—ndonëse të lodhshme—e bënë projektin të realizueshëm. Plani i tyre ishte që ta nxirrnin arin duke e shpëlarë dalëngadalë malin. Për t’ia arritur qëllimit, ata ndërtuan më shumë se 50 kanale, ndërtuan disa rezervuarë të mëdhenj lart në male dhe gërmuan qindra kilometra galeri.

Pasi u ndërtua një rrjet galerish brenda një pjese të malit, inxhinierët bënë që në ato galeri të vërshonte ujë me presion. Ujërat e fryra rrëzuan sasi të mëdha dheu. Rëra dhe shkëmbi që mbante arin shpëlahej dhe binte në këmbë të malit, ku ari mund të veçohej nga gurët duke e larë në një tigan e duke e shoshitur. Më pas, i tërë procesi përsëritej duke ndërtuar galeri të tjera.

A ia vlente e gjithë kjo përpjekje? Romakët nxorën me durim rreth 800 tonë ar nga Las Médulas. Për ta marrë gjithë atë ar, mijëra punëtorë zhvendosën malet në kuptimin e vërtetë të fjalës—më shumë se 240 milionë metra kub dhé. Dhe, për çdo dhjetë tonë dhé që gërmonin, merrnin 30 gramë ar.

Në ditët tona, s’ka mbetur asgjë, me përjashtim të galerive dhe shkëmbinjve të thepisur të malit të prishur, të cilat janë lëmuar nga erozioni dhe janë veshur nga pyjet me gështenjë. Në mënyrë ironike, këto gështenja të ëmbla, të cilat romakët i sollën në Spanjë, kanë dalë më të qëndrueshme se sa ari.

[Figura në faqen 22]

Monedhë ari (aureus) ku është gdhendur koka e perandorit August

[Figura në faqen 23]

Las Médulas, vendi i minierës më të madhe të arit që kishte Perandoria Romake

[Figura në faqen 23]

Pjesë e sistemit të lashtë të galerive

[Burimi i figurës në faqen 23]

Të gjitha monedhat: Musée de Normandie, Caen, France