Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

Çfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

Çfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

«Asgjë nuk është më e rëndësishme për historianët, sesa të përshkruajnë me saktësi shkakun dhe pasojën.»​—XHERALD SHLABAK, ASISTENT-PROFESOR I HISTORISË.

HISTORIANËT shpesh pyesin: Si dhe përse ndodhën disa ngjarje? Për shembull, historia na tregon se Perandoria Romake ra. Por, përse ra? A ndodhi për shkak të korruptimit ose të rendjes pas kënaqësive? A ishte bërë perandoria tepër e vështirë për t’u mbajtur nën kontroll dhe ushtritë e saj tepër të kushtueshme? Mos vallë armiqtë e Romës po shtoheshin tepër dhe po bëheshin shumë të fuqishëm?

Kohët e fundit, komunizmi në Evropën Lindore, që shihej dikur si një kërcënim për Perëndimin, u shemb, me sa duket, sa hap e mbyll sytë nga një vend në tjetrin. Por, përse? Dhe çfarë mësimesh mund të nxjerrim? Pikërisht këtyre lloj pyetjeve përpiqen t’u përgjigjen historianët. Mirëpo, kur japin përgjigjet, deri në çfarë mase ndikojnë paragjykimet personale në gjykimin e tyre?

A mund t’i besojmë historisë?

Historianët u ngjajnë më shumë detektivëve, sesa shkencëtarëve. Ata hulumtojnë, hetojnë dhe vënë në dyshim dokumentimet nga e kaluara. Qëllimi i tyre është e vërteta, por, shpesh, ky pikësynim mbetet i turbullt. Arsyeja pjesërisht është që puna e tyre ka të bëjë kryesisht me njerëz dhe historianët nuk mund të lexojnë mendjet, e sidomos mendjet e të vdekurve. Historianët mund të kenë, gjithashtu, ide të formuara para kohe dhe mund të jenë të njëanshëm. Për rrjedhojë, nganjëherë edhe veprat më të mira janë në të vërtetë një interpretim që është bërë nga këndvështrimi i shkrimtarit.

Sigurisht, fakti që një historian ka pikëpamjen e vet nuk nënkupton medoemos se vepra e tij është e pasaktë. Ngjarjet biblike në librat e Samuelit, të Mbretërve dhe të Kronikave përfshijnë tregime paralele që i shkruan pesë individë të ndryshëm. Sidoqoftë mund të provohet që në to nuk ka asnjë mospërputhje domethënëse ose pasaktësi. E njëjta gjë është e vërtetë për katër Ungjijtë. Shumë shkrimtarë biblikë shkruan, madje, të metat dhe gabimet e tyre të pamenda: diçka që haset rrallë në veprat e tjera.—Numrat 20:9-12; Ligji i përtërirë 32:48-52.

Veç paragjykimeve të mundshme, një faktor tjetër i rëndësishëm që duhet shqyrtuar kur lexojmë historinë është motivi i shkrimtarit. «Çdo pjesë e historisë e treguar nga ata që kanë në dorë pushtetin, nga ata që rendin pas pushtetit a nga miqtë e tyre duhet shqyrtuar me dyshimin më të madh»,—thotë Majkëll Stanfordi në veprën A Companion to the Study of History. Një motiv i dyshimtë është i dukshëm, po ashtu, kur në veprat e historisë shfaqet një thirrje e tërthortë ose edhe e thënë troç për nacionalizëm dhe patriotizëm. Mjerisht, kjo gjë disa herë ndeshet në tekstet mësimore shkollore. Në një dekret qeveritar të një vendi thuhej fare haptas se qëllimi i mësimit të historisë është «të forcojë ndjenjat nacionaliste dhe patriotike në zemrat e njerëzve . . . , sepse njohuria për të kaluarën e kombit është një nga nxitjet më të rëndësishme drejt një sjelljeje patriotike».

Histori e manipuluar

Hera-herës historia nuk është thjesht me paragjykime, por është e manipuluar. Ish-Bashkimi Sovjetik, për shembull, «e fshiu emrin Trocki nga dokumentacionet, kështu që faktet rreth jetës së komisarit u zhdukën»,—thuhet në librin Truth in History. Kush ishte Trocki? Ishte një udhëheqës në Revolucionin Bolshevik Rus dhe ishte i dyti pas Leninit. Pas vdekjes së Leninit, Trocki pati përplasje me Stalinin, e përjashtuan nga Partia Komuniste dhe më vonë e vranë. Emri i tij, madje, u hoq nga enciklopeditë sovjetike. Shtrembërime të ngjashme të historisë, madje deri në atë pikë sa librat jokonformistë digjeshin, kanë qenë një praktikë e rregullt për shumë regjime diktatoriale.

