Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rritin të vegjlit e tyre në natyrë

Rritin të vegjlit e tyre në natyrë

Rritin të vegjlit e tyre në natyrë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

NË FUSHAT e paana me bar të Afrikës, lind një këlysh. Me një zhurmë të mbytur bie në tokë nën rrezet e para të agimit. Butë-butë, e ëma përkulet dhe e ngre në këmbët e brishta të sapolindurin e saj të njomësht e të shndritshëm. Nënat e tjera dhe motrat e tij nxitojnë të afrohen për ta parë mirë dhe për ta prekur e nuhatur foshnjën e vogël. Me një peshë vetëm 126 kilogramë dhe jo më shumë se 90 centimetra i lartë, një këlysh elefanti shkakton entuziazëm te pjesëtarët e tjerë të kopesë.

Mijëra kilometra larg, në kontinentin e Amerikës, në degën e një peme gjendet e kapur fort një fole mikroskopike, me përmasat e një gishtëze. Këtu, një çift kolibrash-bletë jo më të mëdhenj se insektet fluturuese, kujdesen për dy zogtha të vegjël. Duke fluturuar me shpejtësi marramendëse, këta zogj shumëngjyrësh janë prindër të guximshëm, të cilët përpiqen t’i zmbrapsin kafshët e mëdha e, madje, edhe njerëzit që u afrohen të vegjëlve të tyre mikroskopikë.

Të vegjlit e kafshëve na tërheqin të gjithëve. Fëmijët mahniten kur lindin këlyshët e qenve. Kush nuk kënaqet nga veprimet lozonjare të një koteleje, nga pamja tërheqëse e një majmuni të vockël që rri ngjitur pas gëzofit të nënës së vet ose nga një zog bufi që shikon me sy të zgurdulluar, duke qëndruar i sigurt në folenë e tij?

Të sapolindurit e kafshëve nuk janë gjithnjë të pambrojtur si një foshnjë njerëzore. Disa lindin me aftësinë për të vrapuar pak kohë pasi këmbët e tyre të vogla cikin tokën. Të tjerë lihen krejtësisht të mbështeten në forcat e tyre për t’u mbrojtur e për të mbijetuar. Megjithatë, mbijetesa e shumë kafshëve dhe e insekteve të sapolindura varet nga ushqimi, mbrojtja, stërvitja dhe kujdesi prindëror, të cilat vijnë nga një lidhje e fortë ndërmjet prindërve dhe të vegjëlve të tyre.

Sigurues të pazakontë

Shumica e insekteve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve nuk interesohen shumë për mirëqenien e të vegjëlve të tyre. Megjithatë, ka disa përjashtime që ia vlejnë të përmenden. Një sigurues shumë i pazakontë është krokodili i frikshëm i Nilit. Ky zvarranik me gjak të ftohtë tregon një kujdes prindëror të jashtëzakonshëm. Pasi depozitohen vezët në rërën e ngrohtë, prindërit qëndrojnë aty afër për të mbrojtur pasardhësit e ardhshëm. Kur krokodilët e vegjël janë gati për të dalë nga veza, fillojnë të lëshojnë një zë, duke e sinjalizuar nënën e tyre që të zbulojë vezët. Më vonë, duke përdorur nofullat e saj të fuqishme, nëna i mbledh me butësi të vegjlit që sapo kanë dalë nga veza dhe i çon buzë ujit që t’u heqë rërën. Edhe krokodilin baba e kanë parë që t’i çojë të vegjlit tek uji për t’i larë. Për disa ditë, të vegjlit qëndrojnë afër nënës së tyre në ujë, duke e ndjekur nga pas siç ndjekin rikat nënën e tyre. Në këtë mënyrë përfitojnë nga fuqia e saj e jashtëzakonshme për t’i mbrojtur.

