Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’ia dalësh mbanë, me gjithë sëmundjen: Si?

T’ia dalësh mbanë, me gjithë sëmundjen: Si?

T’ia dalësh mbanë, me gjithë sëmundjen: Si?

JI I sigurt se vërshimi i ndjenjave që ndoshta po përjeton është me vend. Edhe pse sëmundja ose paaftësia mund të jetë diçka fizike, është mendja ajo që u reziston ndryshimeve që të ka detyruar të përballosh sëmundja. Mund të të duket sikur ti dhe sëmundja jeni futur në një luftë për pushtet, një betejë ndërmjet asaj që ishe dikur dhe asaj që mund të bëhesh. E në këtë çast mund të duket se sëmundja ka epërsi. Megjithatë, mund ta përmbysësh situatën. Si?

«Kur pëson një humbje për shkak të një sëmundjeje,—vëren dr. Kiti Stejni,—ndihesh në një masë të madhe sikur të ka ndodhur një vdekje.» Ndaj, kur ke humbur diçka të çmuar si shëndeti, është thjesht normale që t’i lësh vetes njëfarë kohe për t’u hidhëruar e për të qarë, pak a shumë siç do të bëje po të të vdiste një njeri i dashur. Në fakt, humbja mund të përfshijë më tepër sesa vetëm shëndetin. Një grua shpjegon: «Duhej të hiqja dorë nga puna. . . . Duhej të hiqja dorë nga pavarësia që më kishte pëlqyer gjithnjë.» Prapëseprapë, mbaj pikëpamjen e duhur për humbjet. «Do të hidhërohesh për atë që ke humbur,—shton dr. Stejni, e cila vuan vetë nga skleroza e përhapur,—por duhet edhe të kuptosh se çfarë ke ende.» Në të vërtetë, pasi ke luftuar me lotët e fillimit, do të shohësh se ke burime të rëndësishme ende të padëmtuara. Në radhë të parë, ke aftësinë të përshtatesh.

Një lundërtar nuk mundet ta kontrollojë një stuhi, por mundet t’i bëjë ballë duke rregulluar velat e varkës. Ngjashëm, ti mund të mos jesh në gjendje ta kontrollosh sëmundjen që të ka ardhur si një stuhi në jetë, por mundesh t’i bësh ballë duke rregulluar «velat» e tua, domethënë burimet e tua fizike, mendore dhe emocionale. Çfarë i ka ndihmuar personat e tjerë me sëmundje kronike që ta bëjnë këtë gjë?

Mëso për sëmundjen

Pas goditjes që marrin në fillim kur mësojnë diagnozën, shumë veta arrijnë në përfundimin se është më mirë të njohin të vërtetën e dhembshme, sesa të përballojnë një frikë të turbullt. Ndërkohë që frika mund të të paralizojë, dijenia për atë që po të ndodh mund të të ndihmojë të vrasësh mendjen se çfarë mund të bësh, e kjo gjë në vetvete shpesh ka ndikim pozitiv. «Për çdo gjë që të shqetëson ndihesh shumë më mirë kur ke një plan se si ta përballosh,—thotë dr. Dejvid Shpigeli, nga Universiteti i Stanfordit.—Duke planifikuar çfarë të bësh, e zvogëlon shqetësimin që ndien, madje, shumë kohë para se të kesh bërë vërtet diçka.»

Mund të ndiesh nevojën për të mësuar më shumë rreth sëmundjes. Siç thotë një proverb biblik, «njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij». (Fjalët e urta 24:5) «Merr libra në bibliotekë. Mëso sa më shumë që mundesh rreth sëmundjes»,—këshillon një burrë që ka zënë shtratin. Teksa mëson për trajtimet që janë në dispozicion dhe për teknikat se si të përballosh sëmundjen, mund të zbulosh se sëmundja jote ndoshta nuk është edhe aq e keqe sa kishe frikë. Mund të gjesh, madje, disa arsye për optimizëm.

Megjithatë, të kuptosh sëmundjen tënde, duke arsyetuar rreth saj, nuk është qëllimi përfundimtar. Dr. Shpigeli shpjegon: «Kjo mbledhje informacionesh është pjesë e procesit të rëndësishëm të përshtatjes e të përballimit të sëmundjes, të njohjes me të dhe të fitimit të një pikëpamjeje të duhur për të.» Të pranosh që jeta jote ka ndryshuar, por s’ka marrë fund është një proces delikat dhe, shpesh, i ngadaltë. Por ky hap përpara—nga të kuptuarit logjik i sëmundjes në pranimin e saj nga ana emocionale—është një hap që mund ta bësh. Si?

