Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përballosh goditjet duke vënë synime

Të përballosh goditjet duke vënë synime

Të përballosh goditjet duke vënë synime

NJË apartament pranë Aeroportit LaGuardia në Nju-Jork është shtëpia e Uilliam (Bill) Mainersit dhe e gruas së tij, Rozës. Atje Roza, një zonjë shtëpie e këndshme në mes të të 70-ave, mirëpret me gëzim mysafirin. Brenda apartamentit nuk mund të mos vëresh se si dhoma e rehatshme e ndenjes pasqyron natyrën e saj optimiste. Lulet e vendosura në një mënyrë tërheqëse pranë derës dhe pikturat shumëngjyrëshe në mure përcjellin dashurinë për jetën dhe një ndjenjë gëzimi.

Pranë dhomës së ndenjes ndodhet një dhomë plot dritë, ku Billi, 77-vjeçar, është i shtrirë në krevat, me kurrizin të mbështetur në një dyshek që përshtatet. Kur sheh mysafirin, sytë i ndriçojnë dhe fytyra i çelet nga një buzëqeshje. Do të donte shumë të ngrihej, t’i jepte dorën dhe ta përqafonte, por nuk mundet. Përveç krahut të majtë, Billi është i paralizuar nga qafa e poshtë.

Duke qenë se Billi ka pasur probleme shëndetësore që kur ishte 26 vjeç, mysafiri e pyet çfarë e ka ndihmuar t’u bëjë ballë sëmundjeve për më shumë se gjysmë shekulli. Billi dhe Roza shkëmbejnë një vështrim duke buzëqeshur. «Nuk njohim ndonjë të sëmurë»,—thotë Roza, ndërsa e qeshura e saj me gjithë zemër mbush dhomën. Sytë e Billit shndritin nga kënaqësia, nënqesh dhe miraton duke tundur kokën. «S’ka asnjë të sëmurë këtu»,—thotë me ndërprerje me një zë grykor. Roza dhe Billi shkëmbejnë vërejtje të tjera hokatare dhe pas pak dhoma mbushet me të qeshura. Është e qartë se dashuria që ndienin për njëri-tjetrin Billi dhe Roza kur u takuan në shtator të vitit 1945 është ende mjaft e gjallë. Mysafiri e pyet përsëri Billin: «Po, me të vërtetë, çfarë problemesh ke hasur? Dhe çfarë të ka ndihmuar t’u bësh ballë e të mbash një pikëpamje optimiste për jetën?» Pasi ai e nxit me mirësjellje, Billi pranon të tregojë historinë e tij. Ajo që vijon më poshtë përfshin pjesë nga disa biseda që bëri Zgjohuni! me Billin dhe me gruan e tij.

Goditjet fillojnë

Në tetor 1949—tre vjet pasi ishte martuar me Rozën dhe tre muaj pas lindjes së vajzës së tyre, Vikit—Billit i thanë se kishte një tumor kanceroz në njërën nga kordat e zërit dhe tumori u hoq. Disa muaj më pas, mjeku e njoftoi Billin për një goditje tjetër: kanceri kishte prekur gjithë laringun. «Më thanë që nëse nuk bëja laringektomi, domethënë, nëse nuk hiqja gjithë laringun, do të kisha vetëm dy vjet jetë.»

Billit dhe Rozës iu tha cilat do të ishin rrjedhojat e këtij operacioni. Laringu shtrihet nga rrënja e gjuhës deri në hyrjen e trakesë. Brenda laringut gjenden dy korda zëri. Kur ajri që del nga mushkëritë kalon përmes kordave, ato dridhen dhe krijojnë tingujt e të folurit. Kur laringu hiqet, pjesa e sipërme e trakesë lidhet me një të çarë të përhershme që bëhet në pjesën e përparme të qafës. Pas operacionit, pacienti merr frymë nëpërmjet kësaj të çare, por ka humbur zërin.

