Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zjarr! Çfarë fikësi duhet të përdorni?

Zjarr! Çfarë fikësi duhet të përdorni?

Zjarr! Çfarë fikësi duhet të përdorni?

SA SHPESH kalojmë afër asaj roje të vogël e të heshtur të varur në mur, pa i kushtuar fare vëmendje! Megjithatë, ndonjë ditë ajo mund të na shpëtojë nga flakët zyrën a fabrikën, ose edhe shtëpinë. Fikësit portativë të zjarrit mund të na ndihmojnë që të mos na dalë nga kontrolli një problem i vogël, si për shembull, një tigan që ka marrë zjarr në sobë ose perdet e ndezura nga ngrohësi. Si armë të ndërhyrjes së shpejtë, fikësit janë të projektuar për të mposhtur një armik mizor para se të marrë forca të reja.

Duke qenë se ky armik paraqitet në shumë forma—zjarre nga drutë, zjarre nga vaji dhe gazi, zjarre elektrike—edhe fikësit portativë paraqiten në shumë forma. Natyrisht, ju dëshironi të njihni edhe armikun, edhe armët që mund të përdorni. Kjo nuk do të thotë të keni gjykimin e një zjarrfikësi profesionist, por të njihni disa parime bazë. Për shembull, çfarë do të kishit bërë në situatën e mëposhtme?

Një kuzhinier vuri të ngrohej në furrë një mbajtëse me 20 tava të reja të vajosura mirë, duke u përgatitur të piqte bukë. Por, termostati nuk punonte mirë dhe temperatura u rrit shumë, duke bërë që vaji të fillonte të nxirrte tym. Kuzhinieri, me doreza në duar, e hapi menjëherë furrën dhe nxori jashtë mbajtësen me tavat. Por, duke bërë këtë, vajin që nxirrte tym e zhyti në një sasi të madhe ajri të pastër. U dëgjua një shpërthim! Ndezja e vetvetishme i dërgoi flakët deri në tavan. I padëmtuar, kuzhinieri doli me nxitim dhe u kthye pas disa sekondash, i armatosur me një fikës zjarri me dioksid karboni dhe shpejt e shpejt e fiku zjarrin. Por, menjëherë u bë edhe më shumë tym dhe vaji u ndez përsëri. Ky cikël u përsërit katër herë. Nga frika se mos i mbarohej shpejt fikësi, kuzhinieri mori një batanije kundër zjarrit, që nga vendi ku ishte e paketuar dhe e hodhi mbi mbajtësen e tavave. Sa u lehtësua ai kur batanija e fiku zjarrin plotësisht!

Natyrisht, ne duam të përdorim armët më të mira që kemi në dispozicion për të shuar një zjarr të vogël, por kërcënues. Por, po të kishte pasur njohuri kuzhinieri për ndezjen e vetvetishme, e cila ka shumë të ngjarë të ndodhë sa herë që ka tym, thjesht, mund ta kishte fikur furrën, t’i mbante dyert të mbyllura dhe t’i linte gjërat që ishin në furrë të ftoheshin vetë. Ose mund të kishte përdorur që në fillim batanijen kundër zjarrit, e më pas, po të kishte qenë e nevojshme, fikësin me dioksid karboni. Sidoqoftë, kjo përvojë tregon vlerën e një njohurie themelore për zjarret dhe si t’i fikim më mirë ata.

«Trekëndëshi» që do të thotë zjarr

Ajo që quhet trekëndëshi i zjarrit është një formulë e thjeshtë që tregon kushtet e domosdoshme për djegien: lëndë djegëse plus oksigjen plus nxehtësi baraz me zjarr. Mjafton të hiqni njërin nga këta përbërës dhe jo vetëm që do ta shuani zjarrin, por edhe nuk do ta lini të riaktivizohet. Le të shohim se si bëhet kjo.

LËNDA DJEGËSE: Ashtu si ne, zjarret nuk jetojnë dot, nëse nuk ushqehen. Zjarrfikësit e përdorin këtë parim në zjarret e pyjeve dhe të shkurreve, duke krijuar një rrip drurësh të prerë në rrugën e një zjarri kryesor. Në një kuzhinë, eliminimi i lëndës djegëse mund të nënkuptojë thjesht të fikni gazin. Megjithatë, në rrethana të tjera mund të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të eliminohet lënda djegëse.