Të gjesh një ekuilibër delikat

Mund të të duhet të rregullosh pikëpamjen rreth asaj se çfarë nënkupton të pranosh sëmundjen. Në fund të fundit, të pranosh se je sëmurë nuk është shenjë dështimi, ashtu siç nuk është shenjë dështimi për një lundërtar të pranojë që ndodhet në mes të një stuhie. Përkundrazi, duke qenë realist rreth këtij fakti ai ndihet i nxitur të veprojë. Në mënyrë të ngjashme, të pranosh sëmundjen nuk është një dështim, por nënkupton «të ecësh përpara në një drejtim të ri», siç vërejti një grua me sëmundje kronike.

Edhe nëse aftësitë e tua fizike kanë rënë, mund të të duhet t’i kujtosh vetes se cilësitë mendore, emocionale dhe frymore nuk ka pse të jenë prekur medoemos. Për shembull, a e ke ende mençurinë dhe aftësinë për të organizuar e për të arsyetuar? Ndoshta e ke ende buzëqeshjen e përzemërt, ndjenjën e përkujdesjes për të tjerët, si edhe aftësinë për të qenë një dëgjues i mirë dhe një mik i vërtetë. E, ç’është më e rëndësishmja, ke ende besimin te Perëndia.

Veç kësaj, mbaj ndër mend se ndonëse nuk mund t’i ndryshosh të gjitha rrethanat, ke mundësi ende të përcaktosh se si të reagosh ndaj tyre. Irenë Políni, nga Instituti Kombëtar për Tumoret, në SHBA, thotë: «Të përket ty të vendosësh se si do të reagosh ndaj sëmundjes. Pavarësisht nga ajo që të dikton sëmundja, ti e ke këtë fuqi.» Helena, një grua 70-vjeçare me sklerozë të përhapur në fazë të përparuar, e përforcon këtë duke thënë: «Nuk është edhe aq sëmundja, sesa reagimi yt ndaj sëmundjes ai që përcakton nëse do ta gjesh apo jo prapë ekuilibrin.» Një burrë që ka përballuar për shumë vjet një paaftësi thotë: «Një qëndrim pozitiv është thelbësor për të mbajtur ekuilibrin.» Në të vërtetë, në Fjalët e urta 18:14 thuhet: «Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?»

Të rimarrësh kontrollin

Ndërsa ekuilibri emocional rikthehet, pyetje të tilla, si: ‘Pse më ndodhi mua kjo gjë?’ mund t’ia lënë vendin pyetjes: ‘Meqë më ndodhi kështu, ç’do të bëj për këtë?’ Në këtë pikë mund të zgjedhësh të ndërmarrësh hapa të mëtejshëm për ta kapërcyer situatën në të cilën ndodhesh. Të shqyrtojmë disa nga këta hapa.

Vlerëso gjendjen tënde, mendo ku duhet të bësh ndryshime dhe pastaj përpiqu të ndryshosh atë që mund të ndryshohet. «Sëmundja është një mundësi për të rivlerësuar jetën, pra, një thirrje për t’u zgjuar e jo një kambanë vdekjeje»,—thotë dr. Shpigeli. Pyet veten: ‘Çfarë ishte e rëndësishme për mua para se të sëmuresha? Si ka ndryshuar kjo?’ Bëji këto pyetje jo për të zbuluar çfarë nuk mundesh më të bësh, por për të përcaktuar çfarë është ende e mundur, ndoshta duke i bërë gjërat në një mënyrë të ndryshme. Të marrim, për shembull, Helenën, e përmendur më sipër.

