Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse prindërit mendojnë që jam tepër i ri për t’u shoqëruar me seksin tjetër?

Pse prindërit mendojnë që jam tepër i ri për t’u shoqëruar me seksin tjetër?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse prindërit mendojnë që jam tepër i ri për t’u shoqëruar me seksin tjetër?

«Mami, ti je me të vjetrën. Nuk jemi më në vitet 50! Të gjitha po dalin me djem. Nuk jam më vajza jote e vogël.»—Xheni, 16-vjeçare. *

TË TË thonë se nuk je gati për t’u shoqëruar me dikë të seksit tjetër mund të jetë dëshpëruese. «Unë dua të bëj atë që thotë Bibla dhe ta nderoj babanë e nënën time,—thotë një i ri,—por nuk mendoj se kanë të drejtë. As nuk e di se si të flas me ta për këtë.» Ashtu si ky i ri, mund të mendosh se prindërit nuk po tregohen të arsyeshëm dhe mirëkuptues. Ndoshta ke takuar dikë që të pëlqen vërtet dhe dëshiron ta njohësh më mirë. Ose ndoshta mendon se të hysh në botën e takimeve me persona të seksit tjetër do të të ndihmojë të jesh më i ngjashëm me moshatarët e tu. «Je nën presion,—thotë Mishela.—Nëse nuk po del me ndonjë djalë, të tjerët në shkollë mendojnë se je e çuditshme.»

Një këshilltare familjare vërejti në lidhje me shoqërimin me persona të seksit tjetër: «Nuk ka asnjë fushë tjetër ku prindërit u duken fëmijëve më të paarsyeshëm.» Por, vetëm fakti që ty të duken të paarsyeshëm prindërit e tu, a do të thotë se janë me të vërtetë të tillë? Në fund të fundit, Perëndia i konsideron prindërit përgjegjës për të të mësuar, stërvitur, mbrojtur dhe për të të udhëhequr. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) A mund të jetë që prindërit e tu kanë disa shqetësime të ligjshme për mirëqenien tënde? «E shoh rrezikun që i kanoset,—thotë një nënë,—dhe frikësohem shumë.» Përse shoqërimi me persona të seksit tjetër, kur është ende shpejt, alarmon kaq shumë prindër?

Ndjenja të rrezikshme

«Prindërit e mi e bëjnë të duket sikur është e gabuar të të pëlqejë dikush»,—ankohet Beti, 14-vjeçare. Megjithatë, nëse prindërit e tu janë të krishterë, ata e dinë mirë se Perëndia i projektoi sekset që të tërhiqeshin ndaj njëri-tjetrit. (Zanafilla 2:18-23) Ata e dinë se kjo tërheqje është e natyrshme, pasi vepron në harmoni me qëllimin e Krijuesit tonë që njerëzimi të ‘mbushë tokën’.—Zanafilla 1:28.

Për më tepër, prindërit e tu e kuptojnë sa të forta mund të jenë dëshirat seksuale kur je në «lulen e rinisë». (1 Korintasve 7:36) Gjithashtu, e dinë se nuk ke përvojë për të mësuar se si t’i kontrollosh këto dëshira. Nëse fillon të kalosh shumë kohë me dikë të seksit tjetër duke u takuar, duke folur në telefon ose edhe duke shkruar letra a E-mail, ka të ngjarë që tërheqja të shtohet. ‘E ç’ka të gabuar këtu?’—mund të pyesësh. Po mirë, çfarë mënyre të ligjshme ke për t’i plotësuar këto dëshira? A je i përgatitur me të vërtetë për t’i çuar këto ndjenja në përfundimin e tyre logjik, në martesë? Ka të ngjarë që jo.