OKSIGJENI: Edhe një herë, ashtu si ne, një zjarr duhet të marrë frymë. Mjafton të hedhim mbi të një lopatë dhè ose një batanije kundër zjarrit dhe ai do të shuhet. Meqë ra fjala, nuk ka nevojë që niveli i oksigjenit të jetë zero për të shuar një zjarr. Nëse e zvogëlojmë nivelin e oksigjenit nga normalja 21 për qind në ajër, deri në 15 për qind, shumë substanca—për shembull, lëngje të djegshme e, madje, edhe disa substanca të ngurta—nuk do të digjen më.

NXEHTËSIA: Burimi i nxehtësisë për të filluar një zjarr mund të jetë: ngrohësi i dhomës, një furrë, kabllot që çojnë në një prizë të ngarkuar elektrike, një shkëndijë ose thëngjill, rrufetë ose nxehtësia që lëshojnë bimët në dekompozim e sipër, lëndët kimike të avullueshme ose disa gjëra të tjera. Mos harroni, nëse shikoni tym, veçanërisht nëse po del nga yndyrnat ose nga vaji për gatim që gjendet mbi një burim nxehtësie, ndezja e vetvetishme mund të jetë vetëm disa sekonda larg.

Të bërë posaçërisht për çdo lloj zjarri të vogël

Ndonëse shumë shtëpi nuk kanë fikës zjarri, fabrikave, zyrave dhe ndërtesave publike shpesh ligji u kërkon të jenë të pajisura me to. Llojet themelore janë fikësit me ujë, me lëndë kimike të lëngshme, me shkumë, me pluhur të thatë dhe me dioksid karboni. Fikësit me halon po mënjanohen dalëngadalë, sepse mendohet që shkatërrojnë shtresën e ozonit në atmosferën e tokës. Për t’i ndihmuar përdoruesit të zgjedhin fikësin e duhur në rast urgjence, shumica e modeleve kanë simbole me figura që tregojnë ku mund dhe nuk mund të përdoren, ose mund të jenë të koduara me ngjyrë. Gjithashtu, shumica prej tyre kanë nga një shkronjë, A, B ose C, të cilat tregojnë një kategori specifike zjarri. Gazi shtytës i presuar e detyron përbërësin aktiv të dalë nga grykëza e fikësit me shpejtësi të madhe, kur shtypim dorezën e tij. Duke qenë se përmbajnë gaz nën trysni, fikësit duhen provuar herë pas here. Gjithashtu, ata duhen montuar gjithnjë afër daljeve dhe duhet të jetë e lehtë t’i merrni. Le t’i hedhim një vështrim shkurtimisht tani secilit lloj fikësi.

Fikësit me pluhur të thatë e pengojnë në mënyrë kimike ndezjen dhe mund të quhen gati-gati ngadalësuesit universalë të zjarreve. Pluhuri i thatë jo vetëm që është i efektshëm kundër zjarreve të grupit A dhe B, por është i dobishëm edhe për të luftuar zjarret e grupit C (në pajisjet elektrike). Është e qartë se ky fikës me shumë përdorime ofron mbrojtje të shkëlqyer për shtëpinë. Zakonisht, pluhuri i thatë bën shumë rrëmujë e pis, por kjo gjë nuk do të na kushtojë shumë në krahasim me një zjarr.

Fikësit me ujë të presuar janë idealë për zjarret që ndizen nga letrat, druri, sendet plastike, plehrat ose tekstilet. Shpesh këto quhen zjarre të grupit A. Fuqia e ujit si agjent fikës i zjarrit vjen nga aftësia e tij e madhe për të thithur nxehtësinë. Kur është në vëllimin e duhur, uji e heq nxehtësinë më shpejt sesa mund ta krijojë zjarri dhe kështu zjarri shuhet. Por, mos e përdorni ujin në lëngje të djegshme. Kështu vetëm sa do ta përhapnit zjarrin, i cili do të shpërthente pastaj. Gjithashtu, duke qenë se uji e përcjell elektricitetin, nuk duhet ta përdorni atë ose ndonjë fikës tjetër që përmban ujë, në vendet ku mund të ketë tela elektrikë që kanë rrymë.

Fikësit me lëndë kimike të lëngshme përmbajnë një solucion të presuar kripërash bazike të tretura në ujë dhe janë veçanërisht të efektshëm kundër yndyrnave dhe vajrave të gatimit, por jo kundër produkteve të naftës. Gjithashtu, ata janë të efektshëm kundër zjarreve të grupit A.