Gjatë 25 viteve të fundit, skleroza e përhapur ia ka dobësuar muskujt. Në fillim, përdorte një mbështetëse për të ecur. Pastaj, kur humbi kontrollin e dorës së djathtë, filloi t’i bënte gjërat me të majtën. Më vonë, dora e majtë e la. Pas kësaj, afro tetë vjet të shkuar, nuk mund të ecte më. Tani ka nevojë që ta lajnë, ta ushqejnë e ta veshin të tjerët. Kjo e trishton, por, megjithatë, thotë: «Motoja ime mbetet: ‘Mendo për ato që mund të bësh dhe jo për ato që bëje më parë.’» Me ndihmën e të shoqit dhe të infermiereve që e vizitojnë, si edhe me pak mendim krijues nga ana e saj, ia del mbanë të vazhdojë disa nga veprimtaritë që i kanë pëlqyer gjithnjë. Për shembull, të ndajë me të tjerët premtimin e Biblës për një botë të re paqësore që po vjen, ka qenë një pjesë e çmuar e jetës së saj që kur ishte 11 vjeçe dhe sot ajo e bën ende këtë gjë çdo javë. (Mateu 28:19, 20) Helena shpjegon se si:

«I kërkoj një infermiereje që më viziton të më mbajë gazetën. Së bashku lexojmë lajmërimet e vdekjeve dhe zgjedhim disa. Pastaj i them asaj çfarë mendimesh dua të përfshij në një letër drejtuar të afërmve të personit që ka vdekur dhe infermierja e shtyp letrën. Bashkë me letrën dërgoj broshurën Kur të vdes një njeri i dashur, * e cila shpjegon shpresën ngushëlluese të ringjalljes, shpresë që jepet në Bibël. E bëj këtë çdo të diel pasdite. Ndihem e lumtur që mundem ende të ndaj me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.»

Vër synime të arsyeshme dhe të arritshme. Një arsye përse Helena përpiqet të ndryshojë ato gjëra që mund të ndryshohen është se kjo i jep mundësi të vërë dhe të arrijë synime. Kjo është diçka e rëndësishme edhe për ty. Përse? Sepse vënia e synimeve e drejton mendjen tënde nga e ardhmja dhe arritja e synimeve të bën të ndiesh që ke kryer diçka të dobishme. Mundet që, gjithashtu, të të rikthejë në njëfarë mase besimin te vetja. Por sigurohu që synimi të jetë specifik. Për shembull, mund të vendosësh: ‘Sot do të lexoj një kapitull të Biblës.’ Veç kësaj, vër synime që janë realiste për ty. Meqë formimi yt fizik dhe emocional është i ndryshëm nga ai i individëve të tjerë me sëmundje afatgjata, mund të mos jesh në gjendje të arrish të njëjtat synime që mund të arrijnë ata.—Galatasve 6:4.

«Sado i vogël mund të duket një synim, arritja e tij të motivon të bësh më shumë»,—thotë Leksi, që jeton në Holandë. Më shumë se njëzet vjet më parë, kur ishte 23 vjeç, ai pati një aksident që e la të paralizuar. Gjatë seancave të shumta të terapisë e nxitën të vinte synime, si për shembull, të lante fytyrën me një sfungjer. Ishte diçka e lodhshme, por ia doli mbanë. Kur kuptoi se kishte mundur ta arrinte atë synim, vuri një tjetër: të hapte dhe të mbyllte vetë një tubet paste dhëmbësh. Përsëri ia doli mbanë. «Ndonëse nuk ishte e lehtë,—thotë Leksi,—zbulova se mund të bëja më shumë nga ç’mendoja se ishte e mundur.»

Në të vërtetë, me mbështetjen e gruas së tij, Tinekesë, Leksi arriti synime më të mëdha. Për shembull, i shoqëruar nga Tinekeja, ai tani viziton njerëzit nëpër shtëpi i ulur në një karrocë invalidësh, që të ndajë me ta njohurinë biblike. Gjithashtu, shkon çdo javë për t’i dhënë zemër një burri që ka një paaftësi të rëndë e me të cilin studion Biblën. «Të ndihmoj të tjerët,—thotë Leksi,—më jep shumë kënaqësi.» Siç pohohet në Bibël, «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh».—Veprat 20:35.

A mund të vësh edhe ti disa synime që të ndihmosh të tjerët? Fakti që je i sëmurë ose i paaftë fizikisht mund të të ndihmojë të jesh një ngushëllues veçanërisht i zoti, pasi problemet e tua të bëjnë më të ndjeshëm ndaj dhembjes së të tjerëve.