Megjithatë, manipulimi i historisë është një praktikë e lashtë, që ka filluar të paktën qysh në kohën e Egjiptit dhe të Asirisë. Të kapardisur dhe mendjemëdhenj siç ishin, faraonët, mbretërit dhe perandorët siguroheshin që historia që linin si trashëgimi të ishte plot lajka për ta. Kështu ishte zakon që arritjet të zmadhoheshin, kurse çdo gjë që i vinte në siklet a që i turpëronte, si për shembull, disfata në luftë, zvogëlohej, fshihej ose disa herë, madje, as nuk dokumentohej fare. Në kontrast të thellë, historia e Izraelit e dokumentuar në Bibël përfshin si dështimet, ashtu edhe meritat qoftë të nënshtetasve, qoftë të mbretërve.

Si e kontrollojnë historianët saktësinë e shkrimeve të lashta? I krahasojnë ato me gjëra të tilla, si: regjistrime të vjetra taksash, kode ligjore, njoftime për shitje të skllevërve në ankand, letra dhe dokumente biznesi ose private, gdhendje mbi copëza enësh balte, ditare anijesh dhe objekte të gjetura në varre. Këto dëshmi të shumëllojta, shpesh, hedhin më shumë dritë ose hedhin një dritë të ndryshme mbi shkrimet zyrtare. Nëse mbeten boshllëqe ose pasiguri, historianët e mirë zakonisht e thonë këtë gjë, edhe pse mund të paraqesin teoritë e tyre për të mbushur boshllëqet. Sido që të jetë, lexuesit e mençur shqyrtojnë më shumë se një vepër, në rast se kërkojnë një shpjegim të ekuilibruar.

Pavarësisht nga gjithë sfidat që has historiani, puna e tij mund të sjellë shumë dobi. Në një libër historie shpjegohet: «Sado që është e vështirë të shkruhet, . . . historia botërore është e rëndësishme, madje e domosdoshme për ne.» Përveçse çel një dritare në të kaluarën, historia mund të zgjerojë kuptueshmërinë tonë për gjendjen e tanishme të njerëzimit. Në një kohë të shkurtër zbulojmë, për shembull, se njerëzit e lashtësisë shfaqnin të njëjtat karakteristika që shfaqin njerëzit sot. Këto karakteristika që përsëriten kanë pasur ndikim të madh në histori, ndoshta duke çuar në thënien që historia përsërit vetveten. Por, a është ky një përgjithësim me baza?

A përsërit vetveten historia?

A mund ta parashikojmë me saktësi të ardhmen mbi bazën e së shkuarës? Disa lloje ngjarjesh përsëriten. Për shembull, ish-Sekretari i Shtetit Amerikan, Henri Kisingeri tha: «Çdo qytetërim që ka ekzistuar ndonjëherë, së fundi është shembur.» Ai shtoi: «Historia është një rrëfim i përpjekjeve të dështuara, i synimeve e dëshirave të papërmbushura. . . . Prandaj, ashtu si edhe historianëve, njerëzve u duhet të pranojnë që tragjedia është e pashmangshme.»

Nuk ka dy perandori që të kenë rënë në të njëjtën mënyrë. Babilonia ra brenda një nate në duart e medëve dhe të persëve në vitin 539 p.e.s. Greqia u copëtua në disa mbretëri pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, duke i lënë vendin së fundi Romës. Ndërsa përmbysja e Romës mbetet një çështje polemikash. Historiani Xherald Shlabaku pyet: «Kur ra në të vërtetë Roma? A ra vërtet ndonjëherë? Diçka ndryshoi në Evropën Perëndimore nga viti 400 i e.s. deri në vitin 600 të e.s. Por pjesa më e madhe mbeti e pandryshuar.» * Qartë, disa anë të historisë përsëriten, kurse të tjerat jo.

Një mësim që historia na e përsërit me këmbëngulje është dështimi i sundimit njerëzor. Në të gjitha epokat, një qeverisje e mirë ka pasur vazhdimisht si pengesë egoizmin, dritëshkurtësinë, lakminë, korrupsionin, nepotizmin dhe veçanërisht etjen për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Për pasojë, e kaluara është përplot me gara armatimesh, traktate të dështuara, luftëra, trazira shoqërore dhe dhunë, shpërndarje të padrejtë të të mirave materiale dhe ekonomi të rrënuara.