Fikësit me shkumë funksionojnë mirë, jo vetëm në zjarret e grupit A, por edhe në zjarret e ndezura nga lëngjet e djegshme (lubrifikuesit industrialë, karburantet, bojërat), të njohura në përgjithësi si zjarre të grupit B. Ka dy lloje fikësish me shkumë, kështu që duhet të kontrollojmë se cili u përshtatet më mirë nevojave tona. Kur përdoret për të shuar një lëng të djegshëm, shkuma e mbulon atë me një cipë të papërshkueshme që i ndalon avujt e djegshëm dhe mban larg oksigjenin. Kështu, shkuma duhet përdorur më me delikatesë, që të mos depërtojë në lëng, por, përkundrazi, të përhapet me shpejtësi mbi të. Bëni kujdes që të mos e përdorni shkumën afër rrjetit elektrik.

Fikësit me dioksid karboni mund të përdoren pothuajse kundër të gjitha zjarreve, përveç zjarreve nga gazi. Ato funksionojnë në bazë të parimit që dioksidi i karbonit e zëvendëson oksigjenin. Por, siç e pamë më lart, nëse lënda e djegshme e ruan nxehtësinë, ka mundësi që të ndodhë rindezja e vetvetishme. Dioksidi i karbonit është një gaz, kështu që një mjedis me hapësirë të madhe ose ku fryn erë ia kufizon efektshmërinë. Megjithatë, pastërtia e këtij fikësi bën që ai të parapëlqehet për t’u përdorur në makineritë delikate dhe në pajisjet elektrike. Gjithsesi, në hapësirat e kufizuara, dioksidi i karbonit mund të shkaktojë asfiksinë, prandaj, nëse e përdorni në një mjedis të tillë, sigurohuni që të ikni kur të shuhet zjarri dhe ta mbyllni derën pasi të keni dalë.

Batanija kundër zjarrit * është një fikëse e manovrueshme dhe është ideale për zjarret e vogla e të kufizuara, si për shembull, mbi sobë ose në një pjesë të vogël të qilimit. Mjafton ta nxjerrim nga mbajtësja e saj e vogël e montuar në mur, ta hapim para vetes për t’u mbrojtur nga flakët dhe ta hedhim batanijen mbi zjarr. Sigurisht, në rast se nuk e keni bërë tashmë, duhet ta fikni burimin e nxehtësisë menjëherë, nëse është e mundur.

Batanijet kundër zjarrit janë jetëshpëtuese, gjithashtu, nëse ju marrin zjarr rrobat. Në rast të tillë, kujtoni këtë rregull jetësor: «Ndalo, shtriu përtokë dhe rrotullohu.» Asnjëherë mos vraponi, sepse kështu vetëm sa do t’i ‘fryni zjarrit’. Nëse ju ose dikush tjetër ka mundësi të marrë një batanije kundër zjarrit dhe t’ju mbështjellë me të ndërsa rrotulloheni, do ta shuani zjarrin edhe më shpejt.

Më i mirë se fikësit

Mbrojtja më e mirë kundër zjarreve është, patjetër, parandalimi i tyre, prandaj përdorni gjykim të shëndoshë. Mbajini shkrepset dhe çakmakët larg nga fëmijët. Hiqni nga soba ose afër saj çdo material që mund të marrë zjarr. Mos gatuani asnjëherë kur keni veshur rroba me mëngë të lira e që varen, të cilat mund të marrin zjarr. Instaloni sinjalizues tymi në shtëpi.

Edhe disa këshilla të tjera. Mos i ngarkoni kurrë prizat elektrike ose kordonët shtues. Mos lini kurrë yndyrnat ose vajin të skuqet në një furrë të ndezur, pa mbikëqyrje. Jini të kujdesshëm se ku i vendosni ngrohësit e mjedisit. Nëse keni bombola gazi afër shtëpisë, mos i drejtoni nga ndërtesa valvulat e sigurisë, të cilat mund ta shkaktojnë fare mirë zjarrin. Përdorni siguresa elektrike me madhësinë e duhur. Zëvendësojini telat e dëmtuar elektrikë.