Mbaj lidhjet me të tjerët. Studimet mjekësore tregojnë se pasja e lidhjeve shoqërore të bën mirë për shëndetin. Por është e vërtetë edhe e kundërta. «Veçimi shoqëror dhe vdekshmëria janë të lidhura po . . . aq fort, sa pirja e duhanit . . . dhe vdekshmëria»,—thotë një studiues. Ai shton: «Përmirësimi i marrëdhënieve shoqërore mund të jetë po aq i rëndësishëm për shëndetin, sa lënia e duhanit.» Nuk është për t’u habitur që ai arrin në përfundimin se aftësitë tona për të mbajtur marrëdhënie shoqërore «kanë fuqinë të na mbajnë në jetë».—Fjalët e urta 18:1.

Megjithatë, siç u vërejt në artikullin e kaluar, problemi mund të jetë që disa nga miqtë e tu nuk vijnë më të të vizitojnë. Për të mirën tënde, duhet ta frenosh prirjen gjithnjë e më të madhe për t’u veçuar. Por, si? Mund të fillosh duke i ftuar miqtë për vizitë.

Bëj që vizitat te ti të jenë një përvojë e këndshme. * Mund ta bësh këtë duke i kufizuar bisedat për sëmundjen, që vizitorët të mos mërziten së dëgjuari për të. Një grua me sëmundje kronike e zgjidhi këtë problem duke caktuar një kufi kohe për bisedat që bënte me të shoqin rreth sëmundjes. «Thjesht, duhej ta kufizonim këtë»,—thotë ajo. Vërtet, sëmundja nuk ka pse të ndrydhë gjithçka tjetër që mund të ndash me të tjerët. Një vizitor, pasi bisedoi për artin, historinë dhe arsyet përse besonte te Perëndia Jehova me një mikun e tij që ka zënë shtratin, tha: «Ai ka shumë gjëra të tjera, që ngrihen mbi sëmundjen. Ishte e mrekullueshme të bisedoje me të.»

Edhe duke mbajtur një ndjenjë të mirë humori, për miqtë e tu do të bëhet diçka e këndshme të vijnë për të të vizituar. Përveç kësaj, e qeshura të sjell dobi ty individualisht. «Humori të ndihmon t’u bësh ballë shumë gjendjeve të brendshme dhe shumë situatave të jashtme»,—thotë një burrë me sëmundjen e Parkinsonit. Vërtet, e qeshura mund të jetë një ilaç i mirë. Në Fjalët e urta 17:22 vërehet: «Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë.» Edhe sikur të qeshësh vetëm pak minuta, do të të bëjë mirë. Për më tepër, «ndryshe nga disa kura të tjera që provojmë, e qeshura është krejtësisht e sigurt, johelmuese dhe e kënaqshme,—vëren autorja Suzana Milstri Uells, e cila vuan edhe vetë nga një sëmundje kronike.—Gjithçka që do të humbasim është humori i keq».

Gjej mënyra për të pakësuar stresin. Studimet vërtetojnë se stresi mund t’i keqësojë simptomat fizike të një sëmundjeje, ndërsa pakësimi i stresit ndihmon që ato të bëhen më të durueshme. Prandaj, ndryshoje herë pas here rutinën. (Predikuesi 3:1, 4) Mos e bëj sëmundjen qendrën e jetës sate. Nëse je i ngujuar në shtëpi, mund të përpiqesh t’i pakësosh tensionet e tua emocionale, duke dëgjuar muzikë të qetë, duke lexuar një libër, duke bërë një banjë të mirë, duke shkruar letra a poezi, duke pikturuar, duke i rënë një vegle muzikore, duke folur me një mik të besuar ose duke u përfshirë në veprimtari të ngjashme. Kjo nuk do të sigurojë një zgjidhje përfundimtare për problemin tënd, por mund të të çlodhë për njëfarë kohe.

Nëse mund të lëvizësh, bëj një shëtitje, shko në pazar, merru me kopshtari, dil me makinë ose, nëse është e mundur, shko me pushime. Vërtet, një udhëtim mund të jetë diçka më e ndërlikuar për shkak të sëmundjes, por me përgatitje paraprake dhe me disa sajime të atypëratyshme, pengesat mund të kapërcehen. Për shembull, Leksi dhe Tinekeja, të përmendur më parë, arritën të bënin një udhëtim jashtë vendit. «Në fillim ishte paksa tensionuese,—thotë Leksi,—por kaluam pushime të mrekullueshme.» Vërtet, sëmundja mund të jetë pjesë e jetës sate, por s’ka pse ta sundojë jetën tënde.