«Kur dëgjova këtë shpjegim, ndjeva zemërim,—thotë Billi.—Kishim një vajzë të vogël, unë kisha një punë të mirë dhe kishim shpresa të mëdha për jetën tonë. E tani gjithçka që kisha shpresuar u përmbys.» Por, përderisa heqja e laringut mund t’i shpëtonte jetën, Billi pranoi ta bënte operacionin. «Pas operacionit,—tregon Billi,—nuk mund të gëlltitesha. Nuk mund të flitja as edhe një fjalë. Isha memec.» Kur Roza shkoi ta shihte, Billi mund të komunikonte vetëm duke i shkruar fjalët në një bllok. Ishte një kohë e hidhur. Për ta përballuar këtë goditje, duhej të vinin synime të reja.

I pagojë dhe i papunë

Heqja e laringut e la Billin jo vetëm memec, por edhe të papunë. Kishte punuar në një ofiçinë, por tani që mund të merrte frymë vetëm nëpërmjet të çarës në qafë, pluhuri dhe tymi mund t’i rrezikonin mushkëritë. Duhej të gjente një punë tjetër. Duke qenë se nuk mundej ende të fliste, u regjistrua në një shkollë për të mësuar zanatin e orëbërësit. «I ngjante punës sime të vjetër,—thotë Billi.—Dija si të montoja pjesë makinash dhe kur bën orë, po ashtu, monton pjesë të ndryshme. Vetëm se pjesët nuk peshonin 23 kilogramë.» Menjëherë pasi mbaroi shkollën për orëbërës, gjeti punë në këtë zanat. Një synim ishte arritur.

Ndërkaq, Billi kishte filluar të ndiqte një kurs për të folurin ezofagal. Në të folurin ezofagal, tingujt krijohen jo nga kordat e zërit, por nga dridhjet në ezofag, në gypin që çon ushqimin nga gryka në stomak. Së pari, mëson ta gëlltitësh ajrin dhe ta futësh me zor në ezofag. Pastaj, e nxjerr ajrin në mënyrë të kontrolluar. Ndërsa del, ajri bën që muret e ezofagut të dridhen. Kjo krijon një tingull grykor, i cili mund të nyjëtohet me gojë dhe me buzë për të formuar të folurin.

«Më përpara e nxirrja ajrin vetëm kur kisha ngrënë shumë,—thotë Billi me një buzëqeshje,—por tani duhej të mësoja të nxirrja ajër vazhdimisht. Në fillim, arrija t’i formoja fjalët vetëm një nga një, në këtë mënyrë: ‘[Thith ajër, e gëlltit, e nxjerr] Si [thith ajër, e gëlltit, e nxjerr] je?’ Nuk ishte e lehtë. Pastaj mësuesi im më tha të pija shumë limonadë me xhenxhefil, sepse pija e gazuar do të më ndihmonte ta nxirrja ajrin. Kështu sa herë që Roza dilte shëtitje me Vikin, pija dhe nxirrja ajrin, pija dhe nxirrja ajrin. Punoja me të vërtetë shumë për këtë.»

Ndonëse rreth 60 për qind e gjithë pacientëve që heqin laringun nuk arrijnë ta zotërojnë të folurin ezofagal, Billi bëri përparim. Viki, që asokohe ishte gati 2 vjeçe, pa dashje, e nxiste për këtë. Billi shpjegon: «Viki më fliste dhe pastaj më shikonte, duke pritur përgjigje. Por nuk mund t’i përgjigjesha as edhe me një fjalë. Ajo më fliste sërish, por prapë asnjë përgjigje. E mërzitur, Viki kthehej nga ime shoqe dhe i thoshte: ‘Bëje babin të më flasë!’ Fjalët e saj më preknin dhe më bënë të vendosur që të flitja përsëri.» Për gëzimin e Vikit, të Rozës dhe të të tjerëve, Billi ia doli mbanë. U arrit edhe një synim tjetër.

I goditur nga një e keqe tjetër

Nga fundi i vitit 1951, Billi dhe Roza u ndodhën para një dileme të re. Mjekët, duke pasur frikë se mos kanceri rishfaqej, e këshilluan Billin të bënte terapi me rreze. Billi pranoi. Kur mbaroi kurën, mezi priste t’i rikthehej jetës. Nuk e dinte se shëndeti i tij do të merrte së shpejti një goditje tjetër.