Për shembull, vëreni çfarë thuhet në veprën The Columbia History of the World për ndikimin e qytetërimit të Perëndimit në pjesën tjetër të botës: «Pasi Kolombi dhe Kortési i bënë të vetëdijshëm njerëzit në Evropën Perëndimore për mundësitë që kishin përpara, atyre iu ndez dëshira për të bërë kthime në fe, për të nxjerrë fitime dhe për famë. Qytetërimi i Perëndimit u përhap, kryesisht me forcë, thuajse anembanë globit. Të pajisur me një dëshirë të pashuar e të fortë për të zgjeruar kufijtë dhe me armë më të zhvilluara, pushtuesit e shndërruan pjesën tjetër të botës, kundër dëshirës së saj, në një shtojcë të fuqive të mëdha evropiane . . . Popujt e këtyre kontinenteve [Afrikës, Azisë, Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut] ishin, me pak fjalë, viktimat e një shfrytëzimi të pamëshirshëm e mizor.» Sa të vërteta janë fjalët që gjenden në Bibël në Predikuesin 8:9: «Njeriu ka mbizotëruar njeriun në dëm të tij.»—BR.

Ndoshta kjo e kaluar e vajtueshme është ajo që e shtyu një filozof gjerman të komentonte se e vetmja gjë që duhet mësuar nga historia është se njerëzit nuk nxjerrin asnjë mësim nga historia. Në Jereminë 10:23 thuhet: «Udha e njeriut nuk është nën kontrollin e tij, e as nuk është në fuqinë e njeriut që, teksa shkon në rrugën e tij, të drejtojë hapat e veta.» (The Jerusalem Bible) Kjo paaftësi për të drejtuar hapat tanë duhet të na interesojë në mënyrë të veçantë sot. Përse? Sepse prekemi nga probleme që si në numër, ashtu edhe për nga madhësia janë të pashoqe. Si do t’u bëjmë ballë atëherë?

Probleme të pashoqe

Në tërë historinë e njerëzimit, kurrë më parë nuk ka ndodhur që e gjithë toka të ketë qenë e kërcënuar nga forcat e ndërthurura të shpyllëzimit, të gërryerjes së tokës, të shkretimit, të zhdukjes në masë të llojeve të bimëve e kafshëve, të pakësimit të ozonit në atmosferë, të ndotjes, të ngrohjes globale, të vdekjes së oqeaneve dhe të shtimit të pamasë të popullsisë njerëzore.

«Një tjetër sfidë që hasin shoqëritë moderne është shpejtësia e madhe me të cilën ndodhin ndryshimet»,—thuhet në librin A Green History of the World. Ed Arzi, botues i revistës World Watch, shkruan: «Po përballemi me diçka e cila është kaq e panjohur për përvojën tonë të përbashkët, saqë nuk e kuptojmë me të vërtetë, madje, edhe atëherë kur dëshmitë janë të bollshme. Për ne, kjo ‘diçka’ është një sulm i rrufeshëm ndryshimesh shumë të mëdha biologjike dhe fizike në botën që na ka mbajtur deri më sot.»

Duke pasur parasysh këto dhe problemet që lidhen me to, historiani Pardon E. Tilinghasti thotë: «Udhët në të cilat po ecën shoqëria janë bërë jashtëzakonisht më të ndërlikuara dhe për shumë nga ne dilemat janë tmerruese. Çfarë drejtimi mund t’u japin historianët profesionistë njerëzve që sot janë të pështjelluar? Me sa duket, jo ndonjë drejtim kushedi se çfarë.»

Historianët profesionistë mund të mos dinë çfarë të bëjnë ose çfarë këshillash të japin, por, patjetër, që nuk është kështu për Krijuesin tonë. Në të vërtetë, ai paratha në Bibël se në ditët e fundit bota do të përjetonte «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1-5) Por Perëndia ka shkuar edhe më tej dhe ka bërë diçka që historianët janë të pafuqishëm ta bëjnë: ka treguar rrugëdaljen, siç do ta shohim në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 16 Vërejtjet e Shlabakut janë në harmoni me atë që paratha profeti Daniel, pra, se Perandorinë Romake do ta pasonte një degëzim që do të dilte nga vetë ajo. Shih kapitujt 4 dhe 9 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Diçitura në faqen 5]

«Çdo pjesë e historisë e treguar nga ata që kanë në dorë pushtetin . . . duhet shqyrtuar me dyshimin më të madh.» MAJKËLL STANFORD, HISTORIAN

[Figura në faqen 4]

Perandori Neron

[Burimi]

Roma, Musei Capitolini

[Figurat në faqen 7]

Në të gjitha epokat, «njeriu ka mbizotëruar njeriun në dëm të tij»

[Burimet]

«Pushtuesit», nga Pierre Fritel. Përfshin (nga e majta në të djathtë): Ramsesi II, Atila, Hanibali, Tamerlani, Jul Cezari (në qendër), Napoleoni I, Aleksandri i Madh, Nabukodonosori dhe Karli i Madh. Nga libri The Library of Historic Characters and Famous Events, Vëll. III, 1895; aeroplanët: foto e USAF-it