Është për t’u habitur se edhe disa peshq sillen në një mënyrë që ne do ta konsideronim si sjellje e një prindi të mirë. Shumica e tilapive, të cilët janë peshq të ujërave të ëmbla, i bëjnë vezët dhe i depozitojnë në gojë për t’i mbrojtur. Kur dalin nga veza, peshqit e vegjël notojnë lirisht, por u qëndrojnë afër prindërve. Nëse afrohet ndonjë rrezik, peshku prind hap gojën, duke i lejuar të vegjlit të turren brenda e të fshihen. Kur kalon rreziku, të vegjlit dalin prapë dhe vazhdojnë me gjërat e tyre normale.

Milingonat, bletët dhe termitet tregojnë, gjithashtu, një prirje të jashtëzakonshme për t’u kujdesur dhe për të mbrojtur të vegjlit e tyre. Të njohur si insekte shoqërore, ato jetojnë në koloni, ndërtojnë strehime për vezët dhe sigurojnë ushqim për të vegjlit. Bleta mjaltëse është një shembull i mirënjohur i kësaj. Mijëra nga këto bletë punëtore punojnë së bashku duke u kujdesur për të vegjlit e kosheres. Mençuria instinktive i bën të afta të ndërtojnë, të meremetojnë dhe të pastrojnë çerdhen, madje, duke kontrolluar edhe temperaturën e lagështinë.

Kujdesi prindëror i zogjve

Shumica e zogjve janë prindër shumë të mirë, të cilët investojnë sasi tepër të mëdha kohe dhe energjish për të zgjedhur vendin e folesë, për të ndërtuar folenë dhe për të rritur të vegjlit e tyre. Një zog mashkull sqepbri i Afrikës, i përkushtuar ndaj familjes, u vërejt se bëri më shumë se 1.600 fluturime për në vendin e folesë, duke i çuar rreth 24.000 copa frutash shoqes së vet gjatë gjithë periudhës 120-ditore të shumimit.

Albatrosi endacak është një tjetër sigurues i besueshëm. Zogu prind bën mijëra kilometra fluturime duke kërkuar ushqim, ndërsa shoqja e vet besnike e pret me durim që të kthehet në fole.

Në zonat e shkretëtirës, disa zogj përdorin një metodë të efektshme për t’u shuar etjen të vegjëlve të tyre. Duke fluturuar në një vend me ujë, ata i zhytin puplat e kraharorit në ujë dhe rikthehen në fole, ku të vegjlit pinë nga puplat e lagura të prindit.

Kur puna për të ushqyer shumë gojë bëhet një barrë tepër e rëndë, disa lloje zogjsh kërkojnë ndihmën e zogjve të tjerë që të shërbejnë si dado për të vegjlit e tyre. Këto dado zakonisht janë pasardhës të rritur të prindërve dhe janë të gatshëm të ndihmojnë për të ushqyer e për të mbrojtur zogthat e vegjël.

Mbrojtje prindërore

Edhe mbrojtja e zogjve të vegjël është një punë që të zë gjithë kohën. Kur bie shi, shpesh zogjtë prindër e mbulojnë folenë me krahët e tyre të hapur, duke i mbajtur të vegjlit në vend të thatë e të ngrohtë. Gargujt janë shtëpiakë të shkëlqyer. Për ta mbrojtur folenë nga morrat dhe pleshtat, këta zogj të mençur mbledhin material nga disa bimë helmuese dhe e vendosin përreth folesë dhe brenda saj. Ky shërben si insektvrasës që vret ose spraps insektet e dëmshme.

Nëna shapkë tregon një masë të jashtëzakonshme zgjuarsie kur mbron të vegjlit. Në rast kërcënimi, ajo e kap zogun me vendosmëri midis këmbëve dhe trupit të saj, hap krahët dhe thjesht fluturon tutje, duke e çuar në një vend më të sigurt mallin e saj të çmuar. Disa prindër guximtarë me zgjuarsi shtiren sikur janë dëmtuar, për ta shpërqendruar grabitqarin që të mos u afrohet të vegjëlve. Duke u përpëlitur në tokë sikur është plagosur, mamaja e josh grabitqarin për ta larguar nga foleja dhe e përfundon lojën e saj e fluturon shëndoshë e mirë vetëm kur kalon rreziku. Zogjtë që e ndërtojnë folenë në tokë mund të përdorin ndonjë dredhi me zërin e tyre, për t’i trembur grabitqarët. Bufat e strofullave të Amerikës së Veriut fërshëllejnë si gjarpërinj kur të tjerët i afrohen shumë strofullës së tyre. Emigrantët e parë që u vendosën në atë vend ishin të sigurt se bufat e vegjël banonin së bashku me gjarpërinjtë me zile dhe qëndronin larg strofullave të tyre.