Kaloi rreth një vit. Pastaj, një ditë Billi nuk i ndiente më gishtat. Ca më vonë, nuk mund të ngjiste shkallët. Pak pas kësaj, u rrëzua ndërsa po ecte dhe nuk ngrihej dot në këmbë. Analizat zbuluan se terapia me rreze (e cila në atë kohë nuk ishte aq e përpiktë sa ç’është sot) i kishte dëmtuar shtyllën kurrizore. I thanë se gjendja e tij do të keqësohej. Një mjek, madje, i tha se mundësitë që të mbijetonte ‘ishin zero’. Billi dhe Roza ndiheshin krejt të dërrmuar.

Megjithatë, në përpjekje për ta përballuar këtë goditje, Billi u shtrua në një spital që të bënte gjashtë muaj terapi fizike. Ndonëse terapia nuk e ndryshoi drejtimin që kishte marrë gjendja e tij fizike, qëndrimi në spital ndryshoi drejtimin e jetës së tij, një ndryshim që me kalimin e kohës e bëri të njihte Jehovain. Si ndodhi kjo?

I forcuar nga kuptimi i shkakut të problemeve

Ato gjashtë muaj, Billi ishte në dhomën e një spitali judaik bashkë me 19 burra të tjerë të paralizuar, të gjithë judenj fanatikë. Çdo pasdite ata burra diskutonin për Biblën. Billi, i cili shkonte në kishën baptiste, vetëm sa dëgjonte. Por në kohën kur u largua nga spitali, kishte dëgjuar aq sa të arrinte në përfundimin se Perëndia i Plotfuqishëm është një person i vetëm dhe se doktrina e trinitetit bie ndesh me Biblën. Si rrjedhojë, Billi nuk u kthye më kurrë në kishën e tij. Gjithsesi, ndiente nevojën për drejtim frymor që t’u bënte ballë goditjeve të jetës. «Vazhdova t’i kërkoja ndihmë Perëndisë,—thotë Billi,—dhe lutjet e mia morën përgjigje.»

Një të shtunë në vitin 1953, Roi Dagllas, një i moshuar që dikur kishte qenë fqinj i tyre dhe që kishte dëgjuar për gjendjen e vështirë të Billit, kaloi për një vizitë. Roi, që ishte Dëshmitar i Jehovait, e ftoi Billin të studionin Biblën së bashku dhe Billi pranoi. Ato që lexoi në Bibël dhe në librin «Qoftë Perëndia i vërtetë» * i hapën sytë. I tregoi Rozës për atë që kishte mësuar dhe ajo u bashkua me të në studim. Roza kujton: «Në kishë na kishin thënë se sëmundja ishte një ndëshkim nga Perëndia, por studimi i Biblës na tregoi se kjo nuk ishte e vërtetë. U ndiemë shumë të lehtësuar.» Billi shton: «Fakti që mësuam nga Bibla shkakun e gjithë problemeve, përfshirë edhe sëmundjen time, dhe që kuptuam se do të vijë një e ardhme më e mirë na ndihmoi të pranonim gjendjen time.» Në vitin 1954, Billi dhe Roza arritën një synim tjetër. Që të dy u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait.

Rregullime të mëtejshme

Ndërkohë, paraliza e Billit ishte përhapur deri në atë pikë, sa ai nuk mund ta vazhdonte më punën. Për të plotësuar nevojat ekonomike, Billi dhe Roza këmbyen rolet: Billi qëndroi në shtëpi me Vikin, ndërsa Roza filloi të punonte në kompaninë orëbërëse—një punë që e vazhdoi për 35 vjet.

«Më jepte shumë gëzim të kujdesesha për vajzën,—tregon Billi.—Edhe Vikit të vogël i pëlqente. Me krenari, ajo e kishte zakon t’i thoshte gjithkujt që takonte: ‘Unë kujdesem për babin.’ Më vonë, kur shkoi në shkollë, e ndihmoja të bënte detyrat e shtëpisë dhe shpesh luanim së bashku. Për më tepër, kisha një mundësi të shkëlqyer që ta mësoja rreth Biblës.»

Pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë ishte një burim tjetër gëzimi për Billin dhe për familjen e tij. Atij i duhej një orë që të shkonte me mundim nga shtëpia në Sallën e Mbretërisë, por nuk i humbte mbledhjet. Më vonë, pasi u transferuan në një pjesë tjetër të qytetit, Billi dhe Roza blenë një makinë të vogël dhe Roza e çonte familjen në sallë me makinë. Edhe pse mund të fliste vetëm për një kohë të shkurtër, Billi u regjistrua si student në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ai shpjegon: «E shkruaja fjalimin dhe pastaj e mbante një vëlla tjetër. Pas fjalimit, mbikëqyrësi i shkollës më jepte këshilla rreth përmbajtjes.»

Persona të ndryshëm në kongregacion e ndihmuan Billin edhe që të merrte pjesë rregullisht në veprën e predikimit. Gjithashtu, Billin më vonë e emëruan shërbëtor ndihmës në kongregacion, diçka që nuk i befasoi ata që vërenin përkushtimin e tij. Pastaj, kur këmbët e lanë dhe paraliza e mbërtheu më shumë, mbeti i kufizuar brenda apartamentit dhe përfundimisht zuri shtratin. A mund ta përballonte këtë goditje?

Diçka e kënaqshme për të kaluar kohën

«Duke qenë se isha në shtëpi gjithë ditën, kërkoja diçka për të kaluar kohën,—thotë Billi.—Para se të paralizohesha, më pëlqente të bëja fotografi. Kështu mendova të përpiqesha të bëja piktura, edhe pse nuk kisha pikturuar kurrë ndonjë gjë në jetën time. Veç kësaj, unë punoj me dorën e djathtë, por e tërë dora e djathtë dhe dy gishta të së majtës ishin paralizuar. Sidoqoftë, Roza bleu një vandak me libra rreth teknikave të të pikturuarit. I studiova dhe nisa të pikturoj me dorën e majtë. Shumë nga pikturat përfundonin në zjarr, por me kalimin e kohës arrita të mësoj.»

Koleksioni i shkëlqyer i pikturave me bojëra uji që zbukuron tani apartamentin e Billit dhe të Rozës tregon se Billi ia doli mbanë përtej asaj që priste. «Afro pesë vjet më parë,—shton Billi,—dora e majtë filloi të më dridhej aq shumë, sa m’u desh ta lija penelin njëherë e mirë, por për mjaft vjet ky hobi më dha shumë kënaqësi.»

Ende një synim

Billi tregon: «Tani kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur filluan problemet e mia shëndetësore. Leximi i Biblës ende më ngushëllon, sidomos kur lexoj Psalmet dhe librin e Jobit. Më kënaq edhe leximi i botimeve të Shoqatës Watch Tower. Gjithashtu, marr zemër shumë kur pjesëtarë të kongregacionit tonë dhe mbikëqyrësit udhëtues na vizitojnë dhe ndajnë me ne përvoja ndërtuese. Veç kësaj, një lidhje telefonike me Sallën e Mbretërisë më jep mundësi të dëgjoj mbledhjet e, po ashtu, marr videokaseta të programit të kongreseve.

Jam mirënjohës që jam bekuar me një grua të dashur. Gjatë viteve, ajo ka qenë shoqja ime e ngushtë. Gjithashtu, vajza jonë, që tani i shërben Jehovait me familjen e vet, është ende një burim i madh gëzimi. E falënderoj veçanërisht Jehovain që më ka ndihmuar t’i qëndroj afër atij. Sot, ndërsa trupi dhe zëri im bëhen gjithnjë e më të dobët, mendoj shpesh për fjalët e apostullit Pavël: ‘Ne nuk dorëzohemi, por edhe nëse njeriu i jashtëm po tretet, sigurisht që njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë.’ (2 Korintasve 4:16) Po, të qëndroj zgjuar frymësisht për sa kohë të jetoj—ky mbetet synimi im.»

[Shënimi]

^ par. 20 Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.; tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 12]

«Pas operacionit, nuk mund të gëlltitesha. Nuk mund të flitja as edhe një fjalë. Isha memec.»

[Figura në faqen 13]

Billi dhe Roza sot