Merr forcë nga besimi. Të krishterët e vërtetë që kanë përballuar me sukses probleme të rënda shëndetësore thonë se besimi te Perëndia Jehova dhe, po ashtu, shoqërimi me kongregacionin e krishterë janë vazhdimisht burime ngushëllimi dhe force. * Më poshtë janë disa nga komentet e tyre për vlerën e lutjes, të studimit të Biblës, të meditimit për të ardhmen dhe të pjesëmarrjes në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë.

● «Nganjëherë bie prapë në dëshpërim. Kur ndodh kështu, i lutem Jehovait dhe ai ma përtërin vendosmërinë që të vazhdoj të bëj atë që mundem.»Psalmi 55:22; Luka 11:13.

● «Leximi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që lexoj më ndihmon jashtëzakonisht shumë të ruaj paqen mendore.»—Psalmi 63:6; 77:11, 12.

● «Studimi i Biblës më kujton që jeta e vërtetë është ende para nesh dhe që nuk do të jem përgjithmonë i paaftë.»—Isaia 35:5, 6; Zbulesa 21:3, 4.

● «Besimi tek e ardhmja që premtohet në Bibël më jep forcën ta përballoj jetën ditë pas dite.»—Mateu 6:33, 34; Romakëve 12:12.

● «Prania në mbledhje në Sallën e Mbretërisë më ndihmon ta mbaj mendjen të përqendruar në gjëra pozitive, jo te sëmundja ime.»—Psalmi 26:12; 27:4.

● «Shoqëria inkurajuese me pjesëtarët e kongregacionit ma ngroh zemrën.»—Veprat 28:15.

Bibla na siguron: «Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.» (Naumi 1:7) Lidhja e ngushtë me Perëndinë Jehova dhe shoqërimi me kongregacionin e krishterë janë burime ngushëllimi dhe force.—Romakëve 1:11, 12; 2 Korintasve 1:3; 4:7.

Jepi kohë vetes

T’ia dalësh mbanë, me gjithë sëmundjen e rëndë a paaftësinë që ke është një proces që «ndodh me kalimin e kohës, jo sa hap e mbyll sytë», vëren një punonjëse sociale, e cila i ndihmon njerëzit të përballojnë pasojat e sëmundjeve afatgjata. Jepi kohë vetes, këshillon një specialist tjetër, sepse po mëson «një mjeshtëri krejt të re: t’i bësh ballë një sëmundjeje të rëndë». Ji i vetëdijshëm se edhe me një qëndrim pozitiv mund të kesh ditë a javë jo të mira, kur efektet e sëmundjes të sfilitin. Gjithsesi, me kalimin e kohës mund të shohësh përparim. Kështu ndodhi me një grua, e cila tha: «Ndihesha kaq e emocionuar kur kuptova se kisha kaluar një ditë të tërë pa menduar fare për kancerin. . . . Pak kohë më parë, nuk do ta kisha menduar kurrë që kjo ishte e mundur.»

Me të vërtetë, pasi ke përjetuar e kapërcyer frikën e fillimit dhe pasi ke vendosur synime të reja, mund të habitesh se sa mirë do të jesh në gjendje t’i bësh ballë sëmundjes, siç ilustrohet në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 17 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 24 Sugjerimet se si t’i trajtosh vizitorët zbatohen, sigurisht, edhe më shumë në mënyrën se si e trajton bashkëshortin, fëmijët ose atë që kujdeset për ty.

^ par. 28 Është interesant fakti që në studime të shumta mjekësore thuhet se besimi përmirëson shëndetin dhe shton mirëqenien. Sipas profesorit Dejl Methjus nga fakulteti i mjekësisë i Universitetit të Xhorxhtaunit, «është treguar se besimi është një faktor me vlerë».

[Figura në faqen 7]

Të mësosh për sëmundjen mund të të ndihmojë të përshtatesh me të e t’i bësh ballë

[Figura në faqen 8]

Me ndihmën e të tjerëve, Helena përgatit letra që japin zemër

[Figura në faqen 8]

«Ndihem e lumtur që ndaj me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë»

[Figurat në faqen 9]

«Zbulova se, ndonëse i paralizuar, mund të bëja më shumë nga ç’mendoja se ishte e mundur.»—Leksi