A keni menduar për të bërë prova evakuimi nga shtëpia në rast zjarri? Këto mund t’jua shpëtojnë vërtet jetën. Merrni masa që familja të mblidhet në një vend specifik, që mund të jetë çdo pikë e sigurt, e përcaktuar, që e keni të lehtë ta gjeni si ditën, edhe natën. Gjithashtu, ndajini përgjegjësitë: kush do të ndihmojë fëmijët ose personat invalidë që të shkojnë në një vend të sigurt? Kush do të thërrasë zjarrfikësit? Vërtet, provat e evakuimit mund të shpëtojnë jetë, sepse në to praktikohet reagimi i duhur në raste të tilla, duke e bërë atë një veprim të vetvetishëm dhe të shpejtë.

Nëse ndodh më e keqja

Mbani mend: të mirat materiale mund të zëvendësohen, kurse jeta jo. Mos e rrezikoni jetën tuaj për të luftuar një zjarr. Megjithatë, nëse ju duket se nuk rrezikoni duke luftuar një zjarr, bëjeni këtë nga një vend që do t’ju lejojë të dilni në rast rreziku. Por, nëse dyshoni se fikësi që keni nuk është ai i duhuri ose nëse keni frikë se zjarri është shumë i madh, dilni me të shpejtë dhe thërritni zjarrfikësit.

Mbani parasysh, gjithashtu, se tymi, veçanërisht tymi helmues që vjen nga gjërat sintetike, vret më shumë njerëz sesa flakët, madje mund të vrasë në më pak se dy minuta. Prandaj, kur dilni nga një ndërtesë që digjet, ecni ultas. Afër dyshemesë ka më pak tym dhe ajri është më i ftohtë. Nëse është e mundur, mbani një rrobë të lagur para gojës. Para se të hapni një derë, prekeni me kurrizin e dorës. Nëse është e nxehtë, do të thotë se nga ana tjetër ka zjarr, prandaj duhet të gjeni një dalje tjetër. Gjithashtu, mbyllini të gjitha dyert ndërsa dilni. Kjo e kufizon vërshimin e oksigjenit te zjarri. Sigurisht, përdorimi i ashensorëve gjatë një zjarri është diçka që duhet shmangur plotësisht, pasi mund të ngecni brenda dhe ata mund të kthehen në furra!

Kështu pra, nëse keni ndër mend të blini një mjet mbrojtjeje nga zjarri për shtëpinë, makinën ose vendin e punës, mund të jetë më mirë të bisedoni për këtë me autoritetet vendase të zjarrfikësve. Disa hollësi më specifike mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin, kështu që nuk përfshihen në këtë artikull.

Sidoqoftë, kur të shihni herë tjetër një nga ato rojat e vogla të heshtura, ndaluni dhe njihuni më mirë me to. Një ditë ndoshta do t’u jeni thellësisht borxhlinj.

[Shënimi]

^ par. 18 Në qoftë se përdorimi i batanijes kundër zjarrit është i zakonshëm në vendin tuaj, sigurohuni që dini ta përdorni siç duhet. Shoqata Kombëtare për Mbrojtjen nga Zjarri në SHBA thotë: «Duhet theksuar se . . . batanijet kundër zjarrit kanë rëndësi dytësore. Ato duhen përdorur vetëm kur i kemi në dispozicion me lehtësi. . . . Përdorimi jo i duhur i batanijeve kundër zjarrit mund ta shtojë shkallën e dëmtimeve nga tymi dhe zjarri, nëse batanija e shtyn tymin nga fytyra jonë ose nëse nuk e heqim batanijen pasi të jenë shuar flakët.»

[Diagrami dhe figurat në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ZJARR

lëndë djegëse

nxehtësi

oksigjen

[Figurat]

GRUPI A

GRUPI B

[Burimi]

Chubb Fire Safety

[Diagrami në faqen 26]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Nëse ju marrin zjarr rrobat, mos vraponi

1. NDALO

2. SHTRIU PËRTOKË

3. RROTULLOHU

[Burimi]

© Coastal Training Technologies Corp. Riprodhuar me leje

[Figura në faqen 24]

Ekzistojnë shumë fikës zjarresh me përdorime të shumëfishta për shtëpinë

[Burimi]

Ilustrimi i mësipërm: I ribotuar me lejen e NFPA 10-1998, Portable Fire Extinguishers, Copyright © 1998, National Fire Protection Association, Quincy, Massachusetts 02269. Ky material i ribotuar nuk është qëndrimi i plotë dhe zyrtar i NFPA-së për sa i përket temës në fjalë, e cila është përfaqësuar vetëm nga standardi i saj në tërësi.