Prandaj, shoqërimi me dikë të seksit tjetër, kur është ende shpejt, përmban disa rreziqe të mëdha. Bibla paralajmëron: «A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?» (Fjalët e urta 6:27) Tepër shpesh, shoqërimi i parakohshëm çon në marrëdhënie seksuale para martesës, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj mundësive për shtatzëni jashtë martese dhe sëmundje të transmetuara me rrugë seksuale. (1 Selanikasve 4:4-6) Për shembull, një vajzë e re me emrin Tami mendonte se prindërit nuk po tregoheshin të arsyeshëm që nuk e lejonin të shoqërohej me djem. Prandaj, filloi të shoqërohej fshehurazi me një djalë në shkollë. Megjithatë, s’kaloi shumë kohë dhe Tami mbeti shtatzënë, kështu që jeta e saj ndryshoi. Tani ajo pranon: «Shoqërimi me dikë të seksit tjetër nuk është aq i mrekullueshëm sa ç’thonë.»

Po nëse një çift të rinjsh e shmangin me kujdes kontaktin e papërshtatshëm? Edhe në këtë rast, ekziston ende rreziku i zgjimit ose i nxitjes para kohe të ndjenjave të dashurisë. (Kantiku i kantikëve 2:7) Nxitja e dëshirave që mund të përmbushen në mënyrë të ligjshme vite më pas, mund të sjellë si pasojë zhgënjim dhe mjerim.

Disa gjëra të tjera për të medituar: A ke mjaft përvojë në jetë, sa ta dish çfarë duhet të kërkosh te një bashkëshort i mundshëm? (Fjalët e urta 1:4) Nga ana tjetër, a i ke tashmë cilësitë dhe aftësitë që nevojiten për të qenë një burrë ose grua që do ta duan e do ta respektojnë vërtet? A e ke vërtet durimin dhe vendosmërinë që nevojitet për të mbajtur një marrëdhënie të qëndrueshme? Nuk habitemi që shumë marrëdhënie romantike mes adoleshentëve mjerisht janë jetëshkurtra. Pak prej tyre sjellin si pasojë një martesë të qëndrueshme.

Prandaj, Monika tetëmbëdhjetëvjeçare e nxjerr bukur përfundimin, kur thotë: «Të gjitha shoqet në shkollë më tregonin historitë e tyre me djemtë që donin. Por ato ose u martuan shumë të reja, ose përfunduan me një ndarje të tmerrshme, pasi nuk ishin gati të hidhnin hapin tjetër.» Edhe një i ri me emrin Brandon thotë: «Kur e kupton se nuk je gati për t’i bërë një zotim dikujt, por mendon që tashmë e ke bërë, ngaqë po shoqërohesh me të, kjo është shumë zhgënjyese. Si t’ia bësh për të dalë nga kjo situatë, pa lënduar ndjenjat e tjetrit?»

Pa dyshim, prindërit po përpiqen të ta kursejnë këtë dhembje dhe zhgënjim, duke ngulur këmbë që të mos shoqërohesh me dikë të seksit tjetër derisa të jesh mjaft i rritur sa të bësh një zotim për martesë. Në fakt, ata vetëm sa po veprojnë në harmoni me këshillën e frymëzuar që e gjejmë te Predikuesi 11:10: «Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen.»

‘Zgjerohu’

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk mund të rrish në shoqëri me persona të seksit tjetër. Por, përse ta kufizosh shoqërinë tënde vetëm me një person? Bibla, në një kontekst tjetër, na inkurajon të ‘zgjerohemi’ në shoqërinë tonë. (2 Korintasve 6:12, 13) Kjo është një këshillë e mirë për të rinjtë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të shoqërohesh me një grup të përzier njerëzish. «Mendoj se në këtë mënyrë ke më shumë kënaqësi,—vëren Tami.—Është më mirë të kesh shumë miq.» Monika thotë: «Ideja e shoqërimit në grup është ide vërtet e mirë, sepse arrin të njohësh njerëz me personalitete të ndryshme dhe të bën të kuptosh se ekzistojnë shumë njerëz që ende nuk i ke takuar.»