Gjitarët nëna

Në mbretërinë e kafshëve, kujdesi prindëror arrin nivelin më të lartë te gjitarët. Nënat elefantë u kushtohen të vegjëlve të tyre, duke formuar një lidhje të ngushtë që mund të zgjatë për 50 vjet. Këlyshi është shumë i varur nga mamaja. Ajo e mbron nga dielli i nxehtë duke i bërë hije me trupin e saj gjigant, e ushqen me butësi me qumësht dhe e lë që të zgjatë feçkën e tij të vogël dhe të marrë gjethe bimësh nga goja e saj. Ajo e lan rregullisht të voglin duke i hedhur ujë me presion në shpinë dhe duke e fërkuar me feçkën e vet. Rritja e një elefanti të vogël është çështje familjare, pasi edhe femrat e tjera në kope luajnë rol të rëndësishëm për të ushqyer, mësuar dhe për të mbrojtur të vegjlit e kopesë.

Një gjitar tjetër i madh, hipopotami, mund ta lindë këlyshin e vet nën ujë. Të sapolindurit kanë aftësi për t’u ushqyer të zhytur plotësisht nën ujë, duke u ngjitur lart për të marrë ajër dhe pastaj duke u zhytur prapë e duke vazhduar të ushqehen. Mamaja hipopotame është mbrojtëse agresive e këlyshit të saj të sapolindur.

Edhe cerkopitekët (lloj majmuni) janë nëna të mira. Pasi e lind, mamaja e mban fort këlyshin e saj gjatë orëve të para të paktën me një dorë përreth qafës ose shpatullave. Javën e parë, këlyshi mund ta kalojë pjesën më të madhe të kohës i kapur instinktivisht pas gëzofit të nënës së vet. Nëna mund të lejojë që këlyshin ta mbajnë femrat e tjera, të cilat mund të kalojnë kohë duke e prekur, duke e krehur, duke e përkëdhelur e duke luajtur me të sapoardhurin interesant.

Vërtet, shumë krijesa janë «instinktivisht të mençura» dhe shfaqin një aftësi të jashtëzakonshme në mënyrën si kujdesen për të vegjlit. (Fjalët e urta 30:24-28, BR) Aftësia e tyre për të perceptuar një nevojë ose për të peshuar një situatë dhe për të reaguar ndaj saj në mënyrë inteligjente, nuk do të mund të kishte ardhur kurrë nga rastësia e verbër. Është rrjedhojë e një projekti inteligjent nga një burim inteligjent: nga Krijuesi i të gjitha gjërave, Perëndia Jehova.—Psalmi 104:24.

[Figura në faqen 15]

Bufa të vegjël

[Figura në faqen 16]

Tilapitë i vendosin vezët në gojë

[Burimi]

Me mirësjellje nga Qendra Bujqësore LSU

[Figurat në faqen 16]

Krokodilët transportojnë të vegjlit

[Burimi]

© Adam Britton, http://crocodilian.com

[Figura në faqen 17]

Albatrosi me të voglin

[Figura në faqen 17]

Sqepbriri

[Figura në faqen 17]

Gargulli

[Figura në faqen 17]

Shapka

[Figurat në faqen 18]

Nënat hipopotame janë mbrojtëse agresive

[Burimi]

© Xho Mekdonald

[Figura në faqen 18]

Nënat babuine i krehin të vegjlit e tyre

[Figura në faqen 18]

Cerkopitekët

[Burimi]

© Xho Mekdonald