Prindërit mund të jenë, madje, të gatshëm të të ndihmojnë të organizosh periudha të këndshme shoqërie me të rinj të tjerë. Ana, nënë e dy fëmijëve, shpjegon: «Sigurohemi gjithnjë që shtëpia jonë të jetë vend i këndshëm, ku fëmijët dëshirojnë të jenë. I ftojmë shokët e tyre, u japim ndonjë gjë të lehtë për të ngrënë dhe i lëmë të luajnë. Në këtë mënyrë, nuk ndihen të detyruar të jenë jashtë shtëpisë për t’u kënaqur.»

Sigurisht, edhe kur je në një grup, duhet të jesh ende i kujdesshëm që të mos i tregosh tepër vëmendje një personi. Disa të rinj arsyetojnë se, përderisa janë me njerëz të tjerë, nuk po shoqërohen në të vërtetë me njëri-tjetrin. Mos e mashtro veten. (Psalmi 36:2) Nëse ndahesh veç me të njëjtin person sa herë që mblidheni bashkë me miqtë, kjo përbën një shoqërim. * Përpiqu të përdorësh gjykim të shëndoshë në miqësitë me njerëz të seksit tjetër.—1 Timoteut 5:2.

Vlera e pritjes

Nuk është e lehtë të të thonë se je tepër i ri që të fillosh të shoqërohesh me dikë të seksit tjetër. Por prindërit nuk kanë ndër mend të të lëndojnë. Përkundrazi, ata po bëjnë gjithçka që munden për të të ndihmuar e për të të mbrojtur. Prandaj, në vend që t’i besosh zemrës sate dhe të hedhësh poshtë këshillën e tyre, përse të mos përdorësh përvojën që kanë? Për shembull, përse të mos u kërkosh një këshillë herën tjetër kur të kesh probleme për të trajtuar personat e seksit tjetër? Fjalët e urta 28:26 na kujton: «Kush i beson zemrës së tij është budalla.» Koni, një e re, thotë: «Kur më pëlqen një djalë, ajo që më ndihmon t’i rezistoj presionit për t’u shoqëruar me të është të flas me mamanë time. Ajo më tregon përvoja të asaj që u ka ndodhur shoqeve të saj dhe familjes në të kaluarën. Kjo gjë më ndihmon vërtet.»

Të presësh pak para se të shoqërohesh me dikë të seksit tjetër nuk do të ta pengojë zhvillimin emocional dhe nuk do të ta kufizojë lirinë. Duke qenë se nuk i ke marrë ende përgjegjësitë që kanë të rriturit për shoqërimin dhe martesën, ke lirinë të ‘gëzohesh në rininë tënde’. (Predikuesi 11:9) Pritja do të të japë edhe kohë për të zhvilluar personalitetin, pjekurinë dhe, ç’është më e rëndësishmja, anën tënde frymore. (Vajtimet 3:26, 27) Siç tha një e re e krishterë, «para se t’i bësh ndonjë zotim kujtdo tjetër, duhet t’i kesh bërë një zotim Jehovait».

Ndërsa rritesh dhe përparimi yt bëhet i dukshëm për të gjithë, prindërit do të fillojnë të të shikojnë ndryshe. (1 Timoteut 4:15) Dhe kur të jesh vërtet gati për t’u shoqëruar me dikë të seksit tjetër, pa dyshim, do të kesh mundësi ta bësh këtë me bekimin e prindërve të tu.

[Shënimet]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 17 Për informacion të mëtejshëm, shih faqet 232-233 të librit Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figurat në faqen 20]

Të veçosh dikë të seksit tjetër për t’i kushtuar vëmendje të veçantë . . .

. . . zakonisht zgjon ndjenja romantike

[Figura në faqen 21]

Në vend që t’i kufizosh interesat e tua te një person i vetëm, zgjerohu në